Dezinformatat janë pjesë e gjithëpranishme në jetën politike në Ballkanin Perëndimor, pa përjashtime. Mirëpo, derisa për dezinformatat shpesh flitet në kontekst të kërcënimeve të jashtme për funksionimin e qeverive dhe të demokracisë, fajtorët më të mëdhenj  për prodhimin dhe mbrojtjen e tyre nuk janë faktorë të huaj. Në numrin më të madh të rasteve, bëhet fjalë për aktorë “vendas”, ndërsa dezinformatat më së shpeshti janë vetëm simptomë, kurse jo arsye për pëlcitjet e thella të kohezionit social dhe sundimit demokratik, shkruan Meta.mk.

Në mjediset me kompetitivitet të fortë politik, sikur Shqipëria, Kosova dhe në masë të caktuar edhe Maqedonia e Veriut, dezinformatat përdoren nga të gjitha anët edhe atë me qëllime afatshkurtra, ndërsa jo për shkak të strategjive afatgjata. Prezenca e ndarjeve të thella etnike, si në BeH dhe Maqedoninë e Veriut, stimulojnë fushata ksenofobike dezinformuese edhe nga faktorë të vendit edhe të huaj, thuhet në studimin „Mapping Fake News and Disinformation in the Western Balkans and Identifying Ways to Effectively Counter Them“ (Mapim i lajmeve të rreme dhe të dezinformatave në Ballkanin Perëndimor dhe Identifikim i mënyrave për luftë efikase kundër tyre) të cilin e publikoi Seksioni për politika për marrëdhëniet e jashtme të Parlamentit Evropian (PE), që e përfshin periudhën nga viti 2018 deri 2020.

“Në Maqedoninë e Veriut, ndryshimi më i fundit i qeverisë, në masë të madhe i shtypi dezinformatat nga mediat shtetërore dhe ato meinstrim drejt margjinave,megjithatë, ato ngelin fuqi madhe e cila e çrregullon politikën e brendshme. Dezinformatat ishin me rëndësi kyçe në rrënimin e pjesëmarrjes në referendumin për ndryshim të emrit”, thuhet në konkluzionet e studimit.

Cak i dezinformatave është kredibiliteti i BE-së

Më tutje theksohet që edhe faktorë vendas dhe të huaj i përdorin dezinformatat për ta deroguar kredibilitetin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, duke i intensifikuar dhe duke manipuluar me ndarjet ekzistuese ndërmjet “BE idealistëve”, të cilët janë të përkushtuar në identitetin evropian dhe ardhmërinë e vendit të tyre dhe “BE realistët”, të cilët ndoshta nuk do të kundërshtojnë integrimin në BE, mirëpo nuk besojnë që kjo është shumë e mundur.

“Megjithëse edhe Kina edhe Turqia janë aktive në këtë sferë, në përpjekjet për t’u diskredituar BE-ja dominon Rusia, e cila ka infrastrukturë të vëllimshme mediatike në rajon”, theksojnë autorët e studimit.

Si teren veçanërisht pjellor për dezinformatat është treguar pandemia e kovid-19.

“Qeveritë nga Ballkani Perëndimor janë përpjekur t’i falsifikojnë arritjet e tyre në luftën me pandeminë, ndërsa faktorë tjetër, kanë futur shumë nga pohimet e rrejshme që janë të pranishme më gjerë. Krahas kësaj, Kina, ndërsa në masë më të vogël Rusia, e kanë shfrytëzuar pandeminë për të krijuar avantazh në opinionin publik, në dëm të BE-së”, thuhet në studim.

Makineria mediatike e cila kaloi në duart hungareze është në veçanti aktive

Më konkretisht, për Maqedoninë e Veriut theksohet që edhe në shoqëri edhe në politikë nuk mungojnë përçarje në të cilat “me sukses ngulet gozhda e dezinformatave”, ndërsa fushatat me dezinformata që janë analizuar për qëllimet e studimit të përpunuar për Parlamentin Evropian, kanë pasur për qëllim ta intensifikojnë konfliktin e brendshëm, (veçanërisht ndërmjet maqedonasve etnik dhe shqiptarëve etnik), pastaj t’u dëmtojnë marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit (veçanërisht me Bullgarinë, Greqinë dhe BE-në), si dhe të shkatërrohen ose të cenohen procese zgjedhore me rëndësi kyçe – si referendumi për emrin në Maqedoninë e Veriut.

