Asnjë vend në botë nuk e di numrin e saktë të përgjithshëm të personave të infektuar me SARS-KOV-2, virusin që shkakton sëmundjen Kovid-19. E gjithë ajo që dihet është ajo që mund të mësohet nga evidenca zyrtare që e mbajnë autoritetet shëndetësore në bazë të rezultateve nga testet e kryera. Të gjitha infeksionet që janë të vërtetuara në mënyrë laboratorike konsiderohen raste të konfirmuara, shkruan Meta.

Kjo do të thotë se numri i rasteve të konfirmuara varet nga ajo se sa teston secili vend dhe si bëhet zgjedhja për atë se kush do të testohet. Pa testime, nuk ka të dhëna. Për sasinë e testimeve të kryera, për rezultatet që i jep njëri ose modeli tjetër i testimit, secili vend ka mendime dhe qasje të ngjashme, por megjithatë, diametralisht të ndryshme. Pyetja është nëse numri i të sëmurëve dhe i të vdekurve si rezultat i Kovid-19 nga vende të ndryshme mund të krahasohet fare, gjegjësisht nëse krahasimet e tilla japin rezultate të besueshme.

Ilustrim, Photo: Pexels

Vendet e Ballkanit nuk kanë strategji të qëndrueshme kur bëhet fjalë për testimin për Kovid-19. Kështu, pothuajse të gjithë thonë se i ndjekin rekomandimet e OBSH-së, por duket se këto rekomandime interpretohen ndryshe në vende të ndryshme. Për shembull, në shumicën e vendeve të rajonit, nuk bëhen teste pas vdekjes, gjegjësisht njerëzit që kanë vdekur për arsye të tjera nuk testohen se kanë qenë të sëmurë edhe nga Kovid-19. Këtë e konfirmoi edhe Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, si dhe kryetari i Komisionit për Sëmundjet Infektive, Dr. Zarko Karaxhoski. Mirëço, në Maqedoninë e Veriut, testimet e këtilla pas vdekjes bëhen që nga fillimi i epidemisë, në mënyrë që, siç thonë ata, të kemi një pasqyrë dhe kontroll më të madh mbi situatën. Gjithashtu, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, në Maqedoninë e Veriut, që një person që të konsiderohet se është shëruar apo e ka mposhtur virusin, duhet të ketë dy teste negative.

Dr. Aleksandar Stojanov, epidemiolog me përvojë shumëvjeçare dhe kohët e fundit u.d. drejtor i Qendrës për Shëndet Publik, si dhe anëtar i Komisionit për Sëmundjet Infektive, thotë se kur bëhet fjalë për numrin e testeve të kryera në Maqedoni, duhet të merret parasysh fakti se politika shëndetësore është e tillë që si vdekje nga Kovid-19 i regjistron edhe ata që kanë vdekur në një aksident automobilistik, e më pas është vërtetuar se kanë qenë pozitivë për këtë infeksion.

– Para do kohësh kemi pasur një burrë të varur, për të cilin pas vdekjes u vërtetua se ka qenë pozitiv. Në realitet, ai vdiq sepse u var, jo sepse kishte Kovid-19, megjithatë ne e kemi regjistruar se ai vdiq si pasojë e Kovid-19. Ka aksidente trafiku në të cilat njerëzit vdesin, vërtetohet pas vdekjes se janë pozitivë, ne i regjistrojmë se ata kanë vdekur nga korona, thotë Dr. Stojanov. Ai konsideron se është e nevojshme që evidenca e këtillë të pastrohet, që të fitohet numri i vërtetë i vdekjeve.

– Shumë vende në Evropë e ndjekin parimin që të gjithë ata që kanë vdekur jashtë spitalit, të mos konsiderohen se kanë vdekur nga korona – shton ai.

