fbpx

Millorad Millojeviq, Radio Evropa e Lirë: Gazetarët e BeH tashmë po mbeten pa punë për shkak të pandemisë

-

Epidemia e kovid-19 ka ndikuar në shumë mënyra te gazetarët, të cilët kanë qenë lidhja ndërmjet shëndetësisë dhe publikut gjatë krizës. Publiku nga afër ndiqte gjithçka që kishte të bëjë me pandeminë, duke injoruar ata që ua transmetonin atyre informacionet çdo ditë. Në të njëjtën kohë, gazetarët në vendet e tyre të punës shpesh kanë qenë të ekspozuar ndaj epidemisë dhe pa mbrojtje përkatëse.

Këtë profesion nuk e anashkaluan as aspektet ekonomike të pandemisë. Disa prej tyre u përballën me ulje pagash e disa humbën punën e tyre. Millorad Millojeviq, korrespodent për Radion Evropa e Lirë nga Banja Luka, flet për Meta.mk, sfidat me të cilat është përballur profesioni gjatë epidemisë së koronës.

“Kjo situatë e tërë ka pasur një efekt të thellë në punën e gazetarëve në Bosnjë e Hercegovinë. U pa që media më shpesh ndiqte konferencat për shtyp përmes rrjeteve, dhe më pak shkonin në terren, ishin më pak në kontakt me botën e jashtme, hasnin probleme të ndryshme në raportim. Pas fillimit të aplikimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe masave të jashtëzakonshme edhe mediat ishin disi të00 kufizuara – disa gazetarë nuk mund të merrnin leje nga punëdhënësit e tyre për lëvizje të lirë gjatë orës policore. Gjithashtu, jo të gjithë gazetarët kishin mundësi për të marrë pjesë kur disa zyrtarë jepnin deklarata, pasi vetëm disa media njoftoheshin për ato ngjarje. Ka ndodhur që shumica e gazetarëve të ndjekin konferencat për shtyp të Qeverisë së Federatës së BeH në internet pa mundësi për të bërë pyetje, ndërsa Qeveria paraprakisht të bien dakord me disa shtëpi mediatike për praninë e gazetarëve të tyre, të cilët mund të bëjnë pyetje”, sqaron Millorad Millojeviq.

Si iu përshtatën gazetarët situatës së re?

Atë që procesi i digjitalizimit e filloi dhjetë vjet më parë, pandemia vetëm e përshpejtoi dhe i detyroi mediat të drejtohen drejt teknologjive të reja dhe mënyrave të raportimit. Por, pavarësisht se sa ndikoi kjo situatë që gazetaria të përparojë në një ndonjë plan, ai ka pasur të njëjtin efekt edhe të pësojë regres, pasi ka bërë që gazetarët të kenë kufizime në qasjen në informacione të caktuara. Për fat të mirë, gazetaria hulumtuese u dëshmua si adekuate edhe në këtë situatë – në media janë raportuar skandale të caktuara, siç është ajo për blerjen e respiratorëve she afera për blerjen e tendës-spital mobil. Mendoj u dëshmua se gazetaria me të gjitha problemet, është në krye të detyrës saj pavarësisht të gjitha kufizimeve dhe situatës që ndodhi papritur.

Cilat mjete digjitale i përdornin mediat për të komunikuar me burimet e tyre, dhe a ka kontribuar ajo për komunikim më të lehtë në relacion të periudhës para pandemisë?

U hapën absolutisht të gjitha opsionet – nga Skype, përmes Twitter, Facebook dhe WhatsApp, të gjitha rrjetet e mundshme sociale u përfshinë në komunikim. Shfaqje të shumta televizive janë bërë përmes Skype. Media i shfrytëzoi të gjitha mundësitë e ofruara nga rrjetet sociale. Sa i përket bashkëbiseduesve, ata nga institucionet nuk ishin më të arritshëm se më parë, por të tjerët – ekspertë, analistë, mendoj se janë bërë më të arritshëm me ndihmën e këtyre teknologjive. Për shkak se nuk keni patjetër t’i “ndjekni” bashkëbiseduesit, shkoni në terren, tani mund t’i regjistroni ato përmes Viber, Skype dhe të ngjashme.

Nga këndvështrimit tuaj, institucionet dhe kompanitë publikonin më shumë të dhëna në internet se më parë dhe si ndikoi kjo në cilësinë e informacioneve të pranuara?

