fbpx

Mbështetja e BE për energjinë, pjesën e“luanit“ e merr Serbia

-

Bashkimi Europian është angazhuar të shpërndajë 1 miliard euro ndihmë në Ballkanin Perëndimor, për të zbutur efektet e krizës energjetike si pasojë e luftës në Ukrainë. Shqipëria do të marrë vetëm 8% nga totali i kësaj ndihme, ndërkohë që Serbia rezulton një ndër përfituesit kryesorë të mbështetjes. Eksperti i energjisë Eduart Gjokutaj shpjegon arsyet përse Shqipëria nuk ka ‘këllqe‘ të përfitojë projektet që asistohen financiarisht nga BE, arsye që lidhen kryesisht me reformën e pafinalizuar, tregun e cunguar dhe konkurrueshmërinë energjetike.

Esmeralda Topi

“Ne po propozojmë një paketë mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor, të njëjtën gjë po bëjmë edhe në BE duke përfshirë së pari mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore për të ndihmuar mosvuajtjen e ndikimit që kanë çmimet e larta dhe energjisë tek familjet, qytetarë, bizneset…”– deklaroi gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, si pjesë e një turi në Ballkan, që kishte si qëllim t’i njihte vendet e rajonit me masat mbështetëse të BE-së për krizën energjetike.

Me këtë rast, kryekomisionerja i bëri me dije qeverisë shqiptare se vendi do të përfitonte 80 milionë euro nga paketa e mbështetjes për energjinë.

Vizita e Presidentes Von der Leyen në Shqipëri paraprinte takimin e 27 udhëheqësve të Bashkimit Europian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Samitin e parë BE- Ballkani Perëndimor të organizuar në një vend jo anëtar të BE-së, si një shenjë simbolike e unionit për integrimin europian të rajonit.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor 

Më 6 dhjetor, Tirana mikpriti për herë të parë Samitin e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrjen e të gjithë liderëve të BE dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

“500 milionë euro në formë grantesh do të  shkojnë për mbështetjen e menjëhershme të familjeve të cënueshme dhe ndërmarrjeve të  mesme dhe të vogla (SME). 500 milionë euro të tjera në grante do t’i kushtohen investimeve në mbështetje të tranzicionit energjetik dhe pavarësisë energjetike, për të financuar përmirësimet në infrastrukturën e gazit dhe elektricitetit dhe në interkonektorët ku përfshihet  GNL-ja, si dhe projektet e reja për energjinë e përtëritshme, masat për eficiencën energjetike, përmirësimet në sistemet e transmetimit të energjisë, ngrohjen qendrore urbane dhe skemat për të përmirësuar eficiencën energjetike të apartamenteve në ndërtesat e vjetra.” – shkruhet në deklaratën përmbyllëse të Samitit BE- Ballkani Perëndimor.

Shqipëria përfiton vetëm 8% të financimeve nga BE

BE do të japë në harkun kohor të dy viteve 1 miliard euro grante për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor që të adresojë pasojat e menjëhershme të krizës energjetike dhe të krijojë elasticitet në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, por Shqipëria përfiton vetëm 80 milionë euro si mbështetje buxhetore nga pjesa e parë e ndihmës, ndërkohë që nuk është në listën e vendeve përfituese për financimin e projekteve.

“Sipas masës së përfitimit në këtë drejtim duket se pjesa më e madhe e investimeve që bazohen në kombinimin e granteve dhe huave shkon për vendet përreth Shqipërisë duke treguar në këtë mënyrë edhe dimensionet më të gjera të tregut ballkanas, i cili mundet të përthithë dhe zbatojë fonde me gati 2-3 herë më të mëdha se projekti i Shqipërisë. Varësia e madhe edhe pas tri dekadash të një tregu të lirë nga energjia e prodhuar nga HEC-et, si dhe mungesa e finalizimit të reformës së sektorit energjetik kanë ndikuar në një eficencë poshtë kapacitetit të nevojshëm për zgjerimin e tregut, liberalizimin e tij dhe rritjen e konkurrueshmërisë energjetike të Shqipërisë në rajon. Pa përfunduar këto detyra shtëpie, bashkë me forcimin e kapaciteteve për përgatitjen serioze për të përfituar projektet që asistohen financiarisht nga BE duket se te gjithë do të vuajmë fatin e përgjegjshmërisë së ulët politike në drejtim të përthithjes poshtë optimales nga ana e tregut shqiptar.” – shprehet për Faktoje, Eduard Gjokutaj, ekspert në fushën e financave dhe energjisë.

