fbpx

Spiunazh në Uzinën e Gramshit? Prokuroria zgjat hetimet dhe kërkon një “dorë“ nga SPAK

-

Tre shtetasit nga Rusia dhe Ukraina që u kapën duke fotografuar në uzinën e Gramshit ende nuk kanë dalë para gjykatës, kur ka kaluar mbi një vit nga ngjarja. Ndërsa hetohen të lirë prej majit 2023, pasi paraburgimi humbi fuqinë, prokuroria e Elbasanit, zgjati hetimin edhe me 3 muaj. Hetuesit janë para një sprove kritike, pas dështimit për mungesë provash të një tjetër hetimi për spiunazh ndaj 7 shtetasve rusë dhe çekë.  Këtë herë SPAK po “jep një dorë“ me ekzaminime që mund të kenë vlerë për të provuar akuzën ndaj Mikhail Zorin, Fedir Alpatov dhe Svetlana Timofeeva. Faktoje sjell disa detaje mbi profilin e tre personazheve, hartën e lëvizjeve dhe provat e prokurorisë.

Anila Hoxha

Prokuroria e Elbasanit nuk arriti të të çojë para gjykatës për spiunazh Mikhail Zorin, 25 vjeç, Fedir Alpatov 26 vjeç dhe Svetlana Timofeeva 34 vjeçe.  Prej 20 gushtit 2022, kur u arrestuan në flagrancë në Uzinën e Çekinit, ende nuk janw  formalizuar akuzat si të dyshuar për veprat e “ sigurimit të informacionit” (spiunazhi) në bashkëpunim dhe goditje për shkak të detyrës; vepra të parashikuara nga neni 237/5 dhe 214 dhe 25 të Kodit Penal.

Parashikimi i Kodit Penal për spiunazhin, Neni 214

Kryeprokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi konfirmoi për “Faktoje” se vonesat e akt-ekspertizave ishin arsyeja kryesore për shtyrjen e afatit hetimor me tre muaj të tjerë:

Veprat penale që i atribuohen personave nën hetim janë të njëjtat që kanë qenë në momentin e procedimit penal. Gjatë muajit gusht janë administruar edhe aktet përfundimtare të ekspertimeve elektronike, të dhënat e të cilave po analizohen nga specialistët e njësisë antiterror”.

Precedenti me dështimin e dosjeve të spiunazhit

Edhe për tre të rinjtë rusë, drejtësia u përball me të njëjtin ngërç që çoi në dështimin e një tjetër dosjeje spiunazhi, për mungesë provash. (Këtu artikulli: Dosja e spiunazhit me rusë dhe çekë mbyllet për mungesë provash).

Me një kërkesë për ekspertim tekniko- elektronik, prokuroria iu drejtua SPAK-ut dhe kërkoi ndihmë nga sektori i ekspertimeve. Përpjekjet e organit të akuzës së Elbasanit për të zbërthyer pesë aparatet celularë që iu sekuestruan tre të dyshuarve Zorin, Alpatov dhe Timofeeva u finalizuan në 27 mars 2023. Në raste të ngjashme prokurorët patën dështuar për akt ekspertizat e pajisjeve pranë Laboratorit të Policisë Shkencore, arsye që solli pushimin e hetimeve për çështjen Budanov e të tjerë.

Hetimi mbi njëvjeçar ndaj dy rusëve Timofeeva, Zorin dhe ukrainasit Alpatov, përpos një serie kërkimesh në bashkëpunim edhe me sektorin e antiterrorit, u shtri  në analizimin e profileve të tyre në rrjetet sociale.

Tre të rinjtë këmbëngulnin se shkuan në bazën ushtarake të Gramshit si të apasionuar mbas fotografimit të bazave të braktisura dhe pasionit si blogerë. Por prokuroria ka bindjen se të tre janë të implikuar në spiunazh.
Në maj 2023, gjyqtarja Matilda Fetahu vendosi ndaj Mikhail Zorin masën arrest shtëpie, kurse për Timofeevën e Alpatovin detyrim paraqitjeje tek një oficer i policisë gjyqësore, deri në mbyllje të hetimeve.

Duke kqyrur jetën virtuale të Svetlana Timofeeva, hetuesit gjetën në profilin në Twiter (sot X), se ajo  e përshkruan veten si eksploruese urbane dhe operatore dronësh.

Në Flickr, Timofeeva ka postuar 985 fotografi, në Socium, jep ditëlindjen dhe vendlindjen, Tbilisi i Gjeorgjisë. Në  Instagram sipas prokurorisë Timofeva numëron 256 mijë ndjekës. Gjatë kohës që mbahej në qeli si e paraburgosur, llogaria ishte aktive dhe madje u përdor për të mbledhur fonde nga miqtë e saj.

