Meeting in Brussels on November 22, from left to right Aleksandar Vučić (President of Serbia), Josep Borrell Fontelles (High Representative of the EU for Foreign Affairs and Security Policy), Miroslav Lajčak (EU Special representative for the Dialogue and other Western Balkan regional issues, Slovakia), Albin Kurti (Prime Minister of Kosovo). Photo by the Council of the EU Newsroom, republished with permission.

Dy ditë pasi Kosova dhe Serbia nuk gjetën gjuhën e përbashkët për mosmarrëveshjen mbi vendimin e qeverisë së Kosovës për të ndaluar targat e lëshuara nga Serbia, BE-ja njoftoi më 23 nëntor se çështja tani është zgjidhur.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, i cili zhvilloi bisedime të pasuksesshme më 21 nëntor në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen mbi targat e automjeteve, dy ditë më vonë ishte entuziast kur njoftoi arritjen e marrëveshjes:

Ne kemi nje marreveshje! Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqëndruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Borrell tha se Kosova do t’i japë fund veprimeve të mëtejshme lidhur me riregjistrimin e makinave, ndërkohë Serbia nuk do të lëshojë më targa makinash me emrat e qyteteve të Kosovës.

Qeveria në Prishtinë argumenton se targat që i përkasin kohës që para luftës së vitit 1999 për pavarësi nga Serbia nuk mund të jenë më të vlefshme. Autoritetet thonë se 50,000 serbët në veri të Kosovës, të cilët pranojnë vetëm institucionet vendore serbe, tani duhet të përdorin targat e Kosovës.

Çështja e targave të makinave është objekt kundërshtimi që prej kohësh nga serbët vendorë që preferojnë të përdorin targat e dhëna nga Beogradi dhe që Kosova i konsideron të jashtëligjshme. Mosmarrëveshja solli disa përplasje gjatë verës.

Në gusht BE mundësoi arritjen e një marrëveshjeje për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë, me synimin për uljen e tensioneve, pas disa episodeve të dhunshme. Por situata u përkeqësua. Më herët gjatë këtij muaji, serbët e Kosovës dhanë dorëheqjen nga pozicionet e tyre si deputetë, kryetarë komunash, punonjës të policisë dhe drejtësisë, gjatë një proteste të koordinuar, në kundërshtim me marrëveshjet e arritura mes Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

Kosova falënderon SHBA-në për ndërhyrjen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi për një shtyrje në zbatimin e gjobave pas dështimit të marrëveshjes të hënën, pasi një gjë të tillë e kërkoi SHBA. Ndërhyrja e SHBA-së e shtyu Kosovën dhe Serbinë të gjejnë gjuhën e përbashkët për çështjen e targave të makinave. Siç u përmend nga kryeministri dhe presidentja e Kosovës:

Nuk ka kohë për ambicie të vogla, është koha për hapa të mëdhenj. Pajtueshmëria e djeshme hap rrugën për bisedime intensive për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë bazuar në Propozimin e BE-së të mbështetur nga 🇫🇷, 🇩🇪&🇺🇸. Faleminderime @USAmbKosovo Hovenier për rolin, mbështetjen dhe përkushtimin e tij.

Dua të falënderoj @USAmbKosovo Jeff Hovenier dhe Qeverinë e SHBA për angazhimin e tyre aktiv në arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel. Mbështetja e tyre për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme. 🇽🇰 është mirënjohëse.

Uashingtoni reagoi shpejt duke e mirëpritur marrëveshjen:

Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve dhe për t’u përqëndruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën patronazhin e dialogut të lehtësuar nga BE.

Por Serbia zgjodhi një interpretim tjetër të marrëveshjes së Brukselit.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se targat ekzistuese “KM” të lëshuara për serbët e Kosovës në qytetin verior të Mitrovicës dhe të përdorura në të gjithë Kosovën veriore me shumicë serbe, do të mbeten në përdorim pavarësisht marrëveshjes, sipas BIRN.

“Targat KM, sa i përket makinave të reja, janë deri në 90 të tilla në vit, dhe sa i përket rinovimeve, ato funksionojnë normalisht dhe nuk ka asnjë detyrim askund në këtë drejtim”, tha Vuçiç të enjten për mediat në Beograd.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Edhe pse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen reciproke, Serbia nuk pranon, duke insistuar në një “zgjidhje kompromisi”.

