Qendra për Liri, me shumë vëmendje dhe indinjatë e ndjek zhvillimet më të reja të ngjarjeve lidhur me padinë penale dhe arrestimin në kuadër të operacionit policor-politik dhe medial “Puçi”, nën dirigjimin e kryeministrit dhe policisë.

Ky është edhe një nga vargu i aksioneve të pushtetit, i cili forcën e vet e praktikon nën, thënë më butë, arsyetime tejet dyshuese. Të tilla janë arsyetimet e kryeministrit, i cili i akuzoi dhe, njëkohësisht, i dënoi opozitarët për puç dhe bashkëpunim me shërbime sekrete të huaja. Në bashkëpunim me shërbëtorët medial dhe apologjetët kujdestarë të pushtetit, përhapet frikë dhe pasiguri, ndërsa vendi shtyhet në një krizë edhe më dramatike politike, madje edhe të sigurisë.

Numri i të burgosurve politik në Maqedoni rritet në kontinuitet. Suspendohet sundimi i së drejtës dhe demokracisë. Ka vite që jemi dëshmitarë të arrestimeve të gazetarëve, opozitarëve politik, intelektualëve…Jetojmë në një vend në të cilin diskriminimi dhe despotizmi morën nivelin institucional, mes tjerash, si pasojë e partizimit të tërësishëm të shoqërisë dhe institucioneve. Ky është edhe një rast me të cilin rrezikohen fundamentet e shtetit juridik dhe demokracisë.

Kërkojmë nga LSDM-ja opozitare menjëherë t’i publikojë të gjitha të dhënat për praktikat korruptieve dhe të tjera për të cilat pohon se i posedon dhe me këtë t’i japë fund kësaj amullie, e cila zgjatë me muaj.

Kërkojmë nga pushteti menjëherë t’i japë fund gjuetisë policore-mediale të atyre që mendojnë ndryshe.

Aksioni “Puçi”, sipas mënyrës se si filloi dhe si udhëhiqet, ka për qëllim të përhapë frikë dhe shqetësim. Kjo duhet patjetër të ndërpritet, sepse shkakton pasoja të papara në shoqëri.

Nga Gjykata dhe Prokuroria kërkojmë transparencë të tërësishme dhe dyer të hapura për ekspertët juridik dhe mbikëqyrësit vendor dhe të huaj. Të dhënat dhe dëshmitë për praktikat dhe veprimet korruptive dhe të tjera joligjore deri te të cilat do të vijë, Prokuroria t’i trajtojë sipas standardeve më të larta, në mënyrë transparente dhe në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë- thuhet në kumtesën e Civilit.