Llogaria në emrin Lana Sator (Sipas prokurorisë i përket Svetlana Timofevës)

Ata bënë thirrje gjatë kohës së paraburgosjes së saj për dhurimin e parave për të mbuluar shpenzimet ligjore për ta mbrojtur duke renditur edhe numrat përkatës të llogarive bankare”-thuhet në një relacion të prokurorisë mbi ecurinë hetimore të dosjes.

Itinerari i lëvizjes së 3 të dyshuarve para arrestimit në Gramsh

Në kërkimet për Svetlana Timofeevën, 34 vjeç prokuroria raporton se është kontrolluar në aeroportin Orio Al Serio (Bergamo, Itali) në 1 dhjetor 2018. Timofeeva rezulton se ka aplikuar për vizë në Poloni në vitin 2012 duke u vetëdeklaruar si mësuese. Dy vjet më pas ajo aplikoi për vizë gjermane ku deklaronte si profesion menaxhere kompanie. Më tej, në Lituani shfaqet në periudhën 2017- 2018 duke kërkuar vizë turistike dhe kalim tranzit.

Pasioni i Timofeevës për Ballkanin, bazuar në informacionet e grumbulluara nga prokuroria, shfaqet në 2018-n, ku regjistrohet për herë të parë në një pikë kufitare në Malin e Zi dhe ku sipas sistemit policor vendas, ajo qëndroi tri ditë.

Ajo ka udhëtuar me një furgon me targa kroate dhe në udhëtim ka qenë me dy shtetas të tjerë rusë, Gleb Chelekin që e deklaron si shok më të cilin ka udhëtuar në disa shtete dhe Maria Mikhaleva.”, theksohet në një shkresë të prokurorisë. Duke u përpjekur të identifikojë hartën e udhëtimeve të Timofeevës, prokuroria thotë se kthimi në Malin e Zi ndodhi edhe në 2019, me hyrje në aeroportin e Podgoricës në një fluturim direkt nga Rusia dhe me qëndrim 4 ditor. Më 16 mars 2019 , blogerja vazhdoi udhëtimin drejt Shqipërisë.

Me një mjet me targa shqiptare  që drejtohej nga shtetasi shqiptar A.T , Timofeeva shoqërohej nga shtetasi rus Arseni Vitalivic Simenoi.” E reja qëndroi dy ditë e më tej vazhdoi turin drejt Maqedonisë së Veriut që e përdori si tranzit drejt Kosovës prej nga ku u largua sërisht për në Mal të Zi.

Ukrainasi Fedir Alpatov, 26 vjeç lindur dhe banues në Kiev, kombësia Ukrainase, shtetësia Ukrainase, arsimi  i lartë

i apasionuar pas makinave luksoze e ka lënë gjurmën e parë në sistemet policore ndërkombëtare  gjatë një kontrolli rutinë kur ai hyri në Itali dhe u verifikua nga policia kufitare italiane në Udine. Tre muaj më vonë në datën 10 gusht 2022 Alpatov kërkoi leje qëndrimi në Itali me argumentin e  mbrojtjes së përkohshme mbas emergjencës ukrainase të shpallur nga agresioni rus. Kërkimet për aktivitetin e tij zbardhin lëvizje si frekuentimi i një hoteli në Katania dhe më pas largimi nga Italia në 17 gusht 2022, nëpërmjet portit të Barit drejt atij të Durrësit. Kështu ai iu përgjigj ftesës së miqve të tij, të cilët po e prisnin në Durrës për aventurën shqiptare. Sipas autoriteteve shqiptare, Alpatov kishte qenë më herët në Shqipëri nga data 26 korrik deri në 31 korrik 2021, në një udhëtim që e kreu me të njëjtën makinë, këtë herë nga pika kufitare e Qafë Thanës për ta përmbyllur në Kakavijë.

Ukrainasi, lindur dhe banues në Kiev, sipas dosjes, ku preket një volum i konsiderueshëm veprimesh hetimore, thuhet se frekuenton instagramin me emrin Cyanidium dhe facebook me emrin Ivan Federov. Në llogarinë “ cyanidium” ai postonte fotografi gjatë udhëtimeve në vende të ndryshme me makinën e tij tip “Chevrolet” , e cila u mbajt e sekuestruar për katër muaj.

Ka fotografi nga tunele, në male, të ambjenteve të ndryshme në uzina ushtarake dhe të fishekëve” përshkruajnë ekspertët që po merren me analizimin e profileve në rrjetet sociale.

