Pengesa në rrugën drejt qasjes së lirë në informata

-

Gazetarët, organizata dhe qytetarët që parashtrojnë kërkesa për qasje të lirë në informata përballen me pengesa të shumta në rrugën drejt fitimit të informatave me karakter publik. Qeveria paralajmëroi ndryshime të Ligjit për qasje të lirë në informata me të cilat qytetarët presin lehtësim të qasjes në informatat nga institucionet.

Shkruan: Kristina Ozimec – PINA

Numri i të punësuarve në Njësinë për marrëdhënie me publikun në Ministrinë për Punë të Brendshme është informatë e klasifikuar edhe atë si “tepër sekret”. Kështu së paku thonë nga MPB-ja pasi për nevojat e një teme, nëpërmjet kërkesës për qasje të lirë në informata kërkuam informatë për numrin e të punësuarve në Njësinë për marrëdhënie me publikut të MPB-së në vitin 2016 dhe 2017.

Sa i përket numrit të të punësuarve në Njësinë për marrëdhënie me publikun dhe çështje strategjike, Ju njoftojmë se nuk kemi mundësi të përgjigjemi në pyetjen Tuaj për shkak se përgjigja është pjesë e Aktit për sistematizim të vendeve të punës të ministrisë, i cili me ligj paraqet informatë të klasifikuar me shkallë të klasifikimi “tepër sekret”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Përgjigja e këtillë padyshim e ngre pyetjen se si ka mundësi që informata se sa njerëz punojnë në Njësinë për marrëdhënie me publikun në një ministri mund të paraqesë informatë të klasifikuar apo konfidenciale. Ky është një nga shembujt me të cilët lihet përshtypje se institucionet ndonjëherë kërkojnë zbrazëtira në Ligjin për qasje të lirë në informata, me të cilin do t’ia vështirësojnë kërkuesit rrugën deri te informata, në vend që t’i sigurojnë përgjigje të plota për kërkesën e parashtruar. Edhe pse një numër i madh i institucioneve përgjigjen në kohë dhe në mënyrë të plotë në kërkesat e parashtruar, gazetarët, organizatat dhe qytetarët që parashtrojnë Kërkesa për qasje të lirë deri te informatat për çdo ditë përballen me pengesa të shumta në rrugën për të marrë informata me karakter publik. Vonesa në përgjigje, injorimi i plotë i kërkesave të parashtruara ose mosofrimi i përgjigjeve janë një pjesë e problemeve që i kanë kërkuesit e informatave.

Qendra për komunikime qytetare është organizatë e cila parashtron numër më të madh të kërkesave për qasje në informatat me karakter publik në vit, që t’i sigurojë informatat dhe të dhënat e nevojshme për hulumtimet e tyre.

Në vitin 2017 ata kanë parashtruar pothuajse 1.000 kërkesa, ndërsa përqindja e përgjigjeve të fituara është rreth 70%.

Institucionet që nuk përgjigjen, nuk ka refuzojnë por thjesht heshtin në lidhje me kërkesat tona. Është me rëndësi të theksohet se nëse ua lëmë këtë punë vetëm institucioneve, gjegjësisht në atë që e pranojmë si përgjigje, pa i kontaktuar dhe pa i përkujtuar – kjo përqindje do të ishte dukshëm më e vogël. Kur dërgojmë ndojnë kërkesë, para se të kalojë afati paraqitemi dhe i pyesim institucionet deri ku është përgjigja. Poashtu, nëse marrim përgjigje jo të plotë, paraqitemi përsëri dhe përpiqemi “me marrëveshje” t’i marrim informatat që mungojnë. Në qoftë se as këto mënyra të komunikimit të drejtpërdrejtë nuk japin rezultat, dhe pasi t’i paralajmërojmë se do të ankohemi, dorëzojmë ankesë deri te Komisioni për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informatat me karakter publik, e cila pastaj i obligon institucionet që të na i japin informatat e kërkuara. Megjithatë, një përqindje e vogël e poseduesve, nuk veprojnë as në përputhje me vendimin e Komisionit dhe këtu përfundon e gjithë procedura. Nëse bëhet krahasim, sigurisht mund të thuhet se institucionet në nivel lokal, para së gjithash komuna, qëndrojnë më mirë jo vetëm në aspekt të dhënies së përgjigjeve, por edhe sa i përket afatit brenda të cilit përgjigjen. Për dallim prej tyre, një pjesë e ministrive vazhdimisht gjejnë mënyra që të mos përgjigjen plotësisht ose në kohë në kërkesat tona”, thotë German Fillkov nga kjo organizatë. Ata zakonisht kërkojnë informata në lidhje me shpenzimin e parave publike, dhe për këtë arsye disa institucione përpiqen të mos përgjigjen në kërkesat e tyre duke gjetur lloj-lloj arsye se pse konsiderojnë se ato informata nuk janë me karakter publik. Disa të tjerë i orientojnë të shkojnë në Sistemin elektronik për furnizime publike, ku në fakt, ato informata nuk gjenden. Të tretët përgjigjen pjesërisht për atë që ata mendojnë se duhet të përgjigjen, sipas zgjedhjes së tyre, thotë Fillkovi.

