fbpx

RMV, plani ambicioz për ajër të pastër ka lënë shumë përgjegjësi të parealizuara

-

Shumë nga masat e parashikuara në Planin dy-vjeçar për ajër të pastër janë larg ralizimit. Dokumenti ambicioz, i cili parashikonte ulje të ndotjes së ajrit deri në 50 % në Shkup dhe nga 30 në 50 % në qytete të tjera, po zbatohet për të dytin vit radhazi, por jo në të gjitha segmentet e planifikuara. Zëvendësimi i ngrohësve të vjetër me  karburante fosilike me kondicionerë inverterë, investimet në efikasitet energjetik në ndërtesat publike dhe përpjekjet për të zvogëluar deponitë ilegale dhe për të rritur gjelbërimin publik janë ndër aktivitetet më të zbatuara në Shkup dhe komuna të tjera në të gjithë vendin, njofton Meta.mk 

Sidoqoftë, ka mungesë të investimeve më serioze në menaxhimin e mbetjeve, jo vetëm në aspektin e hedhjes së paligjshme, por edhe në funksionimin e rregullt të shërbimeve komunale, sistemin e përzgjedhjes dhe riciklimit, nuk ka ndëshkime për ndotësit e pandërgjegjshëm, as rritje të kompetencave dhe numrit të inspektorëve në shërbimet e inspektimit. Ka vështirësi edhe në riparimin e stacioneve matëse për ndotjen e ajrit, për të cilët vite me radhë pritet realizimi i tenderëve që të aftësohen për të matur të gjitha llojet e grimcave PM dhe burime të tjera të ndotjes së ajrit.

Pandemia e kovid-19 gjithashtu nuk solli asgjë të mirë për investimet mjedisore, por devijoi prioritetet financiare, duke dyfishuar rrezikun në sezonin e ardhshëm të ngrohjes që njihet për përqendrime të larta të ndotësve të ajrit. “Iniciativa qytetare O2” para pak kohësh reagoi ndaj shkurtimeve të reja të planifikuara nga buxheti i paraparë për mjedisin jetësor.

“Deri kur do të bëhen shkurtime nga mjedisi jetësor?” Ne jemi duke u mbytur në mbeturina, ndërsa me rebalancet e buxhetit këtë vit, për pastrimin e deponive ilegale janë paraparë 90% më pak fonde. Aktualisht, 21 instrumente nga stacionet e matjes së cilësisë së ajrit nuk funksionojnë, ndërsa dy të tretat e fondeve të destinuara për blerjen e pjesëve dhe instrumenteve të reja janë shkurtuar. Këtë vit nuk ka dotacione për komunat Manastir, Novaci, Mogillë, Kërçovë, Çair, Gazi Babë, Qendër, Aerodrom, Kisella Vodë, si kompensim për prodhimin e energjisë nga lëndët djegëse fosile”, thonë nga “O2 Iniciativa”.

Aktivistët e shoqërisë civile janë të pakënaqur që ajri, toka dhe uji i ndotur nuk janë përparësitë e qeverisë, që pastrimi i lindanit toksik vonohet dhe se nuk ka para për mbledhësit e ujërave të zeza dhe mbrojtjen nga reshjet dhe përmbytjet.

“Ne mbytën me ajër, ujë dhe tokë të ndotur, por ne vazhdimisht po i shkurtojnë fondet imet mjedisore. Heqja e lindanit nga OHIS-i po paralajmërohet çdo vit, por atje nuk është vetëm ai problem, por ka edhe zhivë dhe substanca të tjera kancerogjene. Në vend që të bëhemi dëshmitarë të pastrimit përfundimtar të të gjitha substancave toksike nga ato deponi kancerogjene që kanë megatonë, 70 % e mjeteve për pastrimin e lindanit janë hequr”, thonë aktivistët.

Me Programi për reduktim të ndotjes së ajrit për këtë vit ishte paralajmëruar zëvendësimi i sistemeve të ngrohjes në 45 kopshte dhe 29 shkolla, ndërsa Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor ka informuar se është planifikuar që deri në vitin 2024 të mos ketë asnjë institucion që ndot. Është shpallur gjithashtu një thirrje në të cilën komunat kanë mundur të aplikojnë dhe të marrin deri më 100.000 euro për zëvendësimin e sistemeve jo-ekologjike të ngrohjes në kopshte dhe shkolla, shëndetësi dhe ndërtesa administrative në qytetet më të ndotura.

Megjithatë, shumë nga masat janë akoma duke pritur që të vijë momenti i tyre. Nevoja për kontrolle më të shpeshta dhe, më e rëndësishmja, sanksionim më të shpejtë të ndotësve, duhej të sigurojë forcim të kapacitetit të shërbimeve të inspektimit. Stacionet matëse duhet të ishin të pajisura, por sipas njoftimeve nga Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, kjo do të duhet të presë deri në fund të vitit. Vitin e ardhshëm do të duhet të presin edhe punësimet e inspektorëve të rinj për mjedis jetësor, siç parashikohet në Planin për ajër të pastër.

