Komisioni Evropian sot sërish bëri thirrje që të respektohen rezultatet e zgjedhjeve dhe presidenti Gjorge Ivanov të shqyrtojë vendimin e tij.

“Siç BE ka njoftuar edhe më herët, rezultatet nga zgjedhjet e fundit parlamentare patjetër duhet respektuar, t’i vihet fund pasigurisë aktuale dhe qeveria të formohet pa anulim të mëtutjeshëm në bazë të shumicës parlamentare që është formuar”, deklaroi për “Meta” zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiq, duke u përgjigjur në pyetjen “nëse BE planifikon masa për zhbllokimin e krizës dhe a mund të presim ardhje të mundshme të zyrtarëve të BE-së në Maqedoni”.

Ajo përkujtoi deklaratat e mëhershme të përfaqësuese së lartë të politikës së jashtme dhe sigurisë në BE, Federika Mogerini, euro- komisarit Johanes Han dhe KE-së, që disa herë kërkuan që presidenti Ivanov të shqyrtoj vendimin.

“Inkurajojmë presidentin që menjëherë të shqyrtojë vendimin e tij. Tani presim të gjithë liderët politik dhe institucionet të lejojnë proceset demokratike të vazhdojnë më tej. Kjo përfshin emërimin e kryetarit të Kuvendit, pa anulim të mëtutjeshëm”, tha Kocijançiq.