fbpx

Sensacionalizëm dhe spekulime në revistën serbe “Blic” – qeveria e Maqedonisë i përgënjeshtron lidhjet e fshehta dhe fondet e zeza mes Zaevit dhe Haradinajt

-

Qeveria e Maqedonisë përgënjeshtron se kryeministri Zoran Zaev dhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kanë “lidhje të fshehta dhe fonde të zeza për të korruptuar politikanët në Bruksel”, siç ka publikuar para disa ditësh (06.08.2019) gazeta serbe “Blic” duke mos cituar asnjë burim për pohimet e tilla, transmeton META.mk.

Qeveria në Shkup iu përgjigj kërkesës, nga Meta.mk, për koment lidhur me të dhënat e publikuara në gazetën serbe “Blic”, të cilët i kanë transmetuar edhe dhjetëra media serbe, ndër të cilat edhe B92 dhe agjencia Tanjug. Si zakonisht, pohimet e tilla, pa e verifikuar të vërtetën apo pa kërkuar reaksion, i publikuan edhe një sërë mediash të Maqedonisë.

Nga Qeveria e Maqedonisë u përgjigjën që bëhet fjalë për “të pavërteta absolute të cilat nuk janë të dobishme për marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajon”.

Ata shtojnë që asnjë dezinformatë mediatike dhe manipulim nuk do ta pengojë shtetin për të vazhduar të zhvillojë raporte të afërta dhe miqësore me vendet e rajonit.

“Kjo nënkupton bashkëpunim të afërt me qeveritë e vendeve fqinjë, në pajtim me legjislacionin e vendit dhe ndërkombëtar, ndërsa në interes të paqes së përhershme, stabilitetit, bashkëpunimit rajonal dhe prosperitetit të rajonit dhe të gjithë qytetarëve”, thuhet në përgjigje.

Në tekstin e publikuar të martën (06.08.2019) në ballinën e gazetës “Blic”, gazetaret Zheljka Jevtiq dhe Bojana Bogosav duke u thirrur në burime diplomatike nga Prishtina, pohojnë që “kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaevdhe ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj janë bashkëpunëtorë të afërt, kanë marrëveshje për të kontrolluar punët në Maqedoni, por edhe për të krijuar fonde të zeza që duhet të shërbejnë për të paguar politikanët nga Brukseli, por edhe nga Greqia, që në çdo mënyrë të mundshme të zbutet ndalimi i rrugës së Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s”.

Më tutje shtojnë që “për këtë qëllim, autoritetet e Maqedonisë kanë marrë dhuratë dy milionë euro, të dedikuara për politikanë të caktuar grekë, detyra e të cilëve është të flasin nëpër BE që s’kanë asgjë kundër aderimit të Maqedonisë në BE”. Mirëpo, kjo akuza nuk është vërtetuar me asnjë provë.

Në artikullin e shkruar në mënyrë sensacionaliste theksohet edhe që Zaev dhe Haradinaj “nuk janë takuar vetëm si kryeministra, por në disa takime kanë qenë edhe vëllezërit e tyre Vice Zaev dhe Daut Haradinaj”:

Në atë artikull thuhet edhe se Zaev dhe Haradinaj kanë rënë dakord edhe për financim të oficerëve ushtarakë nga Maqedonia, me përkatësi shqiptare, të shkojnë në Kosovë, ndërsa nga ana tjetër edhe oficerë të ushtrisë së Kosovës të shkollohen në akademinë në Shkup.

Për të gjitha këto pohime gazeta nuk përmend burime të sakta dhe nuk ofron dëshmi për t’i mbështetur të dhënat të cilat ia servon publikut sikur të jenë njëqind për qind të vërteta. Teksti përmban shumë akuza serioze, ndërsa thirret vetëm në burime anonime, pa i përmendur më konkretisht duke përdorur formulim të përgjithësuar: “Blic” mëson nga qarqe diplomatike në Prishtinë”. Mirëpo, është e paqartë se cilat janë ato “qarqe”?!

Bie në sy edhe që teksti prej fillimit deri në fund e mban vetëm njërën anë.

Storja është e treguar vetëm nga një kënd, në të nuk ekziston mendimi edhe i atyre të cilët akuzohen, ndërsa nuk vërehet as që në përgjithësi është bërë ndonjë tentativë për t’u marrë qëndrimin e tyre në lidhje me sulmet e shprehura.

Në fakt, është e dukshme tendenca që nga përzgjedhja e titullit bombastik me të cilin shpallet “zbulim spektakolar”:

“ZBULOJMË: Haradinaj dhe Zaev i bashkojnë LIDHJE TË FSHEHTA DHE FONDE TË ZEZA, ndërsa në biznes të përfshirë janë edhe vëllezërit e tyre” (OTKRIVAMO Haradinaja i Zaeva spajaju TAJNE VEZE I CRNI FONDOVI, a u poslove su uključena i njihova braća).

Në fund të tekstit theksohet që “Zaev është i involvuar edhe me biznesin me marihuanë, përkatësisht me prodhimtari të ilaçit prej kanabisi”, ndaj në atë kontekst thuhet:

“Sipas informatave jozyrtare pikërisht Zaev është një nga ata të cilët e kanë zhvilluar këtë biznes, ndërsa dy prej tetë firmave me licencë, nëpërmjet njerëzve të tyre kontrollojnë vëllezërit Zaev”.

Në lidhje me këto të dhëna nga Qeveria thonë që kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore është zgjidhje ligjore në pajtim me Ligjin për kontroll të drogave dehëse dhe substanca psikotropike lejohet kultivim i kanabisit në qëllime mjekësore ose shkencore. Megjithatë shtojnë që deri tani janë lëshuar 27 licenca për prodhim të kanabisit në qëllime mjekësore.

“Të gjithë personat juridikë të cilët dëshirojnë të marrin leje duhet të sigurojnë mbrojtje të kulturave bujqësore, siguri njëzet e katër orë, standarde të larta për ndërtim të laboratorit dhe pajisje të vet”, thonë nga qeveria dhe shtojnë që të gjitha 27 kompanitë të cilat janë licencuar për prodhim të kanabisit për qëllime mjekësore i plotësojnë kushtet ligjore dhe standardet.

Në pyetjen konkrete për sqarim në lidhje me deklaratën e “Blic” për biznesin me marihuanë, më saktësisht, më konkretisht a ka të vërtetë në pohimin që “dy firma për prodhim të ilaçit prej kanabisi nëpërmjet njerëzve të tyre i kontrollon familja Zaev”, nga Qeveria shkurtë na u përgjigjën të drejtohemi tek kompanitë private.

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.