fbpx

‘Të gjithë kundër Vuçiç’ – strategji apo paranojë e presidentit serb?

-

Partia e tij fitoi zgjedhjet e parakohshme të 17 dhjetorit 2023, por presidenti Vuçiç nuk gjeti paqe për shkak të protestave që kontestojnë rezultatin. Edhe këtë herë ai iu rikthye narrativës së ‘armikut të jashtëm’ me akuza se protestat janë nxitur nga palë të treta si Shqipëria apo Perëndimi, pretendim ky i përforcuar nga diplomatë rusë. Ekspertët e quajnë këtë strategji një taktikë të vjetër që dëshmon vështirësinë në të cilën ndodhet pushteti i presidentit Serb.

Ky vit është karakterizuar nga protesta të forta antiqeveritare në Serbi. Gjithçka filloi në Maj 2023 kur rrugët e Beogradit u mbushën me protestues pas tronditjes së vendit nga dy vrasje masive të njëpasnjëshme. Fillimisht një djalë 13-vjeçar qëlloi për vdekje tetë nxënës – shtatë vajza dhe një djalë – dhe një roje sigurie në një shkollë në qendër të kryeqytetit, Beograd.

Vetëm një ditë pas të shtënave në shkollë, një 21-vjeçar hapi zjarr ndaj këmbësorëve nga automjeti i tij në një zonë rurale në jug të Beogradit, duke vrarë tetë persona dhe duke plagosur 14 të tjerë.

Prindërit e Ema Kobiljski, 13 vjeç, vajtojnë gjatë funeralit në varrezat qendrore në Beograd, Serbi [Armin Durgut/AP Photo]

Këto ngjarje u pasuan nga një grevë e organizuar nga sindikata e arsimtarëve të Serbisë, që bëri bëri thirrje për t’i dhënë fund nxitjes së dhunës në vend.

Protestat u përshkallëzuan në marshime të njëpasnjëshme me dhjetëra mijëra pjesëmarrës që bënin thirrje për largimin e Vuçiçit, në atë që u bë e njohur si lëvizja “Serbia kundër dhunës”.

Njerëzit marshojnë gjatë një mitingu kundër dhunës në Beograd, Serbi, e premte, 12 maj 2023. (AP Photo/Darko Vojinovic)

Situata u përshkallëzua edhe më shumë me refuzimin e qeverisë Serbe për të pranuar kërkesat e protestuesve dhe bashkimit të opozitës me lëvizjen, duke kërkuar votëbesimin e qeverisë. Si përgjigje, Vuçiç në nëntor shkriu qeverinë dhe shpalli zgjedhje të parakohshme parlamentare në Serbi.

Por telashet e tij nuk përfunduan me kaq.

Rezultati i zgjedhjeve shpalli fituese partinë e Vuçiçit dhe rrugët u mbushën sërish me protestues që pretendojnë vjedhjen e zgjedhjeve.

Sulmi, mbrojtja më e mirë

Me nisjen e fushatës elektorale, por edhe pas kontestimit të zgjedhjeve nga opozita e mbështetur nga protesta të vazhdueshme, në Serbi u dëgjua narrativa anti-Shqipëri dhe ajo anti-perëndim.

Protestat që pasuan shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve, sipas Vuçiçit ishin të mbështetura nga shqiptarët. Deklaratat Vuçiç i dha për televizionet serbe në fundvit, për t’u shpërndarë më pas edhe në gjuhën shqiptare.

“‘Opozita ndoshta mendon që të fitojë ndonjë votë nga shqiptarët apo ku ta di unë se përse. Ata mbështesin jo vetëm Kosovën e pavarur, por janë edhe lobistë të shquar shqiptarë. Këtë duhet ta dinë qytetarët e Serbisë. 95 përqind e atyre që janë në opozitë janë të përkrahur nga lobistët shqiptarë’”, deklaronte Vuçiç.

Njëkohësisht, një tjetër fajtor për protestat e opozitës sipas presidentit serb dhe aleatëve të tij është vetë perëndimi dhe Bashkimi Europian. Vuçiç ngriti akuza për ndërhyrje të jashtme në zgjedhjet në Serbi, si dhe në protestat pas zgjedhjeve. Teza u mbështet nga ambasadori rus në Serbi, Bocan Kharchenko i cili deklaroi se Vuçiç ka informacione të pakundërshtueshme se protestat po nxiten nga perëndimi.

Narrativa u përsërit nga zyrtarë të ndryshëm, duke kulmuar me akuzat e Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për tentativë për marrje ilegale të pushtetit në Serbi.

“Ajo që ndodhi në Beograd është një tjetër përpjekje për të drejtuar një marrje të paligjshme të pushtetit.”, tha Lavrov për mediat ruse.

