Jam i lumtur që sot arritëm mes vete të bisedojmë dhe të vijmë në përfundim se qëndrojnë në linjën e nevojës së qytetarëve tanë për avancimin e bashkëpunimit. Këtu në prezencë të Mogerinit kemi konstatuar se edhe BE do të na respektoj më shumë nëse ne bashkëpunojmë në rajon- ka thënë kreu i LSDM-së, Zoran Zaev pas mbarimit të darkës joformale të liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federika Mogerini.

“Kemi biseduar për të gjitha hollësirat, kemi biseduar për projektet rajonale, për mbështetjen e projekteve në infrastrukturë, që janë në fazë ndërtimi dhe në fazë aplikimi. Kemi folur për çështje dypalëshe në rajon që janë pengesë për avancimin e ardhshëm të vendeve drejt BE-së. Praktikat e këtilla ajo i paralajmëroi si një nevojë e rregullt, në takimet me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesit e BE-së. Hapja e kapitujve 23 dhe 24 do të jetë ndihmesë e madhe në reformat në gjyqësor dhe sigurinë në Maqedoni. Unë dëshiroj në vitin 2018 të hapet datë për fillimin e bisedimeve për aderim”, ka thënë Zaev.

Në pyetjen deri ku janë bisedimet për formimin e Qeverisë dhe nëse BESA do të jetë pjesë e pushtetit, Zaev ka thënë se me partitë tjera është shumë afër ndarjes së resorëve dhe kuadrove.

“Me partinë Besa ende s’kemi arritur të flasim për kuadrot, ende jemi duke biseduar për resorët, numrin e përgjithshëm, proporcionet dhe përgjegjësinë. Besoj se së shpejti do të flasim edhe për emra. Të gjithë liderët kemi ardhur në përfundim se do të tentojmë deri në fund të javës ta dorëzojnë propozimin për qeveri pranë Kuvendit. Njerëzit presin rezultate, përmirësime dhe fillimin e reformave. Sipas Rregullores, debati në Kuvend zgjat 48 orë, kjo do të thotë se në fillim të seancës së ardhshme mund të ketë qeveri të re”, ka shtuar Zaev.