Pas Greqisë, edhe Shqipëria paralajmëron se do të përdor të drejtën për veto ndaj kërkesës së Maqedonisë që të bëhet anëtare e NATO-s. Kjo del nga fjalimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në takimin rajonal të ministrave për luftë kundër terrorizmit, ku marrin pjesë ministrat e brendshëm të disa qeverive evropiane, kur ai ka folur për aspiratat e Maqedonisë që të bëhet vend- anëtar i NATO-s.
-“Fatkeqësisht në Kumanove fjala terrorizëm dhe shqiptar u bënë bashkë në një përpjekje për t’i dhënë etnisë një prapashtesë terroriste dhe kjo është e papranueshme jo vetëm për ne por dhe për shtetin maqedonas. Ky shtet duhet ta ketë të qartë se shqiptarët mbeten një faktor shtetformues për faktorin maqedonas. Asgjë më e rrezikshme nuk mund të na ndodhe në luftën kundër terrorizmit sesa përfshirja e termit terrorist në trajtimin e ngjarjeve maqedonase. Përzierja e këtyre termave do të jetë e papranueshme për ne njësoj si terrori që përjetuan banorët e pafajshëm të Kumanovës. Të gjithë ne duam një Maqedoni të qëndrueshme por jo të pajetueshme, duam një Maqedoni që të bëjë pjesë në NATO por jo si grusht ushtarak. Maqedonia nuk mund të bëjë pjesë në NATO pa garantuar marrëveshjen e Ohrit”, u shpreh Rama.
Ky është kërcënimi i tretë për pranimin e Maqedonisë në Aleancë, pas atij të Greqisë për emrin dhe Bullgarisë për shkak të marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Kërcënimi për veto nga Shqipëria argumentohet me Marrëveshjen e Ohrit. Në MPJ na thanë se në vijim e sipër janë konsultimet dhe analizat e deklaratës së Ramës. Nga ARM thonë se kjo është çështje politike dhe për përgjigje na dërguan tek politikanët.