fbpx

Ulrik Haagerup: Ja pse gazetarët konstruktivë janë “miku më i mirë” i njerëzve (Intervistë) 

-

Ulrik Haagerup, themeluesi dhe drejtori i Institutit Konstruktiv, duke punuar si kryeredaktor në një media të njohur daneze e kuptoi se shumica e lajmeve që po ia servonte audiencës së tij ishin negative dhe nxitëse të frikës. Kështu, ai vendosi të largohej për të krijuar rregullat e një “gazetarie më të mirë”. Sot, instituti që ai drejton, ndihmon gazetarët dhe organizatat mediatike të përdorin raportim konstruktiv përmes programeve të dhënies së bursave, kurrikulave të trajnimit dhe nxit kërkime të pavarura akademike. 

Dhjetë vjet ai ishte drejtor i informacionit në transmetuesin publik danez. Ka qenë kryeredaktor në NORDJYSKE Media, dhe Jyllands-Posten dhe gazetar hulumtues në të njëjtën kohë. E ka fituar çmimin “Cavling” në vitin 1990 i cili është versionin danez i “Pulitzer”-it, si dhe mban titullin e kalorësisë “Dannebrog” të dhënë nga mbretëresha daneze Margrethe. 

Kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari, i vizitoi zyrat e Institutit Konstruktiv në Aarhus të Danimarkës dhe ndoqi disa nga leksionet e tij se si gazetarët mund të bëhen “miku më i mirë” i njerëzve. Më pas, ajo pati një diskutim interesant me të. 

Ju lutemi shpjegoni shkurt: Çfarë është gazetaria konstruktive? Çfarë nuk është? 

Ulrik Haagerup: Gazetaria konstruktive është gazetari largpamëse; i përgjigjet pyetjes “çfarë mund të bëhet tani?” dhe “si?”, pyetje që të paktën unë nuk i kam mësuar në shkollën e gazetarisë dhe gjithashtu as shumica e kolegëve tuaj. Gazetaria aktualisht është më e fokusuar në atë se “kush e bëri” dhe “çfarë ndodhi”, “kush e ka fajin”, ndërkaq gazetaria konstruktive është vazhdimësi e lajmeve të fundit dhe gazetarisë investigative, nuk është alternativë ndaj saj. Nuk është aktivizëm, nuk është gazetari pozitive dhe naive, është gazetari kritike, largpamëse, frymëzuese për zgjidhjet e mundshme të problemit që kemi së bashku. 

Me paraqitjen e mediave digjitale dhe platformave sociale, cili është roli i gazetarisë konstruktive në formësimin e diskursit publik dhe kundër polarizimit? 

Ulrik Haagerup: Bëhet fjalë për ndryshimin e mentalitetit të mediave dhe gazetarëve, për të menduar se roli i gazetarisë është gjithashtu të ndërtojë ura në shoqëri dhe të jetë lehtësuese e diskutimit publik sesi mund të përmirësojmë shoqërinë, po pa mbajtur anën e dikujt dhe pa tentuar që ne vetë të vendosim se si shoqëria duhet të ecë përpara. Ne duhet të jemi pushteti i tretë mes qeverisë dhe opozitës, duhet të përpiqemi të jemi të paanshëm, të përpiqemi të jemi kureshtarë në emër të publikut. Ne duhet të jemi “miku më i mirë” i publikut, jo miku më i mirë i opozitës, apo i qeverisë apo i oligarkëve në këtë anë apo atë anë. Ne duhet të jemi bashkëpunëtorë për të vërtetën dhe jo konkurrentë për të botuar senzacionalizma. 

Çfarë ju motivoi të krijoni Institutin Konstruktiv? 

