Sunday, 10 May, 2026
Meta.mk

Shqipëria, bum investimesh nga vende me kontroll të dobët financiar

Një studim i publikuar nga Fondacioni Friedrich Ebert hedh dritë mbi dimensionet shqetësuese të pastrimit të parave tek pasuritë e paluajtshme

Jona Cenameri

Një studim i publikuar nga Fondacioni Friedrich Ebert në shtator 2025 hedh dritë mbi dimensionet shqetësuese të pastrimit të parave në sektorin e pasurive të paluajtshme në Shqipëri gjatë dekadës së fundit. Analiza e kryer nga Prof. Asoc. Dr. Adriatik Kotorri dokumenton se një pjesë e konsiderueshme e boomit të ndërtimit në vend mund të jetë financuar nga burime me origjinë të dyshimtë.

Sipas të dhënave të analizuara në studim, gjatë periudhës 2015-2024 në Shqipëri janë dhënë leje ndërtimi për 11.48 milionë metra katrorë me vlerë tregu mesatarisht prej 16.238 miliardë Euro. Nga kjo shumë, vetëm 7.108 miliardë Euro janë identifikuar si të financuara nga burime të ligjshme, konkretisht 5.521 miliardë Euro nga kredia bankare dhe 1.587 miliardë Euro nga investime të huaja direkte.

Diferenca prej së paku 9.13 miliardë Euro ngre pyetje serioze mbi origjinën e fondeve. Ndonëse një pjesë e kësaj diference mund të përfaqësojë sipërfaqe të pashitura ose të financuara nga kursime legjitime, studiuesi Kotorri argumenton se treguesi më shqetësues lidhet me burime të paligjshme.

Investimet e huaja

Një ndër gjetjet më të rëndësishme të studimit lidhet me rritjen dramatike të investimeve të huaja nga vende që kanë qenë ose janë aktualisht në listën gri të Task Forcës për Veprim Financiar (FATF), organizata ndërkombëtare që monitoron pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

Rasti i Turqisë është i pari. Investimet nga ky vend janë rritur nga 86 milionë Euro në 2015 në 257 milionë Euro në 2024. Turqia ka qenë pjesë e listës gri të FATF deri në qershor 2024, periudhë që përkon me intensifikimin e investimeve të saj në sektorin shqiptar të pasurive të paluajtshme.

Bullgaria paraqet rastin e dytë në aspektin e rritjes relative. Nga praktikisht zero investime në 2015, ky vend arriti në 74 milionë Euro investime në 2019 dhe vazhdoi me 28 milionë Euro investime në 2024. Bullgaria gjithashtu ka qenë pjesë e listës gri të FATF deri kohët e fundit.

Studiuesi Kotorri thekson se edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, një tjetër juridiksion me kontroll historikisht të dobët financiar, kanë rritur investimet nga zero  me një kulm prej 19 milionë eurosh në 2023.

Raporti argumenton se “këto prurje investimesh, nga vende me kontroll të dobët financiar, ngrejnë pikëpyetje mbi natyrën e vërtetë të këtyre investimeve dhe rrezikun potencial që ato paraqesin për pastrimin e parave në Shqipëri”

Mekanizmat e depërtimit

Studimi identifikon disa rrugë kryesore përmes të cilave paratë e paligjshme depërtojnë në sektorin e ndërtimit, siç janë:

Themelimi i kompanive me kapacitete të dyshimta: Nga 2015 në 2023, numri i kompanive të ndërtimit u rrit me 40%, duke arritur në 6,955 kompani. Shqetësuese është se 82% e kompanive të reja kanë vetëm 1-4 të punësuar dhe nuk disponojnë kapacitete reale për të realizuar projekte ndërtimi. Sipas raportit, për periudhën 2017-2019, rreth 59% e kompanive që morën leje për objekte mbi 6 kate nuk kishin kapacitete financiare të mjaftueshme.

Depozitimi i fondeve në vende të treta: Metoda përfshin depozitimin e fondeve në banka të vendeve me kontroll të dobët (si Turqia, Bullgaria dhe EBA) dhe rikthimin e tyre në Shqipëri si “investime të huaja direkte”. Kjo skemë mundëson që paratë me origjinë të dyshimtë të fitojnë një “pamje legjitime” përmes sistemit bankar ndërkombëtar.

Pagesat cash dhe nënvlerësimi: Praktika e deklarimit të vlerave të ulëta në kontrata, ndërsa pjesa tjetër paguhet në dorë, mbetet e zakonshme. Megjithëse çmimet e referencës minimale u vendosën në 2018, diferenca mes çmimeve reale dhe atyre të deklaruara arrin deri në 100% në zonat elitare.

Depozitimi i fragmentuar: Shumat ndahen në depozitime të vogla për të shmangur alarmet automatike bankare (zakonisht nën 7,000 Euro) dhe më pas përdoren për blerje pronash.

Deformimi i tregut

Një ndër gjetjet më alarmante të studimit lidhet me paradokset që ka krijuar ky fenomen në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme.

Paradoksi i sasisë: Gjatë periudhës 2011-2023, ndërsa popullsia ra me 478,590 banorë, numri i banesave u rrit me 74,286 njësi. Megjithatë, numri i familjeve të pastreha u rrit me 88%, nga 70,630 në 132,563 familje. Shqipëria sot ka më shumë banesa se familje, por më shumë njerëz pa strehë.

Paradoksi i çmimit: Çmimet janë rritur me 139% (nga 862 Euro/m² në 2015 në 2,057 Euro/m² në 2024) ndërkohë që oferta ka shënuar një rritje prej 46%. Kjo shkel logjikën bazë ekonomike ku rritja e ofertës duhet të ulë çmimet.

Ndikimi në aksesibilitetin e strehimit: Në 2015, një personi me pagë mesatare i duheshin 38 vite për të blerë një apartament në periferi. Në 2024, kjo kohë është rritur në 47 vite, një rritje prej 23%. Për një çift, koha është zgjatur nga 19 në 23 vite.

Evazioni

Studimi vlerëson se gjatë periudhës 2015-2024, korrupsioni dhe evazioni fiskal kanë gjeneruar të paktën 8.168 miliardë Euro të ardhura të paligjshme në Shqipëri. Këto shifra bazohen në të dhëna nga ALTAX, i cili shfrytëzon burime zyrtare përfshirë INSTAT, Ministrinë e Financave, SPAK, KLSH, FMN, Bankën Botërore dhe Transparency International.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve besohet të ketë gjetur rrugë drejt sektorit të ndërtimit. Sipas raportit të “Global Initiative Against Transnational Organized Crime”, pastrimi i vlerësuar i parave në Shqipëri vetëm për periudhën 2017-2019 arrin deri në 1.6 miliardë Euro.

Paradoksalisht, ndërsa fenomeni ka rritur të ardhurat vendore përmes taksave dhe tarifave të ndërtimit (nga 12.9 miliardë lekë në 2015 në 30.5 miliardë lekë në 2022), ai ka krijuar një varësi të rrezikshme. Pesha e taksave të lidhura me pasuritë e paluajtshme në totalin e të ardhurave vendore është rritur nga 37% në 51%.

Performanca

Një ndër kritikuat më të forta të studimit i drejtohet Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF). Analiza tregon se aktiviteti i AIF ka rënë dramatikisht gjatë 5-vjeçarit të fundit:

Rastet e dërguara në organet ligjzbatuese ranë nga 1,856 (2015-2019) në 1,204 (2020-2024).

Inspektimet në vend u reduktuan nga 806 në 550.

Pasuritë e bllokuara ranë nga 71.4 milionë Euro (2015-2019) në vetëm 15.8 milionë Euro (2020-2024), një rënie 4.5 herë

Veçanërisht shqetësuese është vëzhgimi se aktiviteti i AIF bie në vitet zgjedhore. Me përjashtim të 2019 (kur nuk pati garë elektorale për shkak të bojkotit), në të gjitha vitet zgjedhore (2013, 2015, 2017, 2021, 2023) u shënua rënie e pasurive të bllokuara krahasuar me vitin paraardhës.

Për mosdeklarimin e shumave në kufi, një metodë kyçe e sjelljes së parasë së paligjshme nga jashtë, AIF ka dërguar vetëm 26 raste gjatë dekadës, mesatarisht 2.6 raste në vit, me një rënie të theksuar vitet e fundit.

Dimensioni ndërkombëtar dhe lista gri

Shqipëria ka qenë pjesë e listës gri të FATF për një periudhë trevjeçare, duke u klasifikuar si vend me nivel të ulët të përpjekjeve për parandalimin e pastrimit të parave.

Raporti thekson se, zhvendosja progresive e ekonomisë shqiptare drejt sektorit të pasurive të paluajtshme, e shoqëruar me tolerancë institucionale ndaj fondeve me origjinë të dyshimtë, ka krijuar një “terren të favorshëm” për operatorë që synojnë të integrojnë kapitale të paligjshme në ekonomi.

Vakuumi ligjor

Një gjetje tjetër e rëndësishme lidhet me vakuumin ligjor që karakterizon tregun shqiptar. Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane që kanë mekanizma mbrojtës për blerësit e pronave të papërfunduara (si llogaritë Escrow ose garancitë bankare), Shqipëria ofron mbrojtje minimale.

Kontratat e “Premtimit të Shitjes” dhe “Kalimit të të Drejtave”, që dominojnë tregun, nuk kanë bazë specifike ligjore dhe mbështeten në interpretim të përgjithshëm të Kodit Civil. Studiuesi Kotorri argumenton se “kontratat me të cilat shiten pjesa dërrmuese e pasurive të paluajtshme në Shqipëri janë të pabazuara në ligj.”

Indikatorët e “Kartelit”

Raporti identifikon shenja të një tregu të kontrolluar në mënyrë joformale, me karakteristika të ngjashme me kartelet:

Mungesa e konkurrencës mes projekteve në të njëjtën zonë

Rritje e koordinuar e çmimeve në periudha të njëjta (pranverë dhe vjeshtë)

Çmim pothuajse identik për parkingun në të gjitha projektet (së paku 15,000 Euro)

Rritje uniforme e sipërfaqes së përbashkët që i shtohet pronës (nga 7-12% në 17-35%)

Konkluzioni

Raporti  arrin në konkluzionin se, “pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit funksionon si një sistem përfitimi të gjithanshëm, ku të gjithë aktorët e përfshirë, nga blerësit me fonde të dyshimta që legalizojnë kapitalin, te ndërtuesit që sigurojnë financim të shpejtë, deri te agjentët imobiliarë që marrin komisione dhe qeveria që rrit të ardhurat tatimore, përfitojnë nga ky fenomen”.

Studiuesi Kotorri argumenton se kjo strukturë krijon një rezistencë të fortë ndaj reformave: sa më të mëdha të jenë përfitmet, aq më e madhe është kundërshtia për ta luftuar fenomenin. Vakuumi ligjor, mungesa e garancive për blerësit dhe roli i agjentëve imobiliarë si ndërmjetës kyç në negociatat për pagesa “cash” janë identifikuar si faktorë që lehtësojnë penetrimin e parave të paligjshme.

Analiza përfundon se ndërtuesit, përmes marrëveshjeve të tipit “kartel”, kanë arritur të diktojnë tregun në vend që të diktohet nga blerësit, duke cenuar konkurrencën dhe rritur çmimet në mënyrë artificiale.

Blerësit vendas dhe investitorët, nga ana tjetër, shfaqin atë që raporti e quan “sjellje tufe” dhe frikë se mos humbasin mundësinë (FOMO), duke blerë jo nga nevoja reale për strehim, por nga perceptimi i një tregu në rritje të vazhdueshme.

