Pothuajse tre të katërtat ose 72.6 % e qytetarëve shikojnë televizion,tregojnë të dhënat e Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele për pjesëmarrjen e shikueshmërisë totale të stacioneve televizive për tremujorin e dytë të vitit 2020. Megjithëse raporti i referohet periudhës që nga fillimi i pandemisë, e cila u shënua me orë të gjata policore, ndërsa qytetarët kryesisht ishin në shtëpi, të dhënat tregojnë rënie të numrit të njerëzve që shikojnë televizion madje për 16.9 % krahasuar me tremujorin e parë.

Qytetarët vëmendjen më të madhe ua kushtojnë lajmeve dhe programeve për informim, pasojnë programet argëtuese, përkatësisht ato muzikore dhe filmat serik, shkruan Meta.mk.

Nga “Të dhënat mbi shtrirjen e radio stacioneve dhe pjesëmarrja në shikueshmërinë totale të stacioneve televizive, për tremujorin e dytë të vitit 2020” të ASHMAV

Atë që qytetarët e shikojnë më së shumti do ta kenë edhe në sezonin e ri televiziv. Redaksitë e televizioneve të Maqedonisë po i përgatisin projektet e vjetra-reja për sezonin e ardhshëm të vjeshtës.

“Meta.mk” analizoi programet e pesë televizioneve kombëtare – Sitel, Alfa, Alsat-M, Telma dhe Kanal 5. Përkundër faktit se do të ofrohen disa projekte të reja, skema e programit duket se mbetet e njëjtë – prodhimi i pakët vendas, emisione politike dhe serialet turke në termat kryesorë të shumicës së kanaleve televizive.

Një nga arsyet e mungesës së ndryshimeve të mëdha është pozicioni jo i lakmueshëm i televizioneve për shkak të pandemisë kovid-19, thonë redaktorët e programeve të televizioneve.

Sitel TV është më i shikuari në tremujorin e dytë të vitit 2020, me pjesëmarrje prej 50.45 %. Në sezonin e ri, përparësia do të vendoset në mbulimin e lajmeve në lidhje me situatën politike, sociale dhe shëndetësore, ndërsa për pjesën argëtuese të programit dhe emisioneve që i prodhon ky televizion, për shkak të pandemisë, do të kërkohen mënyra alternative për të ruajtur cilësinë, thotë redaktori i programit në Sitel TV, Risto Samarxhiev.

Risto Samarxhiev, redaktor i programit në Sitel TV

“Në një kohë të pandemisë globale dhe funksionim të vështirësuar në të gjithë segmentet e jetës, është iluzion të eksperimentosh dhe të heqësh dorë nga ato që kanë funksionuar më parë dhe e mban televizionin në vendin e parë sipas shikueshmërisë. Përparësia vendoset në mbulimin e të gjitha ngjarjeve që lidhen me situatën politiko-shoqërore dhe natyrisht shëndetësore në Maqedoni, ndërsa në pjesën tjetër të programit kërkohen dhe gjenden mënyra për të ruajtur cilësinë dhe ofertën. Duhet përkujtuare që Televizioni Sitel është i vetmi televizion në vendin tonë, i cili tashmë prej disa vitesh vendos formatet televizive botërore dhe shfaqjet me një numër të madh pjesëmarrësish, kështu që në këtë drejtim, duke pasur parasysh situatën shëndetësore, ne jemi edhe më të prekurit. Në kushte të pandemisë, realizimi i këtyre projekteve është i vështirë, por në interes të ofertës më cilësore, ato realizohen, por me zgjidhje të caktuara të imponuara”, thotë Samarxhiev.

Serialet turke kanë qenë një tipar dallues për Sitel TV për shumë vite, kështu që edhe këtë sezon ato do të vazhdojnë të shfaqen në termet kryesore. Aktualisht në këtë televizion, brenda një nate gjatë një jave të punës, transmetohen tre seri të prodhimit turk. Samarxhiev thotë se ata do të vazhdojnë me përpjekjet për të siguruar serialet më cilësore nga Bosfori dhe shtojnë se këto përmbajtje me sukses mbajnë vëmendjen e shikuesve para ekraneve.

“Ne mbase nuk do të ndryshonim asgjë në këtë drejtim, aq më tepër që këto seriale tashmë disa vite janë hit absolut në botë dhe janë në programe televizive në të gjithë botën, madje edhe në Amerikën Latine, e cila konsiderohet djepi i serialeve artistike. Nga ana tjetër, serialet nga Bosfori shumë më rrallë janë në ofertat e Netflix, HBO dhe të ngjashme, kështu që efekti i premierës është shumë më i madh. “Përndryshe, duke e shfaqur ndonjë serial nga platformat e sipërpërmendura, vetëm gjatë shfaqjes së episodit të dytë, shumica e shikuesve do të kenë parë 30 episodet e ardhshme të tij,” shpjegon Samarxhiev.

Kur bëhet fjalë për produksionin vendor te televizionet, krijohet përshtypja e mungesës së kreativitetit. Një nga programet më të zakonshme me karakteristikë që realizohet në prodhimin e tyre janë tregimet popullore maqedonase. Të prodhuara dhe të shfaqura fillimisht në RTM në fund të shekullit XX, përrallat popullore gjejnë vendin e tyre në ekranet moderne të televizionit. Versione të tregimeve të njohura u filmuan nga disa televizione kombëtare, duke filluar me ish-A1, dhe më pas Sitel, Kanal 5, Alfa.

