Ambasadorët e Suedisë, Holandës dhe Sllovenisë, Mats Stefanson, Vauter Plomp dhe Milan Jazbec, sot kanë porositur se Brukseli nuk sheh nevojë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare sidomos që zgjedhjet e fundit janë vlerësuar si të lira dhe demokratike ndërsa zgjedhjet e reja do të nënkuptonin vetëm thellimin e krizës në Maqedoni.
“Zgjedhjet që u mbajtën në dhjetor ishin korrekte dhe të lira, siç konfirmojnë shumë vëzhgues ndërkombëtarë. Për këtë, nuk do të ishte e dobishme që të ketë sërish zgjedhje, sidomos aq shpejtë pas dhjetorit. Konsideroj se ato do ta zgjatnin krizën, e cila ashtu po zvarritet”, tha ambasadori holandez Plomp.
Sipas ambasadorit suedez, zgjedhjet e reja mund të çojnë drejt destabilizimit të Maqedonisë dhe për këtë zgjidhja duhet të kërkohet në Kushtetutë.
“Zgjedhje të reja në situatë të këtillë do të mbaheshin në një klimë të konfrontimit ekstrem, që nuk është mirë për stabilitetin. Zgjidhja duhet të kërkohet në Kushtetutë. Mendoj se është shumë herët për “Përzhinë 3” dhe s’kam dëgjuar se po diskutohet për këtë. Për takime liderësh nuk kam informata nga brenda, por në situatë të klimës politike konfrontuese, dialogu mes opozitës dhe qeverisë nuk është si ide e keqe, por ata duhet të vendosin”, ka thënë ambasadori Stefanson.
Ambasadori slloven Milan Jazbec ka porositur se në vend që të kërkohen zgjedhje të reja, liderët politik të fokusohen në zbatimin e rezultateve nga zgjedhjet dhe të formojnë qeveri të re.
“Fokusohuni në esencën, tentoni të formoni Qeveri, sipas raporteve në Kuvend nuk shoh të ketë nevojë për zgjedhje të reja”, ka thënë Jazbec.
Megjithatë, ambasadorë nuk e konfirmuan informacionin e javores gjermane “Spiegel” se BE planifikon të miratoj sanksione për Maqedoninë gjegjësisht të vendos ndalesë për udhëtim dhe t’i bllokoj llogaritë e disa zyrtarëve në vend si dhe t’i shkurtojë fondet IPA para- aderuese. Sipas javores, kancelarja gjermane Angela Merkel, gjoja gjatë konferencës së PPE në Maltë, ka paralajmëruar liderin e VMRO DPMNE-së, Nikola Gruevski se do të pasojnë sanksione nëse nuk ndërpritet bllokimi i proceseve demokratike.
Për miratimin e këtij vendimi, nevojitet njëzëshmëri nga të gjitha 27 vendet e BE-së.