Ulrik Haagerup: U kyça në gazetari si shumica e njerëzve, sepse duam të bëjmë mirë për shoqërinë, duam t’u tregojmë histori të rëndësishme njerëzve në mënyrë që ata të kuptojnë më mirë veten në këtë botë dhe atë që po ndodh rreth tyre në mënyrë që të marrin vendime më të mira. Pra, ky është ideali, dhe ky ishte gjithashtu ideali për mua, por, e pashë veten duke u bërë më shumë pjesë e kulturës gazetareske ku në thelb përpiqesh të bësh artikuj që t’i pëlqejnë gazetarët e tjerë, mësuesit, redaktori, kolegët dhe disa njerëz, ose për të fituar çmime nga komitetet e gazetarëve. Ky synim u kthye në fokusin tim kryesor në kombinim me epokën digjitale ku mund të matim gjithçka, kemi të dhëna për atë se çfarë klikojnë më shumë njerëzit, çfarë pëlqejnë ose shpërndajnë. Pra, mbisundon “Sindromi Watergate”, e cila nënkupton synimin e gazetarëve për të krijuar artikuj që rrëzojnë nga pushteti njerëzit e tjerë me qëllim për të fituar çmime gazetareske. Kjo gjë e kombinuar me idenë se gazetaria është vetëm një produkt dhe ju matni se si njerëzit përdorin produktin tuaj, sjell si pasojë që nëse ata klikojnë më shumë në artikujt ku ka eksplodime, ju të botoni më shumë  lajme me eksplodime. Kjo ishte arsyeja që vendosa se duhet të largohem. Më duhej kohë për të menduar: “A është gazetaria pjesë e problemit në polarizimin dhe mosbesimin që shohim në demokraci?” dhe “Si të bëhemi zgjidhja për këtë problem?”. Ne duhet të sjellim zgjidhje, gazetaria është kaq e rëndësishme, jo për gazetarët, por është e rëndësishme për shoqërinë, dhe kur gazetaria nuk funksionon në realitet, dhe tani nuk funksionon, edhe demokracia nuk funksionon.

Foto: Portalb,mk

Cili është roli i gazetarisë konstruktive në luftimin e dezinformimit? A mund të ndihmojë? 

Ulrik Haagerup: Ne shohim rritje të dezinformatave dhe të lajmeve të rreme, dhe deri më tani mënyra për t’iu kundërvërë tyre ka qenë publikimi i recensioneve (fact-checks), por vetëm aq nuk mjafton. Truku qëndron në atë të kuptojmë fuqinë që kemi, përgjegjësinë që shkon me lirinë e shtypit, dhe se në kohën e Inteligjencës Artificiale (IA), pasuria jonë kryesore është njerëzit të besojnë në atë që bëjmë ne. Andaj, ne duhet t’u shfaqim njerëzve versionin më të mirë dhe më të përafërt të së vërtetës dhe duhet të shpenzojmë gjithë kohën tonë për ta bërë këtë. Ne duhet të jemi “shoku më i mirë” që njerëzit kanë, sepse miqtë më të mirë nuk ju gënjejnë, ata nuk ju thonë vetëm gjëra të bukura, ata do t’ju thonë nëse flokët tuaj janë të shpupuritura, nëse keni nevojë të bëni diçka ndryshe, ata do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që duhet të bëni në mënyrë që të jeni versioni më i mirë i vetes. Ne kemi një rol për të luajtur në shoqëri, si miku më i mirë, dhe njerëzit më shumë se kurrë kanë nevojë për gazetarë ku mund të drejtohen, të cilët janë aty për të mos ju manipuluar që të mendoni ashtu siç mendojnë ata, të mos përpiqen t’ju shesin diçka por përpiqen të jeni udhërrëfyesi juaj në jetë. Njerëzit nuk kanë nevojë për më shumë informacione, por kanë nevojë për udhëzim. 

Si mund ta ndihmojë Inteligjenca Artificiale (IA) gazetarinë? 