Studiuesi Kotorri konkludon se në këtë “vallëzim” mes aktorëve të ndryshëm të tregut, ku përfitojnë spekulantët, ndërtuesit dhe agjentët, e vetmja palë që humbet janë familjet dhe çiftet e reja me nevoja reale për banesë, të cilët e kanë gjithnjë e më të pamundur të sigurojnë strehim, pavarësisht ekzistencës së një stoku të madh apartamentesh të pabanuara.

Si u shtrembërua deklarata se “NATO do të godasë e para Rusinë”

Raportimet u paraqitën si zhvillime të reja strategjike, duke krijuar përshtypjen se NATO po shqyrton seriozisht një sulm të parë ushtarak ndaj Rusisë

Jona Cenameri

 Gjatë ditëve të fundit, disa media shqiptare dhe platforma në rrjete sociale publikuan lajme me tituj alarmues si “NATO po konsideron të godasë e para Rusinë” apo “Gjeneralët e NATO-s përgatiten për sulm”

Raportimet u paraqitën si zhvillime të reja strategjike, duke krijuar përshtypjen se Aleanca e Atlantikut të Veriut po shqyrton seriozisht një sulm të parë ushtarak ndaj Rusisë, në përgjigje të asaj që përshkruhet si “sulme hibride” nga Moska.

Burimi i këtyre lajmeve ishte një intervistë e admiralit Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, dhënë për gazetën britanike Financial Times.

Çfarë tha admiral Giuseppe Cavo Dragone

Në intervistën për Financial Times, Dragone foli për rritjen e shqetësimeve brenda NATO-s lidhur me sulmet hibride ruse, përfshirë sabotimet, sulmet kibernetike dhe kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike në vendet anëtare. Në këtë kontekst, ai theksoi se Aleanca po diskuton se si duhet të reagojë ndaj një forme agresioni që nuk përbën domosdoshmërisht sulm të drejtpërdrejtë ushtarak.

Dragone pranoi se, në nivel teorik, disa vende aleate po ngrenë pyetjen nëse veprime më të vendosura, përfshirë masa që shkojnë përtej reagimit tradicional, mund të konsiderohen vetëmbrojtje në rrethana të caktuara. Megjithatë, ai e bëri të qartë se një qasje e tillë “shkon përtej mendimit tradicional” dhe se mbeten ende pyetje thelbësore ligjore dhe institucionale, përfshirë atë se kush do të kishte kompetencën për një veprim të tillë.

“Ndoshta duhet të veprojmë më agresivisht se kundërshtari,” tha Dragone, duke shtuar menjëherë se dilemat kryesore lidhen me kornizën ligjore dhe zinxhirin e vendimmarrjes.

Në asnjë moment ai nuk deklaroi se NATO ka marrë një vendim për sulm të parë, apo se po përgatitet për një goditje parandaluese ndaj Rusisë.

Si u shtrembërua deklarata në raportime

Në raportimet e publikuara në disa media shqiptare, ky debat konceptual u paraqit si një ndryshim konkret i doktrinës së NATO-s. Diskutimi teorik mbi reagimin ndaj sulmeve hibride u shndërrua në tituj që sugjeronin përgatitje për luftë ose planifikim operacional për sulm.

NATO

Dokumentet bazë të NATO-s, përfshirë Konceptin Strategjik të miratuar në vitin 2022, e përkufizojnë qartë Aleancën si një strukturë mbrojtëse, të ndërtuar mbi parimin e parandalimit dhe mbrojtjes kolektive. NATO thekson se nuk kërkon përshkallëzim të konfliktit dhe se veprimet e saj synojnë të parandalojnë agresionin, jo ta nisin atë.

Edhe në raport me Rusinë, NATO ka deklaruar vazhdimisht se qëndrimi i saj është reagues dhe mbrojtës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Asnjë dokument apo deklaratë zyrtare nuk flet për një strategji të “goditjes së parë”.

Kufijtë e vetëmbrojtjes

Sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, përdorimi i forcës lejohet vetëm në rast vetëmbrojtjeje ndaj një sulmi të armatosur. Koncepti i vetëmbrojtjes parandaluese mbetet shumë i debatueshëm në të drejtën ndërkombëtare dhe zbatohet vetëm në rrethana jashtëzakonisht të kufizuara, kur një kërcënim është i menjëhershëm dhe i pashmangshëm.

Vetë Dragone e pranon këtë paqartësi ligjore, duke theksuar se pikërisht këto dilema e bëjnë një qasje të tillë objekt diskutimi teorik dhe jo politikë të miratuar.

Përfundimi

Pretendimi se NATO po planifikon të godasë e para Rusinë nuk qëndron. Deklarata e admiralit Giuseppe Cavo Dragone është nxjerrë nga konteksti dhe është interpretuar gabimisht si paralajmërim për sulm, kur në fakt ajo lidhej me një diskutim strategjik mbi reagimin ndaj sulmeve hibride dhe me dilema të hapura ligjore e politike.

NATO mbetet, sipas dokumenteve dhe praktikës zyrtare, një aleancë mbrojtëse.

Media ruse “arreston” ministren virtuale Diella për korrupsion

Pravda publikon si të vërtetë satirën. Ngatërresa arrin deri tek Putin

Jona Cenameri

Një artikull i publikuar në 5 dhjetor në versionin shqip të gazetës ruse Pravda, njofton arrestimin e ministres shqiptare virtuale Diella, nën akuzën e korrupsionit në tendera. Lajmi shoqërohet edhe me një foto, dukshëm të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, të një toge policësh që shoqëron një ekran kompjuteri ku dallohet imazhi i Diellës.

Verifikim i mëtejshëm tregon se kjo media paraqet si lajm të vërtetë, një histori që në fakt buron nga një artikull satirik i medias kroate NewsBar. Në pamje të parë, artikulli i Pravda-s krijon përshtypjen e një raportimi serioz. Titulli, gjuha dhe struktura janë tipike të lajmeve të kronikës së zezë, ndërsa fotografia shoqëruese i përket qartësisht burimit origjinal kroat. Megjithatë, në asnjë moment Pravda nuk informon lexuesin se NewsBar është një portal satirik, i njohur në Kroaci për parodi politike dhe humor të zi.

Artikulli i publikuar në median satirike kroate Newsbar

Vetë teksti përmban elementë absurdë dhe humoristikë, si “kalimi i ministres në offline mode”, “avokati që është një algoritëm ChatGPT”, apo zëvendësimi i saj me një kalkulator Casio “moralisht më të qëndrueshëm”. Për më tepër, në rrjetet sociale të NewsBar, përfshirë Instagram dhe Facebook, faqja e përshkruan veten qartë si satirë dhe humor. Ky kontekst është plotësisht i munguar në versionin e Pravda-s.

Media kroate prezantohet si një faqe satirike

Përkundrazi, artikulli paraqitet si zhvillim real në Shqipëri dhe i atribuohet një burimi të paqartë në Telegram, “dimsmirnov175”, pa asnjë verifikim apo kontekst shtesë.

Konteksti i një lajmi të tillë që vë në lojë jehonën që shkaktoi në mediat ndërkombëtare përfshirja e Inteligjencës Artificiale në një kabinet qeveritar, mer një tjetër konotacion i publikuar nga media ruse. Rrjeti “Pravda” është identifikuar në verifikime europiane si dhe nga Faktoje, si një ekosistem faqesh me prirje pro-Kremlinit, i përdorur për përhapje narrativash dezinformuese në disa vende dhe gjuhë, përfshirë Ballkanin Perëndimor.

Një raport i fundit i verifikuesve të fakteve të Hibrid.info në Kosovë, zbuloi se  platforma pro-Kremlinit, që operon në mbi 80 shtete, është operacionale në gjuhën shqipe prej marsit të vitit 2024. Gjatë vitit të fundit, kjo faqe ka publikuar 2,699 artikuj, shumica e të cilëve janë kopje nga burime zyrtare ruse si RT, Sputnik dhe Telegram-i i Ambasadës Ruse në Tiranë.

Pas publikimit nga Pravda, historia është ricikluar edhe nga portale të tjera shqiptare, por me dallime në mënyrën e paraqitjes. Disa prej tyre e përmendin natyrën satirike vetëm në fund të artikullit ose në një fjali dytësore, ndërsa të tjerë e theksojnë në titull. Megjithatë, në të gjitha rastet, titujt sensacionalë dhe formulimi i paqartë kanë kontribuar në konfuzion, duke bërë që një pjesë e audiencës ta perceptojë historinë si lajm real.

Ky keqinterpretim i satirës nuk ka mbetur vetëm në nivelin e portaleve shqiptare. Në dhjetor 2025, kryetari i Dumës ruse, Vjacheslav Volodin, iu referua të njëjtës histori gjatë një bisede me presidentin Vladimir Putin, duke e paraqitur si shembull real të “korrupsionit të inteligjencës artificiale” në Evropë.

Mediat ndërkombëtare raportuan se historia që ai citoi ishte një meme dhe një lajm i rremë i qarkulluar në internet, me origjinë nga portali satirik kroat NeësBar. Ky episod tregon se si një përmbajtje humoristike, kur shkëputet nga konteksti, mund të keqpërdoret jo vetëm nga media për klikime, por edhe në diskurs politik në nivele të larta.

 

E rreme gjetja e bizhuterive të vjedhura të Luvrit në Ukrainë

Pretendimi: Bizhuteritë e vjedhura nga muzeu i Luvrit u gjetën në Ukrainë midis aseteve të sekuestruara nga Timur Mindich, një mik i ngushtë i presidentit ukrainas Zelensky

Verdikti: E pavërtetë

 

Në rrjete sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se bizhuteritë e vjedhura nga muzeu i Luvrit në Paris më 19 tetor 2025 janë gjetur në Ukrainë midis aseteve të sekuestruara të biznesmenit ukrainas Timur Mindich.

Megjithatë, ky pretendim i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë provë apo burim që e mbështet atë.

Nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga NABU, Luvri apo ndonjë agjenci tjetër franceze apo ukrainase që e konfirmon historinë.

Duket se ky pretendim e ka zanafillën në një video që pretendohet se është nga NABU, Agjencia Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës, dhe duket se tregon gjetjen e gjerdanit të famshëm prej smeraldi të Marie Louise të Austrisë.

Video paraqitet si një komunikim zyrtar i NABU. Megjithatë, agjencia ka konfirmuar për Deutsche Welle se video është e rreme dhe “produkt i propagandës pro-Kremlinit ose i dikujt që dëshiron të përhapë dezinformata.” Zyra e shtypit e agjencisë konfirmoi për AFP se “NABU nuk i ka gjetur bizhuteritë e humbura të Luvrit të Marie-Louise si pjesë e hetimit të saj kundër individit në fjalë (Timur Mindich, red.)”

Anomalia e parë që vërrehet është zëri i tregimtarit, i cili ka një shqiptim të panatyrshëm, një ritëm mekanik dhe gabime në fjalë. Zëri në video pretendon se NABU kreu kontrolle shtëpish “në fillim të tetorit” për të gjetur bizhuteritë. Megjithatë, kjo nuk përkon me kohën e vjedhjes së Luvrit, e cila nuk ndodhi deri më 19 tetor.

Më tej, klipet që tregojnë agjentë të NABU në veprim nuk kanë lidhje me çështjen e xhevahireve; këto në fakt janë marrë nga kanali zyrtar i agjencisë në YouTube dhe dokumentojnë operacione të vërteta antikorrupsion, por në kontekste krejtësisht të ndryshme.

Gjerdani në video është prova më e dukshme e manipulimit.

Duke e krahasuar atë me fotot autentike të gjerdanit të Maria Luisa të Austrisë, të ruajtur në Luvër, dalin në pah ndryshime domethënëse.

