Para fillimit të vitit të ri shkollor në kohën e kovid-19, shumë prindër në ditët e fundit të shtatorit, në vend që të blinin pajisje shkollore, fletore, lapsa, nxituan të blinin ndonjë kompjuter ose laptop të ri. Ata pranuan rekomandime nga Ministria e arsimit dhe shkencës se cili duhet të jetë konfigurimi minimal (forca dhe shpejtësia) e kompjuterit që duhet ta blejnë. Papritmas dyqanet e kompjuterëve fituan mijëra blerës të mundshëm. Në vend që të ulnin çmimet, ata e shfrytëzuan momentin dhe e bënë të kundërtën, kështu që kompjuterë me teknologji të vjetër tani shiten me çmime më të larta se rreth një viti më parë.
Meta i analizoi specifikimet minimale të rekomanduara, për pajisjet që do të përdoren nga fëmijët, për mësimin në distancë dhe përfundimi është se Platforma kombëtare për arsim në distancë (schools.mk) mund të punojë në pothuajse të gjithë kompjuterët, laptopët, pajisjet mobile dhe tabletët e blerë në tre vjetët e fundit.
Këtë e konfirmon edhe Vladislav Bidikov, ekspert i IT-së, i përfshirë në zbatimin e Platformës kombëtare për mësim në distancë.
“Platforma është një përzierje e dy platformave ekzistuese, “Teams” dhe “Moodle” dhe në fakt mund të funksionojë rehat në pajisjet e vjetra që kanë ndonjë lidhje interneti. Ndërkohë lidhja 4G që kanë pothuajse të gjithë telefonat e mençur është zakonisht e mjaftueshme” thotë Bidikov për Meta.
Ai i këshillon prindërit që, para se të shkojnë për të blerë një kompjuter të ri, të lexojnë me kujdes pyetjet që parashtrohen më së shpeshti në ueb-faqen e platformës.
“Në seksionin e Pyetjeve të parashtruara shpesh në lidhje me konfigurimet minimale të pajisjeve IT, shpjegohet bukur se platforma punon në desktop, laptop, tablet ose smartphone përmes një shfletuesi (browser), gjegjësisht se nuk ka nevojë të instalohet softuer shtesë”, tha Bidikov.
Duke komentuar artikuj në media të caktuara që ueb-faqja e platformës “ka rënë”, Bidikov tha se ky nuk është aspak ashtu, por që është procedurë e rregullt kur teston një softueri të tillë të ndërlikuar për të cilin nevojitet rregullim i kujdesshëm kur testohet drejtpërdrejt me përdorues të vërtetë.
SPECIFIKIMET PËR TEKNOLOGJINË E VJETRUAR
Nëse hidhni një vështrim më të afërt specifikimeve që janë shënuar si minimale nga MASH, do të shihni se kjo është teknologji që ka dalë në treg për të paktën tre vjet.
Kështu, për shembull, gjenerata e shtatë e procesorëve Intel i3 shfaqet për herë të parë në fillim të vitit 2017. Nga të gjitha specifikimet e renditura si minimale, këta procesorë janë në të vërtetë më të fundit.
Për sa i përket RAM, nuk ka specifikime të detajuara, por mund të thuhet me siguri se RAM prej minimum 4 GB është pjesë e pothuajse të gjitha konfigurimeve kompjuterike në pesë vitet e fundit.
Gjithashtu, SSD janë një standard shumëvjeçar pa të cilin një kompjuter i ri nuk mund të imagjinohet në tre ose katër vitet e fundit.
Rezolucioni minimal i specifikuar i ekranit prej 1024 x 768 pikselë ka qenë prej kohësh nën rezolucionin standard (madje edhe për rrjetet sociale) prej 1920 x 1080 pikselë. Teknologjia e re tashmë aplikon rezolucion 4K (3840 x 2160 pikselë) edhe për laptopët.
Memoria grafike tani matet me dhjetëra gigabajt dhe sistemi operativ Windows 10 ka qenë standard për më shumë se tre vjet, sikurse portat USB 2.0.
Pajisjet standarde në të gjithë laptopët kanë përfshirë prej kohësh një mikrofon, kamera dhe altoparlantë të integruar.
MUND TË PËRDOREN EDHE KOMPJUTERËT E VJETËR NGA INSTITUCIONET
Përndryshe, ministrja e arsimit Mila Carovska informoi javën e kaluar se 40.000 fëmijë nuk kanë pajisje teknike për të ndjekur onlajn mësimin dhe se shkollat do të shtypin materiale mësimore për ta.
“Ashtë një situatë faktike ekzistuese, e cila nuk mund të kapërcehet brenda periudhës prej një muaji. Për ata fëmijë, ne do të kemi orë mësimore që do të vendosen në Televizionin kombëtar, në kanalet që tashmë janë siguruar dhe përmes tyre ata do të jenë në gjendje t’u ekspozohen informacioneve që duhet t’i marrin në shkollë”, tha Carovska.
Borçe Stamenov, qytetar nga Kavadarci i cili u shndërrua në hero të vërtetë në mesin e njerëzve duke i riparuar kompjuterët e vjetër dhe duke ua dhuruar atyre që nuk kanë, tha për Meta se problemin me mungesën e kompjuterëve mund ta zgjidhin institucionet në nivel shtetëror dhe lokal.
Stamenov thotë se çdo institucion ka kompjuterë të vjetër që mund të aftësohen për të punuar.
“Nuk është patjetër të jenë kompjuterë të rinj. Të gjitha institucionet, veçanërisht shkollat në Maqedoni, të gjitha në bodrume kanë pajisje që nuk i përdorin dhe nuk mund t’i shlyejnë ato. Po presin që çmimi të bjerë në minimum në mënyrë që ata të mos paguajnë taksa. Ka kompani që nuk mund t’i heqin këto pajisje për shkak të një pengese ligjore, e cila mund të ndryshohet shumë lehtë. Problemi me mungesën e kompjuterëve për familjet mund të zgjidhet pa para”, ka shtuar Stamenov, i cili si qytetar deri më tani ka riparuar më shumë se 360 kompjuterë të vjetër dhe i ka dhuruar ku ka pas nevojë.