Zoran Zaev është mandatari i parë i cili nënshkruan garanci se nuk do t’i rrezikoj interesat e larta shtetërore dhe nacionale. Kjo nuk është kërkuar as  nga Branko Cërvenkovski, as nga Hari Kostov e as nga Vlado Buçkovski. Kjo flet për seriozitetin e informacioneve që paralajmëronin për rrezikun me të cilin ballafaqohet Maqedonia, ka thënë Nikola Todorov në konferencën e VMRO DPMNE-së pasi presidenti Ivanov ia dorëzoi mandatin kreut të LSDM-së.

Todorov dorëzimin e garancive nga Zaev për mbrojtjen e tërësisë territoriale, karakterit unitar dhe multietnicitetit të Maqedonisë e cilësoi si “fitore e nxitur nga rezistenca politike e VMRO DPMNE dhe protestat e mëdha 80 ditore të qindra mijë qytetarëve nëpër shtet”. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-së akuzoi LSDM-në dhe Zaevin për krizën politike sepse siç tha, VMRO DPMNE ka ofruar mbështetje për qeveri që do të hedh poshtë platformën e partive shqiptare ndërsa LSDM këtë e ka refuzuar dhe më pas ndodhi “dhunë politike gjatë përpjekjet për emërimin e Talat Xhaferit për kryetari kuvendi”.