fbpx

NATO hap bazën e parë ajrore rajonale në Shqipëri

-

NATO konfirmon për Faktoje se baza ajrore taktike e Kuçovës, një investim prej 50 milionë eurosh, do të vihet në punë brenda pranverës. Përtej afateve të tejkaluara për këtë investim, ekspertët e vënë theksin tek rëndësia që do të ketë baza e parë ajrore e NATO-s në Shqipëri për sigurinë e gjithë rajonit.

Në janar të 2022, NATO nisi rindërtimin e bazës ajrore taktike të Kuçovës. Ish baza e epokës komuniste e ndërtuar me punë vullnetare në 1952 shtatë dekada më pas do i shërbejë operacioneve të Aleancës Atlantike.

Vendimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore u njoftua në verë të 2018-s. Gjashtë vite më pas, kësaj baze, sipas NATO-s, i mungojnë vetëm disa detaje për t’iu prerë shiriti.

“Punimet pritet të përfundojnë në fund të muajit janar; infrastruktura e kompletuar do t’i transferohet Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë sapo të përfundojë dhe të pranohet certifikimi përfundimtar dhe vënia në punë. Kjo ka shumë të ngjarë të ndodhë shumë shpejt, brenda tremujorit të parë të 2024”, konfirmon një zyrtar i Aleancës Atlantike për Faktoje.

Projekti 3D i Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë

Për Ministrinë e Mbrojtjes, hapja dhe inagurimi i bazës ajrore në Kuçovë lidhet ngushtësisht me dy elementë.

“…me përfundimin e të gjithë investimit të NATO-s si dhe me realizimin e një sërë projektesh që janë pjesë e detyrimeve të palës shqiptare si pjesë integrale e këtij investimi”, sqaron ministria, pas një kërkese për të drejtë informimi.

Një zyrtar i NATO-s tha për Faktoje se baza ajrore do të ketë përdorime të shumta dhe avantazhe operacionale.

“Pas përfundimit, baza do të luajë një rol të rëndësishëm për të lehtësuar operacionet ajrore të NATO-s (si aktivitetet e policisë ajrore greke dhe italiane dhe mbështetja e misioneve të Forcave të Paralajmërimit të Hershëm dhe Kontrollit Ajror të NATO-s mbi territorin shqiptar).”, theksoi ai.

Ngritja e kësaj baze 15 vite pasi Shqipëria iu bashkua NATO-s shkon përtej interesit të vetëm një shteti.

“Si një shtet anëtar i Aleancës më të madhe Politiko-Ushtarake, shteti shqiptar dhe FARSH me këtë investim që po realizohet, do t’i ofrojnë NATO-s një bazë ajrore me infrastrukturë dhe kapacitete moderne si dhe standarde bashkëkohore të cilat do të bëjnë të mundur dislokimin e mjeteve ajrore të Aleancës apo edhe mjeteve tona ajrore, në situata të ndryshme qoftë për operacione stërvitore apo edhe për detyra të tjera në interes të Aleancës”, argumenton Ministria e Mbrojtjes

Kolonel Dritan Demiraj, ish komandant i Forcave Speciale, thekson rëndësinë që ka ngritja e bazës për sigurinë e gjithë rajonit.

“Në gjykimin tim, rëndësia e kësaj baze është e madhe, për arsye se në shtesë të bazave ushtarake detare dhe ajrore amerikane në Greqi, kjo bazë mund të shërbejë si bazë e avancuar operacionale për mbështetjen e forcave të NATO-s me njësi të forcave speciale, për të cilën Shqipëria ka edhe SOTG-në e NATO-s për këto misione” – Kolonel Dritan Demiraj.

Sipas tij, baza e Kuçovës mund të shërbejë gjithashtu edhe për furnizimin e mjeteve të ndryshme ajrore të NATO-s en-route në vende të tjera në afërsi të vendeve të konfliktit, organizimin e Task-Forcave Ajrore të njesive speciale (ASOTU), mjeteve ajrore të cilat mund të jenë në misione Kërkim-Shpëtimi por jo vetëm.

Një tjetër element i rëndësishëm sipas kolenelit është fakti që ngritja e bazës forcon rolin e Shqipërisë në Aleancë, dhe për rrjedhojë edhe mbështetjen e saj politike ndërkombëtare.

Baza ajrore e Kuçovës do të luajë një rol të rëndësishëm për të lehtësuar operacionet ajrore të Aleancës Atlantike.

Prapavijë

Investimi rreth 50 milionë euro i NATO-s në këtë bazë parashikonte ndërtimin e depove të armatimit, ato të karburantit, stacionet e armatimit, vendparkimin e avionëve, stacionin kundër avarive dhe zjarreve, si dhe rindërtimin e pistës dhe kullës së kontrollit. Punimet duhet të mbylleshin vjeshtën e vitit të shkuar, por afatet u shkelën.

“Në javën e parë të janarit, do të jemi gati të bëjmë përurimin e bazës ajrore të Kuçovës”deklaroi ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, teksa prezantonte buxhetin e mbrojtjes për 2024-n në Komisionin parlamentar të Sigurisë.

Edhe këtë fillim janari baza ajrore e Kuçovës nuk ishte gati për inagurim, sikurse deklaroi ministri Niko Peleshi.

Redaktoi Viola Keta & Aimona Vogli

ИзворFaktoje.al

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.