fbpx

Mbi 40 mijë ton neurotoksina u depozituan pa asnjë masë sigurie në Maqedoninë e Veriut

Lindani është një neurotoksinë që mund të jetë kancerogjene

-

Testimet nga Ministria e Mjedisit të Maqedonisë së Veriut në Pelenicë, një vend turistik në periferi të Shkupit, pranë Draçevo, treguan një përqendrim të lartë të lindanit (HCH). Lindani është një neurotoksinë që mund të dëmtojë sistemin nervor, mëlçinë dhe veshkat dhe mund të jetë kancerogjen. OHIS, kompleksi kimik tashmë joekzistent që ishte përgjegjës për zonën, nuk i vendosi mbetjet e rrezikshme në pishina betoni, siç është rasti me dy landfillet në oborrin e OHIS, gjë që e bën kimikatin veçanërisht të rrezikshëm për tokën dhe ujërat nëntokësore në zonë.

Testimi konfirmon praninë e substancave toksike të depozituara ilegalisht në tokë

Sipas testeve të bëra në disa pika të kantierit, u zbuluan përqendrime të larta të HCH në shtresën e sipërme të tokës, në një thellësi prej 20 centimetra e sipër. Mbetjet e rrezikshme përzihen me mbeturinat e ndërtimit dhe mbetjet e një fabrike qelqi. Në një thellësi prej vetëm gjysmë metri, u gjet lindani i pastër. Në raportin përmbledhës të ministrisë të lëshuar më 30 dhjetor 2022 thuhet:

“Vendi i depozitimit përmban disa lloje mbetjesh të rrezikshme – rreth 40,000 ton HCH të pastër dhe rreth 6,500 ton HCH të përzier, së bashku me mbetjet nga një fabrikë qelqi. Mostrat e marra nga kantieri përmbajnë gjithashtu një përqendrim të lartë të klorbenzeneve dhe dioksinave dhe furaneve. Është gjetur vetëm një fuçi metalike me mbeturina. Fuçi të tjera mund të jenë hequr në të kaluarën dhe përmbajtja e tyre është shpërndarë në vend. Ka edhe mbeturina ndërtimi”.

Toka është gjithashtu e ndotur me lindan, por thellësia aktuale nuk dihet. Ujërat nëntokësore pranë zonës janë gjithashtu të kontaminuara dhe ekziston rreziku i përhapjes së ndotjes. Ajo që është më e rrezikshmja, siç ka treguar edhe ekzaminimi, është ndotja e tokës së Pelenicës, sepse mbetjet e rrezikshme mund të kontaminojnë ushqimin, bimët dhe produktet bujqësore në rajon.

Ministria e Mjedisit thotë se janë tre opsione. Metoda më e mirë do të ishte mbulimi i vendit, duke përfshirë argjinaturën, me dhe, në mënyrë që të parandalohet kontakti i drejtpërdrejtë me tokën sipërfaqësore të kontaminuar dhe të kufizohet depërtimi i ardhshëm i shiut. Studiuesit gjithashtu do të vazhdojnë monitorimin e ujërave nëntokësore për kontaminim dhe do të ndalojnë përdorimin e tyre nëse është e nevojshme, në varësi të rezultateve.

Ekzaminimi është bërë nga “Deacons Emma”, së bashku me nënkontraktorin TAUW nga Holanda, nëntorin e kaluar, ndërsa marrja e mostrave është monitoruar nga ekipi i përbërë nga profesorë të Institutit të Kimisë në Fakultetin e Shkencës e Matematikës në Shkup. Analiza e mostrave është bërë në laboratorin “Eurofins” në Holandë dhe ka kushtuar 48,700 euro.

Një trashëgimi e mbetjeve toksike të depozituara fshehurazi dekada më parë

OHIS ishte një nga kompanitë më të mëdha kimike në ish-Jugosllavi, e përbërë nga 5 fabrika dhe tetë uzina të tjera, duke prodhuar gjithçka, nga detergjentët te plastika, kozmetika dhe pesticide. Ajo funksiononte midis viteve 1957 dhe 1990 kur u privatizua pjesërisht në konvertimin e diskutueshëm të kapitalit shtetëror, por kompanitë më të vogla gjeneruan humbje, duke përfunduar në falimentim në 2015.

