Dy qendrat e skjimit në Bullgari, Bansko dhe Borovec, ndonëse ishin më pak të njohura atëherë kur Kodra e Diellit kishte nam botëror, janë zhvilluar hovshëm vitet e fundit, dhe tani po përjetojnë “shkëlqimin” më të madh që kanë pasur deri tani. Madje, falë përparësisë krahasuese që kanë, kostove të ulëta, ato garojnë me qendrat e skijimit në Francë dhe Zvicër.

Problemet shumëvjeçare në qendrën e skijimit “Kodra e Diellit”, kanë filluar të japin efektet e veta me humbjen e turistëve. Kjo përveç që ka dëmtuar Tetovën si qytet, dhe vetë qendrën e skjimit, ka dhënë edhe efekte anësore duke favorizuar qendrat e tjera të skijimit “Bansko” dhe “Borovec” në Bullgari, që ndoshta dikur as nuk mund t’i afroheshin zhvillimit të Kodrës së Diellit, por sot, të gjithë sytë janë kthyer kah to.

Qeveria bullgare ia ka dhënë Banskon me koncesion kompanisë ULEN, e cila ka disa vite që e menaxhon me shumë sukses qendrën e skijimit, gjë që nuk e ka bërë ELEM në Maqedoni.

Teleferiku dhe parkingjet

Ndonëse Teleferiku Tetovë-Kodër Dielli, filloi të ndërtohet në vitin 1962 dhe u vu në punë më 8 Mars të vitit 1965, sot, në vitin 2019 kabinat e këtij teleferiku janë jashtë përdorimit. Ndërkaq, 40 vite më pas, në Bansko u ndërtua teleferik i cili lidh qytetin me këtë qendër skijimi.

Duhet pasur parasysh që problemi me parkingjet dhe kolonat e gjata për në Kodër të Diellit, vjen edhe nga mungesa e teleferikut.

Në Bansko dhe Borovec, edhe kjo çështje është zgjidhur. Çdo 30 minuta autobusë lëvizin nga stacioni i autobusave në qytet për në qendrën e skijimit.

Ndërkaq, nuk mungojnë edhe parkingjet në hotelet private për ata që preferojnë të udhëtojnë me veturë. Komuna e cila menaxhon me qendrën Borovec në vitin 2018 ka vënë në shërbim për turistët edhe parkingun me pagesë.

Garat

Garat e para në Kodrën e Diellit u organizuan në vitin 1934, ndërkaq garat e para ndërkombëtare, siç ishte Kupa e Sharrit, në vitin 1947. Dikur Kodra e Diellit përgatiste të rinj që garonin me garues nga e gjithë bota dhe dilnin fitues. Sot në Kodrën e Diellit nuk organizohen më gara.

Ndryshe nga Kodra e Diellit, gara të ndryshme organizohen në Bansko, skijim nate, aktivitete të ndryshme për fëmijë, shkolla skijimi dhe jetë nate.Këto janë garat më të njohura që organizohen: “Kapi Cup”, “Pirin Cup”, “Ulen Cup”, “FIS Ski World Cup”.

Aktivitetet dhe jeta e natës

Përveç skijimit, në dy qendrat në Bullgari organizohen edhe aktivitete tjera të ndryshme dhe festivale të ndryshme, si Bansko Jazz Festival. Gjatë sezoneve i kushtohet rëndësi edhe jetës së natës, duke i argëtuar të rinjtë me muzikë dhe party. Skijimi i natës gjithashtu preferohet nga shumë skijatorë, ski-liftet në Borovec, përveç orarit të zakonshëm ditor, janë në funskion nga ora 6 e mbrëmjes deri në 9:30, duke ju mundësuar kështu skijatorëve të shijojnë bukuritë e Borovecit edhe natën.

Gjatë sezonit veror, qendra Borovec ofron për turistët kalërim, duke e bërë kështu atraktive këtë qendër edhe në muajt e verës. Kodra e Diellit nga ana tjetër, nuk ka aktivitete tjera pos skijimit.

Kodra e Diellit nuk ka as ueb faqe në këtë kohë digjitale!

Në kohën kur gjithçka është digjitalizuar, dy qendrat turistike ofrojnë për turistët web faqe me të gjitha informacionet e nevojshme, duke filluar nga ski-liftet dhe çmimet për to, udhëzime për mënyrën se si mund të arrihet më lehtë deri në qendër, aktivitetet që organizohen, moti, restorantet e hotelet, si dhe harta të terrenit.

Ndërkaq, Kodra e Diellit mezi figuron edhe në web faqen e Komunës së Tetovës, ku edhe informatat e pakta që jepen janë të marra nga Wikipedia.

Sipas rangimit që u bë nga “Post Office” and “Crystal Ski Holidays”, Bansko është qendra e skijimit më profitabile në Evropë.

Ajo që sot është Bansko dhe Borovec, zhvillimin që e kanë pasur, suksesin dhe turizmin e zhvilluar mund ta kishte edhe Kodra e Diellit sikur të ishte menaxhuar me sukses.