Në aspektin bakteriologjik, në kategorinë më të lartë të katërt të ndotjes, kurse kimikisht mund të ndodh të jetë ndërmjet kategorisë së katërt dhe të pestë të ndotjes, varësisht nga stina e vitit dhe niveli i ujit. Ky është rezultati i dhimbshëm nga testimi i cilësisë së ujërave të Lumit Vardar në rajonin e Shkupit të cilin vite me radhë e fiton doktor Ljupço Kostadinovski, specialist për higjienë dhe ekologji shëndetësore nga Qendra për shëndet publik-Shkup. Ata kanë për detyrë të marrin 70 mostra në vit nga ujërat e lumenjve Vardar, Treska, Lepenci dhe Pçinja për testim të cilësisë së këtyre ujërave sipërfaqësore, shkruan Meta.mk.

“Uji është aq i ndotur, sa që dallimi nuk vërehet shumë. Me fakti mund të tregoj që edhe tek penda Treska është kategoria e katërt edhe para se të hyjë në Shkup”, thotë për “Meta.mk” doktori Kostadinovski.

Ai sugjeron që zonë më e rrezikshme lidhur me ndotjen e ujërave lumor në rajonin e Shkupit është pjesa e lumit Vardar, në rrezen nga Sajmishte drejt OHIS-it dhe Trubarevë. Në këtë zonë, në Vardar veç më janë lëshuar ujërat e hedhura të papastruara nga familjet dhe kompanitë në kryeqytet, kurse këtu ekzistojnë edhe ndotës tjerë që e trajtojnë këtë lum si deponi, që mund të pranojë çfarë do ndotje.

Mbeturina dhe fekale mund të hedh secili, kur të dëshirojë dhe ku të dëshirojë

Bashkë me doktor Ljupço Kostadinovskin, ekipi i “Meta.mk” bëri një gjiro rreth lumit  Vardar në vendbanimet Trubarevë, Jurumleri dhe Lisiçe e Epërme. Është e vështirë të gjenden fjalë të përshtatshme për fëlliqësirat që i pamë në terren. Shkuam pa paralajmërim, ndërsa pamë dy traktorë me autobote të ndryshme në lokacione të ndryshme, si derdhnin fekale nga zbrazja e puseve septike, drejtpërsëdrejti në lumin Vardar.

Nga biseda që e kishim me njërin nga dy shoferët në Trubarevë, fituam përshtypjen që lëshimi i fekaleve në Vardar është përditshmëri në këtë vendbanim të Shkupit. Mirëpo, ky nuk është rasti vetëm në Trubarevë. Kryeqyteti i Maqedonisë është qyteti i vetëm në Evropë që nuk ka ndërtuar pikë për pastrim të ujërave fekale. Në vend që me traktorë, rrjeti i kanalizimit në Qendër, Karposh dhe komunat tjera të Shkupit i çon ujërat fekale drejtpërdrejtë në lum.

Sheshi i Shkupit, lumi Vardar, foto: Vanço Xhambaski

Sidoqoftë, nga gjiroja jonë fituam pasqyrë të plotë për shkallën e ndotjes. Plotë deponi më të vogla dhe më të mëdha hedhurinash të krijuara menjëherë në afërsi të lumit. Nga trupa të kafshëve, mbetje ndërtimore, hedhurina organike, mbeturina televizorësh dhe kompjuterësh dhe veshje deri në vorbuj me lëngje me ngjyrë të gjelbër të mbyllur me erë të ashpër dhe mushkonja rreth tyre. Bombë e vërtetë ekologjike, e cila është çështje kohe pasojat shëndetësore që mund t’i shkaktojë mbi popullatën.

Për shkak të gjendjes së këtillë, nga Qendra për shëndet publik-Shkup, apelojnë te qytetarët të mos i përdorin ujërat lumorë të Vardarit, Treskës, Lepencit dhe Pçinjes në rajonin e Shkupit për asnjë lloj përdorimi, duke përfshirë larje, ujitje të sipërfaqeve bujqësore, peshkim për ushqim dhe shfrytëzim të puseve për ujë për pije që gjenden afër lumenjve.

“Duhet të theksohet që persona të caktuar, përgjatë rrjedhës lumore kanë puse të caktuara për ujë për pije. Ato puse nuk janë të sigurta”, thekson doktori Ljupço Kostadinovski.

Edha përkrah apeleve të shumta, në tregjet e Shkupit mund të blihen hudhër, qepë, spinaq, sallatë të gjelbër dhe produkte tjera nga vendbanimet e periferisë së Shkupit. Pjesë të komunave Saraj, Gjorçe Petrov dhe tërë rajoni i fushës së Shkupit tradicionalisht merren me bujqësi, ndërsa në terren mund të shihet që disa livadhe ujiten me zorrë drejtpërsëdrejti nga lumenjtë.

“Është e ndaluar çdo lloj i ujitjes së kulturave bujqësore, pavarësisht nëse bëhet fjalë për qepë, hudhër, lakër, domate dhe ngjashëm. Me derdhje të ujit të ndotur të këtyre kulturave, trungu dhe vet fryti mund të kontaminohen, ndërsa ne të gjithë flasim për prejardhje organike të produkteve”, është konciz doktori Ljupço Kostadinovski.

