Nuk kam marrëveshje me kë do të jemi në koalicion, do t’i analizojmë opsionet që të marrin vendimin më të mirë në dobi të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë pa marrë parasysh a janë shqiptarë, maqedonas, serbë apo romë- deklaroi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit në selinë në Reçicë të Vogël.

Vendim final për koalicion me VMRO DPMNE-në ende nuk është marrë, kryesia qendrore e BDI-së do të vazhdoj takimin edhe nesër, njoftoi zëdhënësi i partisë, Bujar Osmani.

Ai tha se debati ka qenë konstruktiv dhe anëtarët e partisë kanë filluar të debatojnë për propozimet konkrete.

Ai më tej shtoi se tre nënkryetarët e partisë, Teuta Arifi, Nevzat Bejta dhe Izet Mexhiti paraprakisht nuk e kanë lëshuar seancën, por janë larguar më herët për shkak të pushimit dhe konsultimeve.

Osmani pohoi se makina e Bejtës është vërejtur para selisë së LSDM-së në Shkup, duke shtuar se BDI është e hapur për konsultime dhe bisedime me të gjitha partitë për ngjarjet e mëtutjeshme politike.

Afati për përbërjen e qeverisë së re skadon nesër (29 janar) kur mandatari, kreu i VMRO-së, Nikola Gruevski, duhet të njoftoj nëse dhe me cilën parti do të formoj koalicion.