Prokurorë të Prokurorisë Speciale sot kanë zhvilluar “takim pune në nivel të lartë” me përfaqësues të “Telekomit të Maqedonisë”, lidhur me kërkesën e PSP-së për bastisjen e sistemeve kompjuterik në suazat e hetimit për përgjim masovik.
“Në hapësirat e “Telekomit të Maqedonisë” sot është mbajtur takim pune në nivel të lartë me përfaqësues të kësaj kompanie, që të gjendet zgjidhje për lëndë në interes të kësaj prokurorie. Presim bashkëpunimi i vendosur të vazhdoj edhe në të ardhmen”, thuhet në kumtesën e PSP-së.
Gjykata Penale në Shkup deri më tani katër herë ka hedhur poshtë kërkesat e PSP-së që të jepet urdhër për bastisjen e sistemeve të “Telekomit të Maqedonisë”. Për këtë, PSP siç shkruajnë mediat, kërkon mënyrë përmes përfaqësuesve të kompanisë, t’i lejohet qasja tek sistemet.
Ndryshe, PSP kërkon bastisje në “Telekomin e Maqedonisë” në kornizat e rastit “Targeti”, që të konfirmohet se kush e ka realizuar ndjekjen joligjore të komunikimeve.