Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, duke iu përgjigjur thirrjes publike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) për Konsultime publike për propozim-versionin e Konceptit për arsimin në distancë, publikoi mendimin profesional në bazë të përvojave të tij të deritanishme dhe ekspertizës së specializuar në fushën e TIK-ut dhe arsimit.

Së pari, “Metamorfozis” konsideron se afati i dhënë deri më 10 korrik është shumë i shkurtër dhe propozon që ky afat të zgjatet dhe që institucionet shtetërore të ofrojnë më shumë forma konsultimesh, duke përfshirë edhe përdorimin e mjeteve të komunikimit digjital, siç janë takimet online dhe shfrytëzimi i mundësive të sistemit ENER. si një forum elektronik, duke marrë parasysh se për shkak të situatës me Kovid-19 nuk ka kushte për takime fizike dhe tryeza të rrumbullakëta.

“Metamorfozis” gjithashtu propozon rishqyrtimin e kornizave të dhëna kohore, duke marrë parasysh fillimin e vitit të ri shkollor dhe rëndësinë e arsimit në distancë. Prandaj propozon që zhvillimi i konceptit të ketë dy qasje: plan për menaxhim të krizës si përgjigje ndaj krizës së Kovid-19 dhe përgatitjen e një plani gjithëpërfshirës afatgjatë.

Duke theksuar kompleksitetin e temës së mësimit në distancë dhe mësimit elektronik, “Metamorfozis” në reagimin e tij e thekson rëndësinë e zbatimit të përpjekjeve dhe praktikave të mira të vendeve më të përparuara të Bashkimit Evropian duke i avancuar resurset e hapura arsimore (RHA), aplikimin e sistemit Creative Commons për të adresuar sfidat në fushën e të drejtave të autorit, si dhe potencimin e nevojës që të drejtat e njeriut si siguria dhe privatësia e fëmijëve, prindërve dhe mësuesve të jenë prioritare gjatë krijimit të kësaj politike publike, e cila është njëkohësisht edhe pjesë e procesit të Rritjes së pjesëmarrjes qytetare në zbatimin e Agjendës digjitale të BE-së në vendin tonë.

Zgjatja e afatit do të ofrojë mundësi që gjatë marrjes së vendimeve të merren parasysh rezultatet e hulumtimit për RHA, të cilin Metamorfozis është duke e kryer muajt e fundit.

Përvojat e Metamorfozis nga të gjitha projektet që lidhen me fushën e TIK-ut tregojnë se është jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjitha palët e përfshira në reformat arsimore, duke filluar nga vendimmarrësit, kuadri udhëheqës, e deri te mësimdhënësit, të cilët do të duhet t’i zbatojnë ato në praktikë, si dhe prindërit dhe punonjësit me të rinjtë që kanë rol në aktivitetet jashtëshkollore, t’i forcojnë kapacitetet në fushën e qytetarisë digjitale dhe edukimit mediatik.

Në bazë të Hulumtimit mbi të menduarit kritik dhe edukimin mediatik tek të rinjtë (2019) të realizuar në kuadër të projektit KriThink, Metamorfozis dhe Eurothink theksuan se problemi i edukimit mediatik duhet të bëhet prioritet shtetëror dhe se ngritja e nivelit të edukimit mediatik duhet të trajtohet si një qëllim strategjik. Në kushtet e reja të krizës shëndetësore, një reformë gjithëpërfshirëse e programeve mësimore është edhe më e domosdoshme, në mënyrë që këto vlera të mund të integrohen edhe në zhvillimin e të gjitha formave të arsimit, me ç’rast veçanërisht kritik është arsimi në distancë dhe e-arsimi.

Teksti i plotë i reagimit të ekipit të Fondacionit “Metamorfozis” është në dispozicion në ueb-faqen e organizatës.