Krahas Qendrës për shëndet publik-Shkup, luftë për parandalim të ndotjes së lumenjve zhvillojnë edhe aktivistët qytetar dhe ekologët. “O2 Iniciativa” në muajt e kaluar në disa raste ka alarmuar për ndotjen e ujërave të Vardarit. Për herë të fundit, ata publikisht kanë postuar në “Fejsbuk” që qytetarët kanë vërejtur derdhje të lëngjeve me ngjyrë të verdhë për në të kuqe më 9 prill në mëngjes.

“Për fat të keq, sa shpesh ndodhin incidente të këtilla mësojmë vetëm pasi të paraqiten imazhe nëpër rrjetet sociale me ndotje të dukshme dhe dëshmi të qytetarëve”, thotë Nevena Georgievska, përfaqësuese e “O2 Iniciativës”.

Ajo thekson që në afat prej tetë muajve, ka pasur dy raste të ndotjes së dukshme të lumit Vardar, me ç’rast herën e parë në shtator 2019 është zbuluar edhe fajtori, mirëpo mbeti çështja për atë nëse është arkëtuar dënimi në lartësi prej 100.000 euro. Nevena Georgievska thekson që ka qytetarë të cilët alarmojnë për ndotje të ujërave lumore, mirëpo ekziston mosfunksionalitet i institucioneve për shkak të mangësive dhe interpretimeve të palogjikshme të ligjeve.

Sheshi i Shkupit, lumi Vardar, foto: Vanço Xhambaski

Si shembull, ajo i thekson ndryshimet në ligjin për kontroll inspektues, ku inspektorët e kanë patjetër të njoftojnë kur shkojnë në kontroll.

“U miratua ligji me të cilin do të zvogëlohet lartësia e kundërvajtjeve për 75 përqind, në mënyrë që raporti i përgjithshëm i institucioneve ndaj ndotjes dhe ndotësve është tekstualisht mbrojtës”, thotë Georgievska.

Edhe Ljupço Kostadinovski nga Qendra për shëndet publik-Shkup thotë që ata kanë bashkëpunim të vogël ose pothuaj aspak bashkëpunim me komunat dhe me inspektorët komunal, ndërsa do të duhet të kenë së paku një herë ose dy herë në vit. Ai pohon që asnjëherë nuk është vonë të ndërmerren masa për përmirësim të cilësisë së ujërave sipërfaqësore.

“Do të doja edhe një herë të dalim para opinionit dhe të themi që cilësia e ujit është përmirësuar”, është konciz mjeku Kostadinovski.

Ndotja e lumit Vardar

Për të aderuar në BE, ujërat fekale do të duhet t’i pastrojmë

Profesori Petko Pelivanovski nga Katedra për furnizim me ujë, kanalizim dhe melioracione të Fakultetit të ndërtimtarisë pranë UKIM thotë që Komisioni Evropian që në vitin 1991 ka miratuar Direktivë për ujëra të zeza urbane (91/271 KEE), me ç’rast në nenin 5 nga e njëjta është përcaktuar kornizë kohore për domosdoshmërinë e ndërtimit të pikave për pastrim të ujërave të zeza për vendbanime më të mëdha në përbërje të shteteve-anëtare të BE-së.

“Me kornizën kohore kërkohet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së në përbërjen e atëhershme, më së voni deri në dhjetor 2000 të ndërtojnë stacione për pastrim të ujërave të zeza me më shumë se 15.000 banorë”, thotë për “Meta.mk” profesori Pelivanovski.

Pasi Maqedonia synon të bëhet vend anëtar i BE-së, nevoja për ndërtim të pikës për pastrim të ujërave të zeza ekziston jo vetëm për Shkupin por edhe për qytetet tjera në vend. Viteve të fundit janë ndërtuar objekte të këtilla infrastrukturore në Kumanovë, Berovë, Strumicë, Radovish, Kërçovë, Gjevgjeli, Prilep dhe Koçani. Megjithatë, në disa komuna më të mëdha, siç janë Shkupi, Tetova, Gostivari, Manastiri, Shtipi, Velesi dhe Kavadarci, pikat e pastrimit do të duhet të fillojnë të ndërtohen.

Të dhënat nga Enti Shtetëror për Statistikë tregojnë që 72,2 përqind shqetësuese nga sasia e përgjithshme e ujërave të zeza të krijuara në vitin 2018 janë derdhur të papastruara në ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore në vend. Në vitin 2018 vërehet rritje e vëllimit të pastrimit të ujërave të zeza, sasia e të cilës ka arritur 30.783.000 metra kub.

Megjithatë, të papastruara në rrjedhat ujore dhe në ujërat nëntokësore në vitin 2018 janë derdhur 80.038.000 metër kub ujëra të zeza. Nëse merret parasysh fakti që një autobot ka kapacitet të mbledhë 6 apo 12 metra kub ujëra fekale, rezulton që në lumenjtë tanë, akumulacionet dhe ujërat nëntokësore në vit derdhim mesatarisht mbi 6,6 milionë autobote të këtilla të mbushura me ujëra të zeza të papastruara! Këto to dhëna shumë qartë e tregojnë shkakun përse sa më shpejtë duhet të investohet në pika pastrimi për ujëra të zeza.