Në video shfaqet një kapëse e madhe e artë, e cila mungon në origjinal. Numri dhe forma e gurëve nuk përputhen. Gurët e varur janë më të shumtë dhe më pak të detajuar. Rendi i gurëve është gjithashtu i pasaktë, ashtu si edhe forma e kuadrateve. Së fundmi, disa seksione tregojnë turbullim dhe shkrirje, tipike për imazhet e gjeneruara me porgrame kompjuterike të inteligjencës artificiale.

Gjerdani i vërtetë (majtas) dhe i gjeneruar (djathtas)

Bizhuteritë e Luvrit mbeten të zhdukura.

Në mesin e nëntorit 2025, NABU zbuloi një rrjet të gjerë korrupsioni në sektorin e energjisë të Ukrainës. Agjencia vlerëson se afërsisht 100 milionë dollarë u përvetësuan.

Një kontroll u krye në shtëpinë e Andriy Yermak, shefit të stafit të presidentit ukrainas që nga viti 2020, i cili dha shpejt dorëheqjen. Dy ministra gjithashtu lanë postet e tyre.

Megjithatë, nuk ka informacion në lidhje me një kontroll të banesës së Timur Mindich. Një bashkëpunëtor i ngushtë i Volodymyr Zelensky, Mindich akuzohet se ka udhëhequr operacionin. Sipas raporteve të medias, ai u largua nga Ukraina pak para se të shpërthente skandali.

Ballkani Perëndimor në spiralen e re të armatimeve

Serbia shpenzon 5 herë më shumë se gjashtë vendet e tjera të rajonit së bashku

Ballkani Perëndimor po futet me shpejtësi në një spirale të re armatimesh, me Serbinë që vijon rolin e një fuqie të plotë ushtarake duke e vendosur rajonin nën presionin e një ekuilibri të ri force.

Të dhënat e Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), të përpunuara nga Faktoje.al, tregojnë se të gjitha shtetet e Ballkanit kanë rritur buxhetet e mbrojtjes gjatë pesëvjeçarit të fundit.

Burimi: SIPRI 

Por kjo rritje nuk ka qënë e barabartë.

Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, si vende anëtare të NATO-s, kanë investuar kryesisht në modernizimin e strukturave, ndërveprueshmërinë dhe teknologjitë e lehta. Kosova dhe Bosnja kanë qenë të fokusuara te ndërtimi i kapaciteteve bazike dhe profesionalizimi i trupave.

Serbia superfuqia ushtarake e rajonit

Serbia shpenzon 4 deri në 5 herë më shumë se gjashtë vendet e tjera të rajonit së bashku. Nga 1.5 miliardë dollarë në vitin 2019, buxheti i saj ushtarak ka arritur mbi 2.2 miliardë dollarë në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 46 për qind.

Burimi:SIPRI

Po ashtu, Serbia është i vetmi vend në Evropë që furnizohet njëkohësisht nga Lindja dhe Perëndimi.

Burimi:SIPRI

Ajo kombinon avionët MIG-29 dhe artilerinë ruse me sistemet HQ-22 dhe dronët luftarakë CH-92A nga Kina, ndërkohë që ka blerë radarë GM200/GM400 dhe ka nënshkruar kontratë për 12 avionë Rafale nga Franca.

Nga ana tjetër, Serbia ka modernizuar tanket T-72 dhe ka ngritur industri të brendshme për blindat, municionet dhe raketat, duke u shndërruar në një enigmë strategjike për Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Kolonel Dritan Demiraj e përmbledh këtë situatë duke thënë se Serbia është sot e vetmja fuqi e plotë ushtarake në Ballkan, e furnizuar njëkohësisht nga Moska, Pekini dhe Parisi, gjë që krijon një pabarazi të thellë me fqinjët e saj.

“Serbia krejt ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, vazhdon të ndjekë një autonomi strategjike dhe vizion të qartë të bashkëpunimit me të gjithë superfuqitë dhe blloqet ushtarake”, pohon kolonel Demiraj për Faktoje.al. 

Kohët e fundit, Serbia ka shtrirë bashkëpunimin e saj edhe me Izraelin.

Sapo ka firmosur një marrëveshje në vlerën e 1.6 miliardë dollarëve me kompaninë ‘Elbit Systems’ e cila konsiston në blerjen e sistemeve me artileri të distancave të gjata, dronë sulmi, sisteme ISTAR për inteligjencës, survejim, dhe targetim me precision, sisteme për luftën elektronike dhe C4I (komandim-kontroll, komunikim, kompjutera dhe Inteligjencë). Ajo që vlen edhe më shumë, është se Izraeli do të ndihmojë në zhvillimin e kapaciteteve operacionale kombëtare në drejtim të transferimit të teknologjisë ushtarake dhe në fushën e inteligjencës” shpjegon kolonel Dritan Demiraj.

Kjo nuk është thjesht çështje kapacitetesh, por çështje vullneti politik dhe ambicieje rajonale. Serbia ka trashëguar një industri të fuqishme armatimesh.

“Në vitet e fundit, Serbia ka qenë eksportuese e madhe dhe e pasur e armatimeve, me vlera që janë rritur në mënyrë të vazhdueshme nga rreth 384 milionë dollarë në 2020 në 1.6 miliardë në 2023, duke reflektuar rolin e saj si një furnizues i rëndësishëm global në tregun ushtarak”, thotë Eno Luarasi, autor i emisionit WAR ZONE në A2CNN.

Ai shton se vendi po ndërton stoqe për një horizont afatgjatë konfliktual.

“Heqja e përkohshme e eksporteve në 2025 duket të jetë një veprim strategjik për menaxhimin e sfidave diplomatike dhe për të siguruar fuqinë dhe qëndrueshmërinë e vet ushtarake në një kontekst të globalizuar dhe konfliktual”

Sipas Luarasit, Serbia nuk blen për t’u modernizuar, por prodhon për të rritur ndikimin e saj strategjik, duke e përdorur industrinë si instrument politik po aq sa ushtarak.

Ndërkohë, shtetet e NATO-s në Ballkan, edhe pse kanë rritur shpenzimet, mbeten të varura nga infrastruktura dhe garancitë e Aleancës. Investimet e tyre fokusohen në radarë dhe sisteme vëzhgimi, forca speciale dhe njësi të reja, dronë dhe kundër-dronë, modernizimin e logjistikës, si dhe strukturimin e rezervës dhe mobilizimit.

Demiraj e cilëson këtë si një ristrukturim të nevojshëm, por të pamjaftueshëm, duke paralajmëruar se NATO garanton ombrellën, por jo kapacitetet vendase, dhe se Ballkani nuk mund të varet vetëm nga importet, por duhet të ndërtojë industri për municione, dronë, sisteme anti-ajrore dhe rezerva strategjike.

“Në këtë këndvështrim, Ballkani Perëndimor (ka filluar se) në bashkëpunim me NATO-n po përpiqet të rrisë kapacitetet e saj ushtarake dhe të krijojë aleanca të reja rajonale të cilat aktualisht janë në fazën e tyre fillestare”, argumenton Demiraj. 

Ringritja e industrisë ushtarake “Made in Albania”

Shqipëria krahasuar me fqinjët e tjerë, ka shënuar progres vitet e fundit. Shpenzimet e mbrojtjes u rritën nga 248 milionë dollarë në vitin 2019 në 481 milionë dollarë në vitin 2024, një rritje prej 93 për qind, më e larta në rajon për vendet e NATO-s.

Burimi: SIPRI

Buxheti i mbrojtjes për vitin 2026 është dokumenti më ambicioz që Shqipëria ka miratuar ndonjëherë në këtë sektor. Rritja e tij me afro 12% krahasuar me vitin aktual ka dy objektiva.

Së pari, modernizimi i Forcave të Armatosura në standardet e NATO-s, ku mbështetja e luftimit rritet me 37.8 për qind, forcat e luftimit me 9.35 për qind, ndërkohë që investohet në logjistikë, depot strategjike, sistemet e zbulimit dhe mbrojtjes ajrore, si dhe rritjen e kapaciteteve të ndërhyrjes së shpejtë.

Së dyti dhe më e rëndësisshmja ngritja e industrisë së mbrojtjes “Made in Albania”, ku qeveria synon prodhimin e municioneve, dronëve taktikë dhe kundër-dronëve, mjeteve të blinduara të lehta, pajisjeve taktike dhe mbrojtëse, si dhe krijimin e qendrave të mirëmbajtjes për aleatët e NATO-s.

Kolonel Demiraj vlerëson se Shqipëria vitet e fundit ka bërë hapa pozitivë në drejtim të rritjes të kapaciteteve të mbrojtjes, por ai shton se sfidat e sotme kërkojnë kapacitete ushtarake shumë më të larta.

“Një pikë tjetër e rëndësishme është integrimi i përbashkët i strukturave ushtarake të Shqipërisë, Kosovës dhe të Kroacisë. Investimet e përbashkëta në fushën e industrisë ushtarake, stërvitjeve të përbashkëta, luftën kundër kërcënimeve hibride, luftës kibernetike dhe rritjen e ndërveprueshmërisë ushtarake janë positive, por duhet të materializohen në praktikë”, shpjegon ai.

Përfundim

Ballkani Perëndimor ka hyrë në një fazë të re të sigurisë ku Serbia ka përfunduar fazën e parë të militarizimit, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po modernizohen ngadalë, Kosova po ndërton ushtrinë e saj nga themelet, ndërsa Shqipëria pritet të bëjë hapin më të madh të dekadës.

Ndonëse industria e armatimeve “Made in Albania” është ende në fazë embrionale, premton t’i sjellë vendit prodhim municionesh, dronësh dhe sistemesh anti-dron që mund të sigurojnë pavarësi të pjesshme dhe mundësi eksporti në tregjet e NATO-s.

Loja nuk është më ajo e viteve 2010, por është garë kohe, kapacitetesh dhe industrie. Për herë të parë pas viteve ’90 armatimet janë pjesë e politikës së jashtme, dhe se kush e kupton këtë mbijeton, ndërsa kush jo mbetet pre e ngjarjeve.

Pretendimi: Video tregon emigrantë myslimanë që thërrasin “Allahu Ekber”

Barbara Halla

Në një artikull të publikuar në 19 nëntor pretendohet se një grup myslimanësh krijuan rrëmujë përmes një tregu Krishtlindjesh në Gjermani duke brohoritur “Nuk ka zot tjeter përveç Allahut, Allahu Ekber (Allahu Akbar)”. Pamjet tregojnë një grup të madh njerëzish që mbajnë në duar flamuj sirianë dhe ecin përmes barakave prej druri të atij që ngjan me një treg të përkohshëm.

Para se të publikoheshin në shqip, këto lajme janë përhapur së fundi po ashtu dhe në media sociale të ndryshme, sidomos në Twitter/X, nga profile dhe grupe me narrativë kundër emigracionit në Evropë.

Sipas verifikimit të mëparshëm të Lead Stories, nuk bëhet fjalë për një video të re që ka ndodhur në nëntor 2025. Në fakt, kjo video është xhiruar në dhjetor 2024 në qytetin e Essen. Videoja tregon një grup emigrantës sirianë në Gjermani, të cilët festojnë rënien e diktatorit Bashar al-Assad. Njeriu që sundoi Sirinë për më shumë se dy dekada në një regjim gjakatar u detyrua të largohej në 8 dhjetor 2024 në Rusi duke ngjallur entuziasëm te emigrantët sirianë në të gjithë botën.

Edhe atëherë, figura të të djathtës ekstreme e pretenduan se kjo video është një shenjë mosrespekti ndaj qytetarëve gjerman dhe një përpjekje për t’i frikësuar ata.

Për më tepër, sipas analizës së Lead Stories, në video nuk dëgjohet thirrja “Allahu Akbar.” Në këtë video mund të degjohen brohoritje dhe këndime të ndryshme që janë shprehje gëzimi të zakonshme në rastin e komunitetit sirian. Pra, nuk bëhet fjalë për fraza fetare si “Allahu Akbar” (që zakonisht asociohet me figurat terroriste), dhe nuk ka as shprehje urrejtje.

Në video mund të shihet po ashtu sesi pjesëmarrësit në festime mbajnë flamuj sirianë që tregon përsëri se videoja tregon një festim për  rënien e regjimit të Bashar al-Assadit, dhe nuk është një demonstratë kundër Krishlindjeve apo me motive për të frikësuar qytetarët gjermanë.

 

Emigrantët sirianë nuk thirrën “Allahu Ekber” në tregun e Krishtlindjeve

Pretendimi: Video tregon emigrantë myslimanë që thërrasin “Allahu Ekber”

Verdikti: I pavërtetë

Barbara Halla

Në një artikull të publikuar në 19 nëntor pretendohet se një grup myslimanësh krijuan rrëmujë përmes një tregu Krishtlindjesh në Gjermani duke brohoritur “Nuk ka zot tjeter përveç Allahut, Allahu Ekber (Allahu Akbar)”. Pamjet tregojnë një grup të madh njerëzish që mbajnë në duar flamuj sirianë dhe ecin përmes barakave prej druri të atij që ngjan me një treg të përkohshëm.

Para se të publikoheshin në shqip, këto lajme janë përhapur së fundi po ashtu dhe në media sociale të ndryshme, sidomos në Twitter/X, nga profile dhe grupe me narrativë kundër emigracionit në Evropë.

Sipas verifikimit të mëparshëm të Lead Stories, nuk bëhet fjalë për një video të re që ka ndodhur në nëntor 2025. Në fakt, kjo video është xhiruar në dhjetor 2024 në qytetin e Essen. Videoja tregon një grup emigrantës sirianë në Gjermani, të cilët festojnë rënien e diktatorit Bashar al-Assad. Njeriu që sundoi Sirinë për më shumë se dy dekada në një regjim gjakatar u detyrua të largohej në 8 dhjetor 2024 në Rusi duke ngjallur entuziasëm te emigrantët sirianë në të gjithë botën.

Edhe atëherë, figura të të djathtës ekstreme e pretenduan se kjo video është një shenjë mosrespekti ndaj qytetarëve gjerman dhe një përpjekje për t’i frikësuar ata.

Për më tepër, sipas analizës së Lead Stories, në video nuk dëgjohet thirrja “Allahu Akbar.” Në këtë video mund të degjohen brohoritje dhe këndime të ndryshme që janë shprehje gëzimi të zakonshme në rastin e komunitetit sirian. Pra, nuk bëhet fjalë për fraza fetare si “Allahu Akbar” (që zakonisht asociohet me figurat terroriste), dhe nuk ka as shprehje urrejtje.

Në video mund të shihet po ashtu sesi pjesëmarrësit në festime mbajnë flamuj sirianë që tregon përsëri se videoja tregon një festim për  rënien e regjimit të Bashar al-Assadit, dhe nuk është një demonstratë kundër Krishlindjeve apo me motive për të frikësuar qytetarët gjermanë.

Kaja Kallas nuk po hetohet nga CIA për korrupsion në Ukrainë

Pretendimi: CIA po heton një skandal korrupsioni në Ukrainë, që përfshin edhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas

Vlerësimi: E pavërtetë

Jona Cenameri

Portali shqiptar Mast.al publikoi në 24 nëntor një artikull që pretendon se CIA dhe Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-ve po hetojnë shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas për zhdukjen e 48 miliardë eurove ndihmë të dhënë Ukrainës. Kjo sepse një pjesë e këtyre fondeve është zhvendosur, sipas artikullit, në llogari bankare në Estoni, vendin e origjinës së Kallas.

Artikulli i portalit sugjeron gjithashtu se paratë janë përvetësuar në mënyrë të koordinuar nga zyrtarë ukrainas dhe europianë dhe se hetimi përfshin edhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Verifikimi i këtij pretendimi tregon se lajmi është i pavërtetë, nuk bazohet në asnjë burim të besueshëm dhe keqinterpreton informacionet e raportuara nga mediat serioze ndërkombëtare.

Shifra prej 48 miliardë eurosh nuk ekziston në asnjë dokument apo raport të CIA-s, Departamentit të Shtetit apo Mbrojtjes, Bashkimit Europian dhe Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm të SHBA-ve. Dokumentet publike të këtyre institucioneve nuk përmbajnë asnjë deklaratë, njoftim apo paralajmërim për një hetim të përmasave të tilla dhe as ndonjë referencë që lidhet me përvetësimin e fondeve nga zyrtarë europianë.

Në të gjitha rastet, institucionet amerikane flasin për auditime dhe mbikëqyrje të zakonshme të fondeve të ndihmës, një proces rutinë që kryhet në çdo vend përfitues, pa asnjë element skandali apo dyshimi penal.

Skandali i dokumentuar publikisht së fundi lidhet me një skemë korrupsioni me rreth 100 milionë dollarë, në sektorin e energjisë në Ukrainë, i raportuar nga media serioze ndërkombëtare si Reuters, BBC, Deutsche WelleAl JazeeraLe MondeNBC News dhe Politico Europe.

Sipas raportimeve të tyre, zyrtarë të kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore Energoatom, së bashku me ish-ministra dhe biznesmenë të afërt me pushtetin, dyshohet se kanë manipuluar kontrata dhe kanë përfituar rreth 100 milionë dollarë përmes një skeme të pastrimit të parave. Hetimi, i njohur si “Operacioni Midas”, ka zgjatur 15 muaj, dhe është zhvilluar nga Byroja Kombëtare e Antikorrupsionit të Ukrainës (NABU), duke përfshirë rreth një mijë orë përgjime dhe dhjetëra kontrolle. Hetimi ka çuar në ngritjen e akuzave ndaj tetë personave, ndërsa ministri i drejtësisë Herman Halushchenko dhe ministrja e energjisë Svitlana Hrynchuk kanë dhënë dorëheqjen me kërkesë të presidentit Zelensky, si “çështje besimi” përballë ndjekjes penale. Në asnjë prej këtyre raportimeve nuk përmendet Bashkimi Europian, Estonia apo Kaja Kallas.

As figura e Kallas, as ndonjë zyrtar europian nuk figurojnë në listën e personave të hetuar në këtë dosje. Emrat që përmenden publikisht në media ndërkombëtare janë zyrtarë ukrainas si German Galushchenko, Ruslan Grynchuk, biznesmeni Timur Mindich dhe persona të tjerë të lidhur me sektorin e energjisë. Asnjë prej tyre nuk ka lidhje me BE-në, Estoninë apo Kaja Kallas. Pretendimi që e lidh këtë skandal me BE-në është i pabazuar dhe nuk gjen asnjë mbështetje në burime të pavarura.

Pjesa tjetër e pretendimit i atribuohet Larry C. Johnson, një ish-analist i CIA-s që e ka lënë agjencinë në vitin 1993. Sigurisht, që deklaratat e dikujt që ka lënë agjencinë e sigurisë dekada më parë nuk mund t’i atribuohen CIA-s. Sipas profilit të tij zyrtar në Wikipedia, Johnson njihet për përhapjen e disa prej teorive të rreme dhe dezinformimeve më të njohura në dekadat e fundit. Ai është autori i mashtrimit të vitit 2008 për ekzistencën e një videoje të Michelle Obama-s që asnjëherë nuk ka ekzistuar dhe burimi i pretendimit të rremë se inteligjenca britanike GCHQ spiunoi Donald Trump gjatë fushatës së vitit 2016, pretendim i përgënjeshtruar publikisht edhe nga Fox News. Johnson ka mbrojtur hapur qëndrime pro-Kremlinit, është cituar gjerësisht nga media ruse si Sputnik, RIA Novosti dhe Izvestia, dhe në vitin 2025 u ftua nga Ministria e Jashtme e Rusisë për të intervistuar Sergey Lavrov, duke konfirmuar lidhjet e tij me propagandën ruse.

Ndërkohë, institucionet amerikane kanë njoftuar publikisht vetëm kryerjen e auditimeve rutinë për monitorimin e ndihmës së dhënë Ukrainës. Këto auditime nuk lidhen me ndonjë skandal financiar, nuk implikojnë zyrtarë të BE-së dhe nuk përfshijnë deri më tani asnjë akuzë ndaj Kaja Kallas apo ndonjë zyrtari europian. Pretendimi se paratë janë transferuar në llogari bankare në Estoni është gjithashtu i pabazuar dhe nuk mbështetet nga asnjë burim zyrtar.

Në këto rrethana, pretendimi se CIA po heton një skandal prej 48 miliardë eurosh që përfshin Kaja Kallas rezulton i pavërtetë. Lajmi i portalit është ndërtuar mbi një deklaratë të vetme të një individi të diskredituar dhe pa asnjë mbështetje faktike. Hetimi real për korrupsion në Ukrainë ka përmasa shumë më të vogla, përfshin vetëm zyrtarë ukrainas dhe është raportuar hapur nga institucionet e tyre dhe mediat ndërkombëtare serioze. Kaja Kallas nuk është nën hetim nga asnjë institucion dhe nuk ekziston asnjë provë që e lidh me ndonjë aferë financiare.

Bëhet fjalë për një tjetër rast ku një lajm ndërkombëtar është shtrembëruar qëllimisht, është fryrë dhe është paraqitur si “skandal global”, duke përdorur CIA-n për t’i dhënë kredibilitet një narrative të pavërtetë. Për këtë arsye, Faktoje e vlerëson këtë pretendim si dezinformues.

 

Ndërtimi i një narrative politike: Viktor Orbán dhe sovraniteti i Ukrainës

Jona Cenameri

Pretendimi i kryeministrit hungarez Viktor Orbán se “Ukraina nuk është shtet sovran” u përhap gjerësisht në mediat shqiptare.

Ky pretendim u lidh drejtpërdrejt me akuzat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se dronë me origjinë hungareze kishin hyrë në territorin e Ukrainës.

Por teza e  mungesës së sovranitetit të Ukrainës është një narrativë e vjetër që përputhet plotësisht me linjën propagandistike të Kremlinit.

Çfarë ka ndodhur?

Në një intervistë që Viktor Orbán dha për podcastin proqeveritar hungarez Harcosok Órája (Ora e Luftëtarëve) kryeministri hungarez reagoi ndaj akuzave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili pati pretenduar se “dronë me origjinë hungareze kishin hyrë në hapësirën ajrore të Ukrainës”. Menjëherë pas kësaj, Ministria Hungareze e Mbrojtjes i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se pretendimi i presidentit Zelensky nuk ishte i vërtetë.

Në këtë kontekst, Orbán pohoi në podcast se u beson ministrave të tij por edhe nëse dronët do të kishin hyrë disa metra në hapësirën ajrore të Ukrainës, kjo nuk do të përbënte problem, sepse, sipas tij, Ukraina nuk është vend i pavarur dhe nuk vepron si shtet sovran.

“Unë zakonisht u besoj ministrave të mi. Por le të supozojmë se (dronët) fluturuan disa metra atje… dhe pastaj çfarë? Ukraina nuk është vend i pavarur, nuk është shtet sovran. Ne e mbështesim Ukrainën, Perëndimi e mbështet, ne i sigurojmë armët. Ukraina nuk duhet të sillet sikur të ishte shtet sovran… Ukraina ka humbur 1/5 e territorit në luftë me Rusinë… Nëse (Perëndimi) vendos nesër në mëngjes të mos japë asnjë forint (monedha hungareze), Ukraina mbyllet…”, tha Viktor Orban gjatë intervistës.

Ky pretendim u ripërsërit më pas në media duke arritur edhe në Shqipëri.

Narrativa “Ukraina nuk është shtet sovran” 

Teza e mungesës së sovranitetit të Ukrainës përputhet plotësisht me propagandën e Kremlinit. Vetë Vladimir Putin e ka relativizuar identitetin e Ukrainës duke thënë se “Ukraina nuk ekziston” dhe duke pretenduar se “Ukraina nuk ka qenë kurrë shtet real”.

Studiuesi i politikës ndërkombëtare Ledion Krisafi shpjegon për Faktoje se Orbán e përdor këtë tezë për të goditur Brukselin, të cilin e portretizon si “luftënxitës” ndaj Rusisë, si dhe për të krijuar përçarje brenda BE‑së që mbështet Ukrainën.

“Kjo është pjesë e luftës ideologjike të Orbánit kundër BE‑së: nëse Ukraina fiton, ‘vlerat e degjeneruara’ të Brukselit, siç i quan kryeministri hungarez, do të përhapen; ndërsa një fitore e Rusisë do të ishte goditje për Brukselin”, shpjegon ai.

Orbán ka mbajtur qëndrime të ndryshme nga shumica e BE-së që prej fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022. Ai ka kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës, ka vonuar dhe penguar proceset e ndihmës financiare për Kievin dhe ka theksuar vazhdimisht se “rusët e kanë fituar luftën”.

Ledion Krisafi shpjegon se përfituesi kryesor nga përhapja e kësaj narrative është Kremlini, i cili përdor varësinë ushtarake dhe financiare të Ukrainës ndaj BE-së si “kartë” kundër Ukrainës dhe vetë perëndimit.

“Kremlini përpiqet ta paraqesë luftën si përballje me gjithë Perëndimin dhe jo me Ukrainën, për të justifikuar agresionin dhe pushtimin e territoreve ukrainase, përballë popullsisë ruse. Në zonat e pushtuara, kjo narrativë përdoret për të bindur popullsinë lokale se Rusia nuk po lufton Ukrainën, por Perëndimin që e përdor atë si mjet”, përmbyll Krisafi.

Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, Ukraina është një shtet plotësisht sovran që prej vitit 1991, anëtare e OKB-së dhe subjekt i rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.-së që riafirmojnë integritetin e saj territorial.

Megjithatë, Orbán e përdor termin “jo-sovran” si mjet politik për të nënvizuar se Kievi nuk vepron më në mënyrë të pavarur, por sipas interesave të Perëndimit.

“Faktet në terren e ndihmojnë Rusinë në këtë narrative, shpjegon Ledion Krisafi, pasi Ukraina ka humbur sovranitetin mbi 20% të territorit dhe vështirë se mund të mbijetojë pa ndihmën ushtarake dhe financiare të Perëndimit, por në fund të fundit Ukraina është ajo që i merr vendimet përfundimtare në lidhje me luftën ndaj Rusisë”

Përfundimi 

Deklarata e kryeministrit hungarez Viktor Orbán se “Ukraina nuk është shtet sovran” nuk është një opinion i izoluar politik, por pjesë e një narrative të qëndrueshme që shërben për të justifikuar qasjen pro‑ruse të Hungarisë dhe për ta pozicionuar atë si zë kundërshtues brenda Bashkimit Europian.

Kjo retorikë, që përkon me linjën e Kremlinit, kërkon të legjitimojë agresionin rus dhe të dobësojë mbështetjen perëndimore për Kievin dhe legjitimitetin e tij në arenën ndërkombëtare.

Disa media serbe e paraqesin situatën politike në Kosovë si anti-serbe, gjuhë denigruese edhe ndaj deputetëve

Në përpjekjen e vazhdueshme për të diskredituar institucionet e Kosovës disa media serbe kanë publikuar tituj sensacional me terma fyes ndaj deputetëve të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, e cila nuk është konstituuar ende duke e paraqitur situatën politike në Prishtinë si tërësisht të dështuar.

Në artikujt e publikuar nga “Alo.rs” dhe “Kurir.rs” përdoret gjuhë e ashpër dhe terma denigrues për ta përshkruar situatën në organin ligjvënës të Kosovës, i cili prej 15 prillit nuk po arrin të konstituohet.

Pas vazhdimit të 15-të të seancës konstituive të Kuvendit në të cilën nuk u zhbllokua procesi për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, “Alo.rs” publikoi një artikull me titull: “BANDA NGA PRISHTINA NË KAOS TË PLOTË Kuvendi i të ashtuquajturës Kosovë nuk është konstituuar as pas përpjekjes së 15-të”.

“Banda” është epiteti që zakonisht u jepet një grupi njerëzish që bashkohen për një qëllim, shpesh kriminal.

Krejt çfarë ofrohet në përmbajtje të artikullit është mos kalimi i propozimit të kryesuesit të seancës Avni Dehari për votimin e fshehtë të kryetarit të kryeparlamentarit, tek përmendet mos pjesëmarrja në votim e deputetëve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike, Listës Serbe si dhe koalicionit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma.

Kjo lloj gjuhe përmes titullit sensacional jo vetëm që është fyese por edhe synon të minojë legjitimitetin e institucioneve demokratike të Kosovës.

Ndërkaq “Kurir.rs” ka raportuar se gjoja kriza në Kuvendin e Kosovës po e “dëmton më tej pozitën e serbëve”.

Në artikullin me titull: “Vakuumi i ndërmjetëm i konvenon vetëm Kurtit: mosfunksionimi i institucioneve në Prishtinë ka pasoja negative për komunitetin serb”, pretendohet se qëllimi është që serbëve tu vështirësohet jetesa në Kosovë. Kjo përshkruhet edhe me fjalinë e vendosur sipër artikullit: “Institucionet nuk funksionojnë, por terrori nuk ndalet”. 

Kjo narrativë përforcohet me deklaratën e Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri të Brendshme në Serbi, Milovan Drequn, që dramatizoi me kinse keqtrajtim të serbëve.

Për shkak të kësaj situate, praktikisht asgjë nuk funksionon, gjë që e ndërlikon më tej situatën tashmë të vështirë për popullin serb dhe, për fat të keq, nuk përbën pengesë për keqtrajtimin e mëtejshëm të serbëve”, ka thënë Drequn.

Tutje në artikull përmendet edhe takimi i së hënës mes kryeministrit Albin Kurti dhe Ambasadorëve të QUINT-it në Kosovë. Ata i kërkuan Kurtit formim sa më të shpejtë të institucioneve.

Por në artikullin e “Kuririt” është edhe deklarata e ish drejtorit të qendrës klinike në Mitrovicën e Veriut, Milan Ivanoviqit, që fajëson ndërkombëtarët për “ngërçin” në Kosovë tek i interpretoi afatet ligjore për konstituimin e institucioneve.

“Mendoj se ata as nuk e kanë përcaktuar, kështu që mund ta zvarrisin situatën aktuale sa të duan, dhe e gjithë kjo dikur ishte përgatitur në bashkëpunim me mentorët e tyre perëndimorë. Kjo është arsyeja pse ata tani po kërkojnë një votim të fshehtë, në mënyrë që në atë mënyrë të manipulojnë dikë, pra ta korruptojnë, sepse gjëra të tilla janë më të lehta për t’u bërë në errësirë. Ata do të bëjnë gjithçka që Vetëvendosja e Albin Kurtit t’i mbajë pozitat më të rëndësishme me çdo kusht“, thotë Ivanoviç.

Qëllimi i këtyre narrativave është krijimi i ndasive dhe diskreditimi i institucioneve të Kosovës si të paafta për të mbrojtur të drejtat e të gjitha komuniteteve. Veç përdorimit të gjuhës fyese dhe duke paraqitur situatën politike si tërësisht të dështuar, me narrative të tilla tentohet të krijohen ndasi mes komuniteteve dhe nxisin tensione ndëretnike.​

Kuvendi i Kosovës po përballet me bllokadë politike në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve, për shkak të mungesës së marrëveshjes mes partive politike. Në funksion të zhbllokimit të ngërçit Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të nis më 15 maj një seri konsultash me partitë që arritën të sigurojnë ulëse në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt 2025.



FSK-ja “gabimisht” në veri, kanalet serbe e paraqitën si “pushtim”

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) hyri të enjten për pak minuta në veri të vendit me disa automjete ushtarake, ngjarje që u shndërrua menjëherë në material dezinformues për mediat dhe kanalet serbe në Telegram. Sipas autoriteteve kosovare, automjetet u futën gabimisht në veri dhe më pas të shoqëruara nga Policia e Kosovës, u larguan menjëherë nga ajo pjesë.

Por në hapësirën online serbe, ngjarja u paraqit si “provokim” dhe “kërcënim ndaj popullit serb”. Kanali Koridor  publikoi një thirrje dramatike për “rezistencë”, duke përdorur gjuhë nxitëse dhe duke e krahasuar FSK-në me “ushtri terroriste”. Në postimin të të njëjtit kanal, u pretendua se “terroristët shqiptarë kanë mbërritur në veri të Kosovës”, duke nxitur frikë dhe tensione mes lexuesve serbë.

Duket se Z. Bean ka një problem, ai ka sjellë një ushtri terroriste në veri për t’u treguar dhëmbët njerëzve të pambrojtur! Dhe nëse ai dëshiron të provokojë konflikte, le t’i lutemi Zotit që të ketë sukses sepse duhet t’i japim fund kësaj një herë e përgjithmonë”, shkruan në postimin që shoqërohej edhe me një video ku shihen  mjetet e rënda të FSK-së.

Videoja e publikuar nga kanalet serbe

Videoja e publikuar nga kanalet serbe

Retorika e këtij lloji është tipike për kanalet që nxisin emocione dhe mobilizim. Ajo synon të prodhojë frikë dhe të përforcojë ndarjen etnike, duke paraqitur çdo veprim të institucioneve të Kosovës si “sulm ndaj popullit serb”.

Kjo narrativë u përforcua edhe nga mediat kryesore në Serbi. Televizioni publik serb, raportoi se: “Albin Kurti ka dërguar trupa të FSK-së në veri”, duke e shoqëruar lajmin me tone dramatike, pa përmendur sqarimin e autoriteteve kosovare. Po ashtu, Alo.rs dhe B92 e paraqitën rastin si “provokim të qëllimshëm” dhe “kërcënim të rrezikshëm”, duke cituar Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila e quajti këtë “veprim të radhës terrorist të Albin Kurtit”.

Asnjëra prej këtyre mediave nuk përmendi në momentet e para sqarimet e FSK-së apo të Policisë së Kosovës  duke kontribuar në përhapjen e ndjesisë se diçka e madhe po ndodh në veri.

Sqarimi i FSK-së

Sqarimi i FSK-së

Sipas njoftimit zyrtar të FSK-së, një konvoj që po udhëtonte nga Istogu drejt një lokacioni tjetër në Mitrovicë e ngatërroi drejtimin dhe gabimisht kaloi për pak minuta në pjesën veriore të qytetit.

Forca e Sigurisë së Kosovës njofton publikun që sot me datë 16.10.2025 në ora 10:30, gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes”, shkruan në njoftimin e FSK-së.

Pas kontaktit me Policinë e Kosovës, automjetet u shoqëruan dhe u larguan nga ajo pjesë.

Edhe Policia e Kosovës, përmes zëvendësdrejtorit për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi se bëhej fjalë për një gabim në orientim dhe se nuk kishte pasur asnjë qëllim operativ apo të sigurisë.

Megjithatë, ky sqarim nuk e ndali përhapjen e një narrative alarmiste në kanalet e Telegram që tradicionalisht amplifikojnë mesazhet në situatë të tilla.

Ky rast  tregon se si dezinformimi funksionon si mekanizëm i shpejtë për tensionim artificial të situatës në veri të Kosovës. Një ngjarje, në këtë rast një gabim drejtimi të automjeteve  u transformua brenda pak minutash në “kërcënim ndaj popullsisë serbe”.

