Фото: Мета.мк

Problemi me ndotjen e në Shkup mbetet aktual, por numri i ditëve me ajër të ndotur dhe përqendrimet e matura të ndotësve këtë dimër që po kalon janë pak më të ulëta në krahasim me dimrin e mëparshëm, veçanërisht grimcat më të rrezikshme PM 2.5. Gjatë dhjetorit të viti 2021 dhe janarit të vitit 2022 nga pesë stacionet matëse të përhershme në Shkup, rezulton se ajrin më të pastër e thithin qytetarët e Karposhit, ndërsa ndotja më e lartë e ajrit është në Lisiçe, më pas në Gazi Babë dhe te Rektorati, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Stacioni matës i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, këtë dimër, tregon se Karposhi ishte lokacioni me ajrin më të pastër për sa i përket grimcave më të rrezikshme ndotëse. Gjatë dhjetorit të vitit 2021, vetëm gjatë 6 ditëve, përqendrimet maksimale të grimcave PM 2.5 në ajër ishin mbi 25 mikrogramë të lejuar për metër kub. Kundrejt Karposhit, stacioni matës në Qendër ka matur se, madje16 ditë të muajit të fundit të vitit të kaluar, ndotja me grimca PM 2.5 ka qenë mbi kufijtë e lejuar.

Në Gazi Babë, tejkalimi i përqendrimeve maksimale prej 25 mikrogramë për metër kub është regjistruar në 24 ditë të dhjetorit të vitit 2021. Stacionet matëse në Lisiçe dhe te Rektorati kanë matur se 25 ditë të dhjetorit të kaluar, banorët kanë thithur ajër të rrezikshëm, i cili ka përmbajtur grimca PM 2.5 mbi vlerat e përcaktuara.

Pothuajse të njëjtat matje të ndotjes së ajrit në Shkup janë regjistruar edhe për muajin janar të vitit 2022. Stacioni matës në Karposh ka treguar se në 4 ditë të muajit të parë të këtij viti në ajër ka pasur grimca PM 2.5 mbi përqendrimin e lejuar maksimal prej 25 mikrogramë për metër kub. Kundrejt kësaj, në Qendër madje në 20 ditë të janarit ajri ka qenë i ndotur rrezikshëm me grimcat PM 2.5.

Ajrin më të keq, për sa i përket grimcave më të rrezikshme ndotëse, e kanë thithur banorët në Gazi Babë, ku në 23 ditë të janarit 2022 prania e grimcave PM-10 ka qenë mbi kufijtë e lejuar. Madje 24 ditë në stacionin matës në Lisiçe dhe 25 ditë në stacionin matëse te Rektorati është regjistruar prani e grimcave PM 2.5 gjatë 24 orëve, që është mbi vlerat e lejuara maksimale.

Përkundër dallimeve drastike sa i përket ndotjes së ajrit, të dhënat nga raportet mujore të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thonë se në dhjetor të vitit 2021 në Shkup ka pasur ajër më të pastër në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2020.

Mesatarja e grimcave PM 2.5 për dhjetor 2021 në Qendër ishte 30,2 mikrogramë për metër kub, ndërsa një vit më parë mesatarja ka qenë 40,1 mikrogramë për metër kub.

Në Karposh, përqendrimet mesatare ditore të grimcave PM 2.5 në ajër, në dhjetor të vitit 2021, ishin 15,9 mikrogramë për metër kub, pra më shumë se dyfishuar në krahasim me dhjetorin 2020, kur mesatarja ka qenë 40,4 mikrogramë për metër kub.

Në janar të vitit 2022, përqendrimet mesatare ditore të grimcave PM 2.5 në stacionin matës në Qendër ishin 32,3 mikrogramë për metër kub, ndërsa në janar 2021 kjo vlerë ishte 36,1 mikrogramë për metër kub.

Stacioni matës në Karposh, sipas raporteve mujore të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në janar të vitit 2022 tregon mesatarisht 14,8 mikrogramë për metër kub, ndërsa një vit më parë, përqendrimet mesatare ditore të grimcave PM 2.5 kanë qenë 35,5 mikrogramë për metër kub.

