Wednesday, 20 May, 2026
Meta.mk

Maqedoni, do të ketë deportime dhe akuza për të kthyerit nga ISIS (INFOGRAFIK)

Pritet riatdhesim i shtetasve të Maqedonisë të robëruar si luftëtarë në radhët e të ashtuquajturit Shteti Islamik (ISIS) në Siri dhe Irak, ndërkaq një pjesë e tyre do të jenë lëndë e procedurës së mëtutjeshme, pasi që pjesëmarrja në luftëra të huaja është vepër penale, vlerëson ish ministri i Punëve të Brendshe, Pavle Trajanov, njofton Meta.mk

“Pritet që në periudhën e ardhshme të ketë mjaft të deportuar. Kurdët mbajnë rreth 150 luftëtarë nga rajoni, në mesin e të cilëve ka edhe shtetas të Maqedonisë, forcat siriane mbajnë numër të madh, në mesin e të cilëve ka edhe shtetas tanë, Turqia në kampe dhe burgje ka luftëtarë të robëruar të ISIS-it, forcat demokratike të Sirisë kanë, të gjitha palët kanë luftëtarë të robëruar nga ISIS”, thotë Trajanov.

Pas shpërthimit të konfliktit në Siri, duke e ndjekur trendin botëror të parandalimit që shtetasit e shteteve të largohen dhe t’i bashkëngjiten ISIS-it ose ndonjë fraksionit tjetër, më së shpeshti Xhabhad al Nusra, Maqedonia në vitin 2014 në Kodin Penal vendosi nen të ri, 322, “Pjesëmarrja në luftë të huaj, polici, formacioni paramilitare dhe ushtarake”.

Screen Shot 2019-02-26 at 2.12.14 PM

Deri më tani për këtë vepër janë të akuzuar ose të dënuar 23 shtetas të Maqedonisë – 16 të janë arrestuar në vitin 2015 dhe 2016 në aksionet policore “Qelia 1 dhe 2” dhe 7 luftëtarë të robëruar të cilët janë riatdhesuar në gusht të vitit të kaluar. Njëri nga të riatdhesuar për shkak të veprës “Pjesëmarrje në luftë të huaj, polici, formacione paramilitare dhe ushtarake” është i akuzuar edhe për veprën penale “Organizim terrorist”.

Nuk dihet kur, por do të blihen instrumente të reja matëse për PM10 në Gazi Babë dhe Lisiçe

Dy lagjet më të ndotura në Shkup, Lisiçe dhe Gazi Baba, do të marrin instrumente të reja për matjen e grimcave PM10, ka informuar për “Meta”, Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, por nuk i japin afat kohor se kur do të ndodhë kjo.

Në Lisiçe, grimcat e kancerogjene PM10 nuk maten nga 5 tetori, gjegjësisht 41 ditë, ndërsa në Gazi Babë instrumenti nuk funksionon nga 14 gushti, gjegjësisht tre muaj. Këto dy vendbanime kanë qenë me vite ndër më të ndoturat në Shkup.

“Instrumentet PM10 në këto dy pika matëse janë të prishura dhe nuk janë në funksion për të matur. Për momentin, po bëhen përpjekje që të sigurohe instrumente të reja që duhet të blihen jashtë vendit dhe për momentin nuk mund të themi se sa do të kushtojnë. Sapo të sigurohen në afatin më të shpejtë të mundur do të vihen në funksion” thonë nga ministria për “Meta”.

Për këtë, autori i aplikacionit “Moj vozduh” (“Ajri im”), Gorjan Jovanovski, iu drejtua Ministrisë, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

-Pa përgjigje ka mbetur kërkesa ime zyrtare për qasje deri në informacione me karakter publik e drejtuar në Ministrinë e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, e dërguar më 1 nëntor, në të cilën kërkoj të më përgjigjem se sa është buxheti i Ministrisë për vitin 2018 për blerje dhe riparim të pjesëve dhe sensorëve nga rrjeti i stacioneve matëse për ndotjen e ajrit – thotë Jovanovski.

Matja e fundit e stacionit Lisiçe për grimcat PM10 ka qenë më 5 tetor, në orën 8, kur stacioni i matjes ka teguar 137 mikrogramë për metër kub. Tre orë më parë në orën 5 të mëngjesit ka treguar 629 mikrogramë, në orën 3 pas mesnatës 382 mikrogramë, ndërsa në orën 1 ka treguar 259.

Përveç se qytetarët mund të informohen, në mënyrë përkatëse, se sa është i ndotur ajri që e thithin, mosfunksionimi i instrumenteve në Lisiçe dhe dhe Gazi Babë është problematike për shkak se, sipas rezultateve të këtyre matjeve janë të parashikuar aktivizime të masave emergjente.

Për aktivizim të masave emergjente nevojitet që së paku dy stacione matëse në Shkup të tregojnë koncentrim ditor mesatar të grimcave PM10 mbi 200 mikrogramë për metër kub gjatë dy ditëve të fundit.

Kjo do të thotë se edhe nëse ka një tejkalim të stacioneve matëse në Lisiçe dhe Gazi Babë, të cilat janë gjithmonë ndër vendbanimet më të ndotura, kjo nuk është regjistruar dhe nuk mund të ndërmerren masa.

Për krahasim, stacioni matës te MZT në Gazi Babë, që është pjesë e projektit “Shkupi Puls” dhe të dhënat e marra aty saj janë jozyrtare, mbrëmë ka treguar 260 mikrogramë për metër kub të grimcave PM10.

TEC Manastir dhe TEC Osllomej ndotin sa 83 fabrika evropiane me thëngjill (Infogram)

Tymi i oxhaqeve në Maqedoni është njëzet herë më i zi se në Evropë. Në Maqedonia ka njëzet herë më shumë familje që ngrohen me dru sesa në Bashkimin Evropian, ndërsa katër blloqet e termocentraleve që përdorin lignit (TEC Manastiri 1.2 dhe 3 dhe TEC Osllomej) ndotin si 83 centrale evropiane me thëngjill rezulton krahasimi i të dhënave të Vjetarit statistikor të Entit Shtetëror të Statistikave me të dhënat e EUROSTAT dhe të Aleanca për shëndet dhe mjedis jetësor.