“Lidhur me draft planin për punësime të reja për vitin 2021, i cili përgatitet nga secili institucion shtetëror  presim që, duke pasur parasysh sfidat komplekse financiare të epidemisë, të sigurojmë një numër punësimesh të reja të inspektorëve mbi tre baza, mjedisin jetësor, natyrën dhe ekonominë e ujit ”, informojnë nga kjo ministri.

Ata thonë se po punohet intensivisht për të zgjidhur problemin e zëvendësimit të instrumenteve të vjetruara të matjes me të reja. Vitin e kaluar, u blenë gjashtë instrumente për matjen e grimcave PM-10, një prej të cilëve u montua në stacionin Gazi Babë e të tjerët në stacionet Lisiçe, Veles 2, Kavadar, Kërçovë dhe Gostivar. Sidoqoftë, disa stacione do të duhet të presin edhe dy vjet për pajisje funksionale.

“Blerja e një stacioni të ri monitorimi për në Gjevgjeli dhe zëvendësimi i instrumenteve matëse në Manastir 1 tashmë janë realizuar në kuadër të një projekti të financuar nga programi IPA për bashkëpunimin ndërkufitar me Greqinë dhe pajisjet janë instaluar dhe janë vënë në funksion. Blerja e instrumenteve për matjen e përqendrimit të PM2.5 është në proces, dy instrumente do të blihen me fonde nga Buxheti i MMJPH dhe do të instalohen deri në fund të vitit. Pjesa tjetër, brenda një projekti të financuar nga SIDA, është planifikuar të zëvendësojë 11 instrumente të vjetruara nga DAMSKAV me të reja. Zëvendësimi i instrumenteve për matje është planifikuar edhe me programin IPA 2 dhe në periudhën deri në vitin 2022 ato do të zëvendësohen plotësisht”, informojnë nga ministria.

Një nga masat e parapara me Planin për ajër të pastër është zëvendësimi i stufave me dru në Shkup dhe në Manastir, Kërçovë e Tetovës, të cilat vitet e fundit kanë regjistruar ndër përqendrimet më të larta të grimcave PM në botë. Masa vlen për shtëpi individuale që mund të furnizohen me kondicionerë të rinj inverter, të cilët subvencionohen me 100 % të shumës, pra deri në një shumë prej maksimum 1000 euro.

Thirrja publike në Shkup është ende e hapur, megjithatë, disa nga masat në Planin për ajrin, që i kishin të bëjnë me kryeqytetin, nuk janë as afër realizimit. Kështu, dokumenti parashikon që në dy vitet e fundit, 10.000 familje do të lidhen me operatorin ekzistues të ngrohjes BEG, ndërsa rrjeti i ujit të ngrohtë të zgjerohet. Është parashikuar që Shkupi të mos kishte zona me baltë përgjatë brigjeve të Vardarit dhe Lepencit, si dhe të pastrohen deponitë e paligjshme dhe vendet e banimit të paligjshme, ku shpesh ndizen zjarre të hapura.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se po marrin më shumë masa për të zvogëluar ndotjen e ajrit. Njëra prej tyre është themelimi i ndërmarrjes së re publike Sistemet energjetike të qytetit pas marrjes së rrjetit të ujit të nxehtë në Shkup. Procedurat administrative për marrjen e licencës aktualisht janë duke përfunduar, e pas kësaj autoritetet e qytetit njoftojnë se do të fillojnë shpërndarjen e nxehtësisë. Masat për zgjerimin e rrjetit dhe lidhjen e përdoruesve të rinj, thonë në Qytetin e Shkupit, do të duhet të presin.

“Aktualisht, thirrja publike për subvencione për qytetarët për blerjen e kondicionerëve inverterë është duke vazhduar, ku në bashkëpunim me Qeverinë, do të ndahen mbi 5,000 subvencione, në shumë maksimale prej 62.000 denarë. Qyteti i Shkupit në vitin 2018 dhe 2019 u ka dhënë subvencione qytetarëve për blerjen e inverterëve kur janë ndarë 20 milionë denarë, gjegjësisht 1.379 subvencione, si dhe 15 milion denarë subvencione për blerjen e stufave me  peleta. Gjithashtu subvencionojmë trajnimin e pastruesve të oxhaqeve, si profesion i mangët, si dhe pastrimin e oxhaqeve”, informojnë nga Qyteti i Shkupit.

Zyrtarët e qytetit thonë se po punojnë edhe për pastrimin e deponive ekzistuese të paligjshme dhe parandalimin e krijimit të atyre të reja, me kontrolle dhe patrulla të vazhdueshme nga inspektorët dhe rojet komunale. Sidoqoftë, rregullimi i deponive të mëdha, të tilla si Vardarishte, pranon se i tejkalon mundësitë e tyre. Ajo, thonë ata, është një çështje komplekse dhe për ta zgjidhur dhe do të jetë e nevojshme të angazhohen më shumë institucione.

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.