Shpeshherë në tekstet shkollore për shkollat fillore dhe të mesme, e madje edhe te ato që përdoren nëpër fakultete, hasen shumë gjëra të palogjikshme, si dhe gabime profesionale, gjuhësore dhe didaktike.

Gjatë viteve të kaluara kishte disa raste skandaloze me literaturën për nxënësit e shkollave fillore, të mesme, e madje edhe për studentët, ku kishte definicione qesharake, barazime të gabuara, materiale hutuese dhe përmbajtje që fare nuk janë adekuate për moshën e fëmijëve.

Ta përmendim për shembull, librin e historisë, ku nxënësit ”mësohen” se Shekspiri e ka prejardhjen nga Spanja, Samoili është shpallur si mbret, ndërsa Bizanti që në shekullin e 12-të ka luftuar me osmanët, se “atdheu” është ”gjendje e posedimit të tokës, territorit, vlerave shpirtërore dhe përmbajtjeve që e përbëjnë kulturën e një populli”, se Greqia ka dalje në Detin Adriatik, se puberteti “vjen me tortën që e ka përgatitur mami”, e pastaj vjen edhe “prekja e puçërrave”!

Librat në gjuhën shqipe janë tregim në vete! Përgjatë viteve janë bërë shumë gabime gjuhësore dhe ortografike që madje edhe vet emri i lëndës Gjeografia në ballinë është shtrembëruar. Popullata shqiptare ka reaguar mes tjerash edhe për fyerje ndaj tyre dhe shtrembërim të historisë. Për shembull Jovan Kukuzeli është nga Durrësi ndërsa është prezantuar si kompozitor kishtar maqedonas ndërsa në librin e Shoqërisë flamuri i Kosovës është prezantuar si grek. E gjithë kjo bëhet në kohen kur ministër i arsimit tanimë dy mandate është shqiptar.

Ka edhe shumë ”margaritarë” të tjerë me të cilat u shokua publiku, e në disa raste, gjërat shkuan deri atje sa në disa tekste shkollore u plasuan edhe përmbajtje homofobe. Gjendjet, për fat të keq, janë të tilla që botimi i teksteve shkollore akoma nuk ka dalë nga “puberteti” dhe nga faza e “prekjes së puçërrave”!

Tekstet shkollore janë përgjegjësi e shtetit, gjegjësisht e institucioneve përkatëse – Ministrisë për Arsim, Byrosë për zhvillimin e arsimit, të cilat i zgjedhin autorët dhe recensuesit. Shembujt që i përmendëm janë vetëm një pjesë nga gabimet dhe lëshimet e shumta për të cilat reagoi publiku dhe të cilat qartë tregojnë se organet kompetente, si duket, nuk e kanë kuptuar se e kanë për detyrë të ofrojnë tekste shkollore cilësore dhe të jenë të përgjegjshëm gjatë shpenzimit të parave të popullit.