Më shumë se 80 përqind e ekonomive familjare në vend ngrohen me lëndë djegëse të ngurta, bindshëm më së shumti me dru. Mesatarja e BE-së është 4.8 për qind ndërsa udhëheqin Polonia me 45 përqind dhe Irlanda me 21, por ndryshe nga Maqedonia, në ngrohjen me lëndë djegëse të ngurta në Evropë dominojnë peletat dhe përpunime të tjera të drurit që ndotin shumë më pak se druri.

Sipas raportit të përgjithshëm vjetor për cilësinë e mjedisit jetësor për vitin 2017, të përgatitur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, familjet janë ndotësit më të mëdhenj me grimca të ngurta në vend:
Pjesa e emetimeve nga sektori i amvisërive dhe objekteve administrative (veçanërisht nga djegia e drurit), në vitin 2016, në emetimet totale të totalit të grimcave të ngurta (TSP) është 43.7 për qind, ne emetimet e grimcave të ngurta me madhësi prej 10 mikrometra (PM10) është 46.6 për qind dhe 63.3 për qind në emetimet e grimcave deri në 2.5 mikrometra (PM2.5).

Maqedonia e kryeson listën edhe sipas koncentrimit të matur të grimcave PM10 në një stacion matës. Sipas Raportit të fundit për cilësinë e ajrit të Agjencisë Evropiane për mjedis jetësor, vetëm gjashtë për qind e stacioneve të monitorimit në kontinent në vitin 2016 kanë regjistruar koncentrime vjetore të grimcave PM10 tejkalon kufirin prej 40 mikrogramë për metër kub. Prej tyre, 92% kanë qenë në katër vende; Turqia (116 stacione), Polonia (29), Maqedonia (13) dhe Bullgaria (11 stacione)

Njëzet herë është diferenca e ndotjes nga termocentralet maqedonase, që përdorin lignit, nga ato evropiane, që përdorin kryesisht lloje të thëngjillit me kalori më të madhe, por edhe teknologji shumë më të përparuara. Aktualisht, katër blloqet termoelektrike me lignit emetojnë 3.342 ton grimca PM 2.5 në vit. Sipas standardeve për mjedis jetësor, emetimet e tyre vjetore totale duhet të jenë 167 ton. TEC Manastir dhe TEC Osllomej nuk ka marrë lejen e integruar ekologjike, por duke i falënderuar Bashkësisë energjetike, trup ndërkombëtar për energjetikë, kanë afat deri më 2028 për të reduktuar emetimet në nivelin e duhur.

SHA ELEM dej filloi fushatë për mbjelljen e 50.000 hektarëve me fidanë të akacieve rreth-e-rrotull TEC Manastiri. Përveç se mbjellin drunj, TEC Manastiri dhe ELEM-i e kanë për obligim të reduktojnë emetimet e substancave të dëmshme nga centrali përmes de-sulfurizimit, duke vendosur filtra, konverterë, pastrimin e hirit, zëvendësimin e mundshëm të karburanteve dhe masa të tjera.

Sipas Aleancës për shëndet dhe mjedis, 16 termocentrale me lignit në Ballkanin Perëndimor, me një fuqi prej 16 GW, lëshojnë pothuajse dy herë më shumë grimca PM 2.5 se të gjitha 296 termocentralet me thëngjill në BE, të cilët kanë fuqi prej 156 GW. Centralet e Ballkanit janë ndër dhjetë ndotësit më të mëdhenj në Evropë me PM2.5, ndërsa TEC Manastiri është i dyti për nga sasia, pas Kosova A.

Pavarësisht burimeve të identifikuara të ndotjes, raporti i revizorit “Cilësia e ajrit – revizioni kooperativ”, thekson se “Kadastri i ndotësve nuk është i plotë, sepse mungojnë të dhënat për burimet jo-prodhuese të emetimeve dhe të dhëna nga matjet e një pjese të burimeve të prodhimit.”

Tajmlajn: Si u ndërrua pushteti në Maqedoni?

Tre vitet e krizës për qytetarët e Maqedonisë ishin të vështira, të rënda dhe me stres. Kriza nuk ishte vetëm politike, ajo kaloi edhe në krizë ekonomike, sociale, morale dhe etike. Kishte sërë protestash dhe kundër- protestash, gjykime dhe kundër- gjykime, hetime dhe kundër- hetime. U firmos Marrëveshja e Përzhinës e më pas edhe Përzhino 2. Kishte zgjedhje, por edhe zgjedhje të anuluara, u paraqitën materiale të përgjuara, por edhe akuza se ato janë të “ngjitura, të prera dhe të montuara”. Populli u nda në patriotë dhe tradhtarë, e këtë kjo e mbështjellë me akuza të ndërsjella, lajme të rreme dhe propagandë të madhe.

Ndryshimet filluan me zgjidhim qytetar që në rrugën e përçuan studentët që organizuan tre protesta masovike ndërsa vazhduan përmes “bombave”, formimin e PSP-së dhe hetimet e saj që prezantuan tre prokuroret.

Falja e firmosur nga presidenti Gjorge Ivanov solli protesta tremujore ku u formua “Revolucioni laraman”. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u anuluan dy herë ndërsa emërimi i kryetarin të Kuvendit e përcolli hyrja brutale në Kuvend, ku u lënduan disa deputetë, qytetarë dhe gazetarë. Pas disa vizitave të ndërmjetësve të huaj, Ivanov megjithatë në fund ia dorëzoi mandatin Zoran Zaevit ku si pasojë erdhi deri në përzgjedhjen e Qeverisë. Pas 11 viteve, përfaqësuesit e VMRO DPMNE-s u ulën në kolltukët opozitare ndërsa LSDM hyri në pushtet në krye me kryeministrin Zaev.

“Metamorfozis” shpall konkurs për grante të vogla në kuadër të projektit “Action SEE”

Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” nëpërmjet projektit “Action SEE” ka shpallur kërkesa për aplikime për sigurimin e mbështetjes së organizatave qytetare dhe promovimin e sundimit të drejtës dhe qeverisjes së mirë, nëpërmjet ndarjes së 25 deri 30 grante të vogla për organizata qytetare nga Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova.