Kjo metodë është e njohur në kampanjat e mëparshme të dezinformimit që kanë shënjestruar Kosovën. Fillimisht përhapet një version dramatik, pastaj amplifikohet nga tabloidet dhe më pas shpërndahet në Telegram, ku ndjekësit e lexojnë si thirrje për reagim.

Mes Kosovës dhe NATO-s, aktualisht ka një marrëveshje që vazhdon të jetë në fuqi, të cilën e pati nënshkruar ish-kryeministri Hashim Thaçi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, sipas së cilës Kosova nuk mund ta dërgojë ushtrinë në veri pa lejen e posaçme të Komandantit të KFOR-it.



Rusia e paraqet pavarësinë e Kosovës si ‘grusht shteti’ për të justifikuar agresionin në Ukrainë

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, së fundi e riktheu narrativën e njohur përmes së cilës tenton ta paraqesë pavarësinë e Kosovës si një “grusht shteti” të vitit 2008 dhe e krahasoi me luftën në Ukrainë — duke pretenduar se Perëndimi përdor instrumente të njëjta për të “marrë tokë” dhe për të ndryshuar kufijtë me forcë. Në një deklaratë për mediat ruse, e cila u transmetua edhe nga media pro-pushtetit në Serbi, që nxisin narrativa kundër Kosovës, Lavrovi foli për gjoja shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në rastin e Kosovës, tek tërhoqi analogji me Ukrainën.

E dini, ata donin t’ua merrnin Kosovën serbëve. Dhe e bënë këtë, në thelb, duke kryer një grusht shteti në vitin 2008, sepse njohja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës shkeli rëndë të gjitha dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila përcaktonte parametrat e shtetësisë serbe, përfshirë edhe Kosovën. Ata e njohën Kosovën, duke kryer kështu një grusht shteti, u morën serbëve tokat e tyre historike, të cilat shoqërohen me lindjen e fesë ortodokse të të gjithë popullit serb dhe shumë më tepër”, tha ministri rus. Ai shtoi se në mënyrë të ngjashme, pas grushtit të shtetit në Ukrainë në vitin 2014, ata vendosën t’ia merrnin atdheun popullit rus.

Ata vendosën gjithashtu t’ua  heqin historinë njerëzve të Krimesë, Donbasit dhe Novorossijës“, theksoi Lavrov në intervistën ku foli për takimin e Alaskës mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe Vladimir Putinit.

Argumentet që mohojnë pretendimet e Kremlinit

Por faktet dhe argumentet juridike e demantojnë Lavrovin kur thotë se pati grusht shtet në Kosovë.

Rezoluta 1244 (10 qershor 1999) vendosi praninë e përkohshme të OKB/UNMIK dhe KFOR-it në Kosovë ku përcaktoi mekanizmat për administrim ndërkombëtar. Por nuk përbënte një dispozitë absolute që e ndalonte diskutimet për statusin përfundimtar të Kosovës në mënyrë politike e diplomatike.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) në vitin 2010 e shqyrtoi ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe në Opinionin Këshillëdhënës të saj të datës 22 korrik 2010 arriti në përfundimin se vetë deklarata e 17 shkurtit 2008 nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. Gjykata i hodhi poshtë pretendimet atëkohë të Serbisë se deklarata e pavarësisë e paligjshme. Ky është një fakt kyç që rrëzon tezën se pavarësia e Kosovës ishte thjesht “grusht shteti” i Perëndimit.

Lavrov përpiqet ta paraqesë çfarë ndodhi me Kosovën si precedent që “justifikon” pretendimet e Rusisë në Ukrainë (Krime, Donbas, Novorossija). Por bëhet fjalë për dy rrethana shumë të ndryshme.

Në rastin e Krimesë (2014) dhe pjesërisht në lindje të Ukrainës, Rusia veproi ushtarakisht duke vendosur forca, duke organizuar referendume nën prezencë ushtarake dhe më pas duke aneksuar territorin, veprime këto që u konsideruan nga shumica e vendeve ndërkombëtare si shkelje e integritetit territorial të Ukrainës. OKB-ja dhe shumica e shteteve e kundërshtuan aneksimin, si dhe Asambleja e Përgjithshme miratoi rezoluta që konfirmojnë integritetin territorial të Ukrainës. Këto kanë qenë reagime ndërkombëtare të qarta ndaj një ndërhyrjeje ushtarake.

Në anën tjetër, akti i pavarësisë së Kosovës erdhi pas vrasjeve dhe dëbimeve që shkaktoi ish-regjimi i Slobodan Millosheviqit që solli intervenimin humanitar të NATO-s; administrimin ndërkombëtar dhe proceset diplomatike, përfshirë negociatat për statusin  përfundimtar në rastin e Kosovës. Për rrjedhojë, paraqitja e Kosovës si “model” i një pushtimi të koordinuar nga ana e Perëndimit është manipulim i ngjarjeve historike. Pra krahasimi i Lavrovit shkel dallimet e rëndësishme midis një procesi të gjatë politik-diplomatik në rastin e Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë, ku janë marrë përsipër garanci për mbrojtjen e identitetit fetar e kulturor serb dhe një aneksimi ushtarak direkt nga Rusia në rastin e Krimesë.

Pse Rusia e ripërdor çështjen e Kosovës?

Analiza kredibile dëshmojnë se dezinformatat dhe retorika e Kremlinit e përdor Kosovën për qëllime strategjike dhe propagandistike. Kur Rusia tenton të justifikojë veprimet e veta ose të zhvendosë vëmendjen nga agresioni, ajo ringjall një narrativë që paraqet Perëndimin si hipokrit dhe si “pushtues” historik duke përmendur Kosovën si shembull. Duke folur për supozime të padrejta ndaj Kosovës, Rusia tenton të “barazojë” fajin dhe të relativizojë përgjegjësinë e saj për pushtimin e Ukrainës. Mbrojtja aktive e Serbisë dhe ushqimi i opinionit publik me narrativën e krimit ndaj serbëve bëhet me qëllim të rritjes së influencës ruse në rajon përmes forcimit të aleancave me aleatët e saj në Ballkan.

Pra, për Rusinë, përmendja e Kosovës nuk ka vetëm domethënie ligjore por është instrument propagandistik.

Deklaratat e Lavrovit që lidhin Kosovën me Ukrainën nuk kanë qëllim të sqarojnë historinë por kanë qëllime të qarta politik: të delegjitimojnë Perëndimin, të shmangin përgjegjësinë ruse dhe të forcojnë narrativat që i shërbejnë interesave strategjike të Moskës në Ballkan.

 





Akuza për ndërhyrje nga jashtë e atmosferë frike në prag të zgjedhjeve lokale

Atmosfera politike në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit është ngarkuar ku ndërhyrjet e Beogradit dhe retorika përçarëse mund të cenojnë zhvillimin normal të procesit zgjedhor. Fushata e cila do duhej të përqendrohej në çështje lokale si zhvillimi ekonomik, shërbimet komunale dhe përfaqësimi qytetar, është shndërruar edhe në garë me tone gjeopolitike dhe akuza për ndikim të jashtëm.

Qeveria e Kosovës ka ngritur alarmin për ndërhyrje sistematike nga Serbia, përmes strukturave shtetërore dhe joformale, në përpjekje për të orientuar rezultatin e zgjedhjeve në veri të vendit dhe për ta mbajtur komunitetin serb nën kontroll të plotë politik përmes Listës Serbe. Në anën tjetër, Beogradi zyrtar ka mohuar akuzat për ndërhyrje, duke e justifikuar përfshirjen me narracionin e vjetër se “Kosova është Serbi”. BE-ja ka bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe pa ndikim.

 

“Ndërhyrja e Serbisë më e rëndë se ajo e Rusisë”

 

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se veprimet e Beogradit paraqesin kërcënim serioz për demokracinë dhe sovranitetin e Kosovës, në prag të zgjedhjeve lokale.

Premtimet për vende të punës, joshja përmes mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me benificione sociale, si dhe deklaratat se ‘vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë’ – siç bëri tash së fundmi ish-kryeministri i Serbisë, tash këshilltar i presidentit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë edhe vet presidenti i Serbisë Vuçiq – janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë”, tha Kurti.

Ai kujtoi se Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025 kishte dokumentuar ndërhyrjen e Serbisë, ndërsa BE-ja, sipas tij, “nuk ka ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese ndaj Beogradit”.

Andaj, Serbia nuk ndryshon sjellje. Kjo ndërhyrje që bën Serbia në zgjedhjet në Kosovë është edhe më e rëndë sesa ajo e Rusisë në Evropë”, shtoi Kurti, duke kërkuar që BE-ja të reagojë dhe të sanksionojë Beogradin për shkeljen e parimeve të fqinjësisë së mirë dhe të Marrëveshjes Bazë të Brukselit.

 

Vuçiq dhe premtimet elektorale: punësim e “mbrojtje të serbëve”

 

Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka përdorur javën e fundit të fushatës për të promovuar lidhjen emocionale dhe ekonomike të Serbisë me serbët në Kosovë. Në një deklaratë të bërë në Beograd, ai njoftoi se “400 vende të reja pune do të hapen në strukturën e kujdesit shëndetësor në Kosovë në dhjetë ditët e ardhshme,” duke theksuar se “Serbia gjithmonë do të kujdeset për serbët në Kosovë”.

Në të njëjtën frymë, Vuçiq paralajmëroi edhe një marsh në Beograd më 11 tetor, që do t’i kushtohet mbështetjes për popullin serb në Kosovë duke tentuar ta paraqesë ndërhyrjen politike si një “akt solidariteti kombëtar.” Kjo përpjekje për të lidhur fushatën elektorale në Kosovë me diskursin nacionalist të brendshëm në Serbi mund të krijojë klimë tensionuese, që sfidon drejtpërdrejt institucionet të Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është shndërruar në një nga zërat kryesorë të fushatës pro-Listës Serbe. Në një postim në X, ai shkroi se “Beogradi nuk po ndërhyn në zgjedhjet në Kosovë dhe M, sepse Kosova është Serbi”, duke e akuzuar kryeministrin Kurti për “dhunë institucionale” dhe “terror ndaj serbëve në veri”, narrativë kjo e pambështetur në fakte që proklamohet në vitet e fundit.

Ai u bëri thirrje të gjithë serbëve të Kosovës dhe të zhvendosurve në Serbi që të kthehen për të votuar për Listën Serbe – duke e paraqitur këtë si “detyrim kombëtar për t’i rikthyer komunat veriore në duart e serbëve”.

 

Presioni ndaj partive serbe alternative, Rashiq flet për “metoda brutale”

 

Në anën tjetër, zërat opozitarë brenda komunitetit kanë raportuar për një atmosferë frike dhe presioni. Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, deklaroi së fundi se fushata në veri po zhvillohet nën trysni brutale dhe shantazhe të hapura ndaj kandidatëve dhe qytetarëve që nuk përkrahin Listën Serbe”.

Përfaqësuesit e Listës Serbe po shkojnë derë më derë, po i ofrojnë njerëzve vende pune në sektorin e shëndetësisë në këmbim të votës, dhe madje kërkojnë që të bëhet foto gjatë votimit”, tha Rashiq, duke shtuar se kjo praktikë është bërë pjesë e përhershme e zgjedhjeve që nga marrëveshja e Brukselit e vitit 2013.

Sipas tij, përveç veriut, praktikat e presionit dhe përjashtimit social po ndodhin edhe në Anamoravë, ku qytetarë të përfitues nga subvencione shtetërore janë përjashtuar nga listat sociale për shkak të mbështetjes për parti të tjera serbe.

