Rreth 500 euro për rrënjë ka paguar ndërmarrja “Pyjet e Maqedonisë” për palmat që këto ditë po mbillen nëpër qytetet e Maqedonisë apo gjithsej 522. 000 euro për 1100 drunj.

Palmat e llojit trachycarpus fortunei gjegjësisht palma me qime, rrënja e të cilës rritet deri në 4 metra, janë mbjellë në Ohër, Prilep, Dojran dhe Vevçan ndërsa planifikohet të mbillen edhe në qytete tjera të vendit.

Palmat janë marrë përmes kompanisë Lidhja për prodhimtari, tregti dhe shërbime “Rosen eksport- import” nga fshati Strimnicë i Zhelinës.

Konkursi publik për palmat u publikua vitin e kaluar kur Ndërmarrja publike kërkoi “operator ekonomik që do të paraqitet të dorëzoj certifikatë për gjendjen shëndetësore të fidanëve apo verifikim për gjendjen e tyre shëndetësore, deklarimin e vendit dhe prejardhjes, materiali mbjellës si dhe kontejneri në të cilin ofrohet dimensioni i kërkuar”.

Kur u publikua konkursi për palmat, Zharko Karaxhoski, drejtori i “Pyjeve të Maqedonisë” deklaroi se çmimi për këtë lloj të palmave sillet prej 200 euro e më lartë ndërsa mund të qëndrojnë deri në minus 15 gradë celsius.

Planifikohet që palma të mbillen edhe në Shkup në parkun “Zhena Borec”.

Kryeqendra për herë të parë u bë me palma në vitin 2010 kur u hap plazhi i qytetit dhe për diku dhjetëra palma u shpenzuan thuajse 25 mijë euro.