Mosmarrëveshja e targave si justifikim për dezinformimin nxitës të luftës

Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2022, mosmarrëveshja e targave është përdorur si çështja më e dukshme nga aktorë të ndryshëm politikë si dhe nga furnizuesit e propagandës dhe dezinformimit brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

Një analizë e narrativave kyçe pro-Kremlinit që përhapen në Ballkanin Perëndimor, e kryer së bashku nga anëtarët e rrjetit të Qendrës Kundër Dezinformimit të Ballkanit Perëndimor, vuri në dukje disa raste të analogjive të rreme që promovojnë dhe riciklojnë propagandën ruse që justifikojnë agresionin e Ukrainës.

Për shembull, përpara 31 korrikut, afati fillestar i caktuar nga Kosova për zëvendësimin e targave, Serbia filloi një fushatë duke promovuar narrativën e rreme se “Kosova po përgatit dëbimin e serbëve nga vendi, ashtu siç Ukraina i dëboi rusët nga rajonet lindore të territorit të saj”. Krahas ndërrimit të targave, “Beogradi ka dezinformuar se sipas vendimit të kryeministrit Albin Kurti, do të konfiskohen kartat e identitetit të serbëve në kufi, veprim i cili do t’i paraprijë dëbimit përfundimtar të serbëve nga Kosova.”

“Për pasojë dhjetëra qytetarë serbë me mjete të rënda bllokuan rrugët që të çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Por sipas vendimit të qeverisë, atyre që kanë dokumente identifikimi serbe do t’u lëshohet vetëm një dokument në pikat e kalimit kufitar, praktikë që Serbia e zbaton me qytetarët e Kosovës për më shumë se një dekadë.”

Politikanët në të dy anët e kufirit Kosovë-Serbi i shfrytëzuan tensionet për tu dukur, duke përhapur frikën e luftës. Gjatë gushtit, tabloidët pro-qeveritare serbe ngritën tensionet në nivel rajonal duke pretenduar se një konflikt i ri i armatosur është i pashmangshëm, me një fushatë të vazhdueshme të nxitjes së luftës. Fushata u përpoq të veçonte kryeministrin e Kosovës Kurti si fajtorin kryesor për problemet dhe pengesën për gjetjen e zgjidhjeve.

Orhan Dragaš, drejtor i Institutit Ndërkombëtar të Sigurisë me seli në Beograd, vuri në dukje se shpërthimi i dezinformatave nga faqet e internetit të lidhura me Rusinë dhe llogaritë e mediave sociale në Serbi, që pretendonin se luftimet kishin shpërthyer në Kosovë më 1 gusht, “ishte një operacion agresiv hibrid rus, i krijuar për të provokuar një tjetër luftë evropiane dhe për të larguar vëmendjen nga Ukraina.”

Në Kosovë, pati një pretendim të rremë nga deputeti i partisë në pushtet Vetëvendosje Artan Abrashi se “pas mobilizimit në Rusi, ka mobilizim edhe në Serbi”. Pretendimet sensacionale të Abrashit se ngjarje që priten të ndodhin më 24 shtator u përhapën nga shumë media lokale.

Më 26 shtator, një tabloid serb publikoi pretendime të rreme për “inkursion” “të paligjshëm” nga Forca e Sigurisë së Kosovës kundër popullatës etnike serbe në komunën e Zubin Potokut të Kosovës veriore, afër kufirit serb, gjë që ishte justifikim për reagime nxitëse nga partia politike serbe lokale dhe nga zyra e qeverisë serbe për Kosovën. Ditën tjetër, presidenti serb Vuçiç kërcënoi se nëse ka masakër ndaj serbëve në Kosovë, ushtria serbe do të ndërhynte në rast se forcat e NATO-s të vendosura në Kosovë nuk do t’i mbrojnë ata.

Në një artikull për Euroactiv, Antoinette Nikolova, Drejtoresha e Iniciativës për Media të Lirë në Ballkan, paralajmëroi se dezinformimi dhe propaganda nxitëse e luftës mund të shkaktojnë dhunë etnike të ngjashme me trazirat vdekjeprurëse të 18 viteve më parë.

Në Kosovë, një kërcënim i tillë ka peshë të veçantë. Në vitin 2004, serbët u akuzuan gabimisht për mbytjen e tre fëmijëve shqiptarë etnikë. Pasoi një stuhi mediatike, e cila çoi në një shpërthim të dhunës etnike që la 19 njerëz të vdekur dhe qindra të tjerë të plagosur. Sipas OSBE-së, “pa raportimin e pamatur dhe sensacionalist të 16 dhe 17 marsit, ngjarjet mund të kishin marrë një rrjedhë tjetër”.

Burimi: Global Voices

 

Дисклејмер