– Interesante është ajo se kur ndonjë institucion përpiqet në këtë apo atë mënyrë të shmanget të na e japë informatën e kërkuar, pothuajse gjithmonë pas kësaj qëndron diçka që dëshiron të fshehet. Kur, në fund, i fitojmë ato informata, e kuptojmë menjëherë se pse nuk kanë dashur të na e japin informatën e kërkuar. Një numër më i vogël institucionesh, nga ana tjetër, ndonjëherë na japin shumë më tepër informata se sa që kemi kërkuar – shton ai.

Gazetarja hulumtuese e BIRN Maqedoni, Meri Jordanovska, thotë se problemi më i madh në shfrytëzimin e ligjit janë afatet.

Deri sa të marrim përgjigje nga institucionet, harrojmë se çka kemi pyetur. Pasi kalon afati prej 30 ditësh e deri sa të parashtrojmë ankesë, e pastaj Komisioni të vendosë, ndonjëherë kalojmë edhe muaj të tërë. Përveç kësaj, Komisioni i ka duart e lidhura nëse ndonjë institucion nuk përgjigjet në kërkesën për të ofruar informatë publike. Mund t’i obligojë që të përgjigjen, mirëpo nëse nuk përgjigjen, atë vetëm mund të bëjnë presion, kështu që mbetemi në mëshirë të asaj se a do të na sigurojë Komisioni përgjigje, thotë Jordanovska.

Në vend se te gazetarët që e kanë dërguar kërkesën, informata ka shkuar te gazetarë të tjerë

Nga Qendra për gazetari hulumtuese SCOOP Maqedoni për PINA-n thonë se qeveria e re gjatë kësaj periudhe, në përgjithësi, përgjigjet në kohë në pyetjet e tyre.

Kryesisht bëhet fjalë për pyetje që kanë të bëjnë me pushtetin e kaluar. Pasqyrë më të qartë do të kemi në periudhën e ardhshme, kur do të kërkojmë llogari për punën e kësaj qeverie. Përndryshe, në disa raste deri tani na ka ndodhur që përgjigjet tona të jenë temë e konferencave për shtyp, veçanërisht e temave që kanë të bëjnë me reprezentimin në ministri. Ose ka pasur raste kur përgjigjet tona kanë përfunduar në duart e gazetarëve të tjerë, ndërsa neve na është thënë se ministria nuk disponon me informata të tilla. Poashtu, na befasoi edhe veprimi i një ministrie, e cila e publikoi përgjigjen e kërkesës sonë, me emrin dhe mbiemrin e kërkuesit të informatë, që nuk ishte praktikë e pushtetit të kaluar. Dëshirojmë të potencojmë se me praktikën e këtillë demotivohen gazetarët hulumtues, fokusi i të cilëve është të hulumtojnë, të mbledhin dokumente dhe të dhëna, dhe t’i paraqesin ato para publikut me qëllim që të zbulohet ndonjë sjellje korruptive në institucione, dhe më pas, si rezultat i kësaj të përmirësohet jeta e qytetarëve, thonë nga SCOOP-i.

Edhe gazetarja Jordanovska ka pasur përvojë të ngjashme derisa i ka përgatitur storjet për atë se sa para kanë harxhuar ministrat e mëparshëm për shërbime të restoranteve dhe hotelierike gjatë vitit 2016.