Dr. Stojanov shpjegon se kur bëhet fjalë për testimin, shtetet i ndjekin rekomandimet e përgjithshme të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

– Do të ishte ideale nëse të gjithë qytetarët në vend do të testoheshin. Por, realisht, asnjë sistem shëndetësor nuk mund ta durojë këtë. Laboratorët tanë nuk mund ta arrinin këtë me punë. Kina ka testuar gjashtë milion njerëz dhe ka një popullsi të përgjithshme prej 1.5 miliardë banorësh. Testimi masiv është një opsion i shkëlqyeshëm, por ne nuk kemi mundësinë ta realizojmë – shpjegon Stojanov.

Ilustrim, Photo: Pexels

Në Serbinë fqinje, numri i rasteve pozitive është në rritje. Javën e kaluar atje janë kryer më shumë se 50.000 teste. Në të njëjtën periudhë, rreth 2.500 testime u kryen në Mal të Zi, rreth 2.800 në Shqipëri, 6.300 në Slloveni, ndërsa në Maqedoninë e Veriut  u kryen 8.266 për një periudhë prej një jave. Në fakt, sipas raporteve të autoriteteve serbe, vetëm gjatë javës së kaluar, Serbia ka kryer dy herë e gjysmë më shumë testime sesa të gjitha këto vende së bashku. Mirëpo, kjo edhe pritet, duke marrë parasysh se Serbia ka popullsinë më të madhe, por edhe numrin më të madh të rasteve të regjistruara të Kovid-19 në rajon.

Në Serbi, të gjithë qytetarët që kanë simptoma të koronavirusit dhe që kanë qenë në kontakt të ngushtë me një person të infektuar kanë të drejtën e testimit falas. Testimi është i detyrueshëm edhe për pacientët që i nënshtrohen operacionit dhe intervenimeve të caktuara mjekësore, siç është bronkoskopia.

Nga fundi i majit, është e mundur të bëhet testimi edhe me keërkesë personale, ndërsa kampionet merren në entet dhe institucionet e shëndetit publik, si dhe në shtëpitë e shëndetit. Testi me kërkesë personale kushton 50 euro dhe procedura është e tillë që qytetarët së pari i paguajnë paratë në llogarinë bankare, dhe më pas caktojnë termin për testim në ndonjë institut, ent ose shtëpi të shëndetit.

Qytetarët atje ankohen se përveç që i presin rezultatet për një kohë të gjatë, në spitalet për Kovid-19 ndonjëherë refuzojnë t’i testojnë ata, edhe pse pretendojnë se kanë simptoma. Qytetarët ankohen për tollovitë e mëdha dhe radhët para qendrave për Kovid-19 ku bëhen testimet.

Pasi që ditët e fundit në Serbi regjistrohen nga rreth 300 raste të reja në ditë, gjithnjë e më të zëshme janë pohimet se ka ndryshim midis atyre që kanë vdekur nga koronavirusi dhe atyre që kanë vdekur me koronavirus.

Rasti i ish-trajnerit tashmë të ndjerë të ekipit kombëtar të futbollit serb, Ilija Petkoviq, është një nga rastet karakteristike. Petkoviq u pranua para do kohësh në spital me të thatë (ulçer) të zorrës dymbëdhjetëgishtore, por pasi u testua, u zbulua se ishte pozitiv edhe për koronavirusin. Ai vdiq disa ditë më vonë, ndërsa njëri nga anëtarët e Komisionit serb për sëmundje infektive, dr. Branimir Nestoroviq, u tha mediave se Petkoviq në të vërtetë nuk vdiq nga koronavirusi por nga gjakderdhja për shkak të ulçerit të shpuar.

Ky rast, sipas asaj që e sqaroi dr. Stojanov, në Maqedoninë e Veriut do të hynte në statistikë si pacient i sëmurë nga koronavirus dhe që ka vdekur nga koronvirusi.

Korona virus, Photo: Pexels

Në Shqipëri, që nga fillimi i epidemisë, testimi ka qenë i kufizuar vetëm tek ata që kanë pasur kontakte me një person të infektuar. Mund të testohen edhe njerëzit e sëmurë kronikë, si dhe njerëz mbi moshën 65 vjeç, të cilët konsiderohen më të prekurit.