Institucionet publikonin të dhëna ekskluzivisht mbi pandeminë – numrin e pacientëve, masat të cilat zbatohen, vendimet e marra. Por në lidhje me çdo gjë tjetër, siç janë tenderët për hidrocentrale, prokurimet publik – asgjë prej tyre nuk ka arritur në publik, por ka mbetur në të njëjtin nivel si më parë. Institucionet e përdorën digjitalizimin vetëm për të thënë se po luftonin me sukses kundër pandeminë. Ne nuk zbuluam asgjë në lidhje me blerjen e respiratorëve nga burime zyrtare, por nga dokumenti hulumtues të një gazetareje Ashtu dhe prokurimi i spitalit mobil nuk ishte publikuar në faqen e internetit të Qeverisë së Republikës Srpska. Të gjitha këto dilema gazetarët arritën të zbulojnë duke “gërmuar” dhe hulumtuar, siç bëhej edhe para pandemisë.

Cila është përshtypja juaj – a ka fituar publiku më shumë besim në media gjatë pandemisë apo jo?

Mendoj se media arriti të informojë qytetarët për gjithçka që po ndodh me pandeminë dhe të realizojë ndikimin kryesor. Në këtë kuptim, unë mendoj se qytetarët kishin besim në media kur bëhet fjalë për koronavirusin. Për pjesën tjetër, mendoj se asgjë nuk ka ndryshuar nga koha para koronavirusit.

Sa ua ofruan shtëpitë mediatike punonjësve të tyre të gjitha kushtet e nevojshme për të punuar gjatë pandemisë dhe çfarë lloj përkrahje ata ofruan?

Sinqerisht, duke biseduar me kolegët e mi, nuk dëgjova se ndonjë nga shtëpitë e mediatike ua kishte organizuar mundësinë punonjësve të tyre që të testohen për virusin e koronës. Unë mendoj se ky është një tregues i mjaftueshëm. Nëse veç më dërgoni njerëz në terren, dhe me këtë rast, përveç maskave që kanë, edhe ndonjë palë doreza, nuk ju siguroni atyre kujdes të duhur shëndetësor, kjo flet shumë për qëndrimin e pronarit dhe redaktorit ndaj punonjësve. Mendoj se shumica e mediave vendase nuk ofruan mbështetje adekuate për punonjësit e tyre. Sa për shtëpinë time mediatike, gjatë gjithë kohës pandemisë neve na lejohej të punojmë nga shtëpia. Banja Luka ishte epiqendra, qyteti me numrin më të madh të të infektuarve në BeH dhe kjo është arsyeja për të cilën shefat tanë vendosën që të punojmë prej në shtëpi. Për ne gjithçka ishte e dispozicion në internet – konferenca për shtyp, të dhëna në lidhje me pandeminë … Rrallëherë na duhej të shkonim në zyrë. Dhe kur masat u liruan, punëdhënësi organizoi dezinfektim të plotë të ambienteve të punës. Pagat tona nuk u ulën, gjë që nuk ndodhi me punëtorët e disa shtëpive mediatike që pësuan ulje të pagave të tyre.

Si ndikoi Covid-19 në qëndrueshmërinë e mediave dhe sigurinë e vendeve të punës për gazetarët e BeH?

Kishte biseda mes kolegëve se shtëpitë mediatike ishin në një situatë shumë të vështirë, pasi pandemia e ndërpreu punën e subjekteve ekonomike. Me këtë, mediave që financoheshin nga marketingu iu ndalën fondet dhe ata automatikisht u gjendën në një situatë shumë të vështirë. Kam miq që punojnë në media në të cilat paga e tyre u përgjysmua gjatë pandemisë. Në disa media, njerëzit përballen me problemin standard që ata lajmërohen me pagë minimale, ndërsa pjesa tjetër e pagës që nuk raportohet në administratën tatimore paguhet me dorë. Ndodh që punëdhënësit thjesht paguajnë vetëm mjetet që shkojnë në llogaritë e gazetarëve, ndërsa pjesën tjetër nuk ua paguajnë. Qeveria e Republika Srpska (RS) ka premtuar se do të ndihmojë mediat. Nuk kam parë se është shpërndarët, por e di, konkretisht, që fondet janë ndarë për media të afërta me strukturat qeverisëse në RS. Nuk kam njohuri se si do të kalojnë mediat tjera.

Cilat aspekte të jetës dhe punës së gazetarëve u prekën më së shumti nga pandemia?