Alfa TV gjatë kësaj periudhe vazhdon me incizimin e episodeve të reja të këtij projekti, ndërsa redaktori i programit të televizionit, Metodi Aleksov, paralajmëron përmbajtje të tjera të reja. Serialet turke dhe emisionet politike mbeten në termet në prajm-tajm, ndërsa natën në Alfa do të shfaqen filma me metrazh të gjatë.

Metodi Aleksov, redaktor në Alfa TV

“Gara për shikueshmëri kërkon që ne të kemi rregullisht program të ri dhe të freskët, tërheqës për audiencën që na shikon, por edhe për atë që duhet të tërheqim. Publiku dikton se çfarë duhet të përmbajë oferta, kështu që serialet turke mbeten pjesë e skemës programore të Alfa. Si prodhim i yni, ne filluam dhe vazhdojmë me xhirimet e projektit Tregime maqedonase, ndërsa po jemi duke i përgatitur dy shfaqje të reja: njëra do të trajtojë tema sociale dhe tjetra është argëtuese. Magazinat politike mbeten tipar kryesor i Alfa TV: “Çfarë nuk është e qartë?”, “Fle nëse mundesh” dhe “Java”. Termet në mbrëmje janë të rezervuara për filmat e Holivudit.” – thotë Aleksov.

Gjatë ditës, në Alfa, shfaqen disa edicione informuese, emisione argëtuese-muzikore, si dhe emisioni i kontaktit “Fjala pas fjale”.

Emisionet debatuese dhe storjes hulumtuese të mbeten në qendër të vëmendjes së Alsat-M TV, tha kryeredaktori i televizionit, Admir Qose.

“Skema programore e Alsat TV këtë sezon do të jetë e ngjashme me atë të vitit kaluar. Në pjesën informative do të vazhdojë me pesë shfaqje debatuese në pesë ditët e javës. Këto janë emisionet “Rruga drejt”, “200”, “360 gradë” (dy herë) dhe “Magazina ekonomike”, të cilat do të ofrojnë jo vetëm storjes hulumtuese, por edhe debate. Këto emisione transmetohen në prajm-tajm me shikueshmëri të garantuar në televizionin tonë për të dy audiencat në shqip dhe maqedonisht”, tha Qose.

Ai shton se janë të vetëdijshëm që audienca ka nevojë për përmbajtje të ndryshme, por për shkak të arsyeve financiare dhe situatës aktuale në tregun mediatik, programi do të shkojë në mënyrën e vjetër.

Admir Qose, kryeredaktor i Alsat-M

“Sigurisht, do të vazhdojmë me serialet turk, pavarësisht faktit se Alsat TV gjithmonë përpiqet t’i ofrojë më të mirën audiencës. Por në këtë periudhë të shumë sfidave financiare si rezultat i tregut të brendshëm të medias dhe situatës me Kovid-19, ekrani ynë do të vazhdojë të rrezatojë të njëjtin model, pavarësisht faktit që jemi të vetëdijshëm se audienca gjithashtu ka nevojë për filma dhe shou-emisione  të Holivudit. Sidoqoftë, shfaqjet e përmendura debatuese janë produkti ynë vendas. Shpresojmë që me reformimin e mëtejshëm të tregut mediatik dhe përballjen me krizën me koronavirusin, Alsat TV, por edhe mediat tjera në vend do të jenë më konkurruese dhe do të ofrojnë më shumë për shikuesit,” shtoi Qose.

Kanal 5 TV gjithashtu ka tre drama turke dhe një emision me debate në kohën më të mirë. Sipas informacioneve që mund të gjenden në portalin e këtij mediumi, nga ora 19:40 deri në mesnatë, shikuesit do të ndjekin situata dramatike të sinkronizuara me një “pushim” për lajmet prej pesëmbëdhjetë minutash.

Fragment nga programi Kanal 5

Për krahasim, skemat e programeve televizive në rajon tregojnë se serialet turke po hiqen ngadalë nga termet kryesore. Nga katër stacionet televizive më të shikuara në Serbi, vetëm një (Pink TV) transmeton një serial turk në programin e tij në kohën më të mirë. Situata është e ngjashme edhe në Kroaci. Në tre televizionet më të shikuara shfaqet vetëm një serial turk në ditë. Në vend të produksionit turk, kanalet më të shikuara rajonale transmetojnë seri dhe programe vendase, si dhe disa nga serialet dhe filmat televizivë më të njohur amerikanë.

Në vendin tonë, Telma është i vetmi nga pesë televizionet me një koncesion kombëtar që nuk përfshin ndonjë serial turk në programin e saj. Shikuesit e këtij programi këtë sezon do të jenë në gjendje të shikojnë seri evropiane dhe shumë më tepër filma artistikë nga Hollywood-i. Janë paralajmëruar disa premiera të filmit, si dhe një serial artistik norvegjez. Redaktorët e programit informativ, konfirmuan se emisionet me debate si “Top tema”, “Eurofokus” dhe “Win-win” do të vazhdojnë të realizohen.

Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.