Ende pa u qetësuar stuhia nga verifikimi i ndryshimeve kushtetuese në Kuvend (11.01.2019), me të cilat u ndryshua emri i shtetit në “Republika e Maqedonisë Veriore”, e në opinion jehoi fuqishëm informacioni se në “Gazetën zyrtare” janë botuar Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, pa nënshkrimin e Presidentit të shtetit, Gjorgje Ivanov.

Me publikimin e Ligjit në “Gazetën Zyrtare”, ai edhe zyrtarisht hyn në fuqi dhe krahas gjuhës maqedonase edhe gjuha shqipe, do të aplikohet në të gjitha institucionet dhe procedurat e qytetarëve para të gjitha organeve shtetërore.

Ligji për gjuhët, ndër tjerash, parasheh krijimin e Agjencisë për aplikim të gjuhës, si dhe Inspektorat përgjegjës për të mbikëqyrë implementimin e Ligjit dhe për shqiptim të dënimeve.

Qeveria ka dërguar një kumtesë në të cilën pohon se, Ligji për gjuhët i promovon të drejtat e të gjitha komuniteteve jo shumicë dhe theksohet se: “Gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik është gjuhë zyrtare në tërë Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare… Ligji nuk instalon dygjuhësi të plotë as në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë, e as në të gjitha fushat e rendit juridik. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, mbrojtje, policinë qendrore dhe politikën monetare qendrore gjuha maqedonase është gjuha e vetme zyrtare në Republikën e Maqedonisë, gjë që është e përcaktuar me Ligjin për përdorim të gjuhës maqedonase të vitit 1998″.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u votua dy herë në Parlament, më 11 janar dhe 14 mars të vitit të kaluar, por kryetari Ivanov ka refuzuar ta nënshkruajë Dekretin për shpalljen e tij. Tani Ligji është botuar në “Gazetën zyrtare” vetëm me nënshkrimin e Kryetarit të Kuvendit Xhaferi, ndërsa në vendin ku duhet të qëndrojë nënshkrimi i kryetarit Ivanov ka shënim i cili shpjegon se ai ka refuzuar ta bëjë këtë.

Kryetarit i Kuvendit, Talat Xhaferi, ditën e Vitit të Ri Julian (14.01.2019), vonë në mbrëmje, në profilin e tij zyrtar në Fejsbuk ka publikuar se Ligjin për përdorimin e gjuhëve e kishte dërguar në “Gazetën zyrtare”. Më saktësisht, Kryetari ka publikuar një foto me shkrim në gjuhën shqipe dhe maqedonase: “Ligji për përdorimin e gjuhëve edhe në Gazetën zyrtare”.

Të nesërmen, më 15.01. 2019, Zëvendëskryeministri për integrime evropiane, Bujar Osmani, ka shpërndarë në Fejsbuk një foto të përbashkët me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, në të cilën Osmani dhe Ahmeti i kanë kryqëzuar duart në formë të shqiponjës.

Partia opozitare, VMRO-DPMNE, u kërcënua me aktakuzë penale kundër kryetarit Talat Xhaferi dhe drejtorit të “Gazetës zyrtare” dhe paralajmëroi nismë në Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e ligjit duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve në nivel qendror dhe lokal ta bojkotojnë operacionalizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhë.

U lajmërua edhe presidenti Ivanov përmes një kumtese me shkrim (15.01.2019) në të cilën ka porositur se veprimi i Xhaferit në rastin konkret përbën bazë për ndjekje penale.

Kryetari Xhaferi, ndërkohë, në konferencë për shtyp ka thënë se “nuk ndjen kurrfarë përgjegjësie dhe se Ivanovi është ai që i ka përzier sahanët”.

Me poticion pothuajse identik doli edhe Qeveria, e cila ka dërguar deklaratë në të cilën thuhet se, në fakt, Ivanovi e ka shkelur Kushtetutën me mos nënshkrimin e ligjeve duke marrë parasysh që ata janë miratuar dy herë në Kuvend.

Për momentin, Qeveria nuk ka shumë konkrete për atë se sa do të jenë implikimet financiare nga zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve.