Operatori “Telekomi i Maqedonisë” sot njoftoi se në kohë është përgjigjur në të gjithë kërkesat e Prokurorisë Speciale dhe se ngelin të hapur për bashkëpunim edhe në të ardhmen.
“Konfirmojmë se në kohë i jemi përgjigjur kërkesave të PSP-së dhe ngelim të hapur për bashkëpunim të mëtutjeshëm. “Telekomi i Maqedonisë” është kompani e cila punon sipas ligjeve, në interes të qytetarëve dhe konsumatorëve” thonë nga kompania.
Reagimi i operatori vijon pas publikimeve nëpër rrjetat sociale se pikërisht “Telekomi i Maqedonisë” është kompania e cila nuk i ka dorëzuar të dhënat e kërkuara për numrat e telefonit që janë përgjuar, e për të cilat PSP hapi lëndë me emrin “Target”.
Nga “Telekomi i Maqedonisë” thonë se në pajtim me Ligjin për komunikime elektronike dhe Ligjin për ndjekjen e komunikimeve, kanë obligim ligjor që të porositin pajisje për ndjekjen e komunikimeve dhe ta vendosin në dispozicion të MPB-së, por se nuk kanë kontroll e as mundësi për shfrytëzimin e të njëjtës.