Ulrik Haagerup: Teknologjia na ka ndihmuar gjithmonë të bëjmë gjërat e mërzitshme. IA duhet gjithashtu të na ndihmojë të bëjmë të gjitha gjërat që janë të parëndësishme dhe të lehta. Fakt është se shumë gazetarë e kalojnë kohën e tyre duke bërë gjëra të mërzitshme, duke bërë hulumtimin e tyre në Internet, ndërkohë që robotët mund këtë ta marrin përsipër. Ata mund ta bëjnë këtë lehtësisht dhe mund të prodhojnë saktësisht shumë nga artikujt që ne po i bëjmë dhe po përpiqemi t’ua shesim njerëzve, por që ata më nuk duan të paguajnë për to. Në të ardhmen, ne duhet të krijojmë vlera më të larta, duhet të japim më shumë sesa vetëm të dhëna dhe informata, duhet të ngjitemi një shkallë më lartë, në mënyrë që audiencës t’i japim dituri dhe mençuri. Duke përdorur ndjeshmërinë gazetareske, duke dalë në terren për të folur me njerëzit, për t’u treguar atyre se çfarë ere mban objekti që po flasim në lajmin tonë dhe çfarë ndjesie të jep, kështu do të fitohet besimi i njerëzve në mënyrë që ata t’ju tregojnë historitë e tyre që janë të rëndësishme për të gjithë. Kjo është ajo që ne mund të bëjmë që IA nuk mund ta bëjë. Ne duhet të kuptojmë se çfarë mund të bëjmë që IA nuk mund ta bëjë.
Krijimi i artikullit konstruktiv është pjesë e kësaj, duke kërkuar me ngulm përgjigje të reja, historinë e plotë të një ngjarje, duke dhënë jo më shumë informacion, por informacionin përkatës për njerëzit dhe duke përdorur empati. Duke mbajtur vlerën e një qenie njerëzore, të dilni atje në emër të qenieve të tjera njerëzore dhe t’u shpjegoni atyre si një mik më i mirë që kanë ata se çfarë po ndodh në të vërtetë dhe si mund të përfshihen për të gjetur zgjidhje të problemeve. 

A mund të ndani me ne një rast specifik ku gazetaria konstruktive ka pasur ndikim të prekshëm pozitiv? 

Foto: Portalb.mk

Ulrik Haagerup: Ka një artikull që kishte ndikim të madh në hapjen e një debati të gjërë në shoqëri. Problemi ka të bëjë me mungesën e mjekëve në rrethet rurale të Danimarkës. Mendoj se ky është një problem me të cilin ballafaqohen shumë vende, mjekët e rinj nuk duan të largohen nga qytetet universitare ku jetojnë me familjen, ndaj kemi mungesë mjekësh në zonat rurale të vendit. Prandaj, përderisa ne vazhdonim të flitnim se kush është fajtori për problemin, gjë që natyrisht është gjithashtu e rëndësishme, por, përderisa ne po bënim gjithë këtë rrëmujë në media për të gjetur fajtorin, njerëzit në rrethet rurale kanë vetëm një shqetësim: kur do të ketë mjekë?
Pra, ajo që bëmë ne, ishte se kërkuam zgjidhje për këtë problem në vendet e tjera të botës ku në fakt kanë bërë diçka për të zgjidhur problemin dhe kanë qenë të suksesshëm.  Kjo është mënyra se si veprohet në këto raste, pra hulumtimi gazetaresk duhet të fokusohet në këtë aspekt, të gjendet zgjidhja. Ne zbuluam se në Norvegji e kanë gjetur zgjidhjen e këtij problemi dhe publikimi i artikullit e ndryshoi narrativën dhe debatin publik në Danimarkë. Pasi që ata e kanë zgjidhur problemin dhe ne si gazetarë e publikuam këtë informate me zgjidhjen, tani diskutohet në shoqërinë tonë për mungesën e mjekëve si problem që rregullohet dhe jo se është problem që nuk ka zgjidhje. Pra, nëse politikanëve dhe vendimmarrësve nuk u pëlqen kjo ide, ne duhet t’i pyesim ata: “Cila është alternativa juaj?”. Tani ne nuk diskutojmë më se kë të fajësojmë, por më tepër se çfarë zgjidhje të aplikojmë.