 

Siguria dhe roli i KFOR-it në prag të zgjedhjeve

 

Për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve, forcat ndërkombëtare sikurse KFOR-it kanë intensifikuar bashkëpunimin me institucionet e Kosovës. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Oezkan Ulutash, ka zhvilluar takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Gjeneralmajor Ulutaş theksoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të vazhduar kontributin për siguri në të gjithë Kosovën dhe në stabilitetin rajonal, për të mirën e të gjitha komuniteteve”, deklaruan nga KFOR-i.

Presidentja Osmani e cilësoi KFOR-in si partner kyç në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë, ndërsa Kurti theksoi se siguria e procesit zgjedhor mbetet prioritet.

 

BE-ja kërkon zgjedhje të lira dhe pa ndërhyrje

 

Këto takime vijnë në një moment kur BE-ja dhe partnerët perëndimorë po kërkojnë zhvillim të qetë të zgjedhjeve, tek i shohin ato si një mundësi për rikthimin gradual të serbëve në institucione.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për zhvillim paqësor të zgjedhjeve lokale dhe ka theksuar nevojën për mospërfshirje të aktorëve të jashtëm.

U bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike që të sigurojnë zhvillim paqësor dhe gjithëpërfshirës të zgjedhjeve lokale në Kosovë,” tha një zëdhënës i BE-së, duke nënvizuar se Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 parasheh që zgjedhjet lokale të zhvillohen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane.

Sipas BE-së, raportet e mëhershme të Misionit Vëzhgues kanë dokumentuar presione dhe mungesë pluralizmi politik brenda komunitetit serb, ku dominimi i Listës Serbe është mbajtur përmes frikësimit dhe kontrollit të strukturave paralele. Pavarësisht kësaj, BE-ja nuk ka vendosur masa ndaj Beogradit, ndërkohë që masat ndëshkuese ndaj Kosovës mbeten ende në fuqi për shkak të tensioneve në veri.

Zgjedhjet e 12 tetorit, më shumë sesa një proces për zgjedhjen e kryetarëve të komunave, ato do të jenë  test për aftësinë e Kosovës për të mbrojtur procesin demokratik përballë ndërhyrjeve të jashtme, si dhe të garantojë gjithëpërfshirjen në zgjedhje.

Falsifikimi i thellë ose “Deepfake”

Falsifikimi i thellë ose siç njihet “Deepfake” është një përmbajtje audio, video apo me fotografi e krijuar përmes inteligjencës artificiale (AI), e cila manipulon pamjen ose zërin e një personi për ta bërë të duket sikur ai ka thënë apo vepruar diçka, por në të vërtetë nuk ka ndodhur.

Ky term vjen nga bashkimi i fjalëve “deep learning” (mësim i thellë) dhe “fake” (false), ku përmes algoritmeve të përparuara krijohen përmbajtje bindëse dhe shpesh të vështira për t’u dalluar nga ato të vërtetat.

Për herë të parë u përdor në vitin 2017, kur në internet filluan të qarkullojnë video të manipuluara që shfaqnin fytyra të personave publikë në situata të rreme.

Edhe pse teknologjia “deepfake” mund të përdoret për qëllime krijuese si në film, art apo arsim – ajo është e njohur për rreziqet që paraqet në:

  • Dezinformim dhe propagandë politike, përmes videove të manipuluara të liderëve shtetërorë;
  • Shantazh dhe dëmtim të reputacionit, duke vendosur fytyrën e dikujt në përmbajtje të papërshtatshme;
  • Mashtrime financiare përmes videos apo audios që imiton zërin e zyrtarëve apo drejtuesve të kompanive;
  • Manipulim social, ku opinionet formohen mbi informata të rreme.

 

Si të dallohen?

Megjithëse janë të sofistikuara, “deepfake” shpesh ka shenja të vogla dalluese: lëvizje të pakoordinuara të syve, ndriçim të pasaktë në fytyrë, mungesë sinkronizimi në zë ose elemente të shtrembëruara në prapavijë.

Për shkak të përmirësimit të vazhdueshëm të algoritmeve, dallimi me mjete të zakonshme po bëhet gjithnjë e më i vështirë, çka e bën verifikimin e burimeve dhe të fakteve më të rëndësishëm se kurrë.

Videot “Deepfake” po bëhen çdo ditë më të sofistikuara!
Mëso si t’i njohësh dhe pse është e rëndësishme të verifikosh burimin!







Videoja e manipuluar me imazhin e ish kancelares gjermane Merkel

Në një video që po qarkullon në internet, me titull “Merkel trondit botën- shqiptarët janë populli më i bekuar në Evropë”, pretendohet se ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka dhënë fjalë lavdëruese për shqiptarët. Në video duket Merkel me sy të përlotur dhe me një flamur shqiptar në duar. Videoja shoqërohet me emocione të forta dhe pamje që synojnë të manipulojnë publikun kinse Merkel ka qarë dhe është mbështjellë me flamurin e Shqipërisë.

Narratorja pretendon se deklaratat janë dhënë në forumin ekonomik botëror, në një diskutim për sfidat e demografisë dhe fuqisë punëtore. Por nuk jepet kurrfarë konteksti, nuk përmendet vendi as data kur është mbajtur ky forum.

“Kur bëjë një analizë për përgjithshme shoh një komb me pasuri të pashoqe kulturore dhe njerëzore. Ata kanë diasporën më të suksesshme kudo që shkon në Europë apo Amerikë has në shqiptarë të suksesshëm, mjek të shquar e shkencëtarë”, citohet kinse ka thënë Merkel, që sipas videos ka nxitur reagime të mëdha tek politika e gjermane, por mbështetje në Kosovë e Shqipëri. Kanali që e ka publikuar ka edhe video të tjera me përmbajtje dezinformuese e gjeneruar me Inteligjencë Artificiale.

Analiza dëshmon se videoja është e prodhuar me inteligjencë artificiale (deepfake). Nuk ka asnjë burim të verifikueshëm që Angela Merkel ka bërë deklarata të tilla pas pensionimit të saj. Asnjë fjalim i Merkel në arkiva zyrtare (Bundesregierung Archive) nuk përmban këto fraza. Shembuj realë fjalimesh publike janë të postuara aty (p.sh. fjalimi i Merkel në Parlamentin Evropian në flasin për tema evropiane, klimatike, të drejta themelore — pa referenca specifike për shqiptarët me tone patriotike).

Simbolet e përdorura në video tregojnë teknika të manipulimit emocional. Merkel me sy të përlotur përpiqet të përcjellë dhimbje empatie, ndërsa flamuri shqiptar në duar përforcon narrativën se ajo është solidare me shqiptarët. Këto gjeste vizuale janë të tipit teatral dhe shpesh përdoren për të shpërndarë versione të përpunuara të personave publikë.

Videoja ka marrë mijëra shikime, me qindra pëlqime dhe komente pozitive duke i marrë si faktike deklaratat e Merkel. Shumë persona kanë shpërndarë videon pa e verifikuar, duke e interpretuar si fakt të vërtetë dhe duke e promovuar në forume dhe rrjete sociale si dëshmi që Evropa ka empati për shqiptarët.

Por ky është një shembull i qartë i dezinformatave moderne të cilat bëhen me fotomontazhe, prodhime AI, dhe përdorim të emocioneve për të ndikuar opinionin publik. Kur përdoren figura politike si Merkel për të përkrahur një kauzë që nuk e kanë deklaruar kurrë, tentohet të krijohet narrativë e ndaj kundërshtarëve politikë, ashtu siç përmendet në video, gjoja deklaratat e Merkelit kanë shkaktuar “tërmet” në Gjermani.



I keqinterpretuar takimi i presidentit Begaj me ambasadorin serb në ShBA

Pretendimi: Presidenti shqiptar Bajram Begaj është bindur nga ministrja e jashtme Elisa Spiropali të ulet pranë ambasadorit serb në ShBA

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————–

Disa foto që tregojnë presidentin shqiptar Bajram Begaj dhe ministren e jashtme Elisa Spiropali të ulur në një tryezë me, ndër të tjerë, ambasadorin serb në ShBA, po shpërndahen nga portale shqipfolëse me pretendimin se Spiropali “ka “tërhequr prej hunde” Begajn për ta pasur suvenir në foton me serbin, si dy përfaqësues të denjë të Shqipërisë dhe relatave të mira me shkiejtë.”

Foto nga kënde të tjera të tryezës së mësipërme tregojnë se e pranishme ka qenë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Pasi prania e Osmanit në një tryezë me ambasadorin serb shkaktoi polemika në publik, këshilltari i saj Bekim Kupina sqaroi kontekstin e takimit.

“Ftesa ka qenë për “US-Western Balkans Roundtable”, nga tre përfaqësues të administratës amerikane: z. Richard Grenell, i dërguar presidencial për misione speciale, Scot Bessent, sekretar i shtetit për Thesarin si dhe John Jovanovich, president i Bankës EXIM. Të ftuara kanë qenë të 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Kroacia. Të gjitha shtetet e ftuara kanë marrë pjesë. […] Në takim secili shtet ka prezantuar potencialin e vet ekonomik si mundësi për bashkëpunim me administratën Trump. Nuk ka pasur diskutime politike,” tha Kupina.

Në takim morën pjesë dhe ministri i jashtëm maqedonas Timco Mucunski dhe homologu i tij serb Marko Duric.

Delegacionet shtetërore nga Ballkani ndodheshin në New York si pjesëmarrës të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe kjo prezencë është shfrytëzuar edhe më parë për të organizuar takime bilaterale apo rajonale.


Dezinformatë me AI: Trump “lavdëron” Kurtin në një video të fabrikuar

Një video e përhapur në Facebook pretendon se shfaq presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke dhënë deklarata mbështetëse për Kosovën dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Mirëpo, fjala është për një video të manipuluar e krijuar me teknologji të inteligjencës artificiale, ku fjalët që i atribuohen Trump-it janë plotësisht të sajuara.

 

Çfarë pretendon videoja?

Në këtë video, “Trump”-i flet për Kosovën dhe kryeministrin Kurti me gjuhë mbështetëse ku i veshen fjalët kinse: “Albin Kurti është një lider i fortë, i pakompromis në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ai po udhëheqë me integritet dhe përkushtim ndaj popullit të Kosovës, duke mbrojtur interesat e tyre, duke ndërtuar një të ardhme më të ndritur. Unë mbështesë lidershipin e tij të palëkundur dhe vizionin e tij për një Kosovë të fortë, sovrane dhe të begatë”.  Audio e manipuluar shoqërohet edhe me titrim në gjuhën shqipe me mbishkrimin: “T’fala Grenellit cep më cep”. Ky postim ka marrë mbi 12 mijë pëlqime, 3 mijë shpërndarje dhe qindra komente, ku shumë përdorues e marrin si të mirëqenë deklaratën e Trumpit.

Videoja mundohet t’i paraqesë këto si deklarata zyrtare, duke lënë të kuptohet se mes Trumpit dhe Kurtit janë marrëdhëniet e shkëlqyeshme.

 

Pse është qartë një “deepfake”?

Video shfaq mospërputhje me mënyrën reale të të folurit të Trump-it. Zëri në video nuk përmban intonacionet, pauzat dhe energjinë karakteristike të fjalimeve të Trump-it. Vërehen theksime të çuditshme dhe kalime jo natyrale, që tregojnë për manipulim digjital.
Asnjë media serioze, arkivë zyrtare apo kanal i njohur nuk ka publikuar deklarata të tilla. Një mesazh kaq i rëndësishëm do të jepej gjerësisht nëse do të ishte autentik.