I apasionuar pas udhëtimeve të tilla shfaqet edhe studenti i kimisë Mikhail Zorini,25 vjeç lindur në Moskë dhe banues në Pragë – Çeki. Sipas prokurorisë ai aplikoi disa herë për vizë në Letoni për arsye familjare. Verën e 2022-it ai hyri në Kroaci, dhe në 30 korrik preku tokën shqiptare, pasi hyri  nga pika kufitare e Muriqanit  në këmbë. Si një përdorues i instagramit me emrin “ osimium_tetroxide” Zorin vepron si shokët e tij, duke postuar fotografitë e uzinave të ndryshme. Por prova më interesante e zbuluar në çantën ngjyrë ushtarake u vlerësua një hartë në formën e skicës me disa shënime në rusisht, fleta në fund të saj ka numrin 616 dhe 617.

Skica që i është gjetur Michail Zorin, sipas prokurorisë

Se cili është kuptimi i kësaj harte-skicë, këtë pritet ta zbulojë prokuroria në përfundim të hetimeve.

Pjesë nga raportimi hetimor për materialet e gjetura të dyshuarit Michail Zorin

Dëshmitë, çfarë ndodhi në Uzinën e Gramshit?

Prokuroria është e bindur se Alpatov, Timofeeva dhe Zorin erdhën në Shqipëri me mision spiunazhi, porositur nga shërbime të inteligjencës ruse. Të pikasur nga rojet ushtarake të Uzinës Mekanike Ushtarake/ Cekin, ata reaguan duke përdorur sprai. Ardian Xhaka, një ushtar profesionist me detyrë roje i lëvizshëm në repart, dha dëshminë për autoritetet:

“Pashë personin e dyshimtë gjatë tentativës për të hyrë në objektin ushtarak me numër tetë. I bëra thirrje të ndalojë, por ai u largua me vrap duke kaluar rrethimin e murit të Uzinës. Në momentin që u afruam, ai kundërshtoi  dhe na sulmoi me sprai kimik, të cilin e nxori nga xhepi duke na i hedhur në fytyrë dhe trup”. Të njëjtën gjë dëshmuan edhe dy ushtarë të tjerë. Ndërkohë akt-ekspertiza e Institutit të Policisë Shkencore tregoi se lënda ishte piper.

“Analiza Gc/ Ms për mbetjet në sprajin objekt ekspertimi, ka treguar praninë e Capsaicinës, Nonvamide që rezulton të jenë  element kimik, pjesë përbërëse dhe Pepper Spray.

Jo zyrtarisht bëhet më dije se Zorin pranon të jetë implikuar në mision spiunazhi mbasi u rekrutua gjatë një proteste në Moskë.

Një numër shkresash i janë dërguar Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura mbi statusin e Uzinës së Cekinit dhe nivelin e sigurisë në të. Por nga hetimet ende nuk është zbardhur se cili ishte misioni konkret i të dyshuarve. Mes mateialeve të sekuestruara, prokuroria thotë se ka 2 dronë, pajisje vëzhgimi për shikueshmëri natën, laptop, karta dhe 6 aparate celularë që u përkasin 3 të rinjve. “Nga kqyrja manuale konstatohet se është instaluar një aplikacion për komunikime online, por databazat ruhen në memorien Cloud. Është kërkuar autorizim për të konektuar internetin me kompjuterin virtual për të krijuar e për të marrë të gjitha komunikimet dhe kontaktet nga ky aplikacion, pa e kontaminuar provën” theksohet në shkresat e prokurorisë së Elbasanit.

Grupi i hetuesve përmend se të rinjtë kryen fotografime jo vetëm në ish uzinën e armëve, por edhe në objekte të tjera të klasifikuara si infrastrukturë me rëndësi kritike.

Duke qenë se vendi ku u konstatuan shtetasit e huaj  është afër liqenit të Banjës- Gramsh, i janë kërkuar edhe këtij hidrocentrali pamjet filmike të digës  si dhe të çdo vendi tjetër në funksion” deklaron prokuroria Elbasan. Por përgjigjja e administruar nuk ofroi asgjë domethënëse për akuzën.

Hidrocentrali i Banjës regjistron pamjet filmike për një periudhë maksimale prej 7 ditësh kalendarike, më pas sistemi i fshin automatikisht. Në këto kushte nuk disponojmë pamje filmike të ruajtura” – thuhet në përgjigje.

Të dhëna në ndihmë të hetimit pritet të ofrojnë ekzaminimet e SPAK.

“Mund të konfirmoj që shumë shpejt do të kemi një konkluzion përfundimtar të hetimeve paraprake”- deklaroi për Faktoje prokurori i Elbasanit Kreshnik Ajazi.

ИзворFaktoje.al

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.