Kuvendi së shpejti do ta zgjedh qeverinë e re reformuese të Maqedonisë sepse qytetarët votuan për ndryshime dhe vendosën që t’i udhëheqin politikanë serioz, që kujdesen për interesat e tyre dhe të shtetit, përkundër politikanëve të kriminalitetit nga kryesia e VMRO DPMNE-së, që tentojnë ta fusin vendin në krizë më të thellë politike dhe izolim, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

Nga LSDM thonë se me kujdes i zhvillojnë proceset politike që çojnë drejt realizimit të vullnetit të shumicës së qytetarëve.

“Porositim se askush s’ka të drejtë të pengojë vullnetin e shprehur demokratik të shumicës së qytetarëve në zgjedhje. 67 deputetë qëndruan pas kryetarit të partisë, Zaev. Ka shumicë të formuar parlamentare demokratike. Ka program të qeverisë së re që mbron unitetin e shtetit dhe siguron nevojat e të gjithë qytetarëve. S’ka kohë për humbje”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

Prej atje i bëjnë thirrje Kuvendit dhe presidentit të shtetit, Gjorgje Ivanov që të mundësojnë kalim të qetë të pushtetit.