Të dy aeroportet në vend mund të kishin mirëpritur udhëtarin me numrin rendor 3 milion deri në fund të vitit po të mos ishte pandemia Kovid-19. Humbja financiare është e dukshme në të gjitha segmentet e industrisë së aviacionit dhe parashikimet e Agjencisë së Aviacionit Civil janë që buxheti i tyre vjetor deri në fund të vitit të përgjysmohet për shkak të krizës së koronës. Trafiku ajror i vendit ndoshta mund të rimëkëmbet deri në fund të vitit 2023, për të arritur shifrat që i arriti vitin e kaluar. Këtë në intervistë për Meta.mk e thotë drejtori i Agjencisë së Aviacionit Civil, Tomisllav Tuntev.

Gjatë bisedës, Tuntev foli për zvogëlimin aktual të numrit të udhëtarëve të transportuar nga aeroportet e Maqedonisë gjatë krizës së koronës, si dhe nevojën për një qasje të koordinuar midis vendeve në futjen e masave për mbrojtje nga kovid-19.

Të dhënat aktuale e Entit Shtetëror për Statistika për numrin mujor të udhëtarëve të transportuar nga aeroportet e Maqedonisë tregojnë një rënie prej mbi 1.2 milion udhëtarë në periudhën janar-gusht 2020 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Cilat janë pritjet e juaja në lidhje me numrin e udhëtarëve të transportuar që do të realizohen nga aeroportet e Maqedonisë gjatë vitit 2020?

“Për momentin, realizojmë vetëm 43% të trafikut ajror në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sa i përket numrit të udhëtarëve, ulja është edhe më e madhe. Tani numri i udhëtarëve është në nivelin e rreth 32%, që do të thotë për tetë muajt e parë të këtij viti kundrejt vitit të kaluar ulja është rreth 68%. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë faktin se në këtë periudhë të tetë muajve të parë të vitit 2020 hyjnë ata tre muaj e gjysmë ku aeroportet ishin plotësisht të mbyllura për trafik, gjegjësisht ku realizohej vetëm trafiku i mallrave, operonin aeroplanët shtetërorë, aeroplanët mjekësorë, aeroplanët ushtarakë dhe fluturime rikthimin e bashkëqytetarëve tanë nga vendet e tjera.

Duke pasur parasysh parashikimet e “Eurokontrol” dhe organizatave të tjera relevante ndërkombëtare të aviacionit se trafiku ajror do të ngecë në fund të vitit dhe në fillim të vitit të ardhshëm, unë pres që numri i ngritjeve dhe uljeve në aeroportet e Maqedonisë deri në fund të vitit të jetë rreth 45 % krahasuar me numrin e arritur në 2019, ndërsa numri i udhëtarëve do të jetë rreth një e treta e asaj që u arrit vitin e kaluar në aspekt të udhëtarëve që kanë ardhur dhe janë larguar.”

Pas rritjes shumëvjeçare të numrit të udhëtarëve, trafiku ajror në vend këtë vit përjetoi rënie të mprehtë për shkak të krizës së koronës. A keni shifra konkrete për dëmet financiare të transportit ajror në vendin tonë që u shkaktuan nga virusi korona?

“Konkretisht, shifrat që kanë të bëjnë me humbjet financiare do të përllogariten në nivel të vitit, por ajo që është e pamohueshme është fakti që Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror parashikon që transportuesit ajrorë, për shkak të pandemisë me koronën në tërë botën, do të pësojnë humbje prej mbi 370 miliardë euro. Në nivelin evropian, kjo do të thotë rreth 20 miliardë euro dhe nuk janë vetëm humbjet financiare, por edhe humbja e shumë vendeve të punës, veçanërisht e transportuesve më të mëdhenj evropianë dhe botërorë.

