Iniciativa për shkarkimin e kryetarëve në veri rikthen narrativën se Qeveria do tensione në veri

*Përgatiti Fitim Gashi

Serbët në veri e dhanë sinjalin e parë këtë muaj se duan rikthimin në institucionet e Kosovës, me nisjen e procedurave që u hapin rrugë zgjedhjeve të reja për kryetarë komunash.

Por, edhe ky zhvillim u shoqërua me përplasje shkaku i refuzimit fillestar të disa komunave për t’i pranuar peticionet e individëve që deponuan ato, me kërkesën për largimin e kryetarëve shqiptarë. Nismat erdhën pasi paraprakisht më 12 tetor presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u kërkoi serbëve të angazhohen për zgjedhje të reja, pasuar me vendimin e Listës Serbe që përmes një konference për media shprehu gatishmëri për ta dëgjuar Vuçiqin. Kërkesë e tyre ishte që kryetarët aktualë të dorëhiqen, ku do të mundësoheshin zgjedhje më të shpejta, ndryshe prej përcaktimit të Qeverisë që të ndiqen procedurat mbështetur në Udhëzimin e miratuar nga Ministria e Pushtetit Lokal.

Ky dokument përcakton se inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës mund ta bëjë secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse. Kërkesa duhet mbështetur nga së paku njëzet për qind e votuesve të regjistruar, në mënyrë që të organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës.

Individë dhe grupe serbësh befasisht ndërmorën nismën për peticione, duke i dorëzuar ato më 6 dhjetor në prani të vetëm dy mediave lokale në veri, “Kosovo-online” dhe “Tv Most”. Nga Mitrovica e Veriut, Sanja Lazarevic-Krtinić dhe Milan Milosavljević, u ankuan se kërkesa e tyre nuk u pranua, megjithëse u janë përmbajtur procedurave ligjore. Sipas tyre, nuk janë shkelur vetëm udhëzimet administrative të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës, por edhe e drejta e banorëve që dorëzuan iniciativën.

“Kjo është shkelja më brutale e të drejtave të njeriut që kemi mundur të shohim sot këtu në Mitrovicën e Kosovës, në fakt në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës së Veriut. Dorëzimi i një kërkese të thjeshtë për tërheqjen e kryetarit të Mitrovicës së Veriut nuk arriti në zyrë dhe u eliminua që në fillim. Ky është vetëm një tregues se sa të rrezikuara janë të drejtat e serbëve në tokën europiane”, tha Milan Milosavljević.

Ata po ashtu treguan se policia ka kontrolluar letërnjoftimet e një grupi të banorëve nga Zveçani, duke mos ua lejuar deponimin e peticionit.

Edhe avokati Veselin Radoviq konfirmoi se nuk ka mundur ta paraqesë kërkesën e njëjtë në Komunën e Leposaviqit.

Informata se kërkesat e qytetarëve serbë për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në veri nuk u pranuan në asnjë komunë, dominuan kryetitujt e mediave në Serbi. Pala serbe iu rikthye narracionit se ky është një konfirmim i “terrorit ndaj serbëve”. Reaguan edhe drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe Lista Serbe, duke thënë se ky është dështim edhe për bashkësinë ndërkombëtare, e cila prej muajsh insiston në zgjedhje të reja në veri.

Lista Serbe u zmbraps nga kushtet e mëhershme për pjesëmarrje në zgjedhjet komunale në veri, të cilat kanë qenë largimi i njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

E zyrtarët lokalë dhe ata të nivelit qendror iu referuan procedurave, por nuk ishin të qartë nëse ata vetë i kanë respektuar ato.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, përmes një vendimi, tha se peticioni u refuzua pasi nuk është në përputhje me Udhëzimin Administrativ dhe se nuk e kanë njoftuar atë paraprakisht për nismën e cila largon kryetarin aktual.

Reagoi edhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, duke thënë se rastin e ka marrë vesh nga mediat dhe se është në dijeni që tashmë një grup qytetarësh po “grumbullojnë nënshkrime”. Ai konfirmoi se Ministria deri në atë moment nuk ishte informuar për iniciativën nga veriu, as kryesuesit e kuvendeve komunale dhe as iniciatorët formalë.

Sipas Udhëzimit, për të cilin Ministria tha se duhet të jetë udhërrëfyes për zgjedhjet e reja, nëse shumica e votuesve të komunës përkatëse nga lista përfundimtare e votuesve, 50+1 për qind, votojnë për largimin e kryetarit, konsiderohet se kryetari i komunës është larguar nga funksioni.

Por, qasjet refuzuese të kryesuesve komunalë nxitën reagime edhe të ekspertëve të zgjedhjeve dhe çështjeve lokale.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, tha se kryesuesi s’ka asnjë kompetencë për vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës, e as për refuzimin e saj.

Sipas tij, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut ka shkelur ligjin dhe aktet e tjera me vendimin për refuzim të kërkesës së qytetarëve për largim të kryetarit të komunës.

“Kryesuesi nuk ka asnjë kompetencë, as sipas ligjit, as sipas Udhëzimit Administrativ, për vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës, e aq më pak refuzimit të saj. Roli i kryesuesit është krejt simbolik dhe vetëm njoftues i instancave të tjera”, ka shkruar Cakolli.

Me gjithë refuzimet që ua bënë iniciuesve të peticionit, institucioni që merret me organizimin e zgjedhjeve ka konfirmuar pranimin e tri kërkesave të ndara nga kryesuesit e kuvendeve komunale në Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Ata kanë kërkuar nga KQZ-ja që t’i ofrojnë informatat zyrtare për anëtarët e grupit iniciues nëse janë votues të komunave përkatëse. Po ashtu janë kërkuar informata lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20 për qind. Komuna e Zveçanit zyrtarisht ende nuk e ka bërë një kërkesë të tillë.

Verifikimin e nënshkrimeve duhet ta bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në përputhje me legjislacionin, ku më pas njofton kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe Ministrinë me vlerësimin përfundimtar.

Mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri është ndër masat që Qeveria u pajtua t’i ndërmarrë në funksion të shtensionimit të situatës. Pasi Lista Serbe kishte bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit, në këto komuna fituan kryetarë shqiptarë. Vendosja e tyre në objektet komunale me ndihmën e njësive speciale të Policisë së Kosovës ishte shoqëruar me protesta të cilat eskaluan në përleshje mes protestuesve të dhunshëm dhe KFOR-it. Cak i sulmeve ishin edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe gazetarët.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”