Profesori Pelivanovski sugjeron që stacionet për pastrim të ujërave të zeza janë sisteme komplekse, për realizimin e të cilëve nevojiten investime mjaft të larta kapitale, mirëpo edhe shpenzime të larta operative në eksploatim të sistemit. Ai sugjeron në faktin që në tregun global ekziston diapazon i gjerë i teknologjive më shumë apo më pak të pranuara dhe duhet të jemi mjaft të kujdesshëm gjatë pranimit dhe implementimit të tyre.

“Gjithnjë e më seriozisht imponohet nevoja për aplikim të teknologjive të etabluara, të cilat njëkohësisht ofrojnë menaxhim të sigurt dhe stabile, të cilat nuk do të prodhojnë shpenzime të larta operative, teknologji që do të jenë garant për arritje të cilësisë së nevojshme të efluentit në pajtim me Direktivën evropiane për ujëra të zeza urbane”, thotë profesori Petko Pelivanovski.

Shkupi e pret stacionin e premtuar pastrues

Qeveria në fund të vitit të kaluar i siguroi mjetet e domosdoshme për ndërtim të stacionit pastrues për ujëra të zeza në Shkup. Projekti me vlerë prej 136 milionë euro, do të financohet me hua nga Banka Evropiane për rinovim dhe zhvillim dhe Banka Evropiane Investuese dhe me mjete të pakthyeshme prej 11 milionë euro në dy bankat. Objekti kapital do të ndërtohet në afërsi të vendbanimit Trubarevë, ndërsa deri në lokacionin do të barten ujërat e zeza nga gjithë Shkupi nëpërmjet dy kolektorëve, të cilët për momentin janë duke u ndërtuar.

Nga Ministria për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor për “Meta.mk” informojnë që është shpallur tenderi për monitorim të punëve për ndërtim të stacionit për pastrim dhe për momentin është në fazë përfundimtare evaluimi i ofertave. Këtë verë që vjen duhet të shpallet procedura për parakualifikim për zgjedhje të ofertuesit më të mirë për ndërtim të objektit kapital, që duhet t’i pastrojë fekalet e mbi gjysmë milioni banorëve të Shkupit. Si investues në projekt paraqitet NP “Ujësjellës dhe kanalizim”-Shkup.

– Fillimi i punëve ndërtimore për stacionin e pastrimit në Qytetin e Shkupit planifikohet për në fund të vitit 2021, në pajtim me fizibiliti studimin, dinamika e paraparë për ndërtim të pikës së pastrimit është 5 vite – informojnë nga NP “Ujësjellës dhe kanalizim”.

Pasi të mbarojë në vitin 2026, stacioni për pastrim të ujërave të zeza do të bën pastrimin e ujërave të zeza prej 9 nga gjithsej 10 komuna të Shkupit. Ujërat e pastruara do të derdhen në lumin Vardar, me çka pritet të përmirësohet cilësia e ujërave dhe të kthehen në kategorinë e dytë. Në këtë mënyrë, do të mbrohet bota shtazore dhe shtazore brenda dhe rreth lumit Vardar, sipërfaqet bujqësore do të ishte e lejueshme të vaditen me ujin lumor, kurse peshqit e kapur do të jenë të sigurt për t’u ngrënë. Me pastrim të ujërave të zeza, realisht pritet që autoritetet të lejojnë not në lumenjtë dhe aktivitete sportive.

Vardar, Shkup

Pa edukim dhe dënime, më kot ndërtohen stacione pastrimi

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë që jemi larg kësaj gjendjeje ideale. Doktori Ljupço Kostadinovski apelon për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë që e kanë lumenjtë. Duhet më tepër të punohet me qytetarët nëpërmjet fushatave në nivel komunal, të edukohen njerëzit se nuk guxojnë të hedhin mbeturina në lumenjtë dhe rreth tyre, kurse fekalet nuk guxon të derdhen në lumenjtë të papastruara.

“Të ndërtojmë edhe pesë stacione pastrimi, do t’u nënshtrohemi shpenzimeve të larta, mirëpo nëse vetëdija e qytetarëve nuk është në nivelin e duhur, atëherë nuk kemi bërë asgjë”, është konciz doktori Kostadinovski.

Edhe ai edhe aktivistja Nevena Georgievska kanë kërkuar komunat dhe shteti nëpërmjet inspektorëve dhe institucioneve kompetente ta kryejnë punën e tyre me kontroll dhe dënim të qytetarëve dhe kompanive të pandërgjegjshme.

“Nuk është esenca vetëm ne tërë kohën të përsërisim që uji është i ndotur dhe që nuk guxon të përdoret, duhet të ketë rregulla dhe masa ndëshkimore dhe ato duhet të zbatohen. Teori kemi, në praktikë kjo nuk bëhet”, thekson doktori Ljupço Kostadinovski.