Do të ndahen dy lloje të granteve, të cilat do të kenë vlerë nga 6.000 deri më 8.000 euro.

“Nga iniciativat pritet që të fokusohen në drejtim të çështjes në lidhje me sundimin e ligjit dhe qeverisjes së mirë, veçmas lidhur me antikorrupsionin, transparencën dhe qasjen deri te informatat, mbrojtjen e të dhënave dhe shfrytëzimin e mjeteve publike në më shumë fusha”, thonë nga “Metamorfozis”.

Afati për paraqitje të aplikimeve është deri në orën 16 më 15 janar të vitit 2017, vetëm nëpërmjet internet-formularit për aplikimin. Formularët për aplikim patjetër duhet të plotësohen në gjuhën angleze.

Për më shumë rreth konkursit mund të shihni: KËTU

#Përgjegjësi është ujë pa arsen në Gjevgjeli

Banorët e Gjevgjelisë me vite konsumojnë ujë që është i ndotur me arsen. Edhe pse organizata joqeveritare “Arsena” vazhdimisht tërheq vërejtjen se uji për pije është i ndotur, Komuna e Gjevgjelisë madje në shtator të këtij viti shpalli tender për ndërtimin e sistemit të ri për furnizim me ujë të qytetit.

Kryetari i Gjevgjelisë, Ivan Frangov, deklaroi se sistemi i ri për furnizim me ujë në Gjevgjeli ndërtohet për shkak se qyteti ka nevojë për sasi plotësuese të ujit. Ai thotë se uji në Gjevgjeli është i pastër, mirëpo se autoritetet lokale dëshirojnë ta largojnë çdo dyshim.

“Arsena” në korrik të këtij viti e publikoi analizën e mostrës së ujit nga ujësjellësi i Gjevgjelisë, e cila tregoi prezencë të sasive të mëdha të arsenit, mirëpo edhe të metalit të rëndë vanadium, ndërsa në lidhje me deklaratën e Frangovit thonë se është mashtrim i publikut dhe marketing zgjedhor.

Siç shkruan në shpalljen e publikuar në ueb-faqen e komunës, sistemi i furnizimit me ujë do të ndërtohet me kredi nga Banka Botërore dhe me grant nga fondet IPA.

Me projekt është paraparë të ndërtohen dy bunarë të rinj te lumi Vardar, tubacion i ujësjellësit dhe rezervoar në kodrën e Mërzenit.

Sipas Organizatës botërore të shëndetësisë, arseni është njëri nga helmet më të fuqishme, i cili në doza mjaft të vogla, vret ngadalë, mirëpo në mënyrë efikase. Shkakton shumë pasoja negative, ndërsa sipas disa shkencëtarëve, lidhet drejtpërdrejt me ADN-në e njeriut. Shkakton prishjen e kromozomeve dhe shkurtimin e tyre, që çon në prishje gjenetike të palcës kurrizore, gjegjësisht shkakton leukemi.

#Përgjegjësi është puseta me kapakë

Fakti që për çdo vit në pusetat e hapura bien dhe lëndohen nga dhjetëra fëmijë dhe qytetarë të rritur ose dëmtohen veturat, sikur nuk është shkak i mjaftueshëm që pushteti lokal dhe policia të merren më seriozisht me këtë çështje.

Jo vetëm këmbësorët, por edhe veturat përfundojnë në pusetat e hapura, të cilat janë bërë pamje e përditshme, që mund të shihet në çdo cep të qytetit. Nga NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi” vazhdimisht thonë se duke pasur parasysh faktin se kapakët prej metali vidhen, e pastaj shiten si hekur i vjetër, kërkohen edhe zgjidhje të tjera që ato të bëhen nga materiale që nuk do t’u shërbejnë hajdutëve.

Në shumicën e rasteve nuk bëhet fjalë për vjedhje stihike, por për vjedhje të organizuar, që bëhet me furgona, me ç’rast mblidhen kapakët nga e gjithë rruga, dhe pastaj shiten si hekur i vjetër jashtë kufirit.

– Më ka ndodhur që të shikoj anash dhe pasi ta kaloj pusetën e shoh se për disa centimetra nuk kam rënë në të. E për në mbrëmje as që dua të mendoj. Nuk e di se a janë kapakët aq të shtrenjtë apo autoritetet kanë punë më të mençur se sa të merren me pusetat, thotë një banore e revoltuar e Shkupit.

#Përgjegjësi është qasja publike në fletat anketuese të funksionarëve

Vitin e kaluar në adresë të Komisionit për parandalimin e korrupsionit kanë arritur 552 fleta anketuese pas zgjedhjes ose emërimit të funksionarëve në funksione, ndërsa në periudhë e njëjtë janë pranuar 404 fletëparaqitje për ndryshim të gjendjes pronësore.

 thonë se qasja në fletat anketuese të funksionarëve të mëparshëm është e domosdoshme për shkak se vetëm në atë mënyrë publiku mund të bëjë krahasim se a ka ndryshuar dhe sa ka ndryshuar gjendja pronësore e funksionarit para dhe pas marrjes së funksionit nga ana e tij.

Megjithatë, Komisioni nuk e publikon fletën e fundit anketuese me arsyetimin se bëhet fjalë për “të dhëna personale, të mbrojtura me ligj”. I tillë ishte shembulli me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, fletën pronësore të të cilit KSHPK-ja e vlerësoi si private pas dorëheqjes nga funksioni i kryeministrit. Mu kjo fletë e fundit anketuese për pronën, duhet ta japë pasqyrën finale për atë se sa të pasur largohen funksionarët kur e lëshojnë funksionin.

Ligji për parandalimin e korrupsionit parasheh se çdo funksionar i zgjedhur apo i emëruar, është i obliguar të plotësojë fletë anketuese me pronën e familjes së tij në afat prej 30 ditësh nga marrja e funksionit, e pastaj edhe një fletë anketuese, 30 ditë pas përfundimit të funksionit. Me ligj është paraparë të paraqitet edhe çdo ndryshim i gjendjes pronësore që ka ndodhur në ndërkohë.