“Përqindje e pazakontë e lartë e dezinformatave në Maqedoninë e Veriut fokusohen në çështjet ndërkombëtare”, theksohet në studim.

Vëmendje e veçantë në atë përkushtohet në ndryshimet në skenën mediatike në Maqedoni, përkatësisht ndikimin e VMRO-DPMNE -së gjatë qeverisjes me vendin, si dhe në ndikimin hungarez pastaj.

“Gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE -së nga viti 2006 deri në vitin 2017, ndërsa veçanërisht tre vitet e fundit të asaj qeverie, meinstrim mediat kanë qenë nën kontroll të fortë të partisë dhe janë inkuadruar në thuajse të gjitha aktivitetet dezinformuese të partisë. Ato kishin për qëllim, kryesisht, të diskreditohen oponentët politik dhe të promovohen qëndrime nacionaliste – dhe shpesh antiperëndimore. Pas ndryshimit të pushtetit, televizionet kryesore i ndryshuar proceset redaktuese dhe raportimi u bën më i balansuar dhe më profesional. Disa nga burimet e theksuara më parë të dezinformatave dhe fushatave për denigrim vazhduan me aktivitete, mirëpo kryesisht pa qasje në meinstrim mediat dhe tani mund të vërehen në disa TV stacione lokale ose në Jutjub kanalet e tyre, ku rrezja e tyre është konsiderueshëm e zvogëluar.

Së dyti, në disa vitet e fundit kanë ndodhur aktivitet zhvillimore investuese nga Hungaria në tregun mediatik të Maqedonisë. Hungarezët e lidhur me sektorin mediatik proqeveritar në Hungari blenë media të Maqedonisë që paraprakisht kanë qenë pronësi e njerëzve të afërt me VMRO-DPMNE -në, (sikur televizioni Alfa dhe portalet “Kurir” dhe “Republika”), të cilat në të kaluarën ishin burimet kryesore të propagandës pro-qeveritare. Që kur VMRO-DPMNE, është në opozitë, këto media kanë qenë të përfshira në shumë fushata dezinformuese, me qëllim që jo vetëm të diskreditohet pushteti i LSDM-së, por edhe të derogohet Marrëveshja e Prespës dhe përpjekjet tjera euroatlantike të vendit.

Gazetarët investigues të Maqedonisë kanë zbuluar që më shumë se 3,2 milionë euro janë futur në sektorin mediatik të Maqedonisë kryesisht nëpërmjet transaksioneve të dyshimta të marketingut. Paratë kryesisht janë transferuar nga firma sllovene në pronësi të shtetasit hungarez Peter Shatc, i cili ka dy shtëpi mediatike në Maqedoninë e Veriut që fituan para për reklama të shpikura për vaj ulliri dhe magnete për në frigorifer.

Flitet që këto investime janë pjesë e projektit të kryeministrit hungarez Viktor Orban për ta zgjeruar ndikimin mediatik jashtë Hungarisë në vende tjera ku mund të gjejnë jehonë vlerat e tij euroskeptike për “demokraci joliberale”.Thuhet që ky projekt i përfshin jo vetëm Maqedoninë, por edhe Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në studimin e përpunuar për Komisionin për punë të jashtme të Parlamentit Evropian.

NATO dhe kovid-19 tema kryesore, dezinformatat vijnë edhe nga “antireferendumistët” dhe nga Hristijan Mickoski

Në aspekt të fushatave dezinformuese, veçanërisht aludohet në ato rreth referendumit për ndryshim të emrit, pastaj sulme kundër NATO-së, “të kripura” me ndjenja anti-bullgare, anti-greke dhe anti-shqiptare, që rinia e Maqedonisë do të bëhet “mish për top” në luftërat e NATO-s dhe pohimi që NATO do ta imponojë 5G teknologjinë, e cila gjoja sjellë pasoja shumë të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe sigurinë publike. Gjithashtu, në studim theksohet që janë vërejtur edhe të dhëna për shfrytëzim të kovid-19 si armë nga ana e vendeve fqinjë, duke i përfshirë Greqinë dhe Shqipërinë.

