Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që duhet të mbahen me 15 korrik javën e ardhshme, ditën e votimit nuk do të ketë heshtje zgjedhore. Kjo do të thotë se pjesëmarrësit e zgjedhjeve ditën e votimit do të mund të përdorin mediat dhe rrjetet sociale për të ftuar qytetarët për ti votuar ato dhe në të njëjtën kohë partitë dhe mediat nuk do të mund të gjobiten për shkeljen e heshtjes zgjedhore, shkruan Meta.mk.

Ideja e heshtjes zgjedhore është të pushojë agjitimi i partive dhe përhapja e propagandës në ditën e zgjedhjeve dhe të lihen të qetë votuesit dy ditë të mendojnë për ofertën e partive dhe të sjellin vendim pa ndikime prej jashtë dhe në bazë të vlerësimeve të veta. Ato kanë disa orë në disponim të mendojnë për të gjitha porositë e transmetuara nga eksponentët partiak gjatë fushatës dhe të zgjedhin alternativën që u përgjigjet interesave të tyre dhe të vendit.

Sipas Kodit zgjedhor, në nenin 76-b, shkelja e heshtjes zgjedhore vlerësohet nëse mediat në ditën e zgjedhjeve emitojnë ose publikojnë “çfarëdo qoftë informate, fotografi, materiale audio dhe audiovizive me ose ku participojnë pjesëmarrësit e zgjedhjeve”.

Po ashtu, si shkelje e heshtjes zgjedhore vlerësohet edhe çdo formë e raportimit në media e hapur ose e kamufluar në funksion të ndonjë fushate zgjedhore që mund të ndikojë ndaj vendimit të votuesve. Përveç kësaj, mediat nuk guxojnë të publikojnë të dhëna ku zbulohet identiteti i subjekteve politike dhe të individëve të përfshirë në incidente ose parregullsi tjera në ditën e votimit.

Për shkeljen e heshtjes, në Kodin zgjedhor është paraparë gjobë prej 4 mijë eurosh, për emetimin e reklamave të paguara politike, e cila nuk do të zbatohet për shkak të lëshimit në dekretin e qeverisë.

Kryeministri Teknik, Oliver Spasovski pohon se ajo që nuk do të ketë heshtje zgjedhore në ditën e zgjedhjeve është lëshim dhe se pas tij nuk ka ndonjë qëllim në prapavijë.

“Shumë më e rëndësishme është se çfarë do të jetë fushata, si do ti përçojmë mesazhet qytetarëve, a do të jemi në nivel të detyrës. Gjuha e urrejtjes dhe sulmet ti zëvendësojmë me projekte. Mendoj se nuk është diçka e qëllimshme, mendoj se do të shqyrtohen opsione në KSHZ, ato do ti marrin vendimet për këtë çështje”, tha Spasovski.

Edhe pse dekreti për zgjedhjet është miratuar nga qeveria, Spasovski vlerëson se Komisioni shtetëror i zgjedhjeve duhet të japë përgjigje se pse nuk është paraparë heshtja zgjedhore në ditën e zgjedhjeve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare me 15 korrik.

Mirëpo,  kryetari i KSHZ, Oliver Derkovski, thotë se komisioni në këtë rast është i pafuqishëm për të bërë çfarëdo qoftë dhe se zgjidhje për lëshimin nuk ka.

Drejtori i Agjencisë për shërbimet mediatike audio dhe audivizive, Zoran Trajçevski, për Meta.mk pohon se Agjencia është vënë para aktit të kryer që në ditën e zgjedhjeve nuk do të ketë heshtje zgjedhore dhe se nuk ka mundësi ligjore për të ndëshkuar mediat që nuk do ta respektojnë heshtjen. Trajçevski zbulon se gjatë ditëve të ardhshme do të dalë me thirrje deri te gjithë mediat, me të cilin do t’i lus të respektojnë heshtjen në ditën e zgjedhjeve përkundër asaj që një obligim të këtillë në këto zgjedhje nuk kanë.

Trajçevski thotë se me kohë kanë paralajmëruar përfaqësuesit e Ministrisë së drejtësisë për lëshimet eventuale, mirëpo vazhdimisht kanë qenë të injoruar. Ai zbulon se para shpërndarjes së Kuvendit, bashkë me Komisionin shtetëror për parandalimin e korrupsionit dhe Entit shtetëror të revizionit, kanë dorëzuar propozime se si të përmirësohet legjislacioni i zgjedhjeve, mirëpo partitë i kanë injoruar propozimet e tyre.

Për shembull, Enti i revizionit, ka kërkuar t’u lejohet qasje në xhirollogaritë e partive politike, mirëpo propozimi është refuzuar me arsyetimin se kjo paska qenë në kundërshtim me ligjin e bankave.

Televizionet kombëtare sipas të gjitha gjasave me 15 korrik do të respektojnë heshtjen zgjedhore përkundër asaj se nuk kanë një obligim të tillë ligjor. Në shoqatën e televizioneve kombëtare të Maqedonisë ende nuk kanë biseduar për këtë çështje, por përfaqësuesit e televizioneve angazhohen për  respektimin e heshtjes.

Drejtori i “Telma”, Atanas Kirovski, thotë se nuk ka kurrfarë dileme që televizioni i tyre do ta respektojë heshtjen zgjedhore. Në të njëjtën linjë është edhe drejtori i “Kanal 5”, Ivan Mirçevski, i cili vlerëson se bëhet fjalë për lëshim të rastësishëm dhe se ato si medium do ta respektojnë praktikën e deritashme.

“Heshtje zgjedhore është heshtje zgjedhore”, thotë Mirçevski.

Te prirë për respektimin e heshtjes zgjedhore në ditën e zgjedhjeve janë edhe përfaqësuesit e mediave të shtypura. Lirim Dullovi, kryetar i Shoqatës së mediave të shtypura nacionale, thotë se për këtë çështje shpejtë do të bisedojnë me anëtaret e shoqatës, mirëpo pret që të mbështetet praktika e deritashme për tu respektuar heshtja zgjedhore në ditën e votimit.

Aktualisht nuk është e qartë se si do të sillen mediat online dhe aktivistët e partive politike në rrjetet sociale. Shkelja e heshtjes zgjedhore ka pasur edhe në të kaluarën. Kështu, deputeti i BDI, Artan Grubi, në ditën kur votohej në referendum për emrin në vitin 2018, nëpërmjet fejsbukut, ftoi përkrahësit e tij të shfrytëzojnë pesë minutat e tyre për të sjellë vendim për ardhmërinë e tyre dhe të gjeneratave të ardhshme. Për këtë shkelje të heshtjes, Grubi nuk pati asnjë pasojë.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të marrin pjesë 15 koalicione dhe parti politike, të cilat për shkak të krizës me korona virusin nuk do të organizojnë mitingje të mëdha, por fushatën zgjedhore më shumë do ta përqendrojnë drejt rrjeteve sociale dhe drejt prezantimit politik në media, të paguar me mjetet e buxhetit të shtetit.

Naser Selmani

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.