Gjatë kohës së mandatit të dytë, presidenti Gjorge Ivanov u vlerësua vegël e partisë VMRO-DPMNE. Si kreu i shtetit nuk pati marrëdhënie të mira me bashkësinë ndërkombëtare, zbatoi politika antishqiptare dhe mori vendime kundër rendit juridik dhe kushtetues. Ivanov s’i pati “punët mirë” as me sektorin civil, të cilët shpesh ishin në shënjestër të kritikave të tij, por edhe me gazetarët të cilëve nuk u ka dhënë përgjigje në pyetjet e tyre gjatë konferencave për shtyp shkruan Portalb.mk, transmeton Meta.mk
Në vitin 2014-të Ivanov e fitoi mandatin e dytë, por nuk u pranua nga LSDM-ja për shkak të akuzave për falsifikim të zgjedhjeve. Zgjedhjen e Ivanovit s’e ka pranuar as BDI-ja, për shkak se sipas tyre nuk ka pasur mbështetje te shqiptarët në Maqedoni. BDI-ja gjithashtu asokohe organizoi fushatë për bojkotimin e votimit me moton “Tung e ke”, pasi që nuk u morën vesh asokohe me partnerin e koalicionit VMRO-DPMNE që të nxjerrin kandidat të përbashkët konsensual.
Ivanov deri më 12 maj 2019 do të jetë zyrtarisht president i Maqedonisë së Veriut, njoftojnë nga KSHZ.
Në mandatin e parë, Ivanov mbahet mend për tre gafat e tij më të mëdha gjatë deklaratave për gjendjen e demokracisë në Maqedoni, për kontestin me emrin dhe për vizitën në SHBA.
Ivanov dhe animi i tij nga Rusia
Ivanov gjatë mandatit të dytë, i ka ashpërsuar marrëdhëniet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Shpesh është ndeshur me përfaqësues të lartë të faktorit ndërkombëtarë duke i akuzuar për standarde të dyfishta të renditliberal, pasi që sipas tij, shtetasve të Maqedonisë u është kontestuar e drejtën e identitetit, por edhe e drejta e prosperitetit. Gjatë këtij mandati mund të nënvizohet se shpesh Ivanov është refuzuar nga mysafirët ndërkombëtarë, por ka pasur raste kur edhe vetë presidenti nuk i ka pranuar në vizitë.
Kriza politike me lojën e mosdhënies së mandatit liderit të opozitës, nxori në pah deklarimet e tij të cilat, përveç të ishin identike me Gruevskin, ata gjithashtu ishin në një linjë me ato të Moskës zyrtare. Ivanov, arsyetohej për mosdhënie të mandatit me të njëjtin zhargon të Rusisë, e cila sulmonte Perëndimin për përzierje në punët e brendshme, por edhe shqiptarët se nëpërmjet Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, të cilën ata e quanin Platforma Shqiptare, do të bëhet Shqipëria e Madhe.
Ivanov i përkrahu protestat përpara Kuvendit të Maqedonisë, në periudhën përpara se të ndodhte sulmi i dhunshëm në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill 2017-të. Në këto protesta mbaheshin fjalime nacionaliste, anti-perëndimore, madje ka pasur raste kur edhe janë djegur flamujt e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Për të qenë më ironike, Ivanov, euro-komesarin për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han, në kohën kur nuk ia jepte mandatin Zaevit për formim të Qeverisë, e refuzoi dhe i rekomandoi të takohej me këta protestues, të cilët më pas dhunshëm hyrën në Kuvend. Por kjo nuk mbaroi me kaq, më pas Ivanov më të njëjtët kërkoi amnisti duke i arsyetuar veprimet e tyre.
Partizimi i Ivanovit
Presidenti Ivanov në disa raste veprimet dhe vendimet e tij kanë qenë të ngjashme me interesat partiake të VMRO-DPMNE-së, apo në mënyrë direkte në favor të tyre. Për partizimin e tij e kanë akuzuar edhe faktori ndërkombëtar, por më së miri e dëshmon fakti kur shumicën e funksionarëve që ndiqte Prokuroria Speciale ai i aboloi (i fali). Ivanov, gjatë fjalimeve të tij dhe qëndrimeve ka pasur dhe qëndrime identike me mikun e tij, ish kryeministrin i cili tani është azilant në Hungari. Për më shumë ndiqni disa nga ngjarjet që kanë dëshmuar që Ivanov vepron në bazë të interesit partiak të VMRO-DPMNE-së.
Sherret, gafat dhe shkrimet për Ivanovin
Presidenti Ivnaov gjatë këtij mandati do të mbahet mend edhe për veprimet e tij ndonjëherë dhe qesharake dhe gafat të cilat kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, por rastet e veçanta të sherreve siç është ai me BDI-në. Gazetat e huaja kanë shkruar në lidhje me vendimet e caktuara të Ivanovit kur ka shkaktuar bllokada në vend, madje dhe duke ia bërë me dije se shkon hapave të Millosheviqit. Sido që të jetë, Ivanov e mbyll mandatin si i akuzuar për dy vepra penale për shkelje të Kushtetutës.