Këto dispozita ligjore janë bërë me qëllim që të shihet se sa është rritur në mënyrë joproporcionale prona te ndonjë funksionar në raport me rrogën buxhetore që e merr.

Vitet e fundit, as Drejtoria për të hyra publike e as Komisioni për antikorrupsion, nuk kanë hapur ndonjë rast për rritjen joproprocionale të pronës së ndonjë funksionari.

#Përgjegjësi është të mos ketë deponi të egra

Në një pjesë të sipërfaqes së parrethuar, e cila më parë ishte bazë e “Higjienës komunale – Shkup” në lagjen Dyqanxhik, menjëherë pranë rrugës në të cilën ka shumë shtëpi, dhe pas aksioneve të fushatës ”Маqedonia pa mbeturina 2016”, ka deponi të egër, ku janë hedhur mbeturina, sende të ndryshme të mëdha, mirëpo edhe mbeturina të imëta nga amvisëritë dhe punëtoritë. Kështu dikush e “ka zgjidhur” problemin e tij, jo vetëm duke e prishur ambientin, por edhe duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë për banorët nga thithja e pluhurit, i cili përmban edhe shumë materie toksike nga plastikat që dekompozohen.

Deponi të egra shpeshherë mbijnë edhe në vende të lëna pasdore, kryesisht pranë rrugëve, pasiqë për ata që hudhin mbeturina të llojeve të ndryshme kjo është më e lehtë – shpejt t’i shkarkojnë ato dhe të ikin, duke i zvogëluar gjasat që të kapen duke e kryer veprën.

Problemi me deponitë e egra në Maqedoni zvarritet me dekada, ndërsa zgjidhja e tij zakonisht është stihike dhe kryesisht përbëhet nga aksionet që i fillojnë shoqatat qytetare. Kështu për shembull, muajin e kaluar u realizuan aksione të inicuara nga “Hajde Maqedoni”. Përndryshe, iniciativa të ngjashme të këtilla qytetare deri tani ka pasur shumë herë, mirëpo, zakonisht, gjithmonë kur do të pastrohet ndonjë deponie e egër, mbin një e re në ndonjë vend të afërt ose madje edhe në vendin e njëjtë.

Është e qartë se problemi qëndron në mungesën e reagimit serioz dhe të mirëfilltë institucional, duke e përfshirë edhe mbikëqyrjen e pamjaftueshme të inspektorëve që të kapen dhe të ndëshkohen autorët e këtyre veprave, thonë njohësit e rrethanave. Mirëpo, për këtë nevojitet vetëdije te pushteti në nivel lokal dhe qendror, gjegjësisht qeverisje e përgjegjshme.

#Përgjegjësi është të hiqet kumari në afërsi të shkollave dhe vendbanimeve

Jemi dëshmitarë të përhapjes së madhe të objekteve për lojëra të fatit, ku kohën e fundit ata mund t’i gjejmë në çdo skutë të Maqedonisë, duke filluar nga bastoret e gjer te kazinot. Këto objekte përveç që e varfërojnë popullatën, gjithashtu janë të rrezikshme edhe për fëmijët e mitur sepse shkaktojnë varshmëri.

Në parim, lojërat e fatit në Maqedoni janë të lejuara dhe si të tilla rregullohen me ligj të veçantë, sipas Nenit 17 të të cilit licencë për organizim të lojërave të tilla jep Qeveria. 
Kështu, në bazë të një hulumtimi të SCOOP, “Maqedonia tregoi se nga kazinoja e njohur austriake Novomatik AG e deri te Princez Grupi nga Turqia, ato janë gjithnjë e më shumë prezentë nëpër të gjitha qytetet e Maqedonisë. Prej vitit 2009 deri në vitin 2015 në Maqedoni nga ana e Ministrisë së Financave janë licencuar gjashtë kazino me 16 filiale dhe madje 59 sallone me aparate për poker”

Megjithatë, edhe pse legale të a.q. lojëra fati- kumari nga qytetarët vlerësohet si joetik, si i dëmshëm për interesin e përgjithshëm të shoqërisë. Qytetarët me këtë rast deklaruan nevojën për marrje të masave për kufizimin e këtyre lojërave, respektivisht për të reduktuar numrin e kazinove ekzistuese.

Në rrjetet sociale gjithnjë e më shumë ndërmerren iniciativa kundër kësaj dukurie me hapjen e vendeve të reja për të luajtur kumar. Shumë njerëz janë të shqetësuar se shteti lejon që ato kazino të funksionojnë në zonat qendrore të qyteteve dhe kërkojnë që ato të zhvendosen në periferi, larg nga vendbanimet.

Në një bisedë me pedagogun Avzi Mustafa, këtë çështje e shpjegon si dukuri negative e cila çon në prishje të imazhit të njerëzve.
“Kjo dukuri është mjaft e dëmshme. Shteti patjetër duhet ta ndalojë përhapjen e tyre dhe ti largojë nga vendbanimet, duhet të sjellë ligj të veçantë për lojërat e fatit, dhe të zbatohet sepse e dimë se tani ekziston ligji që të miturit s’guxojnë të hyjnë nëpër ato dyer, por ne jemi dëshmitar të së kundërtës.” thotë pedagogu Mustafa.

Për këtë çështje foli edhe profesori universitar Mr.sc. Llokman Hebibi.
“Efekti i tyre edhe më tepër negativ është se janë të koncentruara afër qendrave edukativo-arsimore, d.m.th. tërheqin vëmendjen dhe koncentrimin e gjeneratave të reja dhe mendimi im është se duhet të ndërmerren masa të menjëhershme që të zhvendosen kazinot dhe lojërat tjera të fatit sa më larg qendrave edukativo-arsimore, pavarësisht a janë afër shkollave fillore, të mesme apo fakultete. Pavarësisht se kush qëndron prapa këtyre kazinove apo bastoreve duhet të kenë parasysh se efektet negative tek gjeneratat e reja janë me përmasa më të mëdha se përfitimet e tyre.”