Në janar 2024, Vuçiç përsëriti pretendimin e tij duke thënë për mediat se aktiviteti i “aktorëve të huaj” në Serbi para dhe pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit ka qenë “më serioz se kurrë më parë”. Në asnjë rast ai nuk ka specifikuar se kujt i referohet kur flet për ndërhyrje dhe financim kundër Serbisë.

Narrativë ruse e quajti edhe zëdhënësi i Bashkimit Europian Peter Stano akuzat e Serbisë për përfshirje të BE-së në protestat anti-qeveritare atje.

Është absolutisht e pakuptimtë të thuash se Bashkimi Evropian po përpiqet të ndërhyjë ose të stimulojë çdo lloj proteste antiqeveritare, këto janë narrativa ruse që duhet të trajtohen.” – tha Stano në një konferencë për media. Deri tani askush nuk është i akuzuar apo arrestuar për ndërhyrje në zgjedhje apo tentativë për rrëzim pushteti në Serbi, duke i lënë deklaratat e Serbisë dhe Rusisë në rrafshin e narrativave përçarëse anti-perëndim, por edhe kunër Shqipërisë.

Kapitalizim i rrezikut nga “armiku i jashtëm”

Narrativa e ndërhyrjes së lobistëve shqiptarë apo qeverive perëndimore përdoret nga Vuçiç për të mobilizuar pjesën më fanatike të mbështetësve të tij. Kështu e argumenton situatën studiuesi Ermal Hasimja, i cili dyshon se opinion publik serb në tërësi i beson këtyre tezave, në një kohë kur pakënaqësia duket në përmasa të mëdha.

Gjithashtu në këtë mënyrë Vuçiçi shpreson të përfitojë nga efekti i rrezikut të “armikut të jashtëm” njësoj siç u përpoq të bënte mbi dy dekada më herët Milosheviçi. – Ermal Hasimja, studiues i shkencave politike dhe komunikimit.

Të njëjtin mendim ndan edhe diplomati Agim Nesho i cili sjell në kujtesë raste të mëhershme kur Vuçiç ka përdorur të njëjtën strategji.

“Vuçiç gjithmonë hiqet si viktimë dhe në kërkim të një armiku të jashtëm sa herë ndodh ndonjë ngjarje e rëndë të cilin e ka vështirë për ta fshehur. Ideja e lobistëve shqiptarë është prezente në retorikën e tij vite më parë duke i portretizuar si kundërshtarë të interesave serbe por edhe aleancave ndërkombëtare që Serbia ka me Rusinë, Kinën, etj.” – Agim Nesho, ish ambasador i Shqipërisë në OKB.

Opinioni publik në Serbi lidhur me mbështetjen ndaj intergrimit europian është më i ulëti në rajon, me 43% të qytetarëve që e mbështesin dhe 32% që e kundërshtojnë atë, sipas vetë matjeve të fundit të Ministrisë serbe për Integrimin Europian.

Është pikërisht kjo përqindje e lartë e ndjesisë anti-perëndim të cilën Vuçiç përpiqet të kapitalizojë, sipas Ermal Hasimes i cili përpjekjen e Vuçiç e sheh në të njëjtën linjë interesi me politikat ruse.

Sa i përket qëllimit të Rusisë, diplomati Nesho argumenton se asaj i duhet Serbia dhe politikat e saj nacionaliste si precedent që Rusia të avancojë politikat e saj në Euro-Azi’.

Një tjetër përfitim që Vuçiç pret nga kjo strategji e zgjedhur, sipas Ermal Hasimes, është pikërisht trysnia që i ushtron Bashkimit Europian duke përdorur kërcënimin e afrimit me Rusinë.

Në anën tjetër, vetë akuzat e Rusisë se perëndimi ka financuar dhe nxitur protestat anti-qeveritare në Serbi synojnë të vënë në dukje dy elementë, thekson Nesho.

Së pari, se Serbia është partneri i saj [Rusisë] dhe nuk do të lejojë destabilizim të regjimit në Beograd. Së dyti, se perëndimi në projektet e tij në Europën Lindore gjithmonë punon me projekte destabilizuese kundër interesave të popujve. Rusia është shprehur se në Beograd perëndimi po promovon me opozitën atë që bëri në sheshin e Meidanit në Kiev (2014). Në thelb kjo mbrojtje e Rusisë është për të garantuar regjimet autokratike dhe politikat e tyre pro-ruse.” – argumenton ai.

Studiuesi Ermal Hasimja vlerëson se strategji të tilla në një anë rrezikojnë të polarizojnë edhe më tej opinionin publik serb, që është tashmë i ndarë në pro-perëndimor dhe pro-rusë, si dhe njëkohësisht dëshmon situatën e vështirë në të cilën ndodhet pushteti i Vuçiçit.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi Viola Keta & Aimona Vogli

ИзворFaktoje.al

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.