Një pjesë e mbetjeve toksike të mbetura nga OHIS, sipas rregulloreve në mjediset e fabrikës, hidhej në dy pika zyrtare me pishina betoni që parandalojnë depërtimin e toksinave në ujërat nëntokësore dhe tokën përreth. Megjithatë, ekzistenca e vendgrumbullimit të tretë të lindanit, që ndodhet rreth shtatë kilometra larg kompleksit të fabrikës, nuk dihej nga publiku.

Raportimi ngre alarmin dhe sjell reagim institucional

Pas një investigimi të gazetarëve në vitin 2018, Meta.mk njoftoi publikun për rrezikun dhe gjatë disa viteve të ardhshme shkroi dhjetëra artikuj për ndotjen e lindanit dhe pikën e tretë, e cila është jashtë oborrit të OHIS-it.

Sipas informacioneve që disponojmë, supozohet se lindani është depozituar në vitet ’70 nga OHIS pas ndalimit të prodhimit dhe përdorimit të tij. Ndërkohë, përpara se të rrethohej dhe të izolohej, Pelenica ishte një vend i njohur për ekskursione për fëmijët e shkollave fillore nga e gjithë zona e Shkupit. Përveç fushave dhe livadheve, zona ka edhe një kishë e një park dhe ishte një vend për piknik i njohur për banorët, siç tregohet në këtë reklamë turistike.

Gjatë pesë viteve, artikujt e Meta.mk informuan publikun si për rreziqet shëndetësore dhe institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e problemit. Përpjekjet e pandërprera të gazetarëve që “ngacmuan” zyrtarët duke kërkuar përgjigje, nxitën edhe grupet mjedisore dhe qytetarët të kërkojnë që institucionet shtetërore të veprojnë me shpejtësi. Si rezultat i kësaj, në fund të vitit 2018, Ministria e Arsimit ndaloi shkollat të përdorin terrenin për ekskursione ditore, ndërsa në vitin 2019, Ministria e Mjedisit ngriti një gardh për të mos lejuar që njerëzit të shkojnë në zonën e ndotur.

Ndërkohë, qeveria nisi edhe përpjekjet për të pastruar dy pikat e lindanit brenda kompleksit të vjetër të fabrikës, duke zbuluar një tjetër vendgrumbullim brenda ambienteve dhe disa ton të tjerë lindan të pastër të paketuar në thasë në një nga magazinat e rrënuara. Materialet toksike, duke përfshirë 450 ton lindan dhe 200 ton dhè të kontaminuar, u eksportuan në fabrika të specializuara në ZvicërFrancë dhe Gjermani për t’u shkatërruar sipas standardeve të sigurisë së BE-së.

Lindani është klasifikuar si kancerogjen i grupit 1 nga Shoqata Ndërkombëtare për Kërkimin mbi Kancerin, me prova të mjaftueshme që shkakton limfomën jo-Hodgkin. Kimikati është i qëndrueshëm dhe nuk shpërbëhet në mjedis. Meqenëse është një substancë e paqëndrueshme, ajo shpërndahet nga toka e kontaminuar dhe gjithashtu gjendet në grimcat PM. Njerëzit mund të ekspozohen ndaj lindanit përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar ose duke thithur ajër të kontaminuar. Ekspozimi kronik (afatgjatë) ndaj lindanit me anë të frymëmarrjes tek njerëzit shoqërohet me sëmundje të mëlçisë dhe gjakut si dhe me çrregullime të sistemit nervor, kardiovaskular, imunitar dhe riprodhues.

Ky lajm është publikuar fillimisht nga Meta.mk. Përkthyer nga Ardi Pulaj. Një version i redaktuar ribotohet këtu nën një marrëveshje për ndarjen e përmbajtjes midis Global Voices dhe Fondacionit Metamorphosis.

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.