U dëshmua edhe një herë se gazetaria është profesion shumë stresues dhe profesion nga i cili të gjithë presin të realizohet me profesionalizëm, ndërsa në të njëjtën kohë nuk ia ofrojnë mbështetjen e nevojshme nga publiku dhe institucionet. Para pak kohësh kemi pasur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit kombëtare të Republikës Serpska, kur deputetët ishin ulur 2-3 metra larg njëri-tjetrit dhe masat e tyre të mbrojtjes u respektuan. Në të njëjtën kohë, gazetarët u futën në një korridor, pranë njëri-tjetrit, pa asnjë distancë. Disa prej tyre madje nuk kishin as maska, as iu kushtua vëmendje mbrojtjes së tyre. Kishte edhe një situatë me një gazetare, e cila e zbuloi aferën me respiratorët, kur ajo u përball me komente shpifëse në rrjetet sociale. Mendoj se gazetarët në këtë situatë vuajtën edhe frikë nga humbja e vendit të tyre të punës, ulja e pagave të tyre… Edhe ne jemi njerëz me familje, kredi, fëmijë. Por as kjo situatë nuk e ka ndryshuar perceptimin ndaj gazetarëve – tërë kohë ishte i dukshëm qëndrimi i pafavorshëm i publikut.

Cilat metoda në luftën kundër dezinformatave praktikohen në median e BeH?

Niveli i lirisë dhe objektivitetit varet nga fakti nëse media më shumë e mbështet opozitën apo pozitës. Problemi më i madh për vetë gazetarët është vetë-censura, frika për të botuar diçka në mediat e afërta me strukturat qeverisëse. Ndërsa kemi ekstrem tjetër në mediat opozitare, që ndonjëherë ekzagjerojnë me disa informacione. Kemi shumë internet media për të cilat nuk e dimë se kush është pas tyre dhe ato janë bartësit më të mëdhenj të dezinformatave. Ajo që ndodhte në fillim tek ne – njerëzit të ndëshkohen për gjoja përhapjen e informacioneve të rreme, për fat të mirë është ndalur, sepse ne mund të vinim në një situatë kur qeveria përdori levat e gjendjes së jashtëzakonshme dhe të sulmojë të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ajo dhe që e kritikojnë atë. Autoritetet u përpoqën të luftojnë kundër dezinformatave me konferenca të rregullta për shtyp, në të cilat ata prezantonin të dhënat e tyre, si dhe përmes reagimeve ndaj publikimeve që bëheshin. Ndërsa për sa i përket mediave dhe dezinformatave, disa prej tyre i transmetonin informacionet ashtu si plasoheshin, disa përpiqeshin të gjenin përgjigjet kur shfaqej ndonjë lajm, duke i kontrolluar ato dhe duke kërkuar të paktën një anë tjetër të tregimit – që ishte e vetmja mënyrë normale. për të luftuar dezinformatat.

Cilat janë burimet kryesore të dezinformatave në BeH?

Varësisht se kujt dhe si i përshtatet, dikush u përpoq që ta përdorte edhe këtë situatë për të përhapur një lloj paniku dhe frike tek qytetarët. Kishte storje për mungesë të maskave, e më pas për orën policore, se policë po shëtisnin nëpër qytet me gypa të gjatë – sikur të mbroheshim nga dikush që na sulmon me tanke, e jo me një virus korona. A ishte puna ndonjë lobimi që ka ndikuar për të realizuar ndonjë prokurim, duke përhapur kështu dezinformata për të nxitur qytetarët të blejnë produkte të caktuara dhe të krijojnë rezerva shtëpiake?… Besoj se secili që ka pas ndonjë interes e ka shfrytëzuar situata për të përhapur disa dezinformata.

A është intensiteti i plasimit të dezinformatave tani i njëjtë si në fillim të epidemisë Kovid-19, dhe çka mendoni për llojet e dezinformatave që po shpërndahen gjatë kësaj periudhe?

Fillimi i epidemisë ishte kritik, pastaj u rrit numri i dezinformatave. Me kalimin e kohës, gjithçka ngadalësohej. Erdhëm në situatë që këtë pandemi ta shohim si diçka me të cilën duhet të jetojmë. Më përkujtoi një situatë lufte – pas disa muajsh mësohesh të jetosh pa energji elektrike. Kështu që, tani jemi mësuar të mos dalim pas orës 8 në mbrëmje, të mbajmë maska… Dezinformatat se disa sende do të zhduken nga dyqanet u shfaqën rregullisht gjatë dy muajve të parë. Dikush thoshte diçka dhe njerëzit kërcenin, gjërat rrëmbeheshin, formoheshin radhë para marketeve. Në një moment pati një goditje të vogël në bankat ku njerëzit filluan të tërheqin para. Pastaj papritmas maskat zhduken, pastaj dezinfektuesit e pastaj ato mallra shfaqeshin me çmime më të larta – tani është gjithçka është qetësuar. Patëm një situatë të caktuar në të cilën qeveria thoshte se nevojshme të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, ndërsa unë mendoj se ishte një lloj dezinformimi, sepse ne kurrë nuk kemi pasur aq shumë pacientë sa të kishte nevojë që policia të shetitë me gypa të gjatë nëpër qytet, që njerëzit të arrestohen për shkak të mos mbajtjes së maskës dhe ngjashëm. Dhe fakti që nuk publikohej asnjë informacion në lidhje me prokurimet e diskutueshme publike, ndërkohë që botohej gjithçka tjetër, ishte shpërqendrim i vëmendjes. Ndërkohë, para publikut paraqiten se i përditësojnë gjërat, se janë duke luftuar dhe duke punuar, ndërsa nga ana tjetër, bëjnë gjëra që nuk donë të arrijnë te publiku. Para do kohe bëra një intervistë për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël dhe mësova se gjatë pandemisë kishte filluar ndërtimi i disa hidrocentraleve të vegjël pa lejet e nevojshme dhe pa mbikëqyrje, sepse nuk kishte inspektorë – të cilët ishin dërguar në vendkalimet kufitare. Kishte raportime për abuzim të ndihmës humanitare. Por nuk u nisën hetime, gjithçka ishte ad hoc. Asgjë nuk ishte transparente – nga blerja e maskave, spitali mobil e ngjashëm.

