LSDM filloi me përgatitjet për mitingun që sipas të dhënave të para, duhet të mbahet më 9 maj. Diçka mund të ndryshojnë vetëm bisedimet me VMRO DPMNE-në në Bruksel. Jozyrtarisht, nga partia thonë se nëse rastësisht anulohet mitingu, do të mbahet më 16 maj.

Ndërsa ajo që është zyrtare, sipas zëdhënësit Petre Shilegov është se LSDM nëpër qytetet e vendit është duke e përhapur të vërtetën për Maqedoninë.

“A do të ketë dhe kur do të mbahet miting në Shkup, do të informoheni në kohë”, është përgjigja e Shilegov në pyetjen kur dhe a do të mbajnë LSDM dhe opozita protestë të madhe në Shkup.

Për protestën e madhe përgatiten edhe partitë tjera opozitare si PLD, PRSD dhe PL.

“Ne jemi pjesë e opozitës. Kuptohet se do të marrim pjesë në çdo gjë që përgatit opozita. Fuqishëm qëndrojmë në mbështetjen e qëndrimit opozitar dhe duam që ky pushtet sa më shpejtë të largohet” deklaroi Filip Janeviq, zëdhënësi i PLD-së.

Sekretari i përgjithshëm i partisë thotë se është duke u mobilizuar anëtarësia e PLS-së për mitingun e përgjithshëm që do të mbahet në muajin maj në Shkup.

“Jemi në kontakt me të gjithë anëtarët dhe simpatizuesit e partisë në të gjitha vendbanimet”, thotë Kukoski.

Për Tito Petkovskin, kryetarin e PRSD-së, nuk ka dyshim se duhet të dilet në rrugë.

“Organizatat komunale dhe anëtarësia janë të njëzërit se pushteti nuk reagon edhe pas gjithë kriminaliteteve të publikuar në opinion. Mënyra e vetme ai të largohet janë protestat e vazhdueshme. Tani për tani po merremi vesh për strategjinë, por ende nuk kemi caktuar datë të saktë”, thotë Petkovski.

Edhe kryetari i PL-së, Ivon Veliçkovski pohon se për momentin janë në kontakt me të gjitha partitë opozitare për “vëzhgimin e gjendjes dhe për ndërtimin e qëndrimit për hapat e mëtutjeshëm”.

Nga VMRO Popullore njoftojnë se deri më tani nga LSDM nuk kanë pranuar kurrfarë ftese për protest.

“Deri më tani nuk kemi pasur kurrfarë kontakti me LSDM-së. Nëse marrim ftesë për pjesëmarrje eventuale duhet të vendosin trupat e partisë” thotë Lupço Balkovski, sekretari i përgjithshëm i VMRO Popullore.