#Përgjegjësi është kur zyrtarët përgjigjen në pyetjet që nuk porositen nga vetë ata

Në sagën tonë të Maqedonisë, për çdo ditë kemi situata kur disa gazetarë në vend që ta mbrojnë interesin publik, me një qasje servile dhe apologjetike, e lavdërojnë pushtetin. Kështu, në një ambient të këtillë me vlera të kthyera mbrapsht, publiku sheh – lexon lavde për partinë në pushtet, në vend të intervistave korrekte me distancën e detyrueshme profesionale.

Jemi dëshmitarë se si në konferencat për shtyp të ish-kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, mirëpo edhe ato të ministrave, parashtrohen pyetje të porositura për atë që është realizuar. E ata, funksionarët, përgjigjen – lavdërohen, që lavdërohen, për së gjeri e për së gjati.

Ndërsa, pyetjet “normale”, që kanë të bëjnë me ndonjë problem konkret – ngjarje me interes publik, ose injorohen ose funksionarët edhe në to japin përgjigje me spin, ku detyrimisht e sulmojnë opozitën, sektorin joqeveritar, intelektualët dhe çdo mendim kritik që nuk është në vijë të njëjtë me pushtetin.

Përfaqësuesit e qeverisë aq janë përshtatur me rolin që të përgjigjen vetëm në pyetje që u konvenojnë atyre, sa që reagojnë me nervozë madje edhe atëherë kur u parashtrohen pyetje nga më normalet.

Një reagim të tillë kishte, për shembull, ministri për shëndetësi, Nikolla Todorov kur në mars të këtij viti e pyetën për rrezikun nga epidemia e sëmundjeve ngjitëse te refugjatët në Tabanoc dhe për përgjegjësinë e institucioneve për vdekjen e Tamarës së vogël. Todorovi, atëherë pak i ngatërroi tenxheret dhe pyetjet normale të gazetarëve i futi në kategorinë e pyetjeve të porositura dhe tha se në fillim do të përgjigjet në ”pyetjet e gazetarëve, e pastaj në pyetjet e porositura”!

Ndonjëherë me porositë e pushtetit ka edhe situata komike, sikurse ajo për zgjedhjet lokale në vitin 2013, kur gazetarja e një televizioni me koncesion, pyetjet e përgatitura për kryetarin e komunës Qendër (në atë kohë kandidat) Andrej Zhernovski, ia parashtroi Andrej Petrovit, kandidat i atëhershëm për kryetar të komunës së Karposhit!

#Përgjegjësi është Manastiri të mos jetë qyteti më i ndotur në Maqedoni

Fillon sezoni i ngorhjes, ndërsa manastirasit i presin informatat për atë se çfarë ajri thithin dhe sa shpesh ngulfaten në smog. Tymi, era e sendeve të djegura, mjegulla, janë duke u bërë përditshmëri. Qytetarët ankohen se kanë vështirësi gjatë frymëmarrjes, se u djegin sytë, se u gërvisht fyti… Ka ditë kur manastirasit u ekspozohen koncentrimeve të larta të grimcave PM10, madje edhe deri në njëzet herë mbi nivelet e lejuara të koncentrimit.
Raportet vjetore të Ministrisë për Mjedis Jetësor tregojnë se Manastiri në nivel vjetor mesatarisht ka 100-150 ditë me prezencë të lartë të grimcave PM10, ndërsa është e lejuar që kufinjtë e vlerave të tejkalohen vetëm 35 ditë në vit.
Me vite të tëra, sektori qytetar dhe opozita thirrjet e tyre i kanë drejtuar nga komuna e Manastirit.
E gjithë kjo fotografi e fut Manastirin në mesin e dhjetë pikave më të nxehta ekologjike në Maqedoni, mirëpo për fat të keq edhe në Evropë.
Shoqatat ekologjike kërkojnë strategji, zgjidhje dhe hapa konkrete për problemin e vështirë të ndotjes. Të miratohet politikë e qëndrueshme për komunikacionin, të rregullohet transporti publik, të ndërtohen zona për këmbësorët dhe shtigje për biçikleta, të pastrohen dhjetëra deponi të egra, të gjenden zgjidhje për ngrohjen e amvisërive…
E gjithë kjo fotografi e fut Manastirin në mesin e dhjetë pikave më të nxehta ekologjike në Maqedoni, mirëpo për fat të keq edhe në Evropë.

#Përgjegjësi është administrata publike të mos trajtohet si makinë votuese

Një pjesë e “bombave” e zbuluan atë që shumë njerëz e dinin: një pjesë e madhe e administratës, qoftë nga nënshtrimi, qoftë nga ajo se nuk kanë nga t’ia mbajnë, nga frika për të mos mbetur “pa një copë buke”, voton ashtu siç urdhëron partia në pushtet. Thuajse jetojmë në kohën e sistemit njëpartiak.

Vetëm sa për ilustrim, në ”bombën” e 7-të në bisedat e ish-ministrit për transport dhe lidhje, Mile Janakieski me kryetaren e Këshillit të Shkupit, Irena Misheva dhe me bashkëbisedues të tjerë, dëgjojmë urdhëra të llojit: ”…paraqituni te të gjitha mësueset, nga qendra për thirrje, me këtë udhëzim: Ju falënderojmë që dolët në zgjedhje. Ju lutemi që për fitoren definitive të VMRO-DPMNE-së në Qendër të siguroni edhe një votë për VMRO-DPMNE-në”.

Në audioinçizimet nga kjo seri e bisedimeve, dëgjohet edhe se si Misheva e njofton Janakieskin, për atë se cili është rezultati i presionit mbi të punësuarit në administratën publike që ta japin votën e tyre për VMRO-DPMNE-në: ”NPT-në ua lëshuam, Parkingu i qytetit është komplet, Ujësjellësi, Sallën universale ua lëshuam komplet, QKF-ja është komplet, Muzeu i Qytetit të Shkupit është komplet, shkollat e mesme…” Poashtu, dëgjojmë edhe se në kohën e ish-kryetarit të komunës Qendër, Vlladimir Todoroviq, nëpër shkolla dhe në çerdhe në komunën Qendër ka pothuajse 100 të punësuar në bazë partiake…

Në çfarë derexheje ka ardhur Maqedonia e di edhe BE-ja. Kështu, në Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë për vitin 2015, dëgjojmë se vendi gjatë këtij viti duhet “të përballet me brengosjen serioze për politizimin e shërbimit publik dhe të sigurojë zbatim të plotë të parimeve të llogaridhënies, transparencës dhe meritave”.