Në burimet e dezinformatave në Maqedoninë e Veriut, krahas disa mediave, janë theksuar edhe kryetari i VMRO-DPMNE -së, Hristijan Mickoski dhe ish kryetari i partisë, Nikolla Gruevski.

“Fushatat dezinformuese në Maqedoninë e Veriut kanë komponentë të rëndësishëm në mediat sociale – kryesisht në Fejsbuk, por edhe në Jutjub dhe Tuiter – megjithatë në pjesë të madhe kyçe mbështeten në mediat tradicionale, kryesisht media lokale dhe media të bashkësive, gazeta dhe botime periodike, si dhe në televizionin, për hapjen e tyre. Meinstrim mediat nuk janë më konsiderueshëm të përfaqësuara në mes të kanaleve distributive për dezinformata. Një përjashtim është TV21, i cili përgjithësisht pranohet si televizion i cilësisë së lartë, mirëpo ishte i përfshirë në dezinformata lidhur me kovid-19. Nga kanalet tjera të mëdha dezinformuese, siç ka zbuluar analiza jonë e mediave sociale, të përfshirë janë edhe uebsajti Infomax.mk, profile të rrjeteve sociale lidhur me fushatën për bojkotim të referendumit, si dhe profilet e individëve të caktuar, sikur lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, komentuesi anti-perëndimor Milenko Nedellkovski dhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski”, thuhet në studim.

Përndryshe, në aspekt të gjendjeve të vendeve tjera nga Ballkani Perëndimor, vërehet që në Shqipëri dezinformatat janë karakteristikë e gjithëpranishme në luftërat politike vendase, mirëpo përpjekjet janë përgjithësisht oportuniste dhe fushatat janë me kohëzgjatje të shkurt. Ka shumë pak prova për përpjekje të forcave të huaja për ta cenuar politikën në Shqipëri dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor nën ndikim të konsiderueshëm të faktorëve të jashtëm

Për Bosnje e Hercegovinën theksohet që skena e dezinformatave është e dominuar nga media serbe, shpesh me përkrahje nga rrjetet dezinformuese ruse, ndërsa fokusi është në ksenofobinë.

“Bosnje e Hercegovina është skenë e përpjekjeve të shkallës së madhe për t’u diskredituar BE-ja”, thuhet në studim.

Për Kosovën, theksohet që politika është shumë e ekspozuar ndaj lajmeve – dhe me atë edhe ndaj dezinformatave – nga jashtë. Dezinformatat serbe luajnë rol të madh, shpeshherë me përkrahje të rrjeteve ruse për dezinformim, ndërsa kohëve të fundit interesat lidhur me administratën e Trampit futen “në lojë”, mirëpo i vogël është numri i provave për ndikim në aspekt të orientimit euro-atlantik.

Studimi thekson që në Mal të Zi mediat ruse dhe serbe janë me prezencë të fortë, veçanërisht në lidhje me anëtarësimin e vendit në NATO dhe për grushtshtetin në vitin 2016.

“Megjithatë, numri më i madh i dezinformatave, janë dhe kanë qenë kryesisht vegël e rëndësishme në luftën e brendshme politike – të shfrytëzuar veçanërisht nga qeveria shumëvjeçare e DPS-së për diskreditim të oponentëve të saj”, thuhet në konkluzionet nga studimi.

Për Serbinë theksohet që dezinformatat dominojnë në garën e forcave politike.

“Vendi ka përjetuar përpjekje të konsiderueshme të qeverisë për t’i falsifikuar përpjekjet e veta në luftën kundër kovid-19, si dhe fushatë të madhe ndërkombëtare për t’u minimizuar përkrahja për BE dhe NATO”, thuhet në studimin e përpunuar për Parlamentin Evropian.