Shqiptarët nuk janë problem në vend dhe Platforma e shqiptarëve është në suaza e kushtetutës dhe ligjeve. Kjo është përgjigja e nënkryetares së BDI-së, Teuta Arifi në pyetjen e gazetarëve rreth situatës së rënduar politike në Maqedoni pasi presidenti refuzoi t’ia jep mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev për formimin e Qeverisë.

Ajo shtoi se BDI si parti qëndron në qëndrimin Ivanov të tërheq vendimin, i cili siç tha, është në linjën e kërkesave të Departamentit shtetëror amerikan dhe BE-së.

“Ivanov me vendimin të mos ia ndajë mandatin e ka futur shtetin në krizë institucionale. Ne si BDI kemi pasur përgjegjësi serioze edhe kur i jemi qasur Platformës edhe pikëave të saj, të cilat të përsëris , nuk dalin jashtë kushtetutës së Maqedonisë e as nga ajo që do të thotë, Marrëveshje kornizë e Ohrit. Ne mendojmë të kontribuojmë që të tejkalohet kjo situatë dhe duam të theksojmë se çdo tendencë të keqpërdoret fakti se shqiptarët ekzistojnë në këtë shtet ata të targetohen si problem në vend mendoj se është e gabuar dhe si e tillë nuk do të ndihmojë për daljen nga kriza” thotë Arifi.

Arifi deklaroi se do të gjendet ndonjë zgjidhje ligjore për shpalljen e zgjedhjeve lokale.

“Ky është problem i të gjitha partive politike. Do të kërkohet ndonjë zgjidhje ligjore, duke pasur parasysh faktin se autoritetet komunale kanë kompetenca të drejtpërdrejta që kanë të bëjnë me qytetarët dhe zyrtarëve të qyteteve, kështu që mendoj se do të gjendet ndonjë interes i përbashkët, nëse anulohen, të mos anulohen shumë dhe e tërë kjo të jetë në suazat e ligjeve” tha më tej Arifi.