Në maj të vitit të kaluar dërguam kërkesë deri te çdo ministri, kur në pushtet akoma ishin ministrat e VMRO-DPMNE-së, edhe atë pak para se të largohen nga funksionet. Siç pritej, përgjigje në kohë nuk morën nga askush, përveç nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, gjegjësisht nga ministresha e atëhershme Marta Tomovska, me përgjigje precize për atë se ku dhe si i kanë harzhuar paratë për reprezentim. Procesi për marrjen e përgjigjeve nga ministritë e tjera ishte i gjatë – parashtronim ankesa, përsëri ankesa, përsëri ankesa. Kur i morën funksionet ministrat e rinj, filluan të arrijnë përgjigjet, mirëpo një pjesë të tyre asnjëherë nuk e publikuam, për shkak se disa ministri fotokopjet e shpenzimeve për reprezentim së pari ua dërgonin mediave “të afërta” me to, ndërsa neve na i dërgonin të nesërmen. E tani paramendojeni cila është ndjenja, kur diçka që e keni kërkuar me muaj si gazetar, në bazë të të gjitha procedurave ligjore, fillimisht t’i jepet ndonjë medie që është e afërt me pushtetin e ri, e pastaj BIRN-it, edhe pse ato media aspak nuk kanë parashtruar kërkesë për qasje në informatat me karakter publik. Sa për ilustrim, për njërën nga kërkesat na u dorëzuan qindra faqe me dokumente, ndërsa një ditë më parë, informata kryesore nga ato dokumente, u publikua në një ueb-portal, dhe për këtë arsye ishte krejtësisht e parëndësishme që ne pastaj ta publikojmë analizën e plotë, kur informata kyçe tashmë ishte publikuar. Konkurrenca është gjë cilësore dhe e preferuar, mirëpo konkurrenca jolojale dhe mënyra se si vepruan disa ministri në këtë rast ishte dëshpëruese, gjë që dëshmoi se ende ekziston sindromi i mediave “tona” dhe “tuaja”, thotë Jordanovska.

Ligji në përgjithësi nuk është i keq, mirëpo kërkohen mënyra për ta manipuluar

Sipas Fillkovit, ligji që është në fuqi mbi një dekadë, në përgjithësi, nuk është ligj i keq, mirëpo si duket disa posedues të informatave me karakter publik përpiqend dhe arrijnë që ta manipulojnë atë, dhe me këtë rast të mos asnjë pasojë.

Ndryshimet kryesore që duhet të bëhen me qëllim të realizimit më të plotë dhe avancimit të zbatimit të të drejtës për qasje në informatat me karakter publik janë shkurtimi i afatti, zgjerimi i listës me përshkrim të informatave me karakter publik dhe zgjerimi i kompetencave dhe përforcimi i Komisionit për mbrojtjen e kësaj të drejte. Duhet të ndryshohet edhe neni 21 paragrafi 1 i Ligjit, gjegjësisht shkurtimi i afatit për të dhënë përgjigje në kërkesat për qasje në informata prej 30 ditëve kalendarike që janë paraparë tani në 15 ditë pune. Në këtë moment, Ligji ynë parasheh njërin nga afatet më të gjata për dorëzimin e informatave të kërkuara, ndërsa me zvogëlimin e afatit ligji do të harmonizohej me vendet evropiane (Kroacinë, Çekinë, Hungarinë, Srbinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Moldavinë, Lituaninë, Kosovën etj.), si dhe me institucionet e Bashkimit Evropian, thotë Fillkovi dhe shton se vendet si Portugalia dhe Rumania kanë afat prej 10 ditësh për t’u përgjigjur në kërkesat.

Qeveria në periudhën e ardhshme paralajmëroi ndryshim të Ligjit për qasjen e lirë në informata me të cilat qytetarët, e veçanërisht komuniteti i gazetarëve presin lehtësim të qasjes në informatat e institucioneve.

Nga Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe e punëtorëve mediatikë – SPGPM, në bazë të analizës dhe përvojës së anëtarëve të saj kanë dorëzuar propozime për ndryshimin e Ligjit për qasje të lirë në informatat me karakter publik. Ata propozojnë rritje të numrit të poseduesve të informatave me karakter publik duke i përfshirë edhe partitë politike dhe organizatat fetare dhe zvogëlimin e kufizueshmërisë së Ligjit dhe futjen e vërtetimit për testin e obligueshëm të realizuar për dëmin si procedurë e detyrueshme para se të refuzohet kërkesa.

Kjo nënkupton ndryshime të neneve 3 dhe 6, ku është imponuar obligueshmëria, mirëpo ai që vendos ka të drejtë diskrete të vendosë se cili interes është më i rëndësishëm. Duhet të përforcohet kërkesa për transparencë të detyrueshme të institucioneve nëpërmjet ueb-faqeve të tyre duke i publikuar: të gjitha aktet dhe nënaktet ligjore që janë relevante për institucionin, të dhënat statistikore për punën e tyre, raportet për punë që i dorëzojnë deri te organet kompetente për kontrollin dhe mbikëqyrjen e tyre, si dhe të gjitha informatat me karakter publik, pastaj zvogëlimi i afatit prej 30 në 15 ditë kalendarike për dorëzimin e informatës së kërkuar dhe rritja e kompetencave të Komisionit me dispozitë se ajo udhëheq procedurë kundërvajtëse dhe zbaton sanksione kundërvajtëse në përputhje me këtë ligj dhe Ligjin për procedurë kundërvajtëse, thuhet në kërkesat e sindikatës së gazetarëve.

