Gruevski : Ju ftuam që të argumentoni e jo të anuloni

Debati për Ligjin e arsimit të lartë filloi në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, por në të nuk marrin pjesë profesorët e “Plenumit të Profesorëve” dhe anëtarët e “Plenumit të Studentëve”.

Më herët, me kërkesë të profesorëve, kryeministri Nikolla Gruevski e zhvendosi debatin prej hotelit “Aleksandar Palas” në Kuvendin e R. së Maqedonisë.

Kryeministri Nikolla Gruevski tha se shpreson që në debatin për ligjin për arsimin e lartë i cili ende po zhvillohet do të ketë vërejtje konstruktive dhe propozime dhe se Qeveria e Ministria e arsimit dhe shkencës janë tërësisht të hapur që t’i dëgjojnë të gjitha vërejtjet.

-Çdo gjë që është argumentuar, të jini të sigurt se ne do ta pranojmë. Qëllimi ynë është të kemi ligj cilësor, të kemi studentë me njohuri më të larta dhe profesorë më të suksesshëm. Këto ndryshime përfshijnë dy gjëra dhe të dyja janë në drejtim të rritjes së diturisë. Njëra palë në drejtim të rritjes së diturisë tek studentët me aplikimin e provimit shtetërorë ndërsa pala tjetër në drejtim të rritjes së punimit shkencor dhe punës së profesorëve përmes aplikimit të normave minimale për publikimin e punimeve shkencore, por në revista relevante shkencore- tha Gruevski.

Ai shtoi se e kanë ditur se pjesë më e madhe e profesorëve nuk do të pajtohet me këto ndryshime sepse në afat të shkurtë prishet komforti dhe ndërrohen shprehitë.

Rektori i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Velimir Stojkovski tha se qëndrimi i universitetit është se do të ishte mirë nëse gjendet mënyrën që të ofrohet hapësirë më e madhe për debat më të madh dhe propozoi që të nxirret ligj i ri për arsimin e lartë.

-Ky ndryshim është i pesëmbëdhjeti për gjashtë vite dhe ndoshta duhet të mendojmë se është koha të miratohet ligj i ri për arsim të lartë me implementimin e të gjitha ndryshimeve të deritanishme dhe për të cilin do të lihej periudhë më e gjatë e debatit. Misioni i të gjithëve është i njëjtë, të arrijmë deri tek studenti më cilësorë dhe deri tek arsimi më cilësorë ndërsa për këtë nevojitet debat më i gjerë dhe më rrënjësor. Çdo gjë që do të bëhet në sistemin e arsimit të lartë do të kthehet si bumerang në njërën apo sferën tjetër. I mbështesim të gjitha ndryshimet që janë në drejtim të përmirësimit të cilësisë, por kërkojmë hapësirë më të madhe për debat duke pasur parasysh se kemi 130 faqe me vërejtje- tha Stojkovski.

Ndaj kësaj kryeministri Gruevski me replikë se nuk është serioze të kërkohet anulim sepse debati po zgjat prej tetorit.

-Debati po zgjat prej tetorit, ne me vetëdije në tetor njoftuam se çfarë po planifikojmë dhe më pas ministri dërgoi letër se çfarë planifikon të ndryshoj. Nuk e di a ka pasur debat më të madh për ndonjë ligj tjetër. Ndoshta ligji për mediumet dhe ky kanë pasur debatin më të madh nga pavarësia e R. së Maqedonisë. Debat kemi vazhdimisht. Edhe paraqitja publike e profesorëve, studentëve, ministrave, zëvendës- ministrave, rektorëve nëpër mediume është debat. Ne kemi shkruar çdo vërejtje, jo si ofendim apo kritikë boshe. Dhe kemi përgjigje ndaj çdo gjëje. Një pjesë është pranuar, një pjesë është pranuar pjesërisht dhe kemi argumente pse është e pranuar pjesërisht dhe një pjesë nuk është pranuar sepse kemi argumente të forta. Ne sot ju ftuam të debatojmë me argumente e jo të merremi vesh që të anulojmë. Pas kaq muajsh debat të vini dhe të kërkoni që të anulojmë, nuk është serioze- tha Gruevski.