fbpx

Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut nxiti tensione përtej kufijve dhe mes grupeve etnike

-

Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Maqedoninë e Veriut ku takoi vetëm liderët e partive opozitare shqiptare, nxiti reagime të ndryshme. Përveç promovimit të segmentit rrugor që lidh Tetovën me Prizrenin dhe emërtimin e një rruge në komunën e Çairit me emrin e veprimtarit Adem Demaçi, Kurti foli para mijëra pjesëmarrësve në tubimin që ia organizoi kryetari i komunës së Tetovës, Billall Kasami. Mungesa e flamurit të Maqedonisë së Veriut e mos intonimi i himnit të këtij shteti si dhe shpalosja e një baneri me hartën e Shqipërisë së Madhe në mesin e turmës, nxitën reagimin e udhëheqësve maqedonas, të cilët kërkuan të merren në përgjegjësi organizatorët. Përveç politikanëve edhe disa media e cilësuan me tone nacionaliste dhe përçarëse paraqitjen e Kurtit.

Vizita e Kurtit u realizua më 11 gusht 2023, me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit- komuna këto të banuara banuara me shumicë shqiptare.

Fillimisht, Kurti në Komunën e Çairit, mori pjesë në ceremoninë e ri-emërtimit të rrugës me emrin e veprimtarit Adem Demaçi, kurse në Tetovë në inaugurimin e rrugës që lidh fshatin Sellcë dhe Vicë. Por ajo që nxiti më shumë reagime ishte thirrja e Kurtit për aleancë mes shteteve të Ballkanit, pa Serbinë.

Maqedonia e Veriut, sa ma afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë, e sa ma larg Serbisë e cila nuk po distancohet as nga Millosheviqi dhe as nga Putini, aq ma afër ajo, pra aq ma afër Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni ynë i Ballkanit. E për këtë ne duhet ta ndihmojmë e do ta përkrahim Maqedoninë e Veriut”, tha Kurti në fjalimin e që u shoqërua me ovacione nga pjesëmarrësit në tubim, të cilët e ngritën edhe një flamur të “Shqipërisë së madhe”.

Fjalimi i Kurtit u mbulua gjerësisht nga mediat maqedonese si: “Alfa.mk”, “Plus.info”, Telma.com” me titujt – “Harta e Shqipërisë së Madhe, flamujt shqiptarë, këngët shqipe – Çairi dhe Tetova sikur nuk janë në Maqedoni”, “Flamuri i Shqipërisë së Madhe valonte në pritjen e Kurtit në Tetovë, MPB do ta zbardhë rastin”.

Vizitë me “ngjyrime etnike”

Menjëherë pas vizitës të Kurtit, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kërkoi sanksionimin e përfaqësuesve të komunës Çairit dhe Tetovës.

“Vendosja e ikonografisë provokuese nacionaliste, e cila promovon ide shoviniste të shteteve të mëdha, paraqet nxitje të urrejtjes dhe jo tolerancës etnike, e cila padyshim që sulmon parimet dhe vlerat themelore të Marrëveshjes Kornizë si dhe konceptin e Maqedonisë si një shtet multi-etnik”, shkruan në deklaratën e Presidentit të Maqedonisë.

Përveç Pendarovskit, ka reaguar edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili madje kërkoi sqarime edhe nga Ambasada e Kosovës në Shkup. Sipas tij, “vendosja e flamujve që nuk janë shtetërorë është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizimin e manifestimeve në prani të zyrtarëve të vendeve të huaja.

Autoritetet maqedonase iu përgjigjen thirrjes së liderëve ku Ministria e Punëve të Brendshme, ngriti kallëzime penale kundër kryetarëve të Tetovës dhe Çairit, për siç kanë thënë, “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti më 11 gusht. Në lidhje me këtë reagoi Bilall Kasami duke e cilësuar si përndjekje politik që i ngjanë “sistemit komunist”.

Pakënaqësi pati edhe ndaj emërtimit të rrugës me emrin e veprimtarit ”Adem Demaqi” në Komunën e Çairit. Madje kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, në Këshillin e Qytetit dorëzoi nismë për t’ia ndërruar emrin e rrugës “Adem Demaçi” dhe kthimin e emrit të vjetër, “Brigada e Dytë Maqedonase”.