Sa i përket Maqedonisë, humbja financiare e të gjitha segmenteve në industrinë e aviacionit do të jetë e evidente, para së gjithash mendoj në operatorin e aeroportit dhe ofruesin e shërbimeve të navigacionit, sepse numri i fluturimeve është në nivelin e 45 %, krahasuar me vitin e kaluar dhe pres që ky numër të mbetet deri në fund të vitit, dhe natyrisht kjo vlen edhe për Agjencinë e Aviacionit Civil. Tani parashikojmë që deri në fund të vitit, buxheti ynë vjetor të përgjysmohet. Pra, këto janë situata shumë të vështira financiare dhe shpresa e vetme është se trafiku në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojë të rikuperohet me një ritëm më të shpejtë sesa pritej të bëhej më parë.”

Duke filluar nga orari dimëror i fluturimeve, kompanitë ajrore paralajmëruan ulje drastike të numrit të vendeve që do të shërbehen nga aeroportet në Shkup dhe Ohër. A mund të shpjegoni më në detaje se cilat destinacione nuk do të mirëmbahen deri në fund të marsit dhe a ka ndonjë paralajmërim nga kompanitë ajrore kur ato do të rivendosin fluturimet që u zhvilluan deri në fillimin e krizës me Kovid-19?

“Nga 13-14 transportues që operonin rregullisht, në aeroportin e Shkupit aktualisht operojnë tetë transportues ajrorë ndërkombëtarë. Numri i destinacioneve me të cilat është lidhur Shkupi, nga 40 të zakonshme zvogëlohet në 20. Me orarin e fluturimeve dimërore nga transportuesit që operonin vitin e kaluar, katër tashmë i kanë anuluar operacionet. Ato janë “Qatar Airways”, “FlyDubai”, “Aegean Airlines” dhe “LOT” i Polonisë, ndërsa të tjerët e kanë paralajmëruar orarin e fluturimeve dimërore, por me frekuencë të reduktuar dhe numër të reduktuar destinacionesh.

Situata në aeroportin e Ohrit është edhe më e keqe, për shkak se nga 12-13 transportuesit që operonin gjatë sezonit të verës, normalisht gjatë sezonit të dimrit ulej në katër, pesë ose gjashtë transportues, tani vetëm një ose dy transportues kanë punë në Aeroportin e Ohrit, kështu që është e qartë se trendi i ngecjes së vëllimit fizik të trafikut do të vazhdojë, pra numra më të ulët krahasuar me vitin e kaluar.

Megjithatë, veprimi i transportuesve është politikë e vetë transportuesve. Nëse gjërat shkojnë në një drejtim pozitiv, nëse funksionimi i sistemit të trafikut ajror zgjidhet në nivel global, atëherë është e mundur që transportuesit të shpallin një numër shtesë të fluturimeve në aeroportet e Maqedonisë, sepse në fakt kërkesa e dikton ofertën. Ashtu që, duke pasur parasysh atë që ka ndodhur globalisht në Kinë në transportin ajror të brendshëm në radhë të parë, ka shpresë që është e mundur se gjatë vitit 2021, natyrisht, nëse, e them përsëri, rregullohen gjërat rreth pandemisë, lidhur me vaksinat, ka numër më të madh të personave të rikuperuar, ka numër më i madh i udhëtarëve që do të dëshirojnë të përdorin shërbimet e transportit ajror, se trafiku ajror do të rikuperohet deri në një nivel, kështu që, deri në fund le të themi, deri në vitin 2023 ndoshta do të arrijë nivelin që ishte vitin e kaluar.”

Shumë vende evropiane lehtësuan kufizimet në hyrjen dhe daljen e udhëtarëve nga kufijtë e tyre gjatë verës, por për shkak të mosrespektimit të masave për mbrojtje nga përhapja e koronavirusit në vendin tonë patëm numër të madh të rasteve aktive. A është e mundur të përllogaritet sa i madh është dëmi i bërë gjatë verës në trafikun ajror dhe turizmin si rezultat i mosrespektimit të masave të qytetarëve për mbrojtje nga Kovid-19?