Mirëpo, të mos shkojmë më tutje në sqarimin e asaj që në Maqedoni tashmë edhe trumcakët e dijnë. Atë se koalicioni në pushtet në mënyrë intensive ka punësuar dhe punëson njerëz që t’i shërbejnë atij në vend të popullit, i cili i paguan.

Përgjegjësi është kur punëtorët e administratës të paguar nga populli i shërbejnë popullit, e jo pushtetit!

#Përgjegjësi është rrjeti i kanalizimit, e jo gropat septike

Kërkimi në internet me fjalët “pa kanalizim” dhe me formulime të ngjashme jep rezultate dëshpëruese: përveç për një numër të konsiderueshëm të fshatrave dhe të vendeve më të vogla në Maqedoni, kanalizimi fekal në dekadën e dytë të shekullit 21 është fantazi dhe për disa pjesë qendrore të qytetit të Shkupit!

Sipas publikimit të Entit shtetëror për statistikë, Statistika e mjedisit jetësor, 2015, ku janë shfrytëzuar të dhëna nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2002, në atë kohë në kanalizimin publik kanë qenë të lidhura 60 për qind e amvisërive, ndërsa pjesa tjetër kanë pasur gropa septike, me dalje të lirë të ujërave (gjegjësisht me dalje në ujërat rrjedhëse) dhe pa instalime, gjegjësisht me nevojtore kanë qenë 7,4 për qind të amvisërive.

Prej atëherë (viti 2002), padyshim se gjërat kanë përparuar, mirëpo, megjithatë, realiteti është i tillë që jo vetëm në një numër të madh të fshatrave (të cilat nuk janë shumë larg qyteteve), por edhe në disa lagje në pjesën pak më të gjerë qendrore të Shkupit, amvisëritë akoma përdorin gropa septike. I tillë është rasti me pjesën e Tophanes nën kazermën e Ilindenit, ku nuk ka kanalizim fekal. Hallet e njëjta i kanë edhe banorët e Tërpejcës, margaritarit të Liqenit të Ohrit, si dhe të Lubanishtës, ku, edhe pse që në vitin 2014 kanë filluar të ndërmerren disa hapa në këtë drejtim, megjithatë, deri tani (tetor i vitit 2016) nuk është zgjidhur problemi me kanalizimin fekal. Pothuajse situatë identike vërehet edhe në Dojranin e Vjetër dhe të Ri, ku gjysma e amvisërive kanë gropa septike.

#Përgjegjësi është të ketë më shumë logopedë shqiptarë

Një defekt në të folur sipas rregullit, sjellë vështirësi në aspektin mësimor, në rezultate dhe në atë social. Me një vizitë në një logoped, ai mund t’ia diagnostikojë defektet në të folur dhe sipas nevojës mund t’i bëjë terapi individuale apo në grup për kurimin e problemit të caktuar.

Në Maqedoni vërehet mungesë e madhe pasi që zyrtarisht në Shkup punojnë vetëm dy logopedë shqiptar, një logoped punon në Entin për Rehabilitimin e fëmijëve, në kuadër të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale dhe një logopede në Entin për Rehabilitimin e Dëgjimit, të Folurit dhe Zërit, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkaq në nivel republikan numri është tmerrësisht i vogël.

Edhe pse i kontaktuar disa herë, sekretari shtetëror Nasuf Ipçja nuk përgjigjet lidhur me këtë çështje. Kohë më parë ai fillimisht kishte deklaruar se kjo mund të jetë edhe rezultat i mungesës së kuadrit të diplomuar shqiptar që më pas të thotë se kuadër mund të ketë, por se i njëjti nuk është paraqitur në konkurset e shpallura. Por të kundërtën theksojnë logopedët shqiptar. Ata thonë se konkurse mund të jenë hapur, por jo në institutin e rehabilitimit apo në institucione tjera të kësaj natyre.

Çështja e punësimit të logopedëve shqiptarë erdhi pas ankesave nga prindërit e fëmijëve me probleme në të folur, të cilët tani më një kohë të gjatë po kërkojnë një të tille shqiptarë për trajtim të fëmijëve të tyre.

Statistika flasin se mbi 10 për qind e popullsisë vuan nga probleme në të folurit. Çrregullimet më të shpeshta janë mos shqiptimi i shkronjave, të folurit ndër hundë, belbëzimi, të folurit me ndërprerje dhe të folurit e shpejtuar.

#Përgjegjësi është qyteti mos të duket si një kosh i madh plehrash

Mungesa e koshave të mbeturinave është problem i madh që ka kapluar komunën e Çairit të Shkupit. Nga mungesa e koshave, mbeturinat kundërmojnë rrugëve të kryeqytetit.

Qytetarët që banojnë në këtë zonë fajësojnë komunën dhe higjienën komunale e cila neglizhon punët si dhe banorët e papërgjegjshëm.

Rrugët kryesorë nuk kanë shporta fare, madje edhe disa që kanë qenë janë dëmtuar dhe më nuk ekzistojnë.

Gjithashtu mungesë e tyre vërehet edhe në stacionet e autobusëve të kësaj komunë, ku ata që presin autobusë hedhin mbeturinat në tokë, duke krijuar kështu pamje jo të këndshme për qytetin dhe komunën.

“I vendosën para disa viteve po nuk e di se çfarë ndodhi me to, u zhdukën, i dogjën, i vodhën, nuk e dimë, por edhe qytetarët nuk janë të kujdesshëm, sepse kur shohin se nuk kanë se ku t’i hedhin mbeturinat, le ti mbajnë ato me vete deri sa të gjejnë se ku t’i hedhin”, thonë banorët.


Me këtë problem nuk ballafaqohen vetëm banorët e Shkupit, por edhe të qyteteve të tjera në Maqedoni posaçërisht ata të Tetovës dhe Kumanovës.

