Kuvendi i R. së Maqedonisë me 71 votë “për” dhe 9 “abstenime” zgjodhi qeverinë e re kalimtare në krye me Emil Dimitriev.
Të gjithë ministrat nga përbërja e mëhershme do të jenë ministra edhe në qeverinë kalimtare, përfshirë edhe ministrat e propozuar nga opozita, ai i brendshëm Oliver Spasovski dhe punë dhe politikës sociale, Frosina Remenski të cilët nuk ishin në seancë.
Ministrat së bashku me kryeministrin e ri Dimitriev dhanë betimin dhe i firmosën deklaratat solemne.
Me përzgjedhjen për kryeministër, Dimitrievit i ndërpritet mandati i deputetit në Parlament.
Kryeministri i ri në fillim të seancës tha se qeveria në krye me të do të organizoj zgjedhje korrekte dhe të lira.
“Të pranohet roli i kryeministrit është përgjegjësi dhe nder i madh. Dua të falënderoj Nikolla Gruevskin për politikën e tij që nuk lejoi përshkallëzimin e situatës dhe mundësoi që shteti të del nga kjo humnerë. E falënderoj për besimin që të udhëheq qeverinë kalimtare. Të gjithë ne duhet me mençuri të veprojmë në interes të shtetit dhe qytetarëve. Pozitën e kryeministrit do ta kryej me përgjegjësi ndërsa zgjedhjet do të jetë të ndershme dhe demokratike” tha Dimitriev në fillim të seancës.
Ai i bëri thirrje opozitës të jetë konstruktive me veprimet e saja dhe se bashkë mund të bëhen gjëra të mira për vendin.