Krahas asaj që liderët e LSDM-së dhe të VMRO-DPMNE-së pajtohen rreth blerjes së aparateve për gjurmë gishti për zgjedhjet e ardhshme lokale, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) dhe ekspertët reaguan më me rezervë lidhur me parakushtet që duhet të plotësohen para se përgjithësisht të inkorporohet përpunimi i gjurmëve të gishtit në zgjedhje, shkruan Meta.mk.
Nga KSHZ dje, në deklaratë për disa media, dolën me qëndrim se dy nene nga Kodi zgjedhor janë barrierë për të filluar blerja e terminaleve dhe zbatimi i marrjes së gjurmëve të gishtit në zgjedhjet që do të mbahen në vjeshtë. Ministria për Punë të Brendshme (МРB) është e vetmja në vend që menaxhon me bazë të gjurmëve të gishtit, mirëpo nuk ka autorizim ligjor për t’i dhënë informata të tilla KSHZ-së, që më pas do të mund t’i futë në ekstraktet elektronike të Listës zgjedhore. Nga KSHZ thonë se pa aktvendim juridik, procedura e tenderit nuk mund të fillojë.
Pikërisht për këtë temë, ministri për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski dje u takua me kryetarin e KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.
Përfaqësuesit e KSHZ-së kanë kërkuar përkrahje nga MPB-ja për qasje te këto të dhëna personale të qytetarëve që do të marrin pjesë në procesin zgjedhor. Ministri, Spasovski sërish e ka theksuar nevojën për formim të grupit të përbashkët punues, që do t’i zgjidhë të gjitha dilemat e dallimet përgjatë procedurës, por edhe domosdoshmërinë për strategji të përgjithshme për siguri kibernetike. Të dy janë pajtuar që ka nevojë për ndryshime ligjore me të cilat do të përcaktohet mënyra e shfrytëzimit të gjurmëve të gishtit gjatë procesit zgjedhor.
Elena Stojanovska, analiste nga sfera e mbrojtjes së të dhënave personale nga Fondacioni Metamorfozis konsideron që ndryshimet e Kodit zgjedhor në drejtim të inkorporimit të përpunimit të gjurmëve të gishtit nuk duhet të jenë zgjidhje e shpejtë për të siguruar bazë juridike për atë që është paramenduar.
“Procesi duhet të fillojë me analizë të të gjitha rreziqeve të mundshme mbi privatësinë e qytetarëve nga shfrytëzimi i gjurmëve të gishtit si mënyrë identifikimi”, thotë ajo dhe shton se duhet qartë dhe konkretisht të përkufizohet cili institucion do t’i grumbullojë të dhënat, kush do të ketë qasje tek ato dhe çfarë masa do të ndërmerren për mbrojtje nga zbulimi i paautorizuar, humbja ose mënyrat tjera të keqpërdorimit.
Pasi të bëhet analizë e këtillë, gjithë kjo duhet të parashtrohet për miratim në Agjencinë për mbrojtjen e të dhënave personale. Kështu, nëse ata e aprovojnë përpunimin e të dhënave, atëherë të propozohen ndryshime të Kodit zgjedhor.
“Propozim ndryshimet në Kodin zgjedhor gjithashtu duhet të jenë lëndë për analizë dhe për aprovim nga Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale. Blerja e aparateve nuk guxon të fillojë para se të përfundojë procesi i sqaruar më sipër për shkak se vetë teknologjia që do të përdoret duhet të jetë në përputhje me masat mbrojtjes, përkatësisht aspektet juridike e teknike duhet të jenë të harmonizuara”, thotë analistja Elena Stojanovskа.
Ajo sqaron që shfrytëzimi i sistemeve për grumbullim masiv të gjurmëve të gishtit për qëllimet e zbatimit të procesit zgjedhor është operacion për përpunimin e të dhënave personale biometrike që nuk është paraparë me ligj, pra së këtejmi edhe zbatimi eventual është problematik.
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, përveç qëllimit të përcaktuar ligjor, parasheh që përpunimi i të dhënave personale mund të bëhet edhe për interesa legjitime përderisa ato nuk mbisundojnë mbi interesat e personave që kanë bëjnë me ato.
“Rregullorja e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave personale (GDPR – General Data Protection Regulation) dhe Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale janë më të rreptë në aspekt të përpunimit të të dhënave biometrike dhe kërkojnë analiza të veçanta për arsyeshmërinë e përdorimit të këtyre sistemeve në bazë të cilave vlerësohet nëse përpunimi i tillë do të lejohet në përgjithësi”, thekson ajo.
Përndryshe, dje kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski kërkoi nga Qeveria t’i blejë terminalet e tilla. Ai pohon që në tetor vitin e kaluar, ish kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), nga ministri i financave ka kërkuar mjete për blerjen e terminaleve, mirëpo nuk ka marrë përgjigje. Të njëjtën e ka kërkuar edhe kryetari i ri i KSHZ-së dhe përgjigjen që e ka marrë është që paratë do të sigurohen me rebalanc.
“Ne tani më një muaj apelojmë të fillojë ajo procedurë, që është zgjidhje ligjore, në nenin108-а shumë qartë shkruan që në zgjedhjet e ardhshme lokale, votimi duhet të bëhet me ndihmën e këtyre terminaleve për lexim të gjurmëve të gishtit ose në opinion të njohura si fingerprint terminale”, deklaroi Mickoski.
Edhe kryeministri Zoran Zaev dje apeloi për të njëjtën gjë, mirëpo ai përmendi që KSHZ është institucioni që duhet më shpejtë t’i blejë aparatet për gjurmë të gishtave. Edhe Zaev pohoi që këto terminale janë paraparë në ligj, ndërsа janë siguruar edhe mjete financiare për këtë.
“Do të bëjmë ç’mos që t’i blejmë. Ministri për Financa reagoi konkretisht, para ka, nëse mungon ndonjë pjesë, kemi rebalanc. Kemi dërguar edhe shkresë nga Ministria për Financa që kryetari i KSHZ-së dhe gjithë KSHZ-ja të mund menjëherë të inkuadrohen në procedurë të futjes së aparateve për gjurmë të gishtave”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Kryeministri dje deklaroi që MPB është e gatshme ta ndajë bazën me KSHZ-në dhe ai konsideron që nuk ka pengesa që kjo të realizohet.