“Ndërhyrje” mes partive shqiptare

Ndërkaq opozita maqedonase fajin i’a ka hedhur hedhur qeverisë për vizitën e Kurtit, megjithëse në agjendën e kryeministrit të Kosovës nuk ishin edhe takimet me zyrtarët qeveritarë. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, tha se kryeministri Dimitar Kovaçevski ka qenë i pranishëm dhe ka votuar në një seancë të qeverisë për ndryshimin e emrave të rrugëvedhe sipas tij, nuk është dashur të lejohet që një rruge t’i ndryshohet emri.

Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut u realizua kohën kur blloku opozitar intensifikoi përpjekjet për krjimin e një fronti të përbashkët kundër Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), që udhëhiqet prej Ali Ahmetit dhe është pjesë e koalicionit qeverisës. Para se Kurti të nisej për në Shkup e Tetovë, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se Kurti me siguri nuk vjen si kryeministër, teksa ka folur për mugesën e takimeve me të.

Kurse kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut e keqpërdori vizitën e Kurtit. “Me të dëgjuar kreun e Komunës së Tetovës, vizita e zotit Kurti është bërë për të mbështetur opozitën. Mua kjo më bëri shumë përshtypje dhe nuk mora ndonjë iniciativë për të bërë takime shtesë në Kosovë, në veçanti me ekzekutivin e Kosovës”, ka thënë Ahmeti në një intervistë për RTK-në.

Reagimet në Serbi

Përmendja e Serbisë në tubimin e Tetovës nxiti reagimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili e quajtu skandal vizitën e Kurtit. “Ajo që ndodhi në Maqedoninë e Veriut ishte skandal i skandaleve. Aty u promovua ideja e ’Shqipërisë së Madhe’, me simbolet e veta, ndërsa Kurti u prezantua si kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe mes të tjerave dhe si kryeministër i Tetovës”, ka thënë Vuçiq. Ndërsa ish ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Dragan Shutanovac, shkoi edhe më larg duke thënë se, “Kurti do të kishte nisur fushatë ushtarake në rajon sikur ta kishte fuqinë dhe mbështetjen”.

Kundëpërgjigja e Kurtit

Reagimeve të shumta, kryeministri Albin Kurti, iu përgjigj në prezantimin e projektit të rrugës, Prizren-Tetovë. Sipas tij, “ato nuk kanë qenë takime dhe tubime kundër askujt, ndërsa marrëdhëniet e mira ndërmjet nesh nuk do të mund t’i dëmtojë askush”, ndërsa ka shtuar se “Maqedoninë e Veriut e konisderon një shtet partner, aleat dhe mik”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar si keqkuptim vizitën e kryeministrit duke thënë se shfaqja e flamurit të ”Shqipërisë etnike“ është thjesht lëvizje e një qytetari dhe jo diçka e organizuar. “Kjo besoj që është një keqkuptim i vogël, që kur kemi vullnet të dyja palët, siç e kemi dëshmuar gjithnjë, tejkalohet, duke e ditur që të gjitha institucionet e Kosovës janë të interesuara vetëm për relacione pozitive gjithnjë në rritje me Maqedoninë e Veriut”, ka theksuar ajo.

Reagime erdhën edhe nga opozita në Kosovë. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh ish-kryeministër, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që të mos i besojnë Kurtit. Sipas Haradinajt, Kurti i ka bllokuar të gjitha rrugët e projektet, përfshirë edhe rrugën e Plavës që lidh Kosovën me Malin e Zi.

Nxitja e sentimentit nacionalist në një shoqëri shumë etnike sikurse ajo e Maqedonisë së Veriut nuk i kontribuon proceseve nëpër të cilat po kalon ky vend e që ndërlidhen me integrimet evropiane. Pas ndryshimit të emrit, tani Maqedonia e Veriut është në proces të ndryshimeve tjera kushtetuese që lidhen me përfshirjen e bullgarëve në aktin më të lartë juridik, parkusht ky për mbajtjen e mbledhjes së dytë ndërqeveritare dhe vazhdimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

ИзворSbunker.net

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.