Besimi Shaqiri nga Ministria për Drejtësi nuk u përgjigj në pyetjet tona për ndryshimet në Ligjin për qasje të lirë në informata dhe fillimin e procesit të ndryshimit të ligjit, edhe pse disa herë na premtoi se së shpejti do të na i dërgojë përgjigjet.

Nga Qendra për komunikime qytetare përkujtojnë se institucionet duhet ta zbatojnë “transparencën aktive”, e cila nënkupton publikim (pa ua kërkuar) të të gjitha informatave që dalin nga kompetencat dhe puna e poseduesit të informatave.

Duhet të zgjerohen kompetencat e Komisionit për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informatat me karakter publik që të udhëheqë procedurë kundërvajtës dhe të shqiptojë sanksione kundërvajtëse në rastet kur kufizohet qasje në informata. Këto ndryshime dhe plotësime të Ligjit imponohen si të domosdoshme duke e pasur parasysh qëndrimin e poseduesve të informatave, të cilët në një pjesë të madhe të rasteve e kufizojnë qasje në informata nëpërmjet refuzimit të heshtur ose duke dorëzuar përgjigje joadekuate, me çka nuk e përmbushin obligimin e tyre ligjor që të mundësojnë qasje në informatat publike. Në zbatimin e deritashëm të Ligjit, Komisioni i toleron poseduesit që nuk i përmbushin obligimet ligjore dhe nuk inicon procedura kundërvajtëse kundër tyre para gjykatës kompetente. Prandaj, me qëllim të të mundësohet respektim konsekuent i Ligjit për qasje të lirë në informatat me karakter publik nga ana e poseduesve të informatave dhe në funksion të transparencës dhe llogaridhënies më të madhe, propozohet ndryshimi dhe plotësimi i neneve 32 dhe 45-b të Ligjit. Me ndryshimin dhe plotësimin e propozuar të Ligjit dhe me harmonizimin e tij me Ligjin për kundërvajtje, Komisionit do t’i mundësohet të udhëheqë procedurë kundërvajtëse dhe të shqiptojë sanksione kundërvajtëse në rastet kur qasja në informata është e kufizuar, thotë Fillkovi dhe shton se nevojitet edhe zbatim gjithnjë e më i madh praktik i të drejtës ligjore për kërkimin me gojë të informatave në afat prej 5 ditësh.

Në Regjistrin qendror shërbimet janë falas, mirëpo shumë të ngadalshme

Qeveria para do kohësh paralajmëroi se me qëllim të lehtësimit të punës së gazetarëve dhe rritjes së transparencës, për gazetarët do të ofrohen falas shërbimet e Regjistrit qendror dhe Kadastrës. Mirëpo, si funksionon arritja deri te informata në praktikë? Sipas përvojave të gazetarëve veprimi i këtillë është i mirë, megjithatë procedura është e ngadalshme. Poashtu, gazetarët ankohen se nuk mund të marrin informatë elektronike për gjendjen momentale të ndonjë kompanie, por duhet të shkojnë personalisht dhe të dorëzojnë kërkesë te institucionet, edhe pse opcioni i njëjtë ekziston edhe për versionin elektronik, nëse duan të paguajnë. Ata thonë se duhet të mendohet që në sistemin ekzistues elektronik të Regjistrit qendror për shembull, të shtohet opcioni falas me identifikim të gazetarëve.

Në praktikë funksionojnë, vetëm nëse keni kohë të prisni një kohë të caktuar për ta marrë gjendjen momentale ose historikun e një kompanie të caktuar. Mirëpo, në qoftë se informata ju duhet menjëherë, ashtu siç edhe më shpesh u duhet gazetarëve, atëherë përsëri vijmë në situatë që të paguajmë për ta marrë informatën. Tani për tani, si mundësi e volitshme u tregua vetëm qasja në bllokun regjistrues në Regjistrin qendror, ku aty për aty mund të kontrollohen të gjitha të dhënat për ndonjë firmë të caktuar, që nga themelimi i saj e deri në ditën e kryerjes së kontrollit, thotë Jordanovska.

Edhe nga SCOOP-i e përshëndesin këtë veprim, mirëpo njlkohësisht, konsiderojnë se shërbimet falas nga RQM-ja do t’u shërbejnë gazetarëve në momentin kur nuk do të ketë nevojë të tregohet për cilën temë apo për çka u duhet dokumenti i kërkuar, siç praktikohet tani.

– Kështu, Regjistri qendror do të ketë qasje në atë se çka hulumtohet nga ana e gazetarëve me ç’rast funksionarët e pushtetit mund ta rëndojnë punën ose t’i izolojnë gazetarët në punën e tyre, theksojnë nga SCOOP-i.

 

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, “Аgora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.