Gazetari dhe pronari i portalit “Burevesnik”, Zoran Bozhinovski, në seancën e sotme në rastin që zhvillohet kundër tij për spiunim, shantazh dhe ryshfet, është dënuar me 2000 euro për shkak të mosrespektimit të gjykatës dhe sjellje të pahijshme.

“Nuk ju përshtatet kjo që po e them. Jeni të uritur për para. Kjo është çmenduri e jo gjykatë. Më 12 dhjetor nuk do të ketë para për bankomatin tuaj” ka thënë Bozhinovski në seancën kryesore, që ka zgjatur dy orë dhe ka kaluar në përplasje me gjykatësen Lenka Davitkovska, për të cilën, i akuzuari mes tjerash ka thënë se “është përfaqësues i bashkimit kriminel”.

Bozhinovski thotë se aktakuza nuk ka kurrfarë prova dhe se rasti ndaj tij është ndjekje politike e porositur nga ish kryeministri dhe kreu aktual i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski ndërsa realizues kanë qenë ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov dhe shefi i kabinetit të tij, Toni Jakimovski.