Si e arrini ekuilibrin midis të qenurit kritik dhe njëkohësisht konstruktiv në raportimin tuaj? 

Ulrik Haagerup: Duhet fillimisht të përcaktojmë se çfarë është kritika. Unë personalisht kisha frikë se gazetarët e tjerë do të më shihnin jo-mjaftueshëm kritik, saqë ndonjëherë isha agresiv në mënyrë që gazetarët e tjerë të shihnin se nuk isha jo-kritik. Të jesh kritik domethënë të jesh skeptik nga natyra. Nëse dikush ju thotë se kanë gjetur ilaçin për kancerin dhe dëshiron që ju të shkruani për të, ju duhet të jeni kuriozë dhe të shihni nëse është vërtet ashtu, dhe gjithashtu duhet të kërkoni të shihni dokumentacionin për pretendimin e tillë se në të vërtetë dikush ka gjetur një pilulë që mund të shërojë kancerin. Duhet të jeni kritik, duke pyetur a mund ta vërtetoni pohimin tuaj, a mund ta shihni dëshminë, a mund të flisni me njerëz tjerë, a është rishikuar nga kolegët etj. Ju duhet t’i bëni të gjitha këto pyetje duke mos qenë agresiv, por kurioz. Natyrisht, nuk duhet ta shkruani artikullin vetëm sepse dikush thotë se ka bërë diçka, por kur dikush ka bërë vërtet diçka dhe ata po përmirësojnë shoqërinë. Gjithashtu, duhet t’i tregoni audiencës se i keni bërë ato pyetje kritike, jo në mënyrë agresive, por në emër të njerëzve: “A mund t’u besojmë pretendimeve tuaja”, “A mund të dokumentoni ato që thoni?” e kështu me radhë. 

Mesazhi juaj për gazetarët e rinj? 

Ulrik Haagerup: Guxoni të besoni se në kohën kur gazetaria e ka humbur monopolin e informimit të drejtë për publikun masiv, nuk ka pasur kurrë nevojë të madhe për gazetari, por gazetari të mirë dhe të denjë, punë të besueshme dhe konstruktive. Se është e mundur të bësh gazetari që bazohet në të gjitha vlerat që kemi: të jemi pushteti i katërt, që duhet t’i kërkojë llogari njerëzve në pushtet, por në të njëjtën kohë, ta luajë rolin e mikut më të mirë të njerëzve ku vërtet dëshironi t’i ndihmoni ata të marrin vendime më të mira në jetën e tyre.
Ju dëshironi t’u jepni udhëzime atyre, doni t’i informoni, doni t’i ndihmoni ata “të pastrojnë rrëmujën” mediatike në mënyrë që të mos i mbingarkoni me informata. Ju dëshironi t’u jepni atyre një pamje të saktë të botës, jo vetëm informatën që do të tërheqë vëmendjen e tyre. Nëse punoni kështu, do të ketë nevojë më shumë se kurrë për atë që po e bëni, do të ketë nevojë për gazetarin e ri që mendon kështu dhe punon në këtë mënyrë. Kjo mënyra më e shkëlqyeshme për të qenë gazetar, dhe besoj që të qenit konstruktiv është dhe arsyeja pse ju jeni futur në gazetari, sepse dëshironi të ndihmoni dhe nuk doni të bëni artikuj vetëm për klikime gjatë gjithë jetës suaj. 

A do të jenë gazetarët më të lumtur nëse janë konstruktiv? 

Ulrik Haagerup: Po! Jam shumë i bindur që gazetaria është një profesion vërtet domethënës dhe një profesion me vlerë të madhe. Megjithatë, ne e kemi shndërruar atë në një profesion industrial me një punëtor industrial të ulur përballë një ekrani duke bërë artikuj sensacionale për klikime, si dhe duke kërkuar budallenjtë dhe ekstremistët në internet, për t’i vendosur ata në ballinën e mediave tona vetëm për të tërhequr vëmendjen e publikut. 

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.