#Përgjegjësi është tekste shkollore pa gabime, pa gjuhë të urrejtjes dhe fyerje

Shpeshherë në tekstet shkollore për shkollat fillore dhe të mesme, e madje edhe te ato që përdoren nëpër fakultete, hasen shumë gjëra të palogjikshme, si dhe gabime profesionale, gjuhësore dhe didaktike.

Gjatë viteve të kaluara kishte disa raste skandaloze me literaturën për nxënësit e shkollave fillore, të mesme, e madje edhe për studentët, ku kishte definicione qesharake, barazime të gabuara, materiale hutuese dhe përmbajtje që fare nuk janë adekuate për moshën e fëmijëve.

Ta përmendim për shembull, librin e historisë, ku nxënësit ”mësohen” se Shekspiri e ka prejardhjen nga Spanja, Samoili është shpallur si mbret, ndërsa Bizanti që në shekullin e 12-të ka luftuar me osmanët, se “atdheu” është ”gjendje e posedimit të tokës, territorit, vlerave shpirtërore dhe përmbajtjeve që e përbëjnë kulturën e një populli”, se Greqia ka dalje në Detin Adriatik, se puberteti “vjen me tortën që e ka përgatitur mami”, e pastaj vjen edhe “prekja e puçërrave”!

Librat në gjuhën shqipe janë tregim në vete! Përgjatë viteve janë bërë shumë gabime gjuhësore dhe ortografike që madje edhe vet emri i lëndës Gjeografia në ballinë është shtrembëruar. Popullata shqiptare ka reaguar mes tjerash edhe për fyerje ndaj tyre dhe shtrembërim të historisë. Për shembull Jovan Kukuzeli është nga Durrësi ndërsa është prezantuar si kompozitor kishtar maqedonas ndërsa në librin e Shoqërisë flamuri i Kosovës është prezantuar si grek. E gjithë kjo bëhet në kohen kur ministër i arsimit tanimë dy mandate është shqiptar.

Ka edhe shumë ”margaritarë” të tjerë me të cilat u shokua publiku, e në disa raste, gjërat shkuan deri atje sa në disa tekste shkollore u plasuan edhe përmbajtje homofobe. Gjendjet, për fat të keq, janë të tilla që botimi i teksteve shkollore akoma nuk ka dalë nga “puberteti” dhe nga faza e “prekjes së puçërrave”!

Tekstet shkollore janë përgjegjësi e shtetit, gjegjësisht e institucioneve përkatëse – Ministrisë për Arsim, Byrosë për zhvillimin e arsimit, të cilat i zgjedhin autorët dhe recensuesit. Shembujt që i përmendëm janë vetëm një pjesë nga gabimet dhe lëshimet e shumta për të cilat reagoi publiku dhe të cilat qartë tregojnë se organet kompetente, si duket, nuk e kanë kuptuar se e kanë për detyrë të ofrojnë tekste shkollore cilësore dhe të jenë të përgjegjshëm gjatë shpenzimit të parave të popullit.

#Përgjegjësi është mos të ketë rrugica të vdekjes!

Ndihma e shpejtë dhe zjarrfikësit pengohen të kalojnë nëpër rrugët e ngushta të disa nga lagjeve të Komunës se Çairit në Shkup, Tetovë si dhe Kumanovë në raste emergjente. Ankesat e banorëve që janë në rrezik janë të shumta pasi që janë dëmtuar personalisht në raste të ndryshme të fatkeqësive. Automjetet e kanë të pamundur të hyjnë në disa nga këto rrugë ndërsa kemi parë raste kur ka viktima dhe dëme materiale ku digjen deri në themel shtëpitë apo e tërë banesa.

 

“Po të ishte rruga më e gjerë ndoshta do të shpëtonim diçka nga shtëpia” me këto fjalë e nis tregimin e zonja e shtëpisë nga lagjja Dyqanxhik në komunën e Çairit në Shkup familja e së cilës ngeluri pa shtëpinë për një kohë të gjatë si pasojë e zjarrit të madh.

Zjarrfikësit atë kohë thanë se rruga e ngushtë pengoi ata që të intervenojnë me kohë dhe për këtë arsye shtëpia u dogj deri në themel dhe rrezikoi edhe shtëpitë në afërsi.

“E keni parë sa ndërtesa janë ndërtuar? Keni parë diku parkingje? Kjo është arsyeja pse bllokohen rrugët dhe nuk ka vend as për të kalu automobili e lëre më kombit e urgjences apo kamioni i zjarrëfikësve”, tha Blerim Tahiri, banor.

“Komuna nuk merr masa, banorët ndërtojnë si të duan, një komshi i imi, ka shtuar edhe dy dhoma duke zaptuar kështu edhe rrugën e lagjës e cila na takon të gjithëve. Pse komuna nuk ia ndaloi ndërtimin? Kaosin po e ndërtojnë dy palët, edhe banorët edhe institucionet”, tha Ramadan Bekteshi, banor.

E njëjta ndodh edhe në Tetovë, komandanti i njësisë së zjarrfiksave, Uka Aliti ka theksuar se kjo pamje është e zakonshme dhe çdo vonesë e tyre, varet jeta e njerëzve dhe dëmtime të mëdha materiale.

Rrugicat dhe sokakët kanë infrastrukturë të papërshtatshme të cilat në raste emergjente kur duhet të intervenohet shpejtë e pengojnë rrjedhën e lirë të komunikacionit. Problemin më shumë e rëndojnë edhe mungesa e parkingjeve përreth banesave dhe shtëpive që i detyron banorët t’i parkojnë makinat në rrugë.

 

Nga Komuna e Çairit thonë për Portalb se është problematike kjo çështje sepse banorët shtojnë ndërtime pa leje dhe kështu bllokojnë rrugët.

“Është problematike kjo çështje se banorët shtojnë dhoma apo pjesë ndërtimi pa kërkuar leje dhe pa u miratuar e njejta nga komuna. Pas përfundimit të procesit per legalizim të ndërtimeve do të shqyrtohen kërkesat e banorëve dhe do të merren masa për të zgjidhur këtë çështje”, thonë për Portalb nga sektori për urbanizëm, në këtë komunë.

