RMV, krahasuar me vitin e kaluar, karantina ka rritur numrin e rasteve të dhunës familjare për 30%

-

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe deklaroi se sipas rezultateve të klinikës psikiatrike, izolimi në kohën e karantinës për shkak të pandemisë me Kovid-19, ka rezultuar me rritje të rasteve të dhunës në familje, shkruan Meta.mk.

“Kam biseduar me drejtorin e klinikës psikiatrike, çdo ditë regjistrohen raste të tilla. Në ambulanten e tyre online çdo ditë regjistrohen raste të tilla edhe atë nga fillimi i krizës, në muajin mars. Kolegët janë të përkushtuar shumë në këtë çështje, i zgjidhin problemet dhe kanë rritur kapacitetet e personave që dalin në teren të takojnë viktimat e dhunës” tha Filipçe, duke shtuar se diku për 30% është rritur dhuna në familje krahasuar me vitin 2019.

Nga Komiteti i Helsnikut, në nder të kampanjës ndërkombëtare e cila fillon me datë 25 nëntor “16 ditë aktivizëm kundër dhunës familjare”, kampanjë kjo që përfundon me 10 dhjetor, në ditën e të drejtave të njeriut, konsiderojnë se ajo çka duhet të quhet si pozitive në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave është paralajmërimi për Ligjin për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna kundrejt grave dhe dhunës familjare, si pjesë e obligimeve të shtetit të pranuara me ratifikimin e konventës të Instambulit në dhjetor të vitit 2017.

“Ky ligj ishte paraparë të votohet në fund të vitit 2019, megjithatë për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk u vendos në votim në parlament, ndërkaq me krizën e pandemisë Kovid-19 kjo procedurë u vonua ende më shumë. Ajo që pritet me votimin e këtij ligji është përmirësimi i përkrahjes institucionale të viktimave të dhunës familjare” shkruan në kumtesë.

Nga kjo organizatë theksojnë se kanë apeluar deri te institucionet përkatëse nga fillimi i pandemisë që të ndërmerren masa në kuptimin e reagimit të shpejtë të institucioneve në raste të dhunës familjare.

“Marrë parasysh se shtëpitë përfaqësojnë një prej vendeve më të sigurta për gratë, cënueshmëria ndaj grave u rrit ndjeshëm në kohën e masave restriktive. Komiteti i Helsinkut për të drejtat e njeriut nga fillimi ka apeluar në të gjitha institucionet relevante që në mënyrë të rregullt dhe në kohë të ndërmarrin masa për denoncimet për dhunë familjare, në mënyrë që të parandalohen fatalitete të cilat mund të vijnë si pasojë e dhunës, sidomos në shtëpi. Ajo që ishte e rëndësishme këtë periudhë, ishte dhënia e mundësisë si dhe inkurajimi i viktimave që të paraqesin dhunën. Sipas përvojës tonë, problemi kryesor në këtë luftë është mos denoncimi i dhunës nga ana e viktimave në institucionet përkatëse, që vjen si pasojë e mosbesimit në institucionet, dënueshmëria e vogle si dhe frika dhe turpi” shkruan në kumtesë.