Prokurori publik special i cili duhet të emërohet në Maqedoni është testi më i rëndësishëm që kryeministri Nikolla Gruevski dhe lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev të merren vesh dhe me këtë të fillojë zbatimi i Marrëveshjes së 15 korrikut, raporton “Meta”.
Sot do të realizohet takimi i fundit mes grupeve të punës të katër partive më të mëdha në vend të cilat në takimin e djeshëm në Shkup nuk u morën vesh për atë se kush mund të jetë prokurori i ri special dhe cilat do të ishin kompetencat e tij.
Prokurori special, sipas marrëveshjes duhet të zgjedhet deri më 15 shtator. Ai do të ketë autonomi të plotë që të bëjë hetimin e të gjitha bisedave të përgjuara telefonike të cilat i publikoi LSDM-ja.
Në takimin e djeshëm për herë të parë mori pjesë edhe kryetari i Asociacionit ndërkombëtar të prokurorëve, Xhejms Hamilton i cili ishte pjesë e ekipit të Komisionit Evropian së bashku me ekspertin Rajnhard Pribe të cilët hartuan Raportin për mangësitë që kanë institucionet e Maqedonisë, transmeton “Meta”.
Ekspertët janë të mendimit se angazhimi i Xhejms Hamilton në këtë proces ka një peshë të madhe për shkak se ai vjen nga Irlanda dhe ka më shumë se 30 vite përvojë pune në gjykatë, prokurori dhe antikorrupsion.
Hamilton në takimin e djeshëm ka dhënë disa propozime se si duhet të funksionojë prokurori i ri special, mirëpo bisedimet do të vazhdojnë pas pushimeve verore më 17 gusht.
Nga ana tjetër një gjë është e sigurt se prokurori special do të kërkon që të bëjë ekspertizën e audio-regjistrimeve që të vërtetohet se kush ka përgjuar, me çfarë pajisje dhe përmes cilit operator celular.
Audio-regjistrimet që i ka LSDM-ja do të krahasohen me audio-regjistrimet që i ka shërbimi sekret maqedonas në arkivin e tyre. Ndërkohë, gjatë bisedimeve mes katër partive më të mëdha në Maqedoni, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH assesi të gjendet kompromis për ndryshimet në Kodin zgjedhor.
Ndryshe, bisedimet e fundit mes grupeve të punës nuk treguan asnjë rezultat dhe shpresa e vetme është që punët të lëvizin pas 17 gushtit kur në Shkup do të vjen eksperti belg Piter van Houte, raporton “Meta”.