Banorët pësojnë si rezultat i mos-funksionimit si dhe funksionimit selektiv të autoriteteve komunale për të sanksionuar ndërtimet ilegale që zënë pjesë të rrugëve. Aq më shumë, nuk ka investime në parkingje të reja të cilët do të mundësonin që veturat mos të jenë bllokues shtesë të veturave të emergjencës.

 

#Përgjegjësi është të ketë platforma për hyrje për personat me invaliditet trupor

Në Maqedoni, në shekullin 21, personat me hendikep fizik jo vetëm që akoma kanë vështirësi të hyjnë në disa objekte, mirëpo, që ironia të jetë edhe më e madhe, problem më të madh kanë për të hyrë në institucionet arsimore edhe atë, këtë mund ta bëjnë vetëm në katin e parë!

Për mosvendosjen e platformave për hyrje për personat me nevoja të veçanta, shteti mund të marrë shumë maksimale prej 81.000 еuro, si dënim, nga të gjitha subjektet juridike dhe fizike që kanë qenë të përfshira në përgatitjen e dokumentacionit të projektit, e megjithatë, akoma ka shumë objekte që në hyrje kanë vetëm shkallë.

Nga Lidhja nacionale e personave me invaliditet trupor të Maqedonisë thonë se platforma për hyrje në katin përdhesë ka vetëm në disa institucione të arsimit të lartë, ndërsa studentët nuk mund të shkojnë në klasat, kabintetet dhe toaletet që gjenden në katet e larta.

Në Lidhjen nacionale kanë evidentuar një denoncim dhe ankesë nga një student se nuk mund të shkojë në ligjërata në Institutin për politikë sociale, për shkak se nuk ka mundësi të arrijë deri te kabineti.

Platformat për hyrje, edhe atëherë kur ekzistojnë, shpeshherë janë të bllokuara nga automobilat e parkuar, ndërsa vendet e shënuara në mënyrë të qartë për parkim për invalidët rregullisht janë të zëna me automobilë të personave të tjerë.

Sipas llogaritjeve, për ta ndërtuar një platformë të thjeshtë të pjerrët që do të mundësojë ngjitje të papenguar të rrotave të karrocës për invalidë, nevojiten ndërmjet 100 dhe 200 euro. Për shkak të kësaj shume minimale, ata që lëvizin me karrocë për invalidë nuk mund të hyjnë në ndërtesat e familjarëve dhe të miqve, në restorane, kafiteri, ambasada, institucione…

Qeveria në vitin 2014 miratoi një sërë ndryshimesh ligjore me të cilat duheshte të ndikohet që të përmirësohen kushtet e personave me invaliditet dhe për hyrje të papenguar të tyre në të gjitha objektet afariste dhe në të gjitha ndërtesat për banim. http://www.dnevnik.mk/?ItemID=A627204BA1BF414A949CFFE8C2C4FD71

Konventa botërore për të drejtat e personave me pengesa, e cila hyri në fuqi në vitin 2008 dhe të cilën e kanë nënshkruar 156 vende, parasheh se të gjitha objektet duhet të kenë platformë për hyrje për invalidët, ndërsa ashensorët të jenë të përshatur për qasje për personat me invaliditet trupor dhe për të verbërit.

#Përgjegjësi është mos të lejohet helmimi i qytetarëve

Prania e substancave kancerogjene PM10 në ajrin e Tetovës vazhdon të jetë e lartë.  Nga viti 2009 e këtej, Tetova dhe fshatrat për rreth po thithin ajër të ndotur, që është shumë më i lartë së sa kufiri i lejuar të PM grimcave. Nga gjithsejtë 365 ditë të vitit vetëm në 2015-tën, ajri i ndotur në Tetovë është prezentë plot 260 ditë.


Për ajrin e ndotur në Tetovë qytetarët akuzojnë mes tjerash edhe fabrikën “Jugohrom” dhe disa herë kanë protestuar rrugëve duke kërkuar që kjo fabrikë të mos punojë pa filtra. Kompania që prodhon hekur, çelik dhe legura hekuri më shumë se 50 vite në mënyrë sistematike helmon qytetarët sepse sipas ekspertëve është ndotësi më i madh i rajonit, tymi i së cilës shpesh mbulon si me mjegull rajonin e komunave të Jegunocës, Tetovës e më gjërë.

Megjithatë Qeveria që nga viti 2005 vite me radhë aprovon “Jugohromin” ta shtyejë afatin e vendosjes së filtrave dhe aprovon helmimin e mëtejmë.

“Deri në prill të vitit 2016 duhet t’i plotësonin standardet, ajo ishte vendimi i qeverisë që u soll para dy viteve, përderisa ajo nuk respektohet, do të merën masa ligjore”, u shpreh Vlladimir Peshevski, në dhjetor të vitit të kaluar, i pyetur se çfarë do të ndërmerret nëse kombinati metalurgjik “Jugohrom” nuk përmbush standardet ekologjike.

Kaloi edhe ky afat dhe deri tani nuk është plotësuar kushti kryesor siç është vendosja e filtrave për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit.  Afati tjetër shtesë i dhënë nga Qeveria është 31 tetori i këtij viti.

Gjithashtu, Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor ende nuk ka publikuar hulumtim të detajuar për ndotësit e tjerë të ajrit, që përpos “Jugohromit” mbytin qytetarët.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, mosha mesatare e jetës në Maqedoni është 75 vite, ndërsa mesatarja e viteve që njerëzit vdesin nga sëmundjen malinje si rezultat i ndotjes së ajrit, është 65 vjet. Nëse u referohemi këtyre të dhënave të ESHS-së, atëherë në vendet lindore të rajonit të Mediteranit, ku bënë pjesë dhe Maqedonia, në 100.000 persona – 42 prej tyre vdesin nga ndotja e ajrit”, thuhet në analizën “Politikat për uljen e ajrit të ndotur në Tetovë”, përgatitur nga Shoqata për zhvillim dhe aktivizim “AKVA” nga Struga dhe shoqata “IKT për ndryshime” nga Tetova, në kuadër të projektit FISCAST, realizuar nga “Finance Think” dhe përkrahur nga Ambasada Britanike në Shkup.