A ndikoi pandemia në qasjen te informacionet?

Po, në kuptimin që nuk mund të arrini deri te ndonjë informacion më serioz se sa ato që lidhen me pandeminë. Para do kohe kërkuam një intervistë me Kryeministrin e Federatës së BeH, Fadil Novaliq dhe ai tha “mundet, vetëm mos më pyetni për aferën e respiratorëve”. Ndërsa ajo është afera për të cilën flasin të gjithë. Dhe, imagjinoni të bëhet intervistë me një kryeministër, i cili nuk dëshiron të flasë për diçka që publiku dëshiron të dijë !? Dhe kjo ishte para se ai të merrej në pyetje dhe para se të paraburgoset.

Çfarë kërcënime për lirinë e mediave u shfaqën gjatë pandemisë?

U miratua një dekret, e pastaj edhe një tjetër, me forcë ligjore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, e cila kishte të bënte me përhapjen e panikut. Por nuk mund të vërehej se çfarë përcaktohej me atë dekret, e as kush do të përcaktonte se cili ishte informacioni i rremë, as edhe ajo se çka është përhapja e panikut. Në fakt, çdokush mund të goditej për çdo qëndrim të shprehur. Me këtë u përball me një mjeke nga Prijedori, e cila vetëm e paraqiti faktin për të cilin flitet prej vitesh – që spitalet kanë mungesë të respiratorëve, pajisjeve, mjekëve. Dhe, ajo u ndëshkua për përhapje të panikut. Pasoi reagim nga publiku, institucionet ndërkombëtare, të cilët bënë presion për t’i tërhequr ato dekrete. Autoritetet pastaj i tërhoqën. Kjo mundej lehtë të shndërrohej në një situatë kur çdo fjalë e shqiptuar publikisht që nuk i përshtatet strukturave qeverisëse të mund të interpretohej si përhapje e panikut ose dezinformatave.

Sa jeni i shqetësuar për privatësinë tuaj, duke pasur parasysh që komunikimi zhvillohet përmes telefonit ose onlajn?

Nëse ky aspekt do të më kishte shqetësuar kaq shumë, nuk do isha gazetar sot. Puna ime është e tillë që me vite jam i varur nga rrjetet sociale dhe telefonatat, kështu që asgjë e rëndësishme nuk ka ndryshuar këtu. Ndërsa, anëtari i presidencës së BeH Millorad Dodik para do kohe, në një seancë parlamentare, tha se po e përgjonte opozitën, që më pas të thotë se kishte bërë shaka. Por pasi e di situatën në BeH, nuk do të isha i befasuar nëse disidentët dhe media, të cilat nuk janë në favor të qeverisë, përgjohen dhe kontaktet e tyre hetohen.

A do të ndryshojë gazetari pas pandemisë, a do të ketë pasoja në këtë fushë?

Pas pandemisë, mund të ketë pasoja financiare për median. Tashmë u tregua se një numër i caktuar gazetarësh kanë humbur vendet e tyre të punës, një numri të caktuar ua kanë ulur pagat … Padyshim, gazetaria në vendin tonë ka vite që është duke u fundosur. Vetëm media më e afërt me opsionet më të forta politike dhe mediat e financuara nga jashtë ose me projekte mbijetojnë. Të gjitha mediat e tjera në BeH janë mjaft të kërcënuara nga kjo pandemi dhe qëndrimi i punëdhënësve. Ekziston një pasiguri absolute, dhe unë mendoj se institucionet ndërkombëtare që u tërhoqën nga financimi i mediave, në fillim të viteve 2000, do të duhet t’i kushtojnë vëmendje të madhe nëse ata duan ta ruajnë gazetarinë në BeH.

Maja Bjelajac

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.