Në pjesën e grimcave PM 10, ajri i Shkupit në dhjetor të vitit 2021 ka pasur më pak ditë kur janë tejkaluar kufijtë e lejuar maksimal në të gjitha pikat matëse krahasuar me fundin e vitit 2020. Kundrejt këtyre, në janar të vitit 2022 është regjistruar një numër më i madh ditësh kur janë tejkaluar vlerat e lejuara kufi në pesë stacionet matëse krahasuar me janarin e vitit 2021.

Kur të krahasohen stacionet matëse, gjatë janarit të vitit 2022 nuk ka pasur pothuajse asnjë dallim në numrin e ditëve kur grimcat PM 10 ishin mbi përqendrimin e lejuar maksimal prej 50 mikrogramë për metër kub. Në Qendër, Rektorat dhe Gazi Babë janë regjistruar 18 ditë, në Karposh 20 ditë, ndërsa në Lisiçe 21 ditë të janarit të vitit 2022 ka pasur prani të grimcave PM 10 në ajër, mbi vlerat e lejuara kufi.

Vlerat e matura që janë në dispozicion nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor tregojnë se në 12 ditë të dhjetorit të vitit 2021 ka pasur tejkalim të vlerave të lejuara kufi gjatë 24 orëve të grimcave PM 10 në Karposh dhe Gazi Babë. Ajri ka qenë i ndotur mbi nivelin e lejuar me grimcat PM 10 gjatë 15 ditëve të dhjetorit të vitit 2021 në stacionet matëse në Qendër dhe te Rektorati, si dhe 17 ditë në Lisiçe.

Të dhënat i krahasuam edhe në pjesën e përqendrimeve mesatare ditore të grimcave PM 10 në ajër, me ç’rast i krahasuam vlerat mesatare për muajin dhjetor të vitit 2021 për Gazi Babën, ndërsa për janarin e vitit 2022 për stacionin matës Lisiçe. Në dhjetor të vitit 2021, mesatarja e përqendrimeve mesatare ditore të grimcave PM 10 në stacionin matës Gazi Babë ishte 55,4 mikrogramë për metër kub, ndërsa gjatë dhjetorit të vitit 2020 mesatarja ishte 53,8 mikrogramë për metër kub.

Edhe te stacioni matës Lisiçe në janar të vitit 2022, është vërejtur prani e shtuar e grimcave PM 10 në ajër. Kështu, mesatarja e përqendrimeve mesatare ditore të grimcave PM 10 në stacionin matës në Lisiçe në janar të këtij viti ishte 82,9 mikrogramë për metër kub, ndërsa vitin e kaluar në janar mesatarja ishte 74,3 mikrogramë për metër kub.

Sa i përket ndotësve të tjerë në ajrin e Shkupit, të dhënat e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për dhjetor të vitit 2021 dhe janar të vitit 2022 tregojnë se pothuajse gjithmonë kanë qenë brenda kufijve të lejuar maksimal. Bëhet fjalë për dyoksidin e sulfurit, dyoksidin e azotit dhe monoksidin e karbonit, të cilat janë matur në pesë lokacione në kryeqytet. Përjashtim bën stacioni matës te Rektorati sa i përket dyoksidit të azotit, ku në dy muaj në dy raste është regjistruar tejkalim i vlerës kufi prej 1 ore të pranisë së tij në ajër.

Ndryshe, Meta.mk tashmë disa herë ka shkruar se numri i stacioneve matëse, që e monitorojnë cilësinë e ajrit në Shkup, por edhe në qytetet tjera është shumë i vogël. E gjithë pjesa veriore e Shkupit, përfshirë komunat Çair, Butel dhe Shuto Orizarë, nuk kanë  aktualisht asnjë stacion matës për të matur ndotjen e ajrit. Iniciativat qytetare dhe organizatat mjedisore kanë kërkuar rritje të ndjeshme të numrit të stacioneve matëse, në mënyrë që qytetarët në pjesë të ndryshme të Shkupit të kenë të dhëna për cilësinë e ajrit që e thithin.