Në një pjesë të sipërfaqes së parrethuar, e cila më parë ishte bazë e “Higjienës komunale – Shkup” në lagjen Dyqanxhik, menjëherë pranë rrugës në të cilën ka shumë shtëpi, dhe pas aksioneve të fushatës ”Маqedonia pa mbeturina 2016”, ka deponi të egër, ku janë hedhur mbeturina, sende të ndryshme të mëdha, mirëpo edhe mbeturina të imëta nga amvisëritë dhe punëtoritë. Kështu dikush e “ka zgjidhur” problemin e tij, jo vetëm duke e prishur ambientin, por edhe duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë për banorët nga thithja e pluhurit, i cili përmban edhe shumë materie toksike nga plastikat që dekompozohen.

Deponi të egra shpeshherë mbijnë edhe në vende të lëna pasdore, kryesisht pranë rrugëve, pasiqë për ata që hudhin mbeturina të llojeve të ndryshme kjo është më e lehtë – shpejt t’i shkarkojnë ato dhe të ikin, duke i zvogëluar gjasat që të kapen duke e kryer veprën.

Problemi me deponitë e egra në Maqedoni zvarritet me dekada, ndërsa zgjidhja e tij zakonisht është stihike dhe kryesisht përbëhet nga aksionet që i fillojnë shoqatat qytetare. Kështu për shembull, muajin e kaluar u realizuan aksione të inicuara nga “Hajde Maqedoni”. Përndryshe, iniciativa të ngjashme të këtilla qytetare deri tani ka pasur shumë herë, mirëpo, zakonisht, gjithmonë kur do të pastrohet ndonjë deponie e egër, mbin një e re në ndonjë vend të afërt ose madje edhe në vendin e njëjtë.

Është e qartë se problemi qëndron në mungesën e reagimit serioz dhe të mirëfilltë institucional, duke e përfshirë edhe mbikëqyrjen e pamjaftueshme të inspektorëve që të kapen dhe të ndëshkohen autorët e këtyre veprave, thonë njohësit e rrethanave. Mirëpo, për këtë nevojitet vetëdije te pushteti në nivel lokal dhe qendror, gjegjësisht qeverisje e përgjegjshme.