Unë nuk do t’i lidhja numrat më të vogël në trafikun ajror me disiplinën ose jodisiplinën e njerëzve në Maqedoni lidhur me masat e mbrojtjes. Së pari, ndikimin më negativ në trafikun ajror e kanë masat e njëanshme të shteteve. Ka rregullore ndërkombëtare, në fakt çdo fluturim nënkupton fluturimin mbi një, dy, tre, katër, pesë vende dhe uljen në territorin e vendeve të huaja. Dhe çdo aplikim i njëanshëm i ndalimeve, karantinave, izolimeve, testeve PCR, etj. kontribuon në pasigurinë e udhëtarëve për të vendosur të përdorin trafikun ajror. Për shkak se në një kohë Italia futi masa, Spanja futi masa, Britania e Madhe masat e veta, kështu që nuk kishte qasje të koordinuar.

Organizatat ndërkombëtare të aviacionit insistonin për qasje të koordinuar. Dhe parashikimi i parë për rimëkëmbjen e trafikut ajror që e bëri “Eurokontrol” dhe i cili doli në fund të prillit, në të vërtetë kishte dy variante: qasja e koordinuar e shteteve dhe qasja e pakoordinuar. U vërtetua gjithashtu se qasja e pakoordinuar, gjegjësisht masat e njëanshme të qeverive të vendeve të ndryshme, kryesisht në Bashkimin Evropian dhe në rajonin më të gjerë, kanë ndikim të madh negativ në trafikun ajror. Ashtu që, mbi të gjitha, besoj se qasja e koordinuar do të ketë ndikim më të madh në rikuperimin më të shpejtë të trafikut ajror.

Vlerësimet e vitit të kaluar të TAV Maqedoni para shfaqjes së Kovid-19 ishin që aeroportet në vend do të pranonin udhëtarin me numrin 3 milion në vitin 2021. Sa kohë mendoni se do të duhet që trafiku ajror të arrijë numrin rekord të udhëtarëve të vitit të kaluar në vend dhe kur mendoni se mund ta arrijmë këtë numër prej 3 milion udhëtarësh?

Në fillim të këtij viti, unë besoja se udhëtari me numër 3 milion në aeroportet e Maqedonisë do të mirëpritet në dhjetor të këtij viti. Pra, nëse merrni parasysh lëvizjen e të dhënave statistikore, përkatësisht vëllimin fizik të trafikut në katër apo pesë vitet e fundit, mund të shihni se sidomos nga viti 2015 e këtej, numri i udhëtarëve që vijnë dhe mbërrijnë në aeroportet e Maqedonisë po rritet çdo vit me rreth 300,000. Duke qenë se rreth 2.670.000 udhëtarë kishin zbritur dhe kanë qenë të pranuar në vitin 2019, nuk ishte e vështirë të parashikohej që numri do të mund të arrinte 3 milion deri në fund të vitit 2020.

Përveç atyre numrave, njoftimet që kemi pasur në lidhje me trafikun ajror në aeroportet e Ohrit dhe Shkupit, jepnin shpresë se ky numër do të arrihet, sepse turizmi përjetoi një zhvillim të veçantë sa i përket trafikut ajror në Maqedoni, dhe në anën tjetër, njoftimi për transportuesit e rinj, transportuesit e rinj me kosto të ulët dhe destinacionet e reja, na jepnin të drejtën të presim të njëjtën rritje prej rreth 300.000-320/330.000 udhëtarë të ndodhë edhe në vitin 2020. Pra, udhëtari me numrin 3 milion mund të bëhej realitet për aeroportet e Maqedonisë në këtë vit, normalisht, nëse nuk do të ndodhte pandemia globale.

Duke pasur parasysh parashikimet për rimëkëmbjen e trafikut ajror, duke pasur parasysh parashikimet si në nivel global ashtu edhe në atë rajonal, unë pres që vëllimi fizik i trafikut mund të arrijë nivelin e vitit të kaluar në fund të vitit 2023. Sigurisht, e gjithë kjo nën supozimin se do të ketë një qasje të koordinuar të vendeve, veçanërisht në Bashkimin Evropian, në drejtim të masave të mbrojtjes dhe se në fushën e kujdesit shëndetësor në të gjithë botën do të ndodhin gjëra që do të nënkuptojnë se udhëtarët mund më qetë, më rehat, më të relaksuar të përdorin shërbimet e trafikut ajror.