Ukraina nuk po merr ndihma ushtarake duke lënë si kolateral pasuritë minerare të saj

Pretendimi se Ukraina ka lënë si kolateral pasurinë e saj minerare tek kompania financiare BlackRock për të marrë ndihmë ushtarake është i pabazë. Verifikimi i Faktoje shpjegon se kompania BlackRock dhe qeveria ukrainase do bashkëpunojnë për të ngritur një fond për rindërtimin e vendit pas përfundimit të luftës.

————————————————–

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se “pasuria minerare e Ukrainës është vënë në kolateral te kompania famëkeqe Black Rock për të marrë ndihmën ushtarake.”

Siç ndodh shpesh me teoritë konspiracioniste, ky pretendim nuk shoqërohet me asnjë lloj prove, arsyetimi apo burimi. Mungesa e provave duket se shlyhet me një antisemitizëm të marrë të mirëqenë tek lexuesi. Ky i fundit duhet të lexojë etiketimin “çifut” dhe të jetë i gatshëm menjëherë të pranojë si të vërtetë gjithfarëlloj komploti të lig, edhe në mungesë të çfarëdo prove.

Faktoje nuk gjeti asnjë raportim në median ndërkombëtare që përmend ndonjë plan për përdorimin e pasurive minerare apo natyrore të Ukrainës si kolateral për ndihmë ushtarake, tek kompania BlackRock.

Financial Times raportoi në Qershor të këtij vit se kompania amerikane e investimeve BlackRock, së bashku me kompaninë financare JPMorgan Chase, po ndihmojnë qeverinë ukrainase për të ngritur një fond rindërtimi pas luftës.

Qëllimi kryesor i krijimit të këtij fondi është tërheqja e kapitalit shtetëror dhe privat për të implementuar projekte biznesi të mëdha në Ukrainë.

Fondi i Zhvillimit të Ukrainës është ende në fazë planifikimi dhe nuk pritet të nisë operimin deri pas përfundimit të luftës me Rusinë.

Në Mars 2023, Banka Botërore përllogariti se Ukrainës do t’i duheshin 411 miliardë dollarë për t’u rimëkëmbur pas luftës, por kjo shifër është rritur me vazhdimin e sulmeve ruse.

Sipas Financial Times, BlackRock dhe JPMorgan nuk po paguhen për shërbimet e tyre në ngritjen e këtij fondi, por përfshirja e tyre do t’u japë mundësi investimi në Ukrainë përpara investitorëve të tjerë.

Pra, kompania BlackRock do të bashkëpunojë me qeverinë ukrainase për të ngritur një fond rindërtimi pas lufte, jo për të ofruar ndihmë ushtarake. Në këmbim, ajo do të ketë akses të hershëm në tregun e investimeve në vend. Në asnjë artikull mbi këtë marrëveshje nuk flitet për një kolateral të çfarëdolloji, aq më pak burimet natyrore apo minerare të Ukrainës.

Nevojitet të qartësohet gjithashtu se BlackRock është e përfshirë edhe në investime të shumta financiare në Rusi. Në janar të këtij viti, kompania bëri publike shifrën e 18.2 miliardë dollarëve si vlerë e aseteve ruse që zotëroheshin nga klientët e saj.