Prokurorja speciale Katica Janeva sot mbajti konferencë shtypi ku paralajmëroi aksionin e parë me emrin “Titanik”.

Në të, siç njoftojnë nga Prokuroria speciale, janë hapur procedura hetimore kundër ish ministrave Gordana Jankulloska dhe Mile Janakieski si dhe kundër sekretarit të Qeverisë, Kiril Bozhinovski, për bashkim kriminel, shkeljen e të drejtës votuese, shkeljen e lirisë së votimit, dhënie ryshfeti dhe shkatërrim të materialit votues dhe e tërë kjo për falsifikimin e zgjedhjeve.

Në sallë përplot gazetarë dhe vëzhgues të huaj, konferencën e shtypit e nisi prokurorja speciale, Janeva. Ajo nuk përmendi detaje rreth procedurave të hapura hetimore, por falënderoi për mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar dhe shtoi se drejtësia do të fitoj kundrejt presioneve.

“Drejtësia do të fitoj edhe krahas presioneve dhe kërcënimeve të partive të caktuara politike dhe kallëzimet e konstruktuara penale ndaj meje dhe bashkëpunëtorëve të mi. Më inkurajon përkrahja e komunitetit ndërkombëtarë ndërsa mbështetje kam edhe nga sektori i drejtësisë. Do të nis procedurë hetimore për 10 lëndë nga fusha e zgjedhjeve, të drejtat dhe liritë e njeriut” tha Janeva në fillim të konferencës.

Pas përfundimit të fjalimit të dy prokuroreve, Lençe Ristovska dhe Fatime Fetai, gazetarët thuajse u përleshën mes vete se kush do të parashtroj i pari pyetje.

Në një atmosferë me tension, një pjesë e gazetarëve pyetnin Ristovsën për pronën e Janevës, për transparencën e shpenzimit të mjeteve të kësaj prokurorie dhe për pranim- dorëzimin e materialit nga bisedat e përgjuara.