Autoritetet shqiptare pretendojnë se po zbatojnë protokollin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke i testuar vetëm njerëzit me simptoma dhe ata që kanë pasur kontakt me njerëzit e infektuar. Komiteti teknik shqiptar i ekspertëve, pas akuzave dhe kritikave të shumta nga publiku në lidhje me strategjinë e testimit, tha se testet për Kovid-19 bazohen në ekspertizë dhe në një model të zgjedhur sipas rekomandimeve të OBSH-së, me qëllim të zbulimit të rasteve, monitorimit të tyre dhe ndërprerjes së zinxhirit të infeksionit.

Në vende të tilla si Shqipëria, ku ka një transmetim të madh lokal, OBSH-ja ka rekomanduar që atje të zbatohet modeli i testimit-gjetjes-trajtimit. Atje testohen njerëzit me simptoma, bëhen përpjekje të zbulohet çdo kontakt me një person të infektuar, dhe më pas pacientët e konfirmuar pozitivë izolohen dhe trajtohen.

Në Bullgarinë fqinje, gjithashtu testohen vetëm njerëzit me simptoma. Në vendbanime të caktuara ose lagje ku shfaqen grupime (klasterë) me një numër të madh pacientësh, kryhen edhe testime të rastit. Një mjek ose inspektor shëndetësor do t’ju udhëzojë për testim.

Në Kosovë, sikurse edhe në vendet e tjera të rajonit, testohen ata që kanë simptoma dhe ata që kanë qenë në kontakt me një person të infektuar.

Për vendet që përballen me grupime (klasterë) të rasteve (siç është rasti me vendet e rajonit) Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që të gjitha rastet e dyshimta të testohen.

“Kur grupimet (klasterët) bëhen të mëdha, është e rëndësishme që të vazhdojë testimi i rasteve të dyshuara në mënyrë që ato të izolohen, kontaktet e tyre mund të karantinohen, dhe të gjitha mundësitë e transmetimit të ndërpriten”, thuhet në rekomandimin e OBSH-së.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një pacient i “dyshuar” i koronavirusit mund të jetë në tre raste:

  1. Një pacient me sëmundje akute të frymëmarrjes (ethe ose të paktën një simptomë të sëmundjes së frymëmarrjes, të tilla si kollë, gulçim) dhe i cili në 14 ditët e fundit ka udhëtuar ose ka qëndruar në vende ku ka pasur transmetim lokal të sëmundjes së Kovid-19 .
  2. Një pacient me sëmundje akute të frymëmarrjes i cili ka qenë në kontakt me një rast të regjistruar ose të dyshimtë të të sëmurit me Kovid-19 në 14 ditët e fundit.
  3. Një pacient me sëmundje të rëndë akute të frymëmarrjes (ethe ose të paktën një simptomë e sëmundjes së frymëmarrjes, gulçim; i cili ka për shtrim në spital) i cili nuk ka një diagnozë alternative që e shpjegon plotësisht pasqyrën e tij klinike.

Udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë  janë se në kushte të burimeve të kufizuara në zonat ku ka transmetim të sëmundjes në komunitet, përparësia për testim u jepet:

Personave në rrezik nga zhvillimi i një forme të rëndë të sëmundjes, si dhe kategorive të prekshme të qytetarëve që do të kenë nevojë për shtrim në spital dhe kujdes të avancuar për shkak të Kovid-19.

Punonjësve shëndetësorë (duke i përfshirë edhe punonjësit ndihmën e parë mjekësore dhe personelin jo-mjekësor), pavarësisht nga ajo se a kanë qenë në kontakt me një rast të konfirmuar.

Rastit të parë simptomatik në një ambient të mbyllur (p.sh. shkolla, burgje, spitale) për të zbuluar shpejt rastet e reja dhe për të parandaluar përhapjen.