Në video dallohet ndriçim i pakoordinuar në fytyrë dhe prapavijë, si dhe sinkronizim jo i saktë mes zërit dhe lëvizjes së buzëve — shenja tipike të videove të manipuluara me Inteligjencë Artificiale. Duke ia atribuuar mesazhin një figure të fuqishme si Trump, i jepet peshë e rreme dhe rritet ndikimi tek audienca.
Deklaratat në video lidhen me kontekstin aktual politik, por nuk përputhen me asnjë kronologji të dokumentuar të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës.

Ajo që dihet është se Ambasada e SHBA-së më 12 shtator lëshoi një njoftim për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën për shkak të “veprimeve të qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe jo stabilitetin, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

Deepfake janë veçanërisht të rrezikshme në situata me marrëdhënie të tensionuara ndërkombëtare. Duke u dukur të besueshme në shikim të parë, ato mund të krijojnë huti tek opinioni publik ose të manipulojnë perceptimet politike.

Megjithëse videoja e paraqet me bindje fjalimin, asnjëra nga deklaratat e pretenduara nuk është e vërtetë dhe Donald Trump nuk ka bërë asnjëherë një fjalim me përmbajtje të ngjashme për Kosovën ose për kryeministrin në detyrë Kurti.

Paralajmërimi i hershëm mbi ngjarjet e ndjeshme që pritet të ushqejnë narrativa dezinformuese

Publikimi i fundit nga Western Balkans Anti-Disinformation Hub paralajmëron rrezikun e narrativave dezinformuese që mund të shpërndahen në Kosovë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese mbi ankesën e Listës Serbe.

Në Kosovë, skena politike po hyn në një fazë të ndjeshme pas vendimit të Gjykatës lidhur me ankesën e Listës Serbe. Ky zhvillim ka potencial të madh për të nxitur narrativa të rreme dhe për të thelluar polarizimin politik e shoqëror në vend.

Fushatat e dezinformimit në këtë kontekst pritet të shfrytëzojnë tensionet ekzistuese midis institucioneve të Kosovës dhe komunitetit serb, duke e paraqitur vendimin gjyqësor si të motivuar politikisht apo si një veprim që cënon të drejtat e komuniteteve. Përmes amplifikimit në media qw kanw ndikim tek popullata lokale dhe rrjete sociale, ekziston rreziku që qytetarët të ekspozohen ndaj narrativave që minojnë besimin në institucionet e Kosovës dhe në procesin demokratik.

Këto narrativa rrezikojnë jo vetëm stabilitetin e brendshëm, por edhe raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, duke u përdorur për të ndërtuar perceptimin se vendi nuk është i gatshëm për dialog konstruktiv apo për të respektuar standardet euro-atlantike.

Shikoni DISINFO RADAR: WATCH AND WARN #10 – një publikim mujor i projektit Western Balkans Anti-Disinformation Hub, në formën e një paralajmërimi të hershëm mbi ngjarjet e ndjeshme që pritet të ushqejnë narrativa dezinformuese.

Prodhuar nga:

Fondacioni Metamorphosis, Вистиномер | Vërtetmatës, Meta.mk News Agency, Мета – новинска агенција, Portalb, Sbunker, Faktoje, Raskrinkavanje, Raskrinkavanje.me, International and Security Affairs Centre – ISAC



Fjalimi i madh i Europës – Ambicie të larta, sfida reale për BE-në

Në fjalimin e saj më të fundit për gjendjen e Bashkimit Europian, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, paraqiti një axhendë ambicioze që preku sferat kryesore të politikës së brendshme dhe të jashtme të Evropës: nga forcimi i mbrojtjes, pavarësia në prodhim dhe investimet në teknologji, tek agjenda e gjelbërt dhe mbështetja për Ukrainën.

Ndërkohë që retorika ishte e fuqishme, ekspertët vënë në dukje për Faktoje se realizimi i këtyre objektivave përballet me pengesa të konsiderueshme, si brenda BE-së ashtu edhe në kontekstin global.

Ushtria europiane

Një nga pikat më të theksuara gjatë fjalimit të Von der Leyen ishte domosdoshmëria që Europa të sigurojë vetë mbrojtjen e hapësirës së saj dhe sigurinë. Koncepti për një ushtri të përbashkët europiane që ka qarkulluar për dekada, së fundi u risoll në vëmendje pas  deklaratave të Donald Trump gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, që ngritën dyshime sa i përket qëndrueshmërisë së NATO-s. Gjithësesi kjo ide asnjëherë nuk ka marrë formë konkrete.

Ilir Kalemaj thekson se pavarësisht propozimeve të vazhdueshme për një ushtri europiane, që kanë ardhur kryesisht nga presidentët francezë si Chirac, Sarkozy apo Macronasgjë nuk ka ndodhur për shkak të NATO-s dhe mungesës së mbështetjes panevropiane.

Për shkak të nevojës për fuqizim të NATO-s, thellim të partneritetit euro-atlantik, shpenzimet që duhet të shkojnë deri në 5% të PBB-së të vendeve anëtare deri në vitin 2035, mendoj se do ishte gati i pamundur krijimi i një ushtrie të BE në këto kushte

Ilir Kalemaj – Studiues dhe lektor në Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime të BE-së

Madje të panevojshëm e vlerëson Kalemaj krijimin e një ushtrie të tillë.

Për ish-komandantin e Forcave Detare, Artur Meçollari, ideja e pavarësisë ushtarake të Evropës vjen si pasojë e situatës globale. Kjo nënkupton pavarësi nga SHBA-ja, gjë që duket tejet e vështirë për BE-në për shkak të disa faktorëve sipas tij

“Ende (BE) nuk ka një kuptim të përbashkët mbi kërcënimin rus, ka përplasje interesash të forta midis anëtarëve lidhur me buxhetin e mbrojtjes dhe ndihmën ndaj Ukrainës, dhe për më tepër BE nuk ka një shtet lider, fuqia e të cilit të krijojë ballanca të brendshme unifikuese.  Kjo, mund të ilustrohet me shprehjen se ‘NATO nuk mund të ekzistojë pa SHBA

Artur Meçollari, ish-komandant i Forcave Detare

“Ende (BE) nuk ka një kuptim të përbashkët mbi kërcënimin rus, ka përplasje interesash të forta midis anëtarëve lidhur me buxhetin e mbrojtjes dhe ndihmën ndaj Ukrainës, dhe për më tepër BE nuk ka një shtet lider, fuqia e të cilit të krijojë ballanca të brendshme unifikuese.  Kjo, mund të ilustrohet me shprehjen se ‘NATO nuk mund të ekzistojë pa SHBA”, argumenton Meçollari.

Realizimi i një ushtrie të tillë përballet edhe me kufizime të mëdha praktike në këndvështrimin e Ledion Krisafit, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo sepse, sipas tij, Evropa ka mungesa të mëdha ushtarake, dhe ekonomikisht është në vendnumëro krahasuar me SHBA-në dhe Kinën

“Madje edhe teknologjikisht [Europa] është shumë mbrapa SHBA-ve dhe Kinës. Nuk ka asnjë kompani të madhe teknologjike që të jetë në Europë. Vështirë që pa zhvillim ekonomik, pa zhvillim teknologjik dhe me një emigracion masiv që po shpartallon strukturën sociale dhe demografike të vendeve evropiane, të arrijë të realizojë reforma të tilla në 4 vitet e ardhshme”

Ledion Krisafi – ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare

Marrëdhënia BE – SHBA

Një skenar më realist dhe i mundshëm është një bashkëpunim mes Washingtonit dhe Bashkimit Europian në forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë së kontinentit të vjetër. E ndonëse ideja e një ushtrie europiane mund të duket si kërcënimnë fakt ajo mund të jetë thjesht një formë presioni mbi SHBA-në që të rishikojë angazhimin e saj për sigurinë në Europë.

Nëse Washingtoni do e shohë vizionin e shprehur nga Presidentja Von der Leyen si marrje të më shumë përgjegjësive të shteteve anëtare, duke ruajtur rolin e NATO-s dhe SHBA në sigurinë Europiane, atëherë jemi përpara një zhvillimi pozitiv sipas Artur Meçollarit.

Për Ilir Kalemajn, Washingtoni është i interesuar dhe e ka shprehur që kërkon që vendet europiane të investojnë më shumë brenda NATO-s, dhe nëse BE-ja e ka mundesinë, kapacitetet dhe aftësinë për të zhvilluar dhe një ushtri paralele evropiane, kjo nuk do të përbënte shqetësim real për Washingtonin.

Edhe Ledion Krisafi nuk e sheh të “kërcënuar” aleancën euro-atlantike nga Europa. Sipas tij, BE-ja mbetet e varur nga SHBA për sigurinë e saj, në kushtet e mungesës së një ushtrie të përbashkët dhe të aftësive të kufizuara. “Rritja e buxheteve të mbrojtjes dhe forcimi i mekanizmave europianë është një hap drejt autonomisë, por jo një kërcënim real për NATO-n”, vlerëson ai.

Në fjalimin e saj, Von der Leyen e theksoi disa herë nevojën për të mbështetur fortë Ukrainën dhe kërkoi mobilizim të fondeve për rindërtimin e vendit. Ekspertët vënë në dukje se zhvillimet në Ukrainë do të jetë sprova e madhe jo vetëm që do të tregojë sa e angazhuar është  SHBA-ja në mbrojtjen e Europës, por edhe se sa i qëndrueshëm është Bashkimi Europian në vetvete.

“Nëse lufta në Ukrainë vazhdon, BE do të jetë e detyruar të ndërhyjë më shumë. Kjo situatë mund të vërë në dyshim të ardhmen e Bashkimit Europian,” vlerëson Krisafi.

Impikimet për Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë

Sesi këto ambicie politike të Bashkimit Europian do të ndikojnë mbi politikat e zgjerimit dhe mbi të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo do të shihet me kohën, vlerësojnë ekspertët.

Ajo që dihet deri më sot, si vijshmëri e proceseve të mëparshme historike të BE-së qysh prej fillimeve të saj, sipas Ilir Kalemajt, është se anxhendat e thellimit, ku përfshihen edhe mekanizmat e mbrojtjes dhe sigurisë, shkojnë në drejtim të kundërt me përpjekjet për zgjerim.

Në anën tjetër, një nga pasojat e mundshme të politikave të parashtruara nga Von der Leyen sipas Ledion Krisafit është hapësira për kompromis më të madh ndaj vendeve kandidate për anëtarësim në BE.

Zgjerimi në fund të fundit ka qenë gjithmonë një vendim politik. As Bullgaria e Rumania në 2007-ën nuk ishin gati për në BE, por u pranuan. E njëjta gjë më shumë mundësi do ndodhë dhe me Shqipërinë apo Malin e Zi. Po bëhen 12 vjet nga anëtarësimi i Kroacisë dhe 15 e më shumë vite që vendet e Ballkanit Perëndimor janë kandidate për në BE dhe një periudhë kaq e gjatë kohe mund të dekurajojë shumë nga këto vende”,  argumenton Krisafi.

Përfundim: Ambicie dhe realitet

Analiza e ekspertëve tregon se, me gjithë retorikën ambicioze të Von der Leyen, realizimi i objektivave të saj mbetet i kufizuar nga kapacitetet reale të BE-së.

Objektivat që shpalosi Von der Leyen janë gati të pamundura për tu realizuar, duke marrë parasysh buxhetin e Komisionit dhe fuqinë politike të saj, veçanërisht kur disa grupe në Parlamentin Europian kanë kërkuar mocion mosbesimi”, vëren  Ilir Kalemaj.

Megjithatë, fjalimi shërben si orientim strategjik, duke treguar drejtimin e Komisionit Europian dhe duke sinjalizuar nevojën për një pavarësi më të madhe në fushën e mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Sipas ekspertëve, sfidat janë të mëdha, por qasja e qartë dhe ambicioze e Von der Leyen mund të shërbejë si motor për diskutime dhe reforma të nevojshme në dekadën e ardhshme.