Si ndahet ndihma 1 miliard euro në rajon ?

Serbia merr pjesën e luanit nga ndihma e menjëhershme prej 500 milionë eurosh që do të jepet këtë vit në Ballkanin Perëndimor.

Konkretisht, Serbia do të marrë 165 milionë euro, më pas vjen Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me nga 80 milonë euro secila, Kosova me 75 milionë euro, Bosnja me 70 milionë euro dhe Mali i Zi me 30 milionë euro. Me këto para, BE vlerëson se Ballkani Perëndimor do të ndihmohet të zbusë ndikimin nga çmimet e larta të energjisë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe të mbrojë familjet në nevojë nga rritja e çmimeve.

Ndërsa pjesa e dytë e paketës prej 500 milionë eurosh do të ndahet në tre drejtime, 170 mln euro investime, 100 milionë euro për eficencën e energjisë dhe 230 milionë euro garanci për sektorin privat të energjisë. Në këtë paketë, Shqipëria nuk ka asnjë projekt ndërkohë që përfituesit kryesorë janë Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Kosova       64.7 mln euro

Serbia         47.3 mln euro

MV             20.5 mln euro

Nga granti i investimeve prej 170 mln euro përfitojnë këto projekte rajonale :

  • Impianti fotovoltaik në Kosovë me 33.1 milionë euro.
  • Solar Kosova, që synon ngrohjen Qendrore në Prishtinë, me 31.6 milionë euro.
  • “Rehabilitimi i Gjashtë Hidrocentraleve” Faza 3 në Maqedoninë e Veriut me 2 milion euro grant.
  • Parku i prodhimit të energjisë nga Era në Maqedoninë e Veriut, me 9.3 milionë euro grant.
  • Rindërtimi i hidrocentralit të Vlasinës në Serbi, me një grant 16.1 milionë euro.
  • Parku i prodhimit të energjisë nga era në Kostolac të Serbisë, me 31.2 milionë euro grant.

Pjesa tjetër prej 330 milionw eurosh do të përdoret në dy drejtime; për të nxitur projekte që kanë të bëjnë me eficencën e energjisë si dhe garanci për sektorin privat.

  • 100 mln euro për eficencën rajonale të energjisë
  • 230 mln euro garanci për sektorin privat

100 milionë eurot për eficensën rajonale ende nuk kanë ndarje sipas shteteve.  Ndërsa për 230 milionë eurot në formën e garancisë për sektorin privat përfituesit do të jenë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, (SME) të cilat do të mbështeten për prodhimin e energjisë së pastër. Granti do të shpërndahet nëpërmjet 6 thirrjeve dhe do të ndahet në bazë të kritereve që do të plotësojnë bizneset në të gjithë rajonin.

Kur do të ndahen paratë?

Edhe pse u tha që transhi i parë i grantit 500 milionë euro do të disbursohej brenda muajit janar, Bashkimi Europian ende nuk e ka ndarë ndihmën financiare për rajonin.

“Jemi në pritje të informacionit mbi afatet e disbursimit nga Delegacioni i BE në Tiranë dhe sapo ta kemi këtë informacion do ta ndajmë dhe me publikun. Ky fond do të përdoret për mbështetjen e sektorit energjetik sipas përcaktimeve të BE.”– shkruan Agjencia për Media dhe Informim në Shqipëri, në përgjigje të interesimit të Faktoje, mbi lëvrimin e 80 milionë eurove si mbështetje buxhetore për energjinë nga BE.

Ndërkohë, zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë njofton se ndihma do të ndahet menjëherë pas firmosjes së marrëveshjes së financimit mes qeverisë dhe BE-së.

Bashkimi Evropian do të jetë në gjendje të bëjë disbursimin e parë të paketës së mbështetjes së energjisë, pas nënshkrimit të marrëveshjes së financimit si nga Bashkimi Evropian ashtu edhe nga Shqipëria. Marrëveshja e financimit është në proces finalizimi.”– sqaron në një përgjigje zyrtare për Faktoje, zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë.

*Në linkun më poshtë gjeni komentin e plotë të ekspertit Eduard Gjokutaj.

https://bit.